Si
e nxiti sëmundja, Gabriel Garcia Markezin, të hedhë
në letër kujtimet e një jete të magjishme
"Pakësova në maksimum marrëdhëniet
me miqtë, stakova telefonin, anulova të gjithë
udhëtimet dhe çdo lloj plani tjetër që kisha
menduar për të ardhmen. U mbylla brenda, për të
shkruar përditë, pa ndërprerje..."
Ai ka qenë gjithmonë një prej shkrimtarëve
më të disiplinuar. "Gabo" ngrihej qysh herët
në mëngjes, për t'u ulur përpara "Macintosh"-it
të tij besnik, me kokën mbushur plot fjalë magjike,
nga ato që kanë karakterizuar Amerikën Latine,
gati për t'i hedhur në tastierë. Ajo pjesë
e Gabriel Garcia Markezit nuk ka ndryshuar kurrë. Por më
pas, në 1999 shkrimtari nga Kolumbia, laureat i Çmimit
Nobel në vitin 1982 dhe një prej autorëve më
të famshëm të Amerikës Latine mësoi se
ishte i sëmurë me Kancer limfatik. Në mënyrë
të menjëhershme, "Gabo" vendosi të "mbyllej
brenda" katër mureve të shtëpisë së
tij, për të shkruar me një zell të jashtëzakonshëm,
i paparë ndoshta që nga koha kur ai shkruante kryeveprën
e tij, "100 vjet vetmi" në vitin 1967. "Shoku"
i vetëm i tij ishte paketa me cigare, që ia sillte vazhdimisht
e shoqja, Mercedes.
"Pakësova në maksimum marrëdhëniet me
miqtë, stakova telefonin, anulova të gjithë udhëtimet
dhe çdo lloj plani tjetër që kisha men duar për
të ardhmen", i tregoi autori të përditshmes
kolumbiane El Tiempo, në një prej komenteve shumë
të rralla që ka bërë për sëmundjen
e tij, për të cilën zakonisht refuzon të flasë.
"U mbylla brenda, për të shkruar përditë,
pa ndërprerje".
Sot, tre vjet pasi ka bërë kërkime dhe ka shkruar
me qindra fletë, Garcia Markez, 75 vjeç, që iu
nënshtrua kemioterapisë në një spital të
Los Anxhelesit dhe më pas vendosi të pushojë në
shtëpinë e tij në qytetin e Meksikos, pret të
shijojë suksesin e njërit prej librave ndoshta më
të shumëmpritur, "Vivi Para Contarla", ose
"Jetoj për të rrëfyer".
Vëllimi i parë i kujtimeve të shkrimtarit, është
një përmbledhje kujtimesh mbushur me emocione, të
hidhura dhe të ëmbla, për vitet e para të
jetës së njeriut aq shumë të adhuruar në
Amerikën Latine, saqë edhe në të gjithë
Globin njihet me nofkën, "Gabo". Pjesa më
e madhe e tyre është përqëndruar në qytetin
"e bananeve", në veri të Kolumbisë, i
cili pavarësisht varfërisë dhe izolimit, mbante
përbrenda vetes mistere dhe magji, që kanë frymëzuar
që në fëmijërinë e tij, tregimtarin Garcia
Markez.
Libri 579-faqësh, i botuar nga Shtëpia Botuese kolumbiane
Norma, ka dalë në qarkullim të mërkurën
në Kolumbi, ndërsa në pjesën tjetër të
Amerikës Latine dhe Spanjë, ditën e premte. Ai
mund të botohet në gjermanisht dhe italisht ndoshta
deri në fund të këtij viti, si dhe në Shtetet
e Bashkuara, në fillim të vitit të ardhshëm.
Për adhuruesit e tij, "Vivi para contarla" është
një thesar, në të cilin, bashkë me pasurinë,
gjendet edhe çelësi i të fshehtave dhe mistereve
që frymëzuan Gabriel Garcia Markezin, dhe që do
të mund të shpjegojë se si një jetë e
pasur, mbushur me personazhe plot ngjyra, furnizoi një imagjinatë
shumë të ndezur, e cila i ka sjellë botës
disa prej xhevahireve më të çmuar të letërsisë
bashkëkohore.
"Lexohet si roman, por ajo është në të
njëjtën kohë një kronikë e jetës
së autorit si dhe një reportazh për realitetin
kolumbian të gjysmës së fundit të shekullit
të kaluar", thotë Roberto Pombo, një mik i
ngushtë i Markezit dhe botues i edicionit meksikan të
revistës kolumbiane "Cambio", drejtor i së
cilës është vetë Markezi.
Natyrisht, shu-më lexues e dijnë mirë se ky katundth
i vogël dhe i fjetur, mbushur me pemë bajamesh dhe shtëpi
shumë-ngjyrëshe druri është Makondo, qyteti
imagjinar ku jetonte familja e jashtëzakonshme Buendia, tek
"100 vjet vetmi". Eshtë një qytet lufte dhe
paqeje, hakmarrjeje dhe dhune, dashurie dhe dëshpërimi,
si dhe izolimi të pafund - një parajsë e humbur
dhe një metaforë për Amerikën Latine.
Ata e dinë shumë mirë gjithashtu se historitë
fantastike të Gjeneral Nikolas Markez, gjyshit të Garcia
Markezit - tregime për luftën e 1 mijë ditëve
dhe duelet fatale - kanë zënë rrënjë
në kokën e shkrimtarit, që në start. Ato u
bënë ushqimi kryesor i Gabos për kryeveprat e tij
të së ardh mes. Megjithatë, "Vivi para contarla"
shkon edhe më thellë.
Lexuesi mëson në Vëllimin e parë të kujtimeve
të autorit, momentin e saktë kur 23-vjeçari Garcia
Markez, atëherë një gazetar që luftonte shumë
për të zënë një pozicion sa më të
mirë, kuptoi gjatë një udhëtimi shumë
emocional në shtëpinë e tij të lindjes, se
fati i tij ishte i lidhur përjetësisht me penën.
"Ajo që do të zbuloni është se veprat
e Markezit burojnë të gjitha nga kujtimet që vërshojnë,
kur ai gjendet përballë shtëpisë ku kaloi
fëmijërinë", thotë Pombo.
Dhe me të vërtetë, pohon Markez në veprën
e tij, ai kuptoi se do të bëhej "shkrimtar, ose
asgjë", dhe që, do të shkruante romanin e
parë, ose do të "vdiste".
Autori shpjegon se si pjesa më e trishtë e historisë
së Kolumbisë, siç ishte masakra e punëtorëve
të Kompanisë së bananeve, "United Fruit"
u fut thellë në ndërgjegjen e tij, duke frymëzuar
jo vetëm shkrimet, por edhe pikëpamjet e majta. Dhe
sa dhimbje i shkaktoi humbja e njerëzve të dashur...
"Sot, është e qartë: Një pjesë e
imja kishte vdekur bashkë me të", shkruan Markez
për gjyshin e tij, që e adhuronte aq shumë. Dhe
vazhdon: "Por unë gjithashtu besoj, pa patur as dyshimin
më të vogël, se që atë moment unë
isha një shkrimtar në fillesat e veta, që kishte
nevojë vetëm sa të mësonte të shkruante".
Vetë Garcia Markezi ka folur shumë pak për librin
e tij të ri dhe nuk i është përgjigjur deri
tani kërkesave për intervistë. Sipas miqve të
tij, një prej shkaqeve është se ai nuk ka aspak
dëshirë të flasë për sëmundjen.
Një gjë e tillë ka shkaktuar një stuhi spekullimesh
në rrethet letrare të Amerikës Latine, ndërkohë
që fansat e tij vrisnin mendjen se çfarë stili
letrar do të përdorte, dhe si do ta strukturonte veprën
e fundit.
"Të gjithë duan të dinë sa më shumë
për këtë njeri - është magjia e Makondos",
thotë Gerald Martin, i cili është duke përfunduar
një biografi të Garcia Markezit. "Ky njeri është
aq shumë i famshëm, dhe të gjithë e njohin
aq mirë, e megjithatë, ata nuk arrijnë ta imagjinojnë
se si do ta shkruajë Gabo historinë e vet".
Kujtimet janë shkruar në një stil gazetaresk, të
drejtpërdrejtë, me shumë pak grima nga realizmi
magjik, që karakterizon pjesën më të madhe
të veprave të tij. Libri përmbledh jetën e
Markezit, deri në mesin e viteve pesëdhjetë, pikërisht
atëherë kur Gabo, djali i madh i një farmacisti
dhe një punëtoreje të telegrafit, lë fakultetin
Juridik, për t'u bërë gazetar.
Libri është "gdhendur", nën ndikimin
edhe të historisë shpesh të dhunshme të atyre
kohëve, kaosit të Bogotazos, ose demonstratave të
vitit 1948 në kryeqytetin kolumbian, të cilat shpërthyen
pas vrasjes së politikanit shumë popullor, Jorge Eliécer
Gaitán. "Besoj se u ndërgjegjësova",
shkruan Markez, se "atë ditë të 9 prillit
1948, në Kolumbi filloi shekulli i Njëzetë",
një aluzion ky për dhunën që ka mbërthyer
këtë vend, qysh atëherë.
Më pas, ai rritet si një kronist në gazetat e qyteteve
bregdetare si Kartagjena dhe Barankuila. Eshtë një botë
mbushur me redaktorë të mençur, me këshilla
të mënçura për gazetarin e ri në moshë,
dhe një koleksion miqsh letrarë që frekuentojnë
një bar me emrin La Cueva, ku diskutojnë për shkrimtarë
si Uilliam Folkner, Daniel Defo dhe Xhejms Xhois.
"Ne kishim aq shumë gjëra të përbashkëta",
shkruan autori, "sa shpesh na thonin se kishim të njëjtin
baba". Kujtimet ndalen pikërisht në çastin
kur Markez boton librin e tij të parë, "Stuhi gjethesh"
dhe niset për në Europë, ku do të punojë
si korrespondent i gazetave kolumbiane.
Të paktën dy vëllime të tjerë janë
në përgatitje e sipër, ku njëri vazhdon ndoshta
kujtimet e tij deri në 1982, kohë kur Gabo mori Çmimin
Nobel, dhe tjetr përqendrohet në marrëdhëniet
e tij me figura të tilla botërore, si Fidel Kastro,
Bill Klinton dhe Fransua Miteran.
Për vetë Markezin, botimi i kujtimeve të tij në
"Vivi Para Contarla" do të thotë rikthim për
të eksploruar edhe njëherë fëmijërinë
e tij, dhe për të fshirë në të njëjtën
kohë mitet dhe pasaktësitë që janë shkruar
për të që nga koha kur fitoi famë spektakolare,
pas botimit të "100 vjet vetmi". "Ai donte
ta tregonte vetë historinë e tij, si u rrit bashkë
me gjyshin në një shtëpi të vogël, në
një vend të papërfillshëm, por gjithësesi,
magjik", thotë Martin. "Ai kishte kohë që
priste ta bënte këtë, dhe tani ishte me të
vërtetë momenti i duhur". Ashtu si në librat
e mëparshëm, Gabo është mbështetur tek
një dyzinë të afërmish, miqsh dhe në
disa raste gazetarësh, të cilët, nën kontratë,
e kanë ndihmuar të grumbullojë detaje dhe fakte,
që do ta ndihmonin të rindërtonte ngjarjet. "Duhen
kapur mbresat, kujtimet, duhet shkuar tek miqtë dhe të
afërmit, duhen ballafaquar deklaratat me kujtimet",
i tha në fillim të këtij viti Markezi një
gazetari brazilian.
I njohur për prirjet e tij gazetareske, Markez gërrmoi
hollësi të rëndomta, siç është
përshembull bekgraundi i një lojtari bejzbolli nga Republika
Dominikane, të cilin e kishte njohur 50 vjet më parë,
apo historia e një bordelloje në bregdet, ku kishte
jetuar për disa kohë, ose emri i një radhitëseje
që kishte punuar në të njëjtën gazetë
me të, në vitet e para të punës.
Një mik i tij, Jaime Abello dhe Jaime Garcia Markez, njëri
prej vëllezërve të shkrimtarit, u ulën shpesh
herë për të shkruar raporte të detajuara për
Gabon, ndonëse detajet misteriozë kishin një rëndësi
periferike për librin. "Gabo, si një gazetar i
mirë, mbledh gjithnjë shumë informacione, por përdor
vetëm një pjesë të tij", thotë Abello,
Drejtor i Fondacionit në Kartagjenë, të cilin Markez
e krijoi për të trajnuar gazetarë të rinj.
Vetë Markez rilexoi edhe njëherë editorialët
e dikurshëm në gazetë, romanët e tij, libra
për atë vetë dhe familjen e tij, si përshembull
intervistat e Silvia Galvisit me klanin Markez. Gjithashtu, shkrimtari
intervistoi shumë prej të afërmve të tij.
"Kur na telefononte dhe na pyeste për detaje shumë
të vogla, kisha ndjesinë se kërkonte vetëm
interpretimin tonë, se ndoshta po përpiqej të shihte
nga këndvështrimi ynë", thotë Jaime Garcia
Markez, 62 vjeçar.
Autori ka shfauqr më shumë interes për rindërtimin
e Arakatakas, e cila njihet si një vend mbushur me personazhe
imagjinarë, plot dhunti natyrore.
Në rininë e tij, Garcia Markez ishte i mrekulluar veçanërisht
nga historitë për vdekjen. Në kujtimet e tij ai
shkruan se si ka parë trupin e parë: një burrë
i goditur për vdekje, teksa përpiqej të hynte me
forcë në një shtëpi, një "pamje
që do të më mbetej në kokë për vite
me radhë".
Por, Markez është një shkrimtar i munduar nga vdekja,
disa thonë se ka shumë frikë prej saj. Një
gjë e tillë është evidente në librat
e Gabos; pothuajse të gjithë fillojnë me vdekje,
apo një temë të ngjashme me të. Shmangja që
Garcia Markez i bën funeraleve është legjendare,
dhe vdekja e njerëzve të afërt të tij - dy
vëllezër dhe e ëma vdiqën gjatë kohës
që shkruante kujtimet - e prekin thellë. "Njëherë,
Markez tha: Nuk është se kam frikë nga vdekja,
por jam i zemëruar me të", thotë i vëllai,
Jaime.
Gustavo Tatis, gazetar në qytetin bregdetar të Kartagjenës,
thotë se njëherë, shkrimtari ka shpjeguar frikën
e tij nga vdekja në një intervistë. "Problemi
me vdekjen është se ajo zgjat përgjithnjë",
kish thënë.
E vërteta është se Markez ka sakrifikuar shumë
për të përfunduar vëllimin e parë, që
sapo ka dalë në qarkullim. Shkrimtari pëlqen shumë
të qëndrojë pranë njerëzve me pushtet.
Ai është mik i shumë liderëve botërorë,
shpesh herë ka pirë e është dehur, me rebelë
e diplomatë, madje në vendin e tij ka luajtur shpesh
ndonjë rol pas kuintave, gjatë bisedimeve për paqe.
Të gjithë ata që e njohin mirë Markezin thonë
se që në hapat e tij të para si gazetar ai ka menduar
të shkruajë historinë e jetës, si dhe pjesë
të historisë së trazuar të Kolumbisë.
Ngjarje të jetuara, disa personale, janë të ndërthurura
në të gjithë veprat e Gabos. Prindërit ishin
frymëzimi i tij kur shkruante "Dashuri në kohërat
e kolerës", dhe një vrasje e ndodhur në një
qytet të vogël, ishte modeli për "Kronikë
e një vrasjeje të paralajmëruar".
Shumë miq të tij thonë se kanceri, thjesht e nxiti
Markezin të shtrëngojë rripin. Miqtë më
të ngushtë thonë se vepra më e fundit e Markezit
duhet parë thjeshtë si një festim i jetës
së shkrimtarit, dhe jo si lajmëtare e vdekjes. Dhe vërtetë,
thotë Abello, "titulli i librit flet më qartë
për këtë histori".
"Gjithë motivimi i tij përmblidhet në atë
titull, Të jetosh për të rrëfyer - është
kënaqësia e të rrëfyerit të historisë",
ka thënë Markez. "Eshtë njësoj si të
thuash: Ia vlen të jetosh".