PERKIME NE LIRIKEN RUMUNE E SHQIPTARE

këto ditë në Bukuresht ...

E pa dritën e botimit një libër i ri i dr. Luan Topçiut:

(“Paradigmat e mallit në letërsinë rumune dhe shqiptare”,
Editura Cartea Universitara, Bukuresht, 2004)

Fjala është për një libër të vlerësuar nga bota akademike rumune si “erudit, metodik, dhe bindës, një studim i shkëlqyer, i një niveli të lartë akademik, i letërsisë krahasimtare. Autori përmes kësaj vepre, demonstron aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore, në fushën e interferencave kulturore, në lirikën shqiptare dhe atë rumune.”

Pas botimit të Fjalorit akademik Shqip-Rumanisht dhe librit më të ri të poetit kosovar në rumanisht Halil Haxhosajt, duket pra, se edhe njëherë tërhiqet vëmendja ndaj kulturës shqiptare në Bukuresht, përmes librit më të ri të dr. Luan Topçiut ‘Paradigmele dorului in poezia romana si albaneza (Paradigmat e mallit në poezinë rumune dhe shqiptare), botim i Shtëpisë Botuese “Cartea Universitaa” (Libri universitar), i përfshirë në kolanën “kritikë letrare” të autori shqiptar. Është një libër studimor i letërsisë kontrastive tematike, ku hidhet dritë mbi paralelizma në rrafshe të ndyshme të dijes, në ngjashmëri dhe ndryshime midis dy letërsive: midis lirikës rumune dhe asaj shqiptare. Dr. Luan Topçiu vështron dukurinë në gjitha paradigmat që i vijnë në ndihmë hetimit të tij shkencor: morfologji kulturore, historike, socio-kulturore, gjeografike, filozofike, gjuhësore, folklorike, etno-psikologjike etj. Autori i librit mbron idenë se popujt ballkanikë, jetojnë në të njëjtën “matricë stilistikore” se mes tyre ekzistojnë mjaft elemente të përbashkëta. Duke praktikuar pandërprerje shkëmbime vlerash materiale dhe shpirtërore, ata kanë kapur përpos ndryshimeve specifike, karakteristika të përbashkta të një “familjeje të madhe”, e ndjeshme ndaj të gjitha manifestimeve historike.
Libri i këtij studjuesi të mirënjohur shqiptar, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Bukureshtit, del në gjuhën rumune, i shoqëruar me një parathënje nga akademiku bukureshtar, Alexandru Balaci, sipas të cilit, fjala është “për një studim të shkëlqyer, të letërsisë krahasimtare. Autori i tij na demonstron aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore në fushën e interferencave kulturore, në lirikën shqiptare dhe atë rumune”.
“Këto realitete, sipas autorit të librit, i kanë imponuar botës ballkanike, pothuaj gjithmonë, ritmin e një frymëmarrje të vetme”. Libri përbëhet nga këta kapituj: Malli si gjendje shpirtërore. Konteksti socio-kultural; Malli në literaturën e lavruar rumune; Malli në poezinë e lavruar shqipe; Malli në letërsinë postbelike rumune dhe shqiptare. Ndjenja e mallit dhe e vetmisë nostalgjike hetohet si në poezinë gojore, në folklorin shqiptar e në mënyrë të veçantë në atë arbëresh, ashtu dhe në krijimtarinë e disa poetëve nga më të rëndësishmit rumunë dhe shqiptarë: Mihai Eminescu, Asdreni, Lucian Blaga, Lasgush Poradeci, Viktor Eftimiu, Mitrush Kuteli, Nichita Stanescu, Ismail Kadare, Fatos Arapi, duke i vendosur në një kontekst ballkanik. Përmes analizës së veprës së autorëve që merr në shqyrtim, dr. Topçiu, sipas perspektivës së tij tematike, paraqet njëherazi dhe një imazh të peisazhit lirik rumun e shqiptar. “Autorët e analizuar janë shndërruar në transmetues të një tipi të ri ndjeshmërie, të një vizioni mbi jetën, me thekse të qarta kombëtare dhe rajonale (ballkanike) Poezia e tyre, përndryshe, poezia e ndjenjave më të stërholla njerëzore, të rivitalizuara në letërsitë e vendeve gjegjëse, transmeton një ndjenjë të lashtë, të trashëguar, të ruajtur, e pasuruar me nga më të beftat nuanca semantike...”

Studim shkencor i një niveli të lartë akademik

Në ballinën e katërt janë vënë pasazhe nga konsideratat e botës akademike rumune rreth këtij libri. Prof. univ. dr. Mircea Muthu, prorektor i Universitetit të Kluzhit dhe një studjues i mirënjohur i letërsisë së Europës Jug-Lindore do të theksojë: “Studimi me një nivel akademik i dr. Luan Topçiu, i inkuadruar në linjën e një komparatizmi tematik-jo vetëm që përmbledh vëzhgimet e mëparshme, por çel në të njëjtën kohë disa perspektiva të disa studimeve që, së bashku me ato të morfologjisë kulturore dhe të etnologjisë, do të thellojnë imazhin tonë (atë rumun. Sh.y.) për një segment karakteristik të kulturës letrare jug-lindore europiane.” Prof. Univ. Dr. Romul Munteanu, mentori i tezës së doktoratës së zotit Luan Topçiu, do ta përshkruajë studimin në mënyrë të thukët: “Paradigmat e mallit ne poezinë rumune dhe shqiptare”, është një libër erudit, metodik, dhe bindës”.
Sipas albanologut Prof. Univ. Dr. Grigore Brancus, ky libër sjell në vemendjen e lexuesit të specializuar, letërsinë shqiptare në një vështrim krahasimtar me atë të letërsisë rumune, një paraqitje e denjë shkencore, një sukses i merituar i autorit, një ndihmesë e çmuar për njohjen e tjetrit, e atij që është pranë nesh. Ky studim i shkëlqyer, që deshifron ndjenjën e mallit te dy popuj të fisëruar për nga lashtësia, del në kushte të shkëlqyera grafike, dhe kurorëzohet me një bibliografi të përzgjedhur prej 126 burimesh. Pritet që përgjatë këtij viti, autori të sjellë para lexuesit të interesuar për këtë hapësirë kulturore, Fjalorin Rumanisht-Shqip, që ndodhet në proçes botimi, të Antologjisë së Poezisë Shqipe në rumanisht, dhe të një serë esesh të tjera.

shkruan:

Baki Ymeri,
Bukuresht

Copyright www.agimi.com