“Poezia
është një vlerë e shenjtë”
Kundera
Engjëll I. Berisha: “Kujtesë e dehur”,
botoi SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2003.
Emri i Engjëll I. Berishës në letrat tona është
i njohur në radhë të parë si poet e mandej
edhe si gazetar, publicist e prozator. Ky krijues me vepër
letrare ka dalur qysh në vitin 1992, me vëllimin poetik
“Dita me hënë e me nuse” dhe që prej
asaj kohe pothuajse është i pranishëm në
odeonin e letërsisë sonë me shkrimet e veta qoftë
letrare, qoftë publicistike. Poezia e këtij poeti
është një zë që kordinohet suksesivisht
në rrjedhat e poezisë bashkëkohore shqiptare,
sidomos të brezit të viteve të fundit të
shekullit të XX-të, i cili, brez gdhend një shenjë
në piramidën krijuese të saj. Andaj edhe ky vëllim
i këtij poeti e shënon një gur të vendosur
sigurt në murin e veprimtarisë letrare të Engjëll
I. Berishës. Por, që në fillim del konstatimi
se në këtë vëllim hetohet diçka e
veçantë, diçka tjetër, diçka
paksa ndryshe nga ajo që është evidente në
veprat e botuara deri tash të këtij krijuesi të
letërsisë sonë.
E VEÇANTA DHE E PËRBASHKËTA E VËLLIMIT
Vepra “Kujtesë e dehur” përbëhet
nga 36 poezi dhe nga 5 proza dhe nga fjala e poetit “Peng
më mbetet fjala siç e kam lirinë” e shkruar
në formë të prozës në Gjakovë
– Korenicë në tetor 2003. Vepra është
e ndarë në gjashtë qerthuj (cikle) ku pesë
të parët mbullen me nga një prozë, që
janë: 1. “Kartëpostalja e bronztë”,
2. “Anije e dehur”, 3. “Flaka e natës”,
4. “Shenjtërori i zi”, 5. “Hala e shqipes”
dhe 6. “Lutje e përbashkët”. Libri hapet,
përveç fjalës së autorit, me poezinë
qelës “E përshpirtëshme”. Brenda
kësaj “kornize” letare shtrihet tërë
vëllimi artistik i verpës që në lexim të
parë duket se është një vepër e angazhuar.
Kjo mund, mbase, të arsyetohet edhe me përkushtimin
e shkrimtarit të venë në vepër: “Ky
është libër i dëshmive. Imazhi i tragjikës
është vetëm fillimi i dhembjes”. Dhe mu
me këtë moto, mu me këtë përkushtim
dhe me këtë qëllim ai e ka shkruar veprën,
por patjetër duke u mbështetur në frymëzimin,
i cili pritet, pse jo, që në këtë rast të
jetë paksa i prekshëm, paksa tragjik, paksa edhe “i
drejtëpërdrejtë”, në kuptimin e mirë
të domethënies. Dhe të gjitha këtyre synimeve,
Engjëll I. Berisha ia arrin, madje edhe atëherë
kur rrëfimi, në prozat e verpës, duket real,
i përjetuar edhe nga lexuesit, të cilët në
një mënyre apo tjetër, ishin dhe janë pjesëmarrësit
e drejtëpërdrejtë të të gjitha tragjedive
që ndodhën në këtë pjesë të
atdheut, para dhe gjatë luftës së fundit në
Kosovë. Madje, tragjikën e rrembimit, kidnapimit dhe
të zhdukjes së personave në Meje e Korenicë,
më 27 Prill 1999, autori e ka të përjetuar edhe
në vatrën e tij familjare, por se ai lutet “për
të gjithë ata martirët e 27 prillit 1999 dhe
për të tjerët, të cilët janë bërë
mësim se si vdiset për ta ruajtur pragun e shtëpisë,
sepse janë gjaku ynë që nuk falet lehtë,
duket se tingëllon aktualisht vargu emblematik i poetit
Ali Podrimja “Kosava është gjaku ynë që
nuk falet”. Bashkëdyzimi i këtij vargu me vargjet
e tjera të veprës bëhen për qëllim
të caktuar, dhe duket se ato tash lëvizin nëpër
kujtesën dhe frymëzimin e poetit Berisha, për
të përmbushur disi obligimin që e gërryen
në thellësi /Hajt poet/shkruaje një fjalë/se
ne ta donim fjalën në vargje/ dhe pse jo edhe për
të bërë diçka për ata që të
qetë e të pafajshëm janë shtrirë në
Lëndinën e Lotëve të varrezave në Meje.
UDHËTIMI REAL DHE UDHËTIMI POETIK
Edhe pse vepra “Kujtesë e dehur” e Engjëll
I. Berishës duket se është e koceptuar paksa
ndryshe nga veprat e botuara deri tash të tij, ajo e ka
një qëllim të caktuar, andaj bën pjesë
në veprat e angazhuara artistike. Pse jo, kjo vepër
i dedikohet luftës së fundit të Kosovës
në përgjithësi, dhe Masakrës së mejës
e të Korenicës, në veçanti. Paraqitja
poetike e lëndës në këtë vepër
bëhet nëpër një udhëtim imagjinar të
poetit, i cili në të vërtetë është
një kalvar real i shqiptarëve, jo vetëm i kësaj
kohe më të afërt, por i të gjitha kohërave
të luftërave të tyre për liri dhe pavarësi.
Ky udhëtim, nga autori shënohet, përveç
me figura poetike, edhe me emra konkretë gjeografikë,
biblikë e mitologjikë, ku secili në dimension
ka kuptimin dhe fuknsionin e vet. Kalvari i udhëtimit shtrihet
edhe nëpër ciklet poetike të veprës duke
u nominuar kuptimisht sepse fillon me një “Kartëpostale
të bronztë” dhe kalon nëpër krajata
tragjike me “Anije të dehur” duke u përbiruar
“flakës së natës” një “shenjtëror
i zi” andej kah “Hala e shqipes” e për
t’u sosur më 23 Maj 2003 në rivarrimin e Mejes
në Lëndinën e Lotve. Krajatat e këtij udhëtimi
duken se shpesh, me qëllim e pa qëllim, bashkohen
nëpër kthesat e historisë, për t’u
kalitur dhe për t’u skalitur si dhembje lotësh,
por edhe si krenari dhe dëshmi brezash që këtu
denbabaden kanë jetuar shqiptarë që përpara
janë identifikuar me emrin kombëtar e pastaj kanë
treguar për përcaktimet e tyre fetare. Kjo duket se
është ngirur në piedestalin e vetëdijes
sonë sidomos në kohën e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, ndërsa sa herë që duhej luftuar për
liri a vdekje ringjallej dhe marshonte vatrave e trojeve tona.
Kjo aromë hetohet edhe në vargjet e veprës “Kujtesë
e dehur” të Engjëll i. Berishës: /ja pra
sot në përbashkësi/ ju o njerëz të
Zotit/ pushoni në përjetësi/ dy konfeksione e
një gjak/ dy besime e një fat/ dy besime e një
motiv lirie/ dy besime e vetëm një mënyrë
e vdekjes/.
Përfundimin e udhëtimit real, apo kalvarit të
zhbirjes e të zhdukjes të shqiptarëve nga agresorët
serbë, autori e sheh të bashkëdyzuar me fatin
tragjik të vdekjes e cila është e pamëshirshme,
është e ftohtë, është e dhembshme,
është përfundimtare. Kështu poeti vdekjen
e zbut duke i dërguar të rivarrosurit në përjetësi
për të mos e zbehur dhe për të mos e harruar
kurrë kujtimin për ta, e sidomos kujtimin për
vdekjen e tyre të përbashkët e cila në atë
moment nuk kishte bërë kurrfarë zgjedhjeje as
faljeje. Andaj përjetësia e kujtimit të tyre
duhet bërë e shenjtë me vargje, sepse “arti
nuk njeh kufi”, ndërsa “Poezia është
një vlerë e shenjtë”, thotë Milan
Kundera. Misionin e tij prej krijuesi Engjëll I. Berisha
duket se nuk do ta përfundojë as realisht në
Lëndinën e Lotve në Meje. Ai është
i vetëdijshëm se riatdhesimi dhe rivarrimi i të
zhdukurve ende nuk ka përfunduar sepse ligjet tiranike
janë ende prezente në këtë hapësirë
dhe /Kosova rrugë e moçme Golgotë/ I ngjan
gjykimit Jezu/ kur Pilati hoqi dorë nga drejtësia/
për ironi trupin ua dorëzoi të marrëve/,
shprehet ai në poezinë “Ligjet tiranike”
faqe 86 të librit “Kujtesë e dehur”.
PËRFUNDIMI I UDHËTIMIT POETIK
Një njëfarë forme dhe në njëfarë
domethënie përfundimi i golgotës shqiptare në
kohë dhe hapësirë ende nuk ka përfunduar.
Mbase ky shtresim disi hetohet edhe në këtë vepër
të Engjëll I. Berishës. Edhe pse ai lutet që
kjo më mos të përsëritet, mos të ndodhë,
prapë se prapë, ai kërkon që kjo mos të
harrohet kurrësesi, sepse njeriu duhet kërkuar që
t’i falen mëkatet e edhe të falë, por kurrësesi
nuk duhet harruar ajo që ka ndodhur. Këtë qëllim
ai e ka të shtruar edhe artistikisht në këtë
vepër. Kështu, bashkëdyzimi i përfundimit
të udhtëtimi real e poetik disi dalin funksionalisht
dhe reciprokisht edhe pse poeti Berisha në fund të
vëllimit “Kujtesë e dehur” në poezinë
“Lindjet e popullit tim” shprehet: / Bekoji lindjet
e popullit tim/ o Hy, kurdoherë të pafajshme/ që
vijnë në vullnetin Tënd/ si lindje të paskajshme/.
Kjo vepër e Engjëll I. Berishës me siguri do
të jetë edhe një dëshmi poetike për
një kohë, për një tragjedi, për një
dhembje, për një padrejtësi, për një
mall të pashuar kurrë në kujtesën e këtij
populli të djegur e të pjekur në zjarrin e luftës
së fundit çlirimtare të Kosovës. Mbase,
vargjet e tij do të jenë një jehonë e gjatë
në kujtesën tonë që të mos harrohen
kurrë të gjitha ato që janë përjetuar.
Mbase ky është edhe qëllimi i shenjtë i
poezisë në veçanti dhe i artit në përgjithësi.