Me peshën e 75 viteve mbi kurriz, hapat e tij i ngjajnë
një trokame të një beteje, e cila nis në Vërban
të Kosovës dhe bitis në Grinuiç, aty ku
një vijë e hollë ndan Lindjen nga Perëndimi
në dy pjesë të barabarta.Në këtë
trokamë hapat e Tahir Berishës ndalen tek familja, herë
tek shqipja në tërë ndjesinë e saj, tek arsimimi,
patriotizmi, Kombi, shoqëria, shqiptaria e kurrë s’pushojnë…
Tahir Z. Berisha |
-1-
Në familjen e gjërë Sokoli të fisit Berisha
, e ardhur në Vërban të Vitisë nga Pidiqi
i Karadakut të Gjilanit, më 31 Korrik 1928, në
Lagjen e Karadakëve të Vërbanit u dëgjuan
pesë të shtëna pushkësh.Këto të
shtëna , që sipas traditës shqiptare shënonin
një gëzim të veçantë e të shumëpritur,
lajmëruan ardhjen në jetë të pinjollit më
të ri të këtij fisi, Tahir Zeqir Berisha…,
fëmija i parë i nënës Mihane , pas 16 vjet
martese të saj dhe djali i katërt i patriotit Zeqir
Sejdë Sokoli, i njohur me emrin Zeqë Vërbani.
Tahir Zeqir Berisha, një emër që më pas në
75 vjet u gjend në libra, shkolla, luftra, muzeume, mitingje,
dasma, aktivitete, tubime etj dhe u rrënjos mes një
itinerari jetik domethënës, si një monument i gjallë
për kohërat , i cili rreket mes ecejakeve të shumta
e të panumërta...
Vërbani |
Në këto ecejake këmbët e tij lanë gjurmët
e para në vendlindje dhe që në moshën dyvjeçare,
si më i zgjuari ndër fëmijët e moshës
së tij , por edhe të moshës më të madhe,
u bë i përkëledhuri i të Atit, duke fituar
privilegjin e odës së burrave.Në një moshë
të tillë ra shpejt në sy të të tjerëve,
por në realitet jo aq për moshën , sa për
temperamentin dhe mprehtësinë e tij në këtë
mes burrëror. Këtë privilegj e përforcoi edhe
më shumë pas rregjistrimit në shkollë, ku
filloi të lexonte me zë të lartë në odë
të burrave dhe mbrëmjeve, gazetat e asaj kohe nën
dritën e kandilit e herë –herë të llambës
së vajgurit që i komentonte i ati, Zeqë Vërbani.Më
pas ai teksa hidhte hapa të tjerë rrugëve e rrugicave
të jetës ndihej edhe më krenar për fatin e
të qënit djali i një njeriu që mendonte për
Kombin, për Shqiptarinë por që ishte i papëlqyer
prej autoriteteve zyrtare të asaj kohe në krahinën
ku jetonte dhe që vepra e hija e tij që i tërbonte
armiqtë e Kombit, jo pak do t’I kushtonte ecjes së
Tahir Berishës.
U rrit dhe u burrërua më tej duke njohur okupatorin,
në të gjitha ngjyrat e tij, pa me sy torturat, vrasjet
e hakmarrjet sllave, pa kërbaçin dhe drurin e okupatorit
bullgar që mbyste e vriste shqiptarët. Kështu më
parë e mbytën me dajak Ahmet Muhaxherin, kurse në
qershor të vitit 1943, natën e rrethuan shtëpinë
e Zeqë Vërbanit dhe pasi hasën në rezistencë
të fortë u larguan por me atë rast i therrën
fqinjët e tij: Ali Kovaçin, Nezir Miftarin dhe Ramadan
Mustafën. Në përleshje e sipër gjatë
natës, u vra edhe një nënoficer bullgar. Zeqë
Verbani u detyrua të strehohet në zonën italine,
përtej kufirit.
Ndërsa më 9 shtator 1943, kur ai sapo hidhte mbi supe
të katërmbëdhjetat, mori fund dhe fëmijëria
e tij. Pushtuesit italianë ia vranë babanë e tij
në prag të shtëpisë, ndërsa ai bashkë
me të dhe disa shqiptarë po ktheheshin nga një
ditë e zakonshme e psonisjes për familjen në tregun
e asaj kohe në Ferizaj. Në këtë përleshje
të armatosur me patrullën italiane, përveç
babait, u vra edhe një "marshall" italian dhe u
plagos një tjetër dhe disa fshatarë. Kështu
edhe ushtarët e okupatorit bullgaro – italian i lanë
eshtrat e veta në Vërban siç patën bërë
edhe ushtarët e Turgut Pashës famëkeq.
-2-
Duke u pjekur para kohe, për Tahir Berishën nisi një
jetë ndryshe mes kalvarit të vuajtjeve, një jetë
më serioze në fakt ku gradualisht u inkuadrua në
rrjedhat e jetës.I detyruar pas vdekjes së të Atit
të ndiqte vëllanë e tij në Mitrovicë,
ku ai ishte me punë, për herë të parë
në jetën e tij përjetoi tmerrin e bombardimit të
qytetit dhe mezi shpëtoi duke u fshehur rreth Sitnicës
në drejtim të Vushtrisë.
Me shkollën fillore të kryer e me dëshirën
e vullnetshme për të vazhduar gjimnazin, por i izoluar
në një vend pa mundësi të arsimohej shqip,
Tahir Berisha u detyrua të vazhdonte mësimet në
gjuhën serbe dhe brenda një viti kreu privatisht dy
klasa të gjimnazit të ulët.
-3-
Sjelljet brutale të okupatorit bullgar, vrasja e të
atit nga fashistët italianë , burgosja e vëllait
nga nazistët gjermanë dhe ngjarjet e tjera tragjike,
që përjetoi gjatë asaj periudhe e bënë
Tahir Berishën më të fortë, më burrëror,
por i zgjuan dhe një urrejtje më të madhe për
pushtuesit. Dhe aty nga fundi i Nëntorit të 1944-ës
ai u rrjeshtua në rradhët e Brigadës VII Sulmuese
Kosovare, ku ishte në fakt një nga partizanët më
të rrinj të saj dhe më pas iu bashkua Brigadës
së Parë të Krajishtës, e cila e ndoqi okupatorin
në Bosnjë-Hercegovinë-Mostar-Metkoviq-Sarajevë
etj
Prej Tërnavës, ku u vendos çeta e tij, Tahir
Berisha, më i arsimuari i çetës u dërgua
në shkollën e nënoficerëve, por vetëm
për një muaj pasi me kërkesën e tij dhe me
urdhërin e komandës si një 17 vjeçar u la i lirë për t’u arsimuar në shkollimin civil.
-4-
Më pas me shumë halle , pas mbarimit të luftës,
pa shkëputje nga puna , kreu maturën në gjuhën
shqipe , pastaj Shkollën e Lartë Pedagogjike në
Shkup, ku u diplomua në afatin e duhur në degën
e ghuhës dhe letërsisë shqipe dhe në fund
Fakultetin Filozofik në degën e historisë së
letërsisë jugosllave.
Ai pati "dimër" edhe gjatë shkollimit e arsimimit
të tij.Në këtë "dimër", jo
pak herë ia vështirësuan arsimimin "akujt"
e Komiteteve Të Lidhjes së Komunistëve , ku vetëm
në vitin 1953 nëpërmjet Sekretarit Organizativ
Petar Borozan dhe UDB-ës së Vitisë, nisën
drejt familjes Berisha akuza të reja , sa pë inate të
njohura , po aq edhe për inate të tjera edhe sot e kësaj
dite të njohura si të qëllimshme , për të
ndaluar ecjen përpara të Tahir Berishës, për
të ndalur hapin e tij të sigurtë e të ideuar
mirë drejt së ardhmes. Duhet theksuar se Tahir Berisha
vetëm pas një kursi që zgjati prej 10 Nëntorit
1945 deri më 9 shkurt 1946 e që zhvillohej për
pregatitjen e mësuesve në Prizren më 13 Mars 1946
u emërua mësues në fshatin Zarbincë të
Kosovës Lindore, kur ai ishte i moshës 17- 18 vjeçare.
Më saktë atij i ra shanci të hapte shkollën
e parë në këtë fshat. E atje në Zarbincë
ai dëgjoi të thuhej sërish:
"Vetëm pak n’I pastë përngjajt babës-
ky s’ka çare pa vyejte". Dhe ndërkohë
ndiente më shumë krenari, më shumë forca i jepnin këto fraza, i jepnin më shumë obligim e
përkushtim.
Zeqë Vërbani, jo vetëm që ishte i njohur
si luftëtar trim, por edhe si arsimdashës i flakët.
Derisa ishte kryetar i Komunës së Sllatinës, i zgjedhur me votat e shqiptarëve, vazhdimisht u interesua
për mirëvajtjen e dy shkollave (në Sllatinë
dhe Gërmovë), ku gravitonin 12 fshatra të banuara
nga shqiptarët. Ai ishte iniciator edhe për hapjen e
shkollës së parë shqipe në fshatin e lindjes
– Vërban në vitin 1943.
Brenda pak kohësh e ngriti lart emrin e shkollës së
Zarbincës dhe pas vlerësimeve të mara nga inspektorët
e arsimit, sidomos pas propozimit nga inspektori Mehmet Gjevori,
aty nga fundi i Nëntorit 1946 u transferua në shkollën
fillore qëndrore të Prishtinës.
-5-
Dhe hapat e zotit Berisha s’u ndalën kurrë.
Në Prishtinë pasi u bë një udhërrëfyes
pionierësh, një anëtar i seksionit të Pionierëve
Të Kosovës së asaj kohe, ku ishte kryetar Xhafer
Vokshi, në kuadër të po këtij seksioni, më
28 Nëntor 1946, filloi botimi i gazetës me emër
"Gazeta e Pionierëve", një gazetë për
herë të parë në shqip dhe që nga prilli i vitit 1948 i caktuar anëtar i redaksisë, ai mbeti i vetmi redaktor, lektor, daktilografier, korrektor dhe ekspeditor i saj.
-6-
Dhe përsëri "dimër" në jetën
e tij.Kësaj here pasojat e luftës, puna e pandërprerë
në redaksi, pluhuri i plumbit dhe zinkut nga shtypja e gazetës,
shkollimi pa shkëputje nga puna, kushtet e banimit dhe ushqimit
jo te mirë, i sollën një shëndet të lig
që u pasua me shtrim në senatoriumet e Ozrenit, Surdulicës
dhe Gollnikut ku nga viti 1949 deri në vitin 1952 luftoi
mejetën e vdekjen derisa e flaku tej TBC-në.
Pas daljes nga Senatoriumi në Qershor të vitit 1952
filloi përsëri punën në shkollën Fillore
të vendlindjes në Vërban, ku kishte dhe kushtet
më të volitshme.
E më pas referent në Këshillin e Rrethit e Sekretar i Pleqësisë së Arsimit e të Kulturës
në Viti, por edhe me dosje nga Sigurimi Shtetëror, përjashtim
nga Lidhja e Komunistëve dhe nga arsimi.Dhe kuptohet pse.Ai
shikohej tepër i rrezikshëm teksa ishte kryeinspektor i arsimit për Kosovë, shkollat në Kosovë mbinin
nën kujdesin e tij si kërpulla pas shiut.E ndërsa
ai rrezikohej përditë e më shumë, e ndërsa
miqtë e këshillonin më tej ai theksonte:
"Nuk kam dëgjuar e as lexuar gjer më tani që
të ketë bërë keq dikush që ka hapur shkolla…,
se aty ku hapet një shkollë mbyllet një burg."Në
faqen 234 të librit të historianes dr Sulltane Kojçini
- Ukaj, thuhet e kuptohet qartë çdo gjë në
lidhje me Tahir Berishën.
Tahir Berisha e vazhdoi veprimtarinë mësimore si arsimtar i Gjimnazit të Lartë, pastaj si drejtor i shkollës
së mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Rajonal Arsimor –Pedagogjik
në Gjilan.Ai e ngriti lart emrin e shkollës së
mesme Ekonomike në Gjilan në vitet 61-62, por kjo i kushtoi prapë, teksa nxiti nxënësit të shkruanin
tek fletëpalosja letrare e shkollës "Shprehja e
të rrinjve".Edhe pas shumë hetimeve dhe mbledhjeve
maratonike në shkollë , nuk u konstatua asnjëlloj
gabimi,Tahir Berisha u detyrua të braktisë Gjilanin
dhe të shpërngulet në Prishtinë, ku e vazhdoi
më me intensitet aktivitetin e tij.Gjatë viteve 1970-85
ai punoi si kryeinspektor i Arsimit të Kosovës dhe kryetar i Bashkësisë Punuese. Mirëpo në vitin 1986,
prapë u përjashtua nga LKJ dhe Lidhja e Luftëtarëve
të LNÇ të Jugosllavisë së asaj kohe
dhe doli në pension.
-7-
Imbetur një kohë as në qiell ,as në tokë,
në një dimër po aq të egër sa të
parët dimra të jetës së tij, ai prapë
se ndali hapin e tij…
Një jetë të tërë për gjuhën
shqipe, në procesin e drejtpërdrejt arsimor-edukativ,
një jetë të tërë kundër politikës
diskriminuese ndaj arsimit, ku thekson se Kosova u përgjak
dhe më shumë u plaçkit, por megjithatë u
rrit ..Dhe këtë rritje ai e kishte paraparë…
(Si e mendon sot këtë…?! Vetem 2-3 minuta ne
sfond natyre)
Tahir Berisha asnjëherë nuk i tha të zezës
e bardhë se e donte puna por vazhdonte hapat e tij dhe e
ngrente zërin teksa thoshte"Duket sikur është
çuar lugat hegjemonizmi serbomadh".
Tahir Berisha krahas punës në procesin mësimor-edukativ,
krahas aktiviteteve e veprimtarive të tjera, asnjëherë
s’e hoqi penën nga dora.Ai rrjeshtoi shkrimet e tij
letrare e publicistike dhe është autor i mjaft librave
voluminozë.Ai është autor i "Trojet që
nuk shuhen" botuar në Prishtinë 1993, dhe ribotimi i tij në 1995,
"Emra që nuk harrohen-Arsimtarët veteranë(1941-1951),
dhe arsimi shqip në Kosovë",vëllimi i parë i botuar në Prishtinë më 1994
"Emra që nuk harrohen-arsimtarët veteranë(1941-1951),
vëllimi II i botuar në Prishtinë më 1996,
"Rrëfime në vetën e parë", Prishtinë
1998,"Shënime dhe ecejake të një refugjati
nga Kosova" të botuar më 2001 në Londër
dhe një sërë dorëshkrimesh, tekstesh e materialesh
që pregatitet t’I hedh në botim.Por veprat e tij
fill pas botimit janë promovuar në Prishtinë,Preshevë,
Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll, Gllasgou të Skocisë
dhe në Londër, ku dhjetra e dhjetra vetë kanë
thënë e vlerësuar stilin dhe gjuhën e një
njeriu që i mëshon fort traditës dhe një tendence
pasuruese në rritje të sajDisa ekzemplarë të
këtyre librave sot gjenden në Bibliotekën Kombëtare
dhe Universitare të Prishtinës, në Bibliotekën
Kombëtare të Tiranës, Në Bibliotekën
Britanike të Londrës etj.
Tahir Berisha , merita të veçanta ka edhe si inisiator
për konstituimin e manifestimit unikal "Takimet e veteranëve"
ku ishte dhe sekretar për një periudhe të gjatë i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të
Kosovës…
-8-
Edhe pse shpesh i ankuar mes shokësh për kohë
jo të bollshme, ai duket një racionues perfekt i saj,
dhe i ndal hapat e tij në jetën plot arritje e vështirësi,
herë në lojën me nipërit e mbesat, se ai ka
shumë, herë në një cep të jetës
së tij shfleton kohën që ia kushtoi bletarisë,
herë përhumbet ende mes bilbilave e papagajve si dikur,
herë mediton dhe kujton rritjen e pulave në Kodrën
e Diellit në Prishtinë, herë trazon kujtesën
gjetkë, herë mes halleve e derteve të familjes
e herë mes shokësh…, pa hequr nga dora lapsin,
bllokun, shënimet, librat, letrat, gazetat dhe radion, të
çmuarën dhe miken e tij të hershme…
Intervistë……(2minuta….familja festat,
dasmat gezimet….)
-9-
Dhe si një traumë mbarëkombëtare "dimri"
tjetër i përket edhe Tahir Berishës…Si shumë
shqiptarë edhe ai më 5 Prill 1999, u shpërngul
me dhunë nga Kosova. E mes këtij "dimri" ai
la pas tmerrin e Bllacës, Stankovcin mizor, la pas dy muajt
në kampin e "Gazi Osman Pashës" në Kirklareli
dhe më 19 Qershor 1999 kaloi si refugjat në Angli…
Këtu në takimin e parë me të birin Gazmendin
pas disa vjetësh, në Grinuiç ai e tha me poezi
amanetin , jo vetëm për të por edhe për të
gjithë ata që e ndiejnë detyrimin ndaj një
vepre tërësisht kombëtare….
DIALOGU
BABË E BIR
(Porosia në Grinuiç të Anglisë)
Pushtuesi, babë, na ndau
Prej Atdheut na përzu’ shkau!
Por, pa pritë, e pa kujtuar
Në Angli jemi bashkuar.
Po, në Grinuiç u takuam,
Në Meridian u fotografuam.
Ti në "Lindje", unë në "Perëndim"
Që do të na mbetet si kujtim…
Dhe kjo poezi vazhdon me dy strofat e tjera me porosinw e Tahir
Berishës për të birin azmendin me qëllim vazhdimin
prej tij të veprës së vet, ashtu sic ai bëri
me veprën e babait.
Ai është prapë në ecjen e tij të zakonshme,
në jetën e tij në një mjedis ndryshe, por
sërrish mes shkrimeve e hulumtimeve.Ecën i qetë,
durimtar, i thjeshtë, dëgjues e kompetent, i vendosur
në atë që duhet të bëjë.Tahir Berisha
nuk e ndal hapin.Zhurma e hapave të tij ndihet vetëm
në trokamën e penës që tashmë ka shumë
për të lënë pas…
Rrugëve të mbretërisë së Bashkuar ai
kërkon shqiptarin, vendasin, historianin, shkrimtarin, kërkon
çdonjërin që di për shqiptarinë, që
ka bërë sadopak për të, kërkon tërë
kombin e madh anglez që në momentin e duhur iu gjend
tokës së djegur Dardane, kërkon e kërkon…të
veçantën që i përket të djeshmes, të
sotmes e të ardhmes.
E ndërsa dielli ka lëshuar tashmë rrezet mbi Kosovë
dhe shqipja endet e pafrikur në trojet Dardane, Tahir Berisha,
akoma e ka një merak në zemër, teksa na thotë:
"Mos i kam lën’ mangut gjë Kombit?!
Londër, 23 dhe 24 qershor 2003