“Të
dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem
pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën
time:ky vlerësim na afron.Batë burrninë të
më shtini në rreshtin tuej.Ndonëse të ndamë
për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e
ju jeni të mijt”.
Poeti i ri ëndërrimtar që arratisej nga Shqipëria
në vitin 1948 për t’i shpëtuar ferrit komunist
me siguri nuk ka menduar se ikja e tij do të ishte përfundimtare,
fatale. Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë,
nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të
shkonte kudo me përjashtim të vendit të vet.Dhe
ndoshta zgjedhja e fshatit malor Bavarez si vendqëndrim i
fundit, është konsideruar prej tij si kthim në
vendlindje.
Vetëm ai që e ka parë Bavarinë e epërme
dhe fshatrat malorë të saj në një ditë
të ngrysur dimri, e kupton pse Martin Camaj zgjodhi pikërisht
këtë vend për të ngrysur ditët e fundit
të jetës së tij të gjatë prej mërgimtari.
Zona malore e Bavarisë të ndërmend Alpet e Shqipërisë,
dhe meqenëse Camaj e kishte të ndaluar të kthehej
atje, në Temal, fshatin alpin ku kishte lindur një ditë
vere të vitit 1925, u detyrua të zgjidhte diçka
të ngjashme me malet e tij, me vendlindjen e tij. Fshati
malor Lenggries i krijonte mundësinë të binte në
gjumë dhe të zgjohej nga gjumi me faqen e malit përballlë
dhe kaq i mjaftonte mërgimtarit për të shuar mallin
e tij.
Poeti i ri ëndërrimtar që arratisej nga Shqipëria
në vitin 1948 për t’i shpëtuar ferrit komunist
me siguri nuk ka menduar se ikja e tij do të ishte përfundimtare,
fatale. Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë,
nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të
shkonte kudo me përjashtim të vendit të vet.Dhe
ndoshta zgjedhja e fshatit malor Bavarez si vendqëndrim i
fundit, është konsideruar prej tij si kthim në
vendlindje.
Pamundësia për t’u kthyer në vendlindje
ka rezultuar tragjike për jetën personale të poetit
por fatlume për letërsinë shqipe. Sepse atë
që nuk ka mundur të bëjë fizikisht e ka realizuar
nëpërmjet artit të tij.Në asnjë vepër
tjetër të letërsisë shqipe nuk gjejmë
kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë
vendlindje.Vepra e tij është dëshmia më e
mirë e përpjekjes për të mos e humbur atdheun,
vendlindjen. Aty ai është me të gjitha aromat,
ngjyrat, dritëhijet.
Emigrimi i parë i poetit nis qysh i vogël, kur largohet
nga fshati për të hyrë në kolegjin saverian
të jezuitëve në Shkodër. Fillimi i studimeve
në këtë kolegj do të përcaktojë
të ardhmen e poetit në shumë drejtime. Është
emigrimi i parë prej të cilit lindin dhe emigrime të
tjera dhe kjo do të jetë përcaktuese për fatin
personal të poetit. Rruga e dijes e çonte gjithnjë
e më larg, dhe për ata që e ndjekin me ngulm këtë
rrugë kthimi është vetëvrasje. Ja pse pas
kolegjit saverian ai duke ndier nevojën e shkollimit do të
largohet nga Shqipëria për në Jugosllavi ku do
të vazhdojë studimet në Universitetin e Beogradit
studime që do t’i mbarojë në Romë në
Universitetin La Sapienza ku edhe u doktorua me një studim
për Mesharin e Buzukut. Në vazhdën e kësaj
rruge në fillim të vitev 60 ai zhvendoset në Mynih,
kësaj radhe jo në rolin e nxënësit por të
mësimdhënësit, rrugë që e vazhdoi deri
në fund të jetës. Camaj e ktheu katedrën e
albanologjisë së Mynihut në një institucion
dinjitoz të studimeve në këtë fushë.
Studimet e tij në kolegjin saverian janë përcaktuese
edhe nga pikëpamja ideologjike, bindjet e tij ishin në
kundërshtim me komunizmin dhe për këtë arsye
të kësaj mospërputhjeje ai do të largohej
nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në vende
që kishin më respekt për lirinë e fjalës
dhe të medimit.
Por studimet në këtë kolegj do të ishin përcaktuese
në mënyrë të veçantë për
orientimin e tij kulturor dhe intelektual. Në përshtatje
me formimin që ai merrte aty Camaj do të bëhet
vazhduesi më i denjë i veprës së autorëve
të letërsisë shqipe në gegnisht nga Budi tek
Mjeda e Koliqi, ndoshta i vetmi autor modern shqiptar i denjë
për të vazhduar trashëgiminë e ndritur të
tyre. E zhvilluar në mënyrë të natyrshme dhe
jashtë presionit të letërsisë dogmatike të
realizmit socialist, vepra e Camajt është niveli më
i lartë i zhvillimit të letërsisë moderne
shqipe ose më saktë është ana tjetër
e painfektuar e saj.
***
Nëse vepra e Camajt paraqet një univers të tërë
që ngelet për t’u eksploruar nga lexuesi shqiptar,
jeta e tij përbën një model që i duhet sugjeruar
shoqërisë shqiptare.Camaj është intelektuali
dhe krijuesi shqiptar që e realizon veprën e tij pavarësisht
rrethanave ose që më saktë nuk i përdor kurrë
ato si justifikim për mosrealizimin e saj.
Nga viti 1953 kur ai boton në Prishtinë veprën
e parë të tij, vëllimin me poezi “Një
fyell ndër male”, vargu i veprave të tij nuk ka
të ndaluar edhe pse e di fare mirë se një pjesë
e kësaj vepre do të ngelet larg lexuesit shqiptar për
një kohë të gjatë. Përveç disa
vëllimeve me poezi ku vlen të përmenden vëllimet
“Legjenda” botuar në Romë në vitin
1964, “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me
vete e me të tjerë”, botuar në Mynih njëri
në vitin 1967 e tjetri në vitin 1978, Camaj është
autor i romaneve “Djella”, 1964, “Dranja”,
1981, “Shkundullima”, 1981 dhe “Karpa”,
1987 si dhe autor i disa studimeve gjuhësore të rëndësishme.
Komuniteti i vogël i emigrantëve shqiptarë që
e ka njohur Camajn e përshkruan atë atë si një
intelektual tejet të kulturuar, të qytetëruar,
e njerëzor por të patjetërsuar nga të jetuarit
e gjatë në Perëndim.Njerëz të afërm
të tij tregojnë një detaj që na konkretizon
krenarinë e tij për vendin e origjinës dhe racën
që përfaqësonte. Ndërsa paraqiste dokumentet
për te filluar punë si lektor në Universitetin
e Mynihut sekretarja duke kryer formalitetet e rastit e pyet për
profesionin e të atit. Bari- i përgjigjet Camaj dhe
meqë sekretarja e përsëriste pyetjen duke mos u
besuar veshëve Camaj përsëriste përgjigjen
i patrazuar: - Bari, -zonjë.
Kolegët shkrimtarë shqiptarë dhe institucionet
e kulturës shqiptare e denigruan dhe e fyen shpesh herë
Camajn, por ai nuk u soll kurrë në të njëjtën
mënyrë me ta. Nga faqet e revistës “Shejzat”
që ai botonte në Romë bashkë me Koliqin, Camaj
i analizon pa mllef dukuritë e letërsisë shqipe
dhe nuk është rastësi që Camaj qysh me botimin
e librit të parë të Kadaresë paralajmëron
shfaqjen e një shkrimtari të madh në letërsinë
shqipe. Kadare më vonë do të jetë ndër
të parët që do të thyejë heshtjen që
mbulonte veprën e Camajt duke dhënë vlerësimin
maksimal për të.
Camaj vdiq, në mars të vitit 1992, në Lenggries
të Bavarisë. Erika, gruaja e tij gjermane, në përmbledhjen
e veprave të tij të botuara në Shqipëri në
vitin 1996 nga shtëpia botuese “Apollonia” shoqëruar
me parathënie nga A. Klosi na ka sjellë fjalët
e fundit të poetit: “Të dashun miq e vëllazën
shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë
se keni vendosë të vlerësoni veprën time:ky
vlerësim na afron.Batë burrninë të më
shtini në rreshtin tuej.Ndonëse të ndamë për
një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni
të mijt”.