MBI KONTRIBUTIN E DIBRËS NË LIDHJEN SHQIPTARE TË THEMELUAR NË PRIZREN (1878—1881)

Veshja Dibrane

Për mbrojtjen nga copëtimi të tokave shqiptare dhe për realizimin e bashkimit të kombit shqiptar në një njësi të vetme administrative, të lirë dhe autonome, u themelua në Prizren Lidhja Shqiptare. Kjo ishte e para organizatë politike dhe ushtarake që bashkoi patriotët dhe gjithë popullin shqiptar pa dallim krahine, shtrese e feje. Një nga krahinat që u bë mbështetje e fuqishme duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e detyrave të Lidhjes, ishte Dibra.

Dukuritë e reja shoqërore, që u shfaqën qysh gjatë viteve '40 të shekullit të 19-të,1 si dobësimi i ndikimit të feudalëve në jetën politike të vendit, roli gjithnjë e më i madh që filluan të luajnë përfaqësuesit e shtresave të ulta në drejtimin e lëvizjes çlirimtare, prirja e besëlidhjeve për t'u shtrirë në të gjithë territorin kombëtar e të tjera, gjetën terren të përshtatshëm në vetë mënyrën e organizimit shoqëror të sanxhakut të Dibrës.

Në territorin e Dibrës përfshiheshin kazatë e Rekës, të Dibrës së Epërme, të Dibrës së Poshtme dhe të Matit, me një popullsi prej rreth 250 mijë banorë dhe me qendër „Shehrin" e Dibrës.2

Duke e parë nga shkalla e penetrimit dhe e autoritetit që ushtrqnte administrata turke, territori i Dibrës ndahej në Topallti dhe në Malësi. Zona në krahun lindor të lumit Drin, që qeverisej me anë të oxhaqeve feudale të ndihmuara nga teqetë, (Dibra kishte tri oxhaqe dhe shtatë teqe), quhej Topallti. Ndërsa Malësia (që njihej me emërin Nëntë Malet e Dibrës, ku përfshihej dhe krahina e Lurës), shtrihej në krahun perëndimor të lumit Drin dhe qeverisej në bazë të normave kanunore tradicionale. Forumi më i lartë i Maleve ishte kuvendi ku mblidheshin pleqtë me ndihmësit e tyre, çekiçët, që drejtonin jetën e brendshme të çdo Mali, si dhe bashkërendonin marrëdhëniet me zonën e Topalltisë dhe me Shehrin e Dibrës.

Administrata turke ishte e vendosur në Sheher të Dibrës. Përpjekjet e qeverisë turke për ta shtrirë atë në të gjithë Dibrën veçanërisht në zonën e Maleve dështuan plotësisht. Por edhe në Dibrën e Poshtme, megjithëqë u vendos një pikë, kryesisht me karakter ushtarak në Peshkopi,3 ajo nuk arriti ta konsolidojë asnjëherë pushtetin e vet.

Kjo mënyrë organizimi dhe qeverisjeje, i dha mundësinë Dibrës që të gëzonte një farë autonomie të ngritur mbi bazën e disa privilegjeve, që i kishte fituar me luftë dhe që i mbronte me luftë kundër qeverisë turke. Sidomos zona e maleve ruante të drejtën të mbante armë, të mos jepte nizamë, të mos paguante taksa etj. Dhe, sa herë që Porta e Lartë orvatej t'i cënonte këto privilegje, qytetarët e „Shehrit" mbyllnin tregun, kurse malësorët rrethonin qytetin dhe bënin presion me armë mbi autoritetet qeveritare.4 Kërkesën ia dërgonin telegrafisht drejtpërdrejt Sulltanit dhe nuk shpërndaheshin pa u miratuar ajo. Lidhjet ekonomike që ishin vendosur midis Maleve dhe Shehrit, Topalltisë dhe Shehrit si dhe midis Maleve dhe Topalltisë, kishin ndikuar në bashkimin politik të këtyre krahinave.

Dibra ishte edhe një trevë me tradita të mëdha luftarake. „Xheliset" (Kuvendet) e Dibrës, me „besa-besën" e tyre, duke tërhequr tërë vrullin e masave dhe me udhëheqësit popullorë si Shefa Mustafa Zerqani, Sheh Pejzë Bulqiza, Elez Murra, Iljas Dibra, Faslli Malja, Cen Leka, Lam Daci e dhjetëra të tjerë, bënë të mundur që Dibra gjatë viteve '40—70 të shekullit 19-të, të mbrohej me sukses nga orvatjet e dhjetëra pashallarëve të Portës, që u munduan të zbatonin reformat centralizuese të Tanzimatit në këtë trevë.

Populli i Dibrës ka gdhendur në këngë e gojëdhëna, për të mos i shlyer kurrë nga kujtesa: betejën e Gjoricës më 1844,5 „që ua skuqi festën" 12 mijë anadollakëve të Hajredin Pashës; dështimin e ekspeditës së Hysni Pashës më 1855,6 të pasqyruar në alegorinë e njohur të luftëtarit Elez Murra se „Sulltani shpatën ta ka lidhë për dore e në qafë, or pashë..."; qëndresën heroike të 3000 shtëpive të Bulqizës në betejën e Xixullit,7 të udhëhequr nga pat-rioti Sheh Fejza kundër ekspeditës së Abdi Pashës; ushtimën e këngës „Demir Pasha, moj divane/kui i çon topat n'ato male/ se t'i mban Lami me gjith xhephane" në vitin 1872;8 refuzimin për të mos lejuar ndërtimin e karakolleve në Dibrë të Poshtme më 18759 etj. Këto fakte flasin për atë që periudha e Lidhjes i gjeti malësorët dibranë me armë në dorë kundër pushtuesve osmanë dhe tashmë më përvojë të vyer luftarake e të vendosur për të fituar lirinë e kombit.

Në këto vite, një kuptim të ri merr tradita dibrane e besëlidhjes me krahinat e tjera të vendit. Kjo besëlidhje nuk kishte më karakterin e ngushtë miqësor dhe ekonomik, që ndiqnin krerët për realizimin e interesave të tyre. Tani ajo pasqyronte një unitet politik, një lidhje që shkrinte në gjirin e saj interesat kombëtare të krahinave të ndryshme.

Për lidhjet ekonomike të Dibrës me Shkodrën, Kosovën, Gjakovën, Lumën, Matin etj., flet edhe goja e popullit. Kështu, në një variant të këngës për luftën e Drinit më 1844 thuhet:

„ ... Prej n'Gjakovë e deri në Dervend
Me Malet e Dibrës po bajnë kuvend,
Bajnë kuvend e lidhin besën...
Mu në Dri të gjith do vdesën".
ose
„Hajredin Pasha nji sygogël
S'ke njoft Çidhën e Grykë të Vogël
Se ato janë vlla me Shkodër".10

Bashkëpunimi krahinor e ngriti në një shkallë të re Lidhjen e Prizrenit, duke i dhënë atij karakter mbarëshqiptar.

Duke patur këtë organizim shoqëror dhe këto tradita të shkëlqyera patriotike, Dibra përbënte një forcë goditëse të fuqishme dhe një prapavijë të sigurtë në realizimin e detyrave të Lidhjes. Prandaj ajo tërhoqi qysh në fillim vëmendjen e politikanit trim e mendjendritur, organizatorit të Lidhjes Shqiptare në Prizren, Abdyl Frashërit. Kjo është dhe arsyeja që një periudhë të konsiderueshme në vitet e veprimtarisë së Lidhjes ai e kaloi në Dibër. Të gjitha këto janë edhe kushte e faktorë të rëndësishëm që përcaktuan pozitën dhe kontributin e Dibrës në Lidhjen e Prizrenit.

Acarimi i mëtejshëm i Krizës Lindore, si rezultat i shpërthimit të luftës ruso-turke të vitit 1877, dhe Traktati i paqës në Shën Stefan, treguan se Perandoria Osmane nuk ishte më e aftë të ruante territoret shqiptare, që përfshiheshin në kufijtë e saj.

Krijimi i Bullgarisë së madhe prekte krahina të gjera me popullsi shqiptare, që arrinin gjer në Drin e në Korçë,11 duke cënuar kështu një pjesë të mirë edhe të tokave të sanxhakut të Dibrës gjer në Veleshicë si Rekën, Dibrën e Epërme, Dibrën e Poshtme (krahun lindor të lumit Drin) dhe Gollobordën gjer tek ura e Çerenecit.12

Kjo indinjoi pa masë popullin e Dibrës. Ai deklaroi me vendo-smëri: „Më mirë shuhemi deri në burrin e fundit se sa të hyjmë në kuadrin e Bullgarisë kundër të drejtave të kombit shqiptar".13

Këtë mënyrë proteste për padrejtësitë e Traktatit të Shën Stefanit, e shikojmë edhe në telegramin dërguar nga Prizreni konsullit të Francës në Selanik, më 3 qershor 1878,14 nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Dibrës, ku veç të tjerave thuhet: „Duke u ndodhur përpara këtyre përmbysjeve tokësore, padrejtësia e të cilave është e dukshme, ne të nënshkruarit, përfaqësues të banorëve të të gjithë rretheve të vendit, duke qenë të mbledhur në Prizren, jemi të vendsur të mos lëshojmë asnjë pëllëmbë nga tokat shqiptare".

„Qarqet e Dibrës, Matit, Gjakovës, Pejës, Prizrenit, Gucisë — pohonte konsulli austriak Lipih në Shkodër — i ka përfshirë një lëvizje që sa vete rritet kundër aneksimeve bullgare, serbe e malazeze të stipuluara në Traktatin e Shën Stefanit".15

Përfaqësuesit më aktivë të kësaj lëvizjeje në Dibër, të cilët ishin edhe eksponentët kryesorë të Lidhjes, që vepruan me zgjuarsi qysh në fillim, ishin: Iljas Dibra, vëllezërit Ahmet e Isuf Karahasani, Isuf Doda, Xhemal Dibra, Bajram Buci, Llan Kaloshi, Hoxhë Moglica, Mustafa Lita, Hajredin Pitarka, Seit Daci, Halil Cami, SheJi Hyseni, Mersim Dema, Mustafa Shehu Zerqani e dhjetëra të tjerë.

Këta, megjithëqë përfaqësonin klasa dhe shtresa të ndryshme, duke qenë nën ndikimin e plotë të ndjenjave dhe të veprimtarisë patriotike të masave popullore, ngritën Degën e Lidhjes Shqiptare në Dibër, e cila nuk e mbajti brenda caqeve të krahinës këtë lëvizje, nuk luftoi vetëm për ruajtjen e tërësisë tokësore të Dibrës, por e shkriu veprimtarinë e saj në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të të gjithë Shqipërisë kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit. Këtë e tregon fakti se, edhe pasi Kongresi i Berlinit i rishikoi vendimet e Shën Stefanit dhe territorit të Dibrës hëpërhë iu largua rreziku i copëtimit, Dega e Lidhjes në Dibër, me po atë vendosmëri e guxim, proteston edhe kundër vendimit të padrejtë të Kongresit të Berlinit: „Kongresi i Berlinit, — thuhet në telegram, — e gjykoi me vend të bëjë një veprim të padrejtë duke i dhënë Serbisë e Malit të Zi disa lokalitete që bëjnë pjesë në Shqipëri dhe ndër të tjera Gucinë, Plavën etj. Prandaj shqiptarët kanë rrokur armët dhe janë të vendosur të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë nga tokat e tyre".16

Luftëtarët dibranë, me pjesëmarrjen e tyre në ushtrinë e Lidhjes luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e tokave shqiptare të ceduara nga Traktati i Berlinit. Ata, së bashku me vëllezërit e tyre kosovarë, lumjanë, shkodranë, e matjanë, i vunë gjoksin Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës dhe Ulqinit, duke dhënë shembuj të papërshkruar guximi, trimërie dhe heroizmi kundër forcave malazeze apo edhe koalicionit të forcave, në mbrojtjen e Ulqinit. Janë mjaft kuptimplotë edhe vargjet e kësaj kënge popullore të kohës, që tregon se sa lart ua ngrinte moralin luftëtarëve në betejë pjesëmarrja e malësorëve dibranë:

„Ni takam qi janë Gjakovas
Bajnë yrysh e hidhen n'topa,
Hidhen n'topa e dhidhen n'grika
Bajnë shiqir se na erdh Dibra"."

Cënimi i tokave shqiptare prekte interesat e gjithë kombit shqiptar. Për të përballuar këtë rrezik, në lëvizjen patriotike u përfshinë klasa e shtresa të ndryshme, me fe të ndryshme të popullsisë së Dibrës, ashtu siç ndodhi në të gjithë vendin. Nevoja e unitetit të këtij fronti e bëri të domosdoshme lënien mënjanë të grindjeve e përçarjeve të brendshme, që ligjet e kanunit vazhdonin t'i mbanin të gjalla ndër dibranët.

Një ndër këto veprime masive ishte edhe Kuvendi i Dibrës i vitit 1878,18 ku mbi 10 mijë burra, duke patur midis tyre Abdyl Frashërin, pasi dëgjuan ligjeratën e tij, vendosën për hir të shpëtimit të kombit edhe faljen e gjaqeve.

Nga ky kuvend u formulua edhe nje program me kërkesa autonomiste që iu dërgua Portës së Lartë, program i cili parashikonte bashkimin e Shqipërisë në një vilajet të vetëm, me nëpunës që të dinin gjuhën shqipe, me një kuvend të përgjithshëm që do të zbatonte reforma të dobishme për vendin dhe që do të kishte të drejtën të përdorte një sasi të mjaftueshme të të ardhurave të vilajetit për nevojat lokale. Këtë program e firmosi dhe Abdyl Frashëri, si përfaqësues i Toskërisë, dhe kaloi në Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, ku mori edhe aprovimin e tyre për t'ia dërguar Stambollit. Këtë e shikojmë në dy letrat që Abdyl Frashëri i dërgoi Iljas Dibrës, kryetarit të Lidhjes, nëpërmjet të cilave ne evidentojmë edhe personalitetin e Iljas Dibrës dhe rëndësinë që kishte ky luftëtarë për Dibrën.
Kjo është arsyeja që sukseset e korrura nga Lidhja në këtë etapë, lidhen me këtë unitet dhe këtë grupim frocash lëvizëse.

Dibra u bë një nga qendrat e rëndësishme të kërkesave dhe të luftës për autonominë territoriale administrative të Shqipërisë. Në Dibër u mblodh, më 14 tetor 1878, kuvendi krahinor, që mira-toi Rezolutën për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom me administratë shqiptare, me arsim dhe me gjuhën shqipe, si një vilajet ku do të zbatoheshin reformat e do-bishme për vendin. Po në Dibër, më 1 nëntor të atij viti, Kuvendi mbarëshqiptar i Lidhjes, e miratoi këtë program autonomist.

Lufta për realizimin e këtij programi, solli diferencimin edhe ne radhët e krerëve të Degës së Dibrës. Elementët turkomanë, çifligarë e klerikë, të lidhur me Portën e Lartë, filluan të lëkundeshin dhe të largoheshin nga krahu i përparuar i Lidhjes.

Disa nga feudalët e mëdhenj si Sadik Pasha, kleriku Jonuz Zyhdi efendiu, dolën hapur kundër kërkesës për autonominë. Kjo i shtyri konsujt e huaj të theksonin në raportet e tyre se krerët e Dibrës „janë të ndarë në dy parti, njëra është për Lidhjen, kurse tjetra kundër saj dhe, si pasojë, qyteti alarmohet shpesh kurse dyqanet mbyllen".

Ndërhyrja e qeverisë turke me agjentët e saj për të aktivizuar kundërshtarët e autonomisë, e acaroi akoma më shumë luftën e brendshme. Megjithatë, ndikimi i Portës në Dibër mbeti i zbehtë. Këtë e provon, midis të tjerave, edhe dështimi i orvatjeve të organeve turke për arrestimin e Abdyl Frashërit. 19

Dega e Lidhjes në Dibër, që kishte mbështetjen e fuqishme të masave popullore, i qëndroi deri në fund besnike programit autonomist. Ajo e udhëhoqi me sukses luftën për realizimin e kër-kesave në kuvendet e saj e të gjithë Shqipërisë.

Fazën më të lartë të luftës ndaj Portës, lidhja e kurorëzoi me formimin e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 1881. Qëndrimi konsekuent i udhëheqësve, që nxori thellimi i luftës për autonomi, i mbështetur në patriotizmin luftarak dhe në urrejtjen që ushqente populli ndaj administratës osmane, bëri që Dibra të „përzërë mytesarifin bashkë me qeveritarët turq", ndërsa organet e pushtetit të Lidhjes së Prizrenit filluan edhe në këto anë të ushtronin funksionet qeverisëse me plot autoritet.

Pohimet tendencioze që janë bërë për të errësuar kontributin e Dibrës gjatë viteve të Lidhjes në planin kombëtar, nuk kanë asnjëj bazë.

Dibra përbënte një nga drejtimet kryesore nga ku mund të kalonte ushtria turke për shtypjen e Lidhjes. Dhe që beteja mund të fillonte me Dibrën, shpjegohet edhe me veprimtarinë shumë aktive antiosmane të Degës së Lidhjes në Dibër. Nga ana tjetër, forcat bullgare me pretendimet ndaj tokave shqiptare, të nxitura edhe nga vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit e rritën së tepërmi aktivitetin e tyre armiqësor. Këto bënë që Dega e Lidhjes në Dibër të ishte e detyruar të mbante një pjesë të mirë të forcave luftarake në vend, për të përballuar çdo të papritur.

Megjithatë, si pjesë e pandarë e popullit shqiptar, dibranët nuk munguan t'i përgjigjen thirrjes për luftën e armatosur kundër forcave osmane, që u dyndën në Kosovë të komanduara nga Dervish Pasha. Ata morën pjesë në të gjitha betejat që në Shtimje, Slivovë, Dule, Kala të Dodës dhe deri në atë të Dohoshishtit të vitit 1882.

Mjafton vetëm ky fragment i këngës së kohës, kushtuar prijësit popullor Isuf Doda për të dëshmuar mbi atë qëndresë burrërore që i bënë dibranët ushtrive osmane të Ibrahim Pashës (njëri nga dy gjeneralët e shtabit të Dervish Pashës, që u detyrua të lërë edhe bajrakun e njësisë në këto beteja):

„Brahim Pasha po menohet,
Jusuf Dodës çish i bahet?
Si t'ia baj pis arnautit
Paska kanë sa xhimsa e Turkit".20

Kalimi në Dibër i Dervish Pashës, me gjithë territorin që ushtroi, nuk arriti ta shuajë lëvizjen në Dibër dhe ta konsolidojë autoritetin e administratës turke. Edhe sot populli kujton episodin e vitit 1882, kur komisioni i rekrutimit të nizamëve, nga e gjithë Dibra nxori vetëm 2 veta të aftë të kryenin shërbimin ushtarak.

Përpjekjet e gjithanshme të patriotëve, gjaku i derdhur nga shqiptarët dhe bashkë me ta dhe i bijve të Dibrës nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të themeluar në Prizren ushtuan si një thirrje e fuqishme luftarake, të cilën u detyrua ta dëgjojë e gjithë bota se Shqipëria është një komb me gjuhë, zakone e truall të vetin, ku jeton një popull, që don të jetë i lirë në vendin e tij.
--------------------
1 K. Frashëri, Fillimet e Lëvizjes Kombëtare në Shqipëri, në xev. „Studime historike", nr. 1, 1978, f. 48.
2 H. S t ë r m i 11 i, Dibra në prag të historisë (dorëshkrlm në Arkivin e Institutit të Historisë — AIH — dosja A—VII—64 f. 22).
3 I. G. Hahn, Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar, Wien 1867 (përkthim në AIH, dosje A. III. 5 1. 168).
4 H. S t ë r m i 11 i, Vep. e cit. f. 21. 3 Po aty, 1. 16.
« Po aty, f. 22.
7 Po aty, f. 24.
8 Po aty, f. 24.
» Historia e Shqipërisë, Tiranë 1964, vëll. II, t.9.
10 H. S t ë r m i 11 i, vep. e cit. t. 17.
11 „Dokumente Angleze", Prishtinë 197b, f. 53. 11 ,J)okumente Angleze", Prishtinë 1978, f. 53.
"Xh. Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë 1939, f. 172.
14 Archives du ministere des Affaires Etrangeres (më tej AMAE). Pro-testë e Lidhjes nga Prizreni, dërguar konsullit frances në Selanik, inë 3 qershor 1878.
15 Haus Hof und Staatsarchiv, Wien, Politisches Archiv, Raport i konsu-llit austro-hungares në Shkodër dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë më 8 qershor 1878.
16 AMAE Telegram i Degës së Lidhjes së Dibrës drejtuar ambasadorit të Prancës në Stamboll, më 12 dhjetor 1878.
17 Këngë popullore e mbledhur në Brezhdan (Dorëshkrim në Arkivin e Muzeut në Peshkopi).
18 A. Lorecchio, Memorandura, t. 70.
19 H. Stërmilli, Vep. e cit., f. 32.
20 Këngë popullore e mbledhur në Reç (Dorëshkrim në Arkivin e Mu-zeut në Peshkopi).

nga:
Beqir Shehu
Copyright www.agimi.com