Intervistë
e Robert Elsiesë për gazetën shqiptare “ILIRIA”
Intervistoi: Robert Elsie është padyshim një nga
përkthyesit më prodhimtarë të poezisë
dhe trashëgimisë shqipe në anglisht. Lindur më
1950 në Vankuver të Kanadasë, ai studioi në
University of British Columbia, ku diplomoi më 1972 për
studime klasike dhe Gjuhësi. Në vitet pasues ai i vazhdoi
studimet pasuniversitare në Gjermani, Francë e Irlandë
dhe përfundoi doktoraturën për letërsi më
1978 në Institutin Gjuhësor të Universitetit të
Bonit. Prej vitit ’78 ai vizitoi Shqipërinë disa
herë me një grup studentësh dhe profesorësh
nga Universiteti i Bonit, vizita që së pari i zgjuan
interesin për kulturën shqiptare. Për disa vite
rresht ndoqi Seminarin Ndërkombëtar mbi Gjuhën,
Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare mbajtur në
Prishtinë të Kosovës. Nga viti ’82 deri më
’87, punoi për Ministrinë e Punëve të
Jashtme gjermane në Bon.
Prej atëherë ka punuar si interpret i pavarur mbledhjesh,
parësisht për shqipen dhe gjermanishten. Së fundmi
ka punuar si interpret i njëkohshëm shqip-anglisht-shqip
për Gjykatën e Hagës në krejt pjesën
e Kosovës të gjyqit të Millosheviçit. Elsie
ka përkthyer dhe botuar një varg librash, mes të
cilëve History of Albanian Literature; Dictionary of Albanian
Literature; A dictionary of Albanian religion, mythology and folk
culture; Studies in modern Albanian literature and culture, Albanian
folktales and legends; An Elusive eagle soars: Anthology of modern
Albanian poetry; Migjeni: Free verse, Flora Brovina: Call me by
my name; Who will slay the wolf, Ali Podrimja, Gathering clouds:
the roots of ethnic cleansing in Kosovo and Macedonia, etj.
ILIRIA : Vështirë se ka ndonjë lexues
që nuk i ka lexuar përkthimet tuaja të poezisë
dhe trashëgimisë letrare shqipe. Ende nuk e kam takuar
një shqiptaro-amerikan që nuk ka në bibliotekën
e tij të paktën një libër përkthyer nga
ju. Cila ishte tërheqja fillestare, ai çast vendimtar
që ju grishi aq fort sa t’ju detyronte t’ia përkushtonit
kaq shumë kohë dhe energji letërsisë shqiptare?
Robert Elsi: Kam pasur gjithmonë një pasion
për gjuhët dhe kulturat e huaja disi të errëta.
Kur fillova të mësoja shqipen në vitet ’70
në kursin e studimeve për gjuhësi të krahasuar,
u godita nga “muri i heshtjes” që e rrethonte
kulturën shqiptare. Diktatura staliniste në Shqipëri
dhe veçimi i tejskajshëm nga të cilët shqiptarët
vuajtën për dhjetëvjeçarë të tërë,
kishte një pasojë afatgjatë: shumë pak të
huaj e mësuan shqipen dhe,të jemi të ndershëm,
shumë pak ishin t’interesuar, përveç një
grushti të tejskajshmish politikë. Por as pamja që
ka vizatuar Shqipëria për vetë dhjetëvjeçarin
e fundit kaotik nuk ka qenë veçanërisht tërheqëse.
Pakësia e shkencëtarëve të interesuar për
Shqipërinë dhe mungesa e përkthyesve nga shqipja
në anglisht ka treguar që muri i heshtjes nuk është
rrëzuar ende. Dhe prapseprap, ka shumë për t’u
zbuluar në kulturën shqiptare. Pas vitesh shtypjeje
dhe veçimi, shqiptarët kanë shumë për
të thënë. Interesi im ka qenë në të
ndihmuarit që kjo kulturë, në gjithë larminë
e vet, të njihet dhe kuptohet nga bota e jashtme.
ILIRIA : Paraqitja e vëllimeve të Brovinës
dhe Podrimjes janë skajshmërisht informues, por edhe
të ngrohtë e parapëlqyes ndjenjësisht. A ka
ndonjë arsye për këtë përveç vlerave
të poezisë së tyre?
Robert Elsi: Kur fillon përkthimin e poezisë
së një autori, ti hyn në kozmosin e tij apo të
saj. Secili autor është i ndryshëm dhe secili ka
kumtin e vet për t’ia tejçuar botës. Në
rastin e Flora Brovinës, që ishte në një burg
serb në kohën kur fillova përkthimin, sigurisht
që u ndikova nga rrethanat politike të jetës së
saj, por në përgjithësi është kumti poetik
që ka rëndësi. Unë përkthej autorë
punën e të cilëve e kam pëlqyer vetë
dhe të cilët mendoj se do të përçohen
mirë në një përkthim anglisht. Jo çdo
poet, bile edhe ata që unë i pëlqej dhe i vlerësoj,
është i përkthyeshëm, të paktën
jo nga unë. Megjithatë, kam përkthyer shumë
autorë dhe, për mungesë botuesish, e kam vendosur
së fundmi shumicën e lëndës në faqen
time të re t’internetit www.albanianliterature.com
duke ia bërë të mundshme secilit që ka kompjuter.
Shumë nga shkrimet dhe librat mund të shkarkohen atje,
gjithashtu.
ILIRIA : Si erdhi puna që e mësuat shqipen
aq mirë, veçanërisht kur dihet se përkundër
anglishtes, ajo është një gjuhë shumë
e lakueshme?
Robert Elsi: Siç e përmenda, kam pasur gjithmonë
pasion gjuhët e huaja. Duhet ta pranoj se m’u desh
kohë ta zotëroj shqipen. Ishte përpjekje e fortë,
përballë mungesës jo vetëm të gramatikave
dhe fjalorëve të mirë atë kohë, por edhe
sa i përket njerëzve për ta ushtruar. Pse u specializova
në shqip dhe jo në gjuhën uellsiane, lituaneze
apo bretone (gjuha e keltëve-shën. përk) që
i kisha studiuar më parë? Ishte thjesht rastësi.
Më 1978, ndërkohë që po mbaroja doktoraturën
në Gjermani, pata një rast të rrallë me anë
të profesorit tim n’Universitetin e Bonit, për
ta shëtitur Shqipërinë me një grup studentësh.
Mbeta pa mend nga gjithë propaganda politike në mure
dhe pankarta që më solli ndër mend ndonjë
film shkel e shko të Hollivudit, por gjithashtu u josha nga
vendi dhe njerëzit jashtëzakonisht miqësorë
dhe mikpritës. E tillë ishte Shqipëria e kohës,
një teatër absurdi, prapseprap më mbeti në
zemër.
ILIRIA : Shqiptarët i gjykojnë pjesët
letrare që keni përkthyer si më përfaqësueset
e poezisë shqiptare. Ndërsa ju keni botuar një
vëllim me poezi nga Migjeni, Flora Brovina dhe Ali Podrimja,
shumë nga të njohurit e mi po prisnin nga ju një
përkthim të Fishtës. Duke pasur parasysh që
ai mendohet të jetë një nga themeluesit e poezisë
shqiptare, a po punoni për botimin e një vëllimi
të veçantë të poezisë së tij?
Robert Elsi: Jam makthosur gjatë nga mendimi i
përkthimit të Fishtës dhe për shumë kohë
e kam mënjanuar për shkak të të folmes së
fortë gege, ndërlikueshmëritë e gjuhës
së tij dhe, për mua, kulturës shumë ekzotike
të malësive shqiptare. Fishta është sfida
përfundimtare për një përkthyes letrar. Por
unë jam i pangopur i keq dhe më 2000, më në
fund, fillova të përkthej Lahutën e malcis, që
e gjykoj si Epika Kombëtare Letrare shqiptare. Puna e përkthimit
ishte shumë e vështirë në fillim dhe n’t’vërtetë
u dorëzova disa herë, por tani u mësova me gjuhën
e Fishtës e mënyrën e shprehjes, dhe po bëj
përparim të mirë. Pesë këngët e
para të përkthimit anglisht të Lahutës së
malcis do të botohen shumë shpejt (m’është
thënë për Krishtlindje) në Pejë brenda
vargut Dukagjini Balkan Books, ku tashmë kam botuar një
numër veprash të tjera n’anglisht. Po ta hedhim
shikimin mbrapa, mendoj se përkthimi ka dalë jashtëzakonisht
mirë. Jam i kënaqur të paktën, por do t’ia
lë lexuesit të vendosë vetë. Po vazhdoj ngadalë
me pjesën tjetër të Lahutës së malcis,
por ajo është shumë e gjatë - sa Iliada e
Homerit - kështu që do të më marrë disa
vjet ta përfundoj. Nëse ia dal, do të jetë
një arritje historike.
ILIRIA : Ndihmesa juaj shtrihet përtej poezisë,
në botimin e shkrimeve dhe studimeve mbi letërsinë,
besimin, mitologjinë dhe kulturën popullore shqiptare.
Cilat janë nismat tuaja të tanishme?
Robert Elsi: Përveç Lahutës së
malcis, kam plotësuar një përkthim anglisht të
poezisë gojore epike shqiptare që do të thirret
The Songs of the Frontier Warriors (Kangët e kreshnikëve),
që i gjykoj si shumë të rëndësishme.
Do të botohet shpejt (shpresoj para fundit të vitit)
në një vëllim dygjuhësh nga Bolchazy-Carducci
Publisher në Vaukonda t’Ilinoisit. Kjo, më në
fund, do ta paraqesë epikën shqiptare para botës
shkencore dhe lexuesve të huaj. Deri tani, ajo ka qenë
nën hijën e epikës më të njohur serbo-kroate,
me të cilën është e lidhur ngushtë. Kam
përfunduar edhe një libër të ri quajtur Introduction
to Albanian Literature (Hyrje në Letërsinë Shqipe).
Ky është një lloj më i shkurtë, më
i përmbledhur dhe i përditësuar i Historisë
së letërsisë shqipe dyvëllimëshe, botuar
në Nju Jork më 1995, dhe përqendrohet në autorët
madhorë të letërsisë shqiptare nga fillimi
deri në vitin 2000. Nuk kam gjetur ende botues për të,
por nuk i kam humbur shpresat. Kam plotësuar gjithashtu një
përkthim anglisht të një përmbledhjeje tregimesh
të shkurta moderne shqiptare, të cilin ia kam parashtruar
një botuesi në Çikago. Një vepër tjetër
me interes për historianët është Shqipëria
e hershme: një lexues i teksteve historike (shekujt XI-XVII),
që do të botohet vitin tjetër në Gjermani
shpresoj. Së fundmi, kam filluar të punoj mbi një
botim të ri të Fjalorit historik të Shqipërisë
për Scarecrow Press, që po e përvijoj si një
enciklopedi vocërrake të Shqipërisë dhe shqipes.
Kjo nisëm përfshin mjaft kërkime dhe punë,
kështu që i kam lënë Fishtën dhe përkthimet
e tjera mënjanë hëpërhë.
ILIRIA : Më së fundmi keni botuar “Gathering
clouds: the roots of ethnic cleansing in Kosovo and Macedonia”
(Re të mbledhura: rrënjët e spastrimit kombëtar
në Kosovë dhe Maqedoni), një përmbledhje dokumentesh
të hershmërisë së shekullit XX. Ndonjë
arsye e veçantë?
Robert Elsi: Nuk përfshihem zakonisht në vepra
që mund të gjykohen si politike, por në këtë
rast doja ta ndihmoja publikun ndërkombëtar të
qartësonte diçka. Ka pasur një prirje nga qarqet
ndërkombëtare prej luftës në Kosovë ta
hedhin gjithë fajin mbi Millosheviçin. Më thjesht,
është mëtuar që “nëse Millosheviçi
s’do të kishte qenë në pushtet, nuk do të
kishte pasur përplasje kombëtare në Jugosllavi
dhe vendi do t’ishte prapë i bashkuar. Tashti që
Millosheviçi ka ikur, mund t’i vëmë copat
prapë bashkë.” Ajo që shumë njerëz
jashtë nuk kuptojnë, është që shtypja
dhe spastrimi kombëtar në Kosovë ka qenë shumë
kohë përpara se Millosheviçi të vinte në
pushtet. Në të vërtetë, ka pasur një
traditë të mjerueshme spastrimi kombëtar atje përgjatë
shekullit XX, nga fillimi deri në fund të sundimit serb.
Çdo qeveri beogradase: nga koha monarkike te ajo komuniste
dhe paskomuniste mori pjesë në të. Nëse kjo
qartësohet, dhe shpresoj që kjo të bëhet nga
libri, bashkësia ndërkombëtare do të kuptojë
më në fund të kuptueshmen: që një zgjidhje
përfundimtare mund të lindë vetëm duke nderuar
vullnetin demokratik të popullit të Kosovës.
ILIRIA : Gjatë kohës së parë të
gjyqit të Millosheviçit në Hagë keni shërbyer
si interpret shqip-anglisht për Gjykatën. A keni ndonjë
kujtim të veçantë nga kjo?
Robert Elsi: Gjyqi i Millosheviçit është
thënë të jetë gjyqi më i madh në
historinë evropiane pas Nurembergut dhe unë e mendoj
si privilegj të kem qenë në gjendje të marr
pjesë në të. Punova si interpret i njëkohshëm
shqip-anglisht-shqip për Gjykatën çdo ditë
prej mesit të shkurtit deri në fund të gushtit
2002 dhe besoj të kem qenë i vetmi përkthyes i
pavarur që jam përfshirë në pjesën e
Kosovës të gjyqit nga fillimi në fund. Duhet ta
pranoj se kujtimi kryesor nga gjyqi është stresi. Përkthimi
ishte çuditërisht i vështirë. Kur përktheja
nga shqipja n’anglisht, isha i ndërgjegjshëm që
jo vetëm në gjykatë, por edhe në mediat ndërkombëtare,
pra në kohë të caktuar në mbarë botën,
po dëgjonin zërin tim dhe që çdo gabim mund
të ndryshonte rrjedhën e gjykimit. Kur po përktheja
nga anglishtja në shqip, isha barazisht i ndërgjegjshëm
që gjithë Kosova dëgjonte shqipen time - dhe gjithë
gabimet e mia gramatikore e shqiptimore - në televizion.
Megjithëse kam bërë mjaft përkthim mbledhjesh
të nivelit të lartë për shqipen, mendoj se
gjashtë muajt në Gjykatë ishin koha më e vështirë
e karrierës sime dhe sigurisht më stresuesja. Siç
e vërejti një koleg imi në Hagë, ishte si
rrugëtim nëpër gropa çdo ditë. Kodet
gjuhësore të anglishtes dhe shqipes në gjyq ishin
tejet të ndryshme. Anglishtja e gjykatës është
jashtëzakonisht e stërholluar dhe e ndërlikuar,
të cilën duhej ta përktheja në shqip por edhe
t’ia bëja të kuptueshme dëshmitarëve
shqiptarë, që ishin shpesh fshatarë të thjeshtë
dhe pak dinin për veçantitë ligjore. Ende s’jam
i sigurtë deri në ç’shkallë ata dhe
shikuesit e TV-së nga Kosova kanë kuptuar çfarë
po thoja. Drejtimi tjetër, nga shqipja, apo më mirë
nga kosovarçja n’anglisht, t’i prishte edhe
më shumë nervat, sepse ishte shpesh e vështirë
të kuptoheshin të folmet vendore që flisnin dëshmitarët
dhe të përçoheshin dëshmitë e tyre
nga një kod i papërpunuar në një anglishte
të kuptueshme. Kishte edhe shumë probleme kulturore
që përfshiheshin në përkthim. Stresi i vazhdueshëm
i punës atje e pati një përfitim, gjithsesi. Më
ruajti nga thithja e gjithë atij tmerri nga dëshmitë
dhe më ruajti nga sakatosja prej gjakut dhe therjeve që
ishim të detyruar të dëgjonim çdo ditë.
I admiroj gjithë ata njerëz trima që i mbijetuan
tmerret e pathëna dhe erdhën nga Kosova për të
dëshmuar.