Letrat
e dashurisë së Bojkës, fotografi, shënime,
e një poezi e pabotuar më parë, janë mbledhur
nga e mbesa e poetit, Angjelina. “Migjeni-Vepra” ka
dalë këto ditë në qarkullim
Të fshehtat e Migjenit rrëfehen në një libër
të ri
Dokumente, letërkëmbime, një poezi dhe disa fotografi
të Migjenit, të pabotuara kurrë më parë,
janë përfshirë në botimin e fundit “Migjeni
–Vepra”. Ky botim, i cili ka veçse pak ditë
që ka dalë në qarkullim, sjell të tjera anë
të fshehta, nga jeta e poetit, të cilin e detyruan t’i
japë lamtumirën kësaj bote, që në moshën
27- vjeçare. Në këtë libër, veç
veprës së plotë të tij, janë përfshirë
edhe mjaft detaje të tjera nga jeta. Skënder Luarasi
mblodhi gjithë jetën e Migjenit, “Vargjet e Lira”
të këtij poeti të madh (ku janë përfshirë
“Kangët e mjerimit ”, “Kangët e përndimit”,
“Kangë në vete”, “Kangët e rinisë”
dhe “Kangët e fundit), e krahas tyre mblodhi dhe “Novelat
e qytetit të Veriut”( ku përfshihen edhe shkrimet
e fundit të tij, si dhe shënime të ndryshme nga
leximet, dokumente, letra të Migjenit, dërguar miqve
dhe të afërmëve të tij, etj). E së fundi,
përgatiti dhe kronologjinë e jetës dhe të
veprimtarisë së Millosh Gjergj Nikollës –
Migjenit (1911-1938), botimet në gjuhë të huaja
të veprës së tij. Një pasthënie e shkruar
nga e mbesa e poetit, (Angjelina Ceka (Luarasi) vajza e motrës
së tij të dashur Olga) mbyll fletët e librit i
cili u përgatit nga ndërmarrja botuese “Cetis
Tirana”.
Të njohurat e të panjohurat
Angjelina i kishte parë sa e sa herë dorëshkrimet
dhe botimet e të atit të saj (i cili ka qenë studiuesi
që i ka hyrë deri në hollësi veprës së
Migjenit). Kishte marrë në duar botimet e veprave të
plotë të Migjenit. Vendosi të botonte të katërtin
e radhës. Siç edhe shpjegon në pasthënien
e këtij botimi të ri, Angjelina pohon se ky libër
përmbledh botimin bazë të përgatitur dhe redaktuar
nga Skënder Luarasi,si dhe letërkëmbimet me miq
e të afërm si dhe mjaft foto, letra e dokumente të
pabotuara më parë. Një libër i tillë
që i ka munguar gjatë bibliotekës shqiptare është
përgatitur me shumë kujdes. Është dashur shumë
kohë për të sjellë imazhin përfundimtar
të tij. Veç materialeve e veprës së Migjenit,
botuar edhe më parë, janë bërë hulumtime
edhe përtej kufirit të Shqipërisë ku gjenden
të afërm dhe miq të Migjenit. Nga e vetmja vajzë
xhaxhai e Migjenit (86 vjeç) e cila jeton sot në Zagreb
janë marrë fotografi të reja të Migjenit.
Po ashtu janë bërë kërkime për materiale
të reja edhe në shtëpinë muze “Migjeni”,
ku janë marrë letra të pabotuara të së
dashurës së tij. Përmes atyre letrave mëson
diçka për vdekjen e Migjenit. Ato letra, Bojka ( kështu
quhej vajza shkodrane, që kish zaptuar zemrën e poetit)
ia dërgonte motrës së tij Olgës, e cila ishte
e vetmja pjesëtare e familjes që iu gjend pranë
asaj, pas vdekjes së Migjenit. Kjo letër është
botuar edhe në këtë libër e sipas Angjelinës
ka vlera të veçanta se mbi të gjitha tregon edhe
nivelin kulturor të këtyre vajzave, në ato kohë.
Po ashtu, një tjetër dorëshkrim që vjen për
herë të parë në duart e lexuesve është
edhe një faksimile e dorëshkrimit origjinal të
poezisë “Malli rinuer”.
Letrat e Migjenit…
Në këto faqe ndodhen përjetimet e poetit, dhimbjet,
meraku dhe malli i tij, për miqtë më të afërt
, motrat dhe njerëzit e tjerë të familjes. Ndër
këto letra gjen radhë të shkruara për Skënder
Luarasin në të cilat rrëfen mbi përgtitjen
e botimit të vargjeve të para të tij. Në të
tjera letra ai i është drejtuar mikut të tij të
ngushtë, Teufik Gjylit, motrës Cvetka, burrit të
Lenkës (motrës së madhe), Llazar Jovanit e motrës
tjetër, Jovankës. Vendin më të rëndësishëm
në këtë libër e zënë letrat e shkruara
nga e dashura e tij Bojka, letra këto që ajo ia shkruante
motrës së Migjenit Olga, ( e cila ishte edhe mikja më
e ngushtë e saj). Ndër rreshtat e atyre letrave, Bojka
ka shprehur dhimbjen për humbjn e njeriut të saj më
të dashur. Fraza të mbushura me dhimbje e keqardhje,
mall e brenga, rrëfejnë për një dashuri mjaft
të pastër e të veçantë mes poetit dhe
Bojkës.
90- vjetori që s’u kujtua
Ky botim i plotë i veprës së Migjenit ishte përgatitur
për t’u botuar që në 90 -vjetorin e lindjes
së tij. Por mes heshtjes dhe kaosit të jetës kulturore
në Shqipëri, përvjetori i veçantë i
Migjenit, u harrua. Përveçse në Pukë, dhe
në një mbrëmje performance, organizuar nga studentët
e Akademisë së Arteve, në Tiranë, askush nuk
u kujtua ta nderonte Migjenin e madh e të organizonte diçka
për nder të këtij përvjetori. E që nga
ajo kohë deri para pak muajsh kur Ministria e Kulturës
Rinisë dhe Spoteve e mundësoi shtypshkrimin e këtij
libri në Slloveni, nga familja e Migjenit janë bërë
përpjekjet maksimale për të sjellë një
botim sa më dinjitoz.
Origjina e shtrembëruar e Migjenit
Mbesa e poetit, Angjelina, është mjaft e prekur nga
gjithçka dashakeqe që është thënë
kundër Migjenit këto dhjetë vitet e fundit. Ajo
i ka ndjekur me shumë kujdes të gjithë artikujt
e shkruar në shtypin e këtyre kohëve. Madje veç
dëshpërimit, ajo ka provuar edhe një ndjenjë
fyerjeje të fortë ndaj figurës “së cënuar”
të dajës së saj të dashur. Në pasthënien
e këtij libri, ajo thekson se “Këto vite në
shtypin shqiptar janë bërë edhe shpifjet më
të ulëta për Migjenin. Është shkruar
se nuk ishte shqiptar dhe se familja e tij kishte origjinë
sllave, duke injoruar kështu faktet e paraqitura në
biografinë e Skënder Luarasit, që dëshmojnë
gjakun shqiptar të poetit nga familja dibrane e Nikollave
dhe ajo Shkodrane e Kokoshëve”. Kështu shpjegon
Angjelina, ndërsa rrëfen se gjyshi i tij vinte nga Nikollat
e Dibrës. Më tej ajo shpjegon se emrat me tingëllim
sllav, duke përfshirë edhe atë të pagëzimit
të Migjenit dhe të motrave të tij, nuk dëshmojnë
më shumë se sa përkatësinë në komunitetin
ortodoks të Shkodrës , të ndikuar në atë
kohë nga kisha fqinje malazeze”. Pra sipas saj asnjë
prej këtyre pretendimeve të ngritura në shtyp nuk
qëndrojnë. Origjina e tij është krejtësisht
e pastër shqiptare
Dashuri e përfolur…
Dashuria e tij me vajzën shkodrane Bojka ka qenë një
dashuri mjaft e veçantë Mes tij dhe Bojkës, kishin
lindur ndjenja jo vetëm të forta por edhe shumë
fisnike. Ato që e dëshmojnë më shumë
se çdo gjë tjetër këtë janë letrat
e të dashurës së tij, Bojka. Por kjo dashuri mes
tyre është përfolur mjaft ndër shkrimet e
këtyre viteve të fundit. “Mjaft dashakeqe ka qenë
edhe përpjekja e bërë në shtyp për të
përdhosur dashurinë e vetme të Migjenit si një
lidhje incesti, nëpërmjet sajimit të një përafrie
gjaku midis Migjenit dhe Bojka Nikollës”- thotë
Angjelina. Dhe e gjithë kjo është bërë
duke u nisur nga mbiemri i njëllojtë i tyre. Veçse
e vërteta nuk qëndron kështu. “Në të
vërtetë Kola, i ati i Bojkës, kishte ardhur në
moshë të rritur në Shkodër, nga komuniteti
ortodoks i i Kavajës dhe nuk kishte asnjë lidhje gjaku
me Nikollë Dibranin, gjyshin e Migjenit, të ardhur nga
komuniteti ortodoks shqiptar i Rekës së Dibrës
shumë kohë më parë”- shpjegon ajo, duke
shtuar se “lidhja e Migjenit me Bojkën ka qenë
aq fisnike sa mund të merret si shembull për rininë
e sotme. Sa dhimbje forcë e kulturë përmbajnë
letrat e mikes së tij Bojka, ndërkohë që Migjeni
e përjetësoi atë në poezinë Z.B”,-
shkruan Angjelina në pasthënien e librit.
(Kjo është poezia e botuar në këtë libër
në formën e një faksimilje, ku paraqiten vargjet
e marra direkt nga dorëshkrimi i poetit)
Malli rinuer
“Valët muzikore flutrojnë nga prendimi
Shkrepen e përtrihen
Për muret e dhomës s’eme
Edhe mandaj dridhen
Mbrenda në zemrën t’eme
Dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini
Ndijesitë e mija me valët muzikore
Shkëmbejnë puthje të nxehta
Posi dy dashnorë
E pamëshirë shëgjeta
Më ther në krahnor
Edhe më merr malli për jetë ma gazmore
Malli rinuer për jetë ma shkrumbuese
Flen pa fat në mue
Një tingull pendimi
Asht ngushëllim për mue
Kur më mbështjell mashtrimi
Me melankolinë e vet aq trishtuese
Tingujt miqëdashës që në dhomën t’eme
Më tregojnë rythmin
E një dansit të largët
Më kujtojnë përqafimet
E çifteve të shkathët
Që sjellen lirshëm nëpër dërrasa të
gdhenme”