Intervistë
me dr. Luan Topçiun në Bukuresht
„Shqiptarin“ e konsiderojmë si një tribunë
të rëndësishme për afirmimin e shpirtit
shqiptar në veri të Danubit“
Intelektualiteti rumun ka nevojë për referime, edhe
nga vepra e Kadaresë. Gjithmonë e kam konsideruar
si parësore në preokupimet e mia, studimet mbi letërsinë.
Sprovat letrare dhe marrja me studime mbi letërsinë
në një gjuhë të huaj, më ka bërë
ta ndjej si një detyrim, përkthimin e letërsisë
së vendit nga vij. Autorët e letërsisë shqiptare
që kam përkthyer gjatë këtyre viteve në
Rumani janë të shumtë. Sipas disa statistikave
të përafërta, jashtë Shqipërisë
së brendshme dhe asaj të jashtme, jetojnë afërisht
12 milionë shqiptarë etnikë, duke i përfshirë
këtu, edhe shqiptarët e asimiluar. Baki Ymeri përbën
një model jetësor që t’i përkujton
modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar
për një ideal të lartë. Do të përmëndja
këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur
për sensibilizimin e problemit të Kosovës në
veri të Danubit, sidomos kur Kosova kishte nevojë
për sensibilizimin e saj (1989-1999). “Shqipëria
XXI“ është një një produkt i ri i
pasuniversitarëve shqiptarë të Rumanisë,
një formulë që vendin e saj e ka në hapësirat
shqipfolëse, sepse është konceptuar në gjuhën
shqipe, me ambicje dhe dëshira të mëdha, për
të krijjuar një tribunë me një frymë
të qartë properëndimore, me pasqyrimin e vlerave
filozofike, letrare, eseistike, të mendimtarëve më
të shquar shqiptarë dhe të huaj.
Eseist, piktor, përkthyes, leksikograf, profesor universitar,
nënkryetar i parë i Bashkësisë Kulturore
të Shqiptarëve të Rumanisë. U lind para
40 vitesh (22/2/1962), në Pogradec. Studimet e larta albanistike
i kreu në Tiranë (1987). Gjatë vitit universitar
1989-1990 kryen një kurs pasuniversitar për Gjuhësi
e Stilistikë (Universiteti i Tiranës). Më 1995-1996
kreu një kurs pasuniversitar (master) pranë Universitetit
të Bukureshtit (Katedra e Teorisë së Letërsisë
dhe Letërsisë së Krahasuar). Në kuadrin
e Universitetit të Bukureshtit (Katedra e Letërsisë
së Krahasuar), para dy vitesh përfitoi titullin “doktor
i shkencave filologjike” (Magna cum laudae) duke mbrojtuur
me sukses të lartë, tezën e doktoratës „"Ndjenja
e mallit në poezinë popullore dhe të lavruar
shqiptare e rumune".
Është pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin
e Bukureshtit, kryeredaktor i revistës së Bashkësisë
Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë „Shqiptari/Albanezul“,
si dhe kryredaktor i revistës universitare me konotacione
perëndimore „Shqipëria XXI“. Në Bukuresht,
Tiranë dhe Shkup, ka botuar librat me studime: “
Ndjenja e mallit tek Asdreni, Poradeci, Kuteli”(1999),
“Tekstualizëm dhe stil” (2000), “Përmasa
moderne në letërsinë shqipe”(2001). Është
koautor i veprës monumentale „Fjalorit shqip-rumanisht“
(2003), i një doracaku për përvetsimin e shqipes
dhe të rumanishtes „Ghid de conversatie albanez-roman“
(2002), përkthes i Kadaresë në gjuhën rumune,
si dhe i një serë librash të përkthyer nga
shqipja në gjuhën rumune dhe anasjelltas.
Xh. Ukshini: Zoti Topçiu! Kohë më parë,
në kuadrin e ambasadës shqiptare të Bukureshtit,
u promovua fjalori voluminoz “Shqip-Rumanisht”.
Ju jeni njëri nga tre autorët e tij. Cila është
rëndësia e kësaj vepre leksikografike, dhe si
është pritur ajo nga publiku rumun?
Luan Topçiu: Nuk është aq lehtë të
flasësh për veprën tënde, ngase ekziston
nevoja për mirëkuptim dhe modesti. Fjalori Shqip-Rumanisht
është i pari fjalor dygjuhësh i tipit akademik,
me rreth 40.000 fjalë, dhe me rreth 55.000 shprehje, proverba,
idioma etj. Është një monument që ofron
një gamë të gjërë termash, nga të
gjitha lëmitë e dijes dhe veprimtarisë njerëzore,
fjalë të vjetra, që hasen vetëm në
letërsinë orale, krahinarizma, arkaizma, neologjizma,
që kanë depërtuar në shqipen e sotme në
dhjetëvjeçarët e fundit.
Në historinë e leksikografisë shqipe dhe asaj
rumune, ka munguar një vepër e këtillë.
Nga gjysma e dytë e shekullit të XX, në historinë
e leksikografisë së të dy popujve, seria e fjalorëve
dygjuhësh po plotësohej. Kështusoj, u botuan
një sërë fjalorësh, qoftë të gjuhëve
të qarkullimit ndërkombëtar, qoftë të
gjuhëve më të vogla. Mungesa e këtij fjalori
bëhej dhe më i pakuptimshëm, po të kemi
parasysh veprimtarinë e shoqërive shqiptare gjatë
Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Rumani, si dhe interesin
e vjetër të studjuesve te huaj, shqiptarë e rumunë,
mbi historinë dhe origjinën e këtyre dy gjuhëve.
Fjalori është pritur me kërshëri të
madhe nga një grup i madh të interesuarish, studjues,
studentë, përfaqësitë diplomatike nga të
dyja krahët, rumunë me origjinë shqiptare, lexues
të thjeshtë, etj. Në promovimin e tij morën
pjesë personalitete të shquara të jetës
kulturore dhe universitare të Rumanisë, diplomatë
dhe përfaqësues të diasporës. Fjalën
e rastit e mbajti prof. universitar, dr. Grigore Brancus (Brënkush),
gjuhëtar i shquar rumun, albanolog me kontribute të
jashtëzakonshme në fushën e relacioneve linguistike
rumuno-shqiptare. Marrëdhëniet midis këtyre dy
gjuhëve janë parë me interes të posaçëm
nga pothuajse të gjithë gjuhëtarët që
i ka preokupuar shqipja dhe rumanishtja në kuadrin e gjuhësisë
ballkanike, që nga Hahni, N. Jokli, G. Weigandi, A. Philipides,
Thunman, Xhuvani, Çabej, Demiraj, Brënukush, etj.
Por, kam bindjen se fjalori do të luajë një rol
të dobishëm dhe për ata që merren me folklor,
etnografi, antropologji etj. Fakti që fjalori është
botuar në Shtëpinë Botuese më të madhe
të këtij vendi, e cila disponon një sistem të
gjërë e të shpejtë të shpërndarjes
së librit, bën që gjuha shqipe të hyjë
në vemendjen e lexuesit rumun, të kapë vlerën
dhe rëndësinë që i takon. Eshtë një
vepër për të cilën janë shkrirë
disa dekada, një punë kolosale që ka kërkuar
vetëmohim, përgjegjësi profesionale dhe shumë
durim.
Xh. Ukshini: Ju jeni njëkohësisht edhe kryeredaktori
i dy revistave të rëndësishme që sot botohen
në kryeqytetin rumun, i revistës “Albanezul-Shqiptari”
dhe i revistës universitare “Shqipëria XXI”.
A do të mund të na flisnit diçka për historikun,
përmbajtjet që trajtojnë dhe fizionomitë
e këtyre revistave?
Luan Topçiu: „Shqiptari“ i Bukureshtit është
një organ shumë i rëndësishëm në
historinë e shtypit shqiptar. Krijimi i tij daton në
vitin 1888, themeluar nga Nikolla Naço si organ i shoqërisë
Drita. Botimi i kësaj gazete si dhe aktivimi i shoqërive
kulturore e patriotike shqiptare të Rumanisë, roli
i të cilave në historinë politike dhe kulturore
të vendit tonë është një fakt tepër
i njohur, do të vazhdonte deri më 1953, vit kur do
të ndaloheshin në mënyrë abuzive nga regjimi
komunist i atëhershëm. Pas Revolucionit të Dhjetorit
të 1989-ës dhe instalimit të një regjimi
demokratik, në Rumani u krijuan të gjitha mundësitë
për të rimarrë traditat e këtij komuniteti.
Në këtë kontekst, falë prof. Xhelku Maksutit,
do të dalë në dritë dhe do të vazhdojë
traditën revista „Albanezul“ (Shqiptari), seria
e re e „Shqiptari-t“ të Naços. Në
faqet e tij, pasqyron në rradhë të parë
jetën e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve
të Rumanisë, organ i së cilës është,
si dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.
Ai pasqyron, gjithashtu, evenimente të mëdha politike
e kulturore që ndodhin në Shqipëri, Kosovë,
Maqedoni dhe hapësirën shqiptare në përgjithësi.
Revista është dygjuhëshe, rumanisht dhe shqip.
Versionin rumanisht e konsiderojmë si tejet të rëndësishëm
për afirmimin e shpirtit shqiptar në vero të
Danubit, për njohjen e kulturës shqiptare prej lexuesve
rumunë. „Shqipëria XXI occident“ është
një revistë politiko-kulturore, një revistë
e lirë që financohet nga vetë redaksia dhe shpërndahet
falas, një produkt i ri i pasuniversitarëve shqiptarë
me studime në Rumani dhe në Sh.B.A, Kanada etj. Eshtë
një formulë që vendin e saj e ka në hapësirat
shqipfolëse, sepse është konceptuar në gjuhën
shqipe. Ambicjet janë shumë të mëdha, dëshira
e gjithë ekipit është të krijojmë një
revistë elitare, me një frymë të qartë
properëndimore, ku të gjejnë pasqyrimin e tyre
mendimet filozofike, letrare, eseistike të mendimtarëve
më të shquar shqiptarë, perëndimorë
e më gjërë.
Xh. Ukshini: Në Bukuresht vepron që prej shumë
vitesh edhe letrari, publicisti, përkthyesi dhe veprimtari
nga Shipkovica e Tetovës, z. Baki Ymeri, i cili po ashtu
është i lidhur me gazetën që drejtoni Ju.
Si do ta karakterizonit atë në 55 vjetorin e lindjes
dhe 33 vjetorin e veprimtarisë kulturore e kombëtare?
Luan Topçiu: Me poetin, përkthyesin dhe publicistin
Baki Ymeri, njihem dhe bashkëpunoj prej rreth 10 vjetësh.
Aktualisht ai është sekretar i përgjithshëm
i gazetës “Shqiptari”. Zëri i tij është
i pranishëm në gjithë hapësirat shqiptare,
sepse mendoj se ka tejet të zhvilluar ndjenjën qytetare
të atdhetarizmit, dhe është një gazetar
aktiv që reaksionon për probleme të ndryshme
që lidhen me kulturën tonë, me politikat ballkanike,
e më gjërë. Në 55 vjetorin e tij do të
ishte mirë që gjithkush nga ne të kujtohemi për
një jetë të shkrirë për shqiptarizëm,
për të mbledhur qindra materiale arkivore mbi të
kaluarën e komunitetit shqiptar në Rumani, për
të botuar mbi njëmijë artikuj mbi diasporën
shqiptare, për një njeri që jetën personale
e ka shkrirë në funksion të kulturës kombëtare.
Baki Ymeri përbën një model jetësor që
t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare,
një jetë e martirizuar për një ideal të
lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën
e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin
e problemit të Kosovës, në veri të Danubit,
veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit
të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë
për sensibilizimin e saj (1989-1999).
Xh. Ukshini: Mitrush Kuteli njihte dy Shqipëri, Shqipërinë
e brendshme, torzon londineze, dhe atë të jashtme,
viset shqiptare nën sovranitetin e shteve fqinje. Ju këtyre
dy koncepteve kulturore dhe politike iu keni shtuar edhe Shqipërinë
e tretë, atë të diasporës shqiptare. Çka
mund të bëjë kjo Shqipëri e tretë që
shqiptari të mos ndihet i poshtëruar, i nëpërkëmbur,
i dyshimtë dhe i përbuzur?
Luan Topçiu: Sipas disa statistikave të përafërta,
jashtë Shqipërisë së brendshme dhe asaj
të jashtme, jetojnë afërisht 12.000.000 shqiptarë
etnikë, prej tyre, fatkeqësisht, shumë të
asimiluar. Nuk mund të neglizhohet kjo sasi numerike, por
dhe cilësisht, sepse kultura shqiptare i detyrohet ndihmesës
madhore të shqiptarëve që kanë jetuar jashtë
trojeve. Akëcili, që ka një ndjenjë të
qartë identiteti, mund të ndihmojë për ngritjen
e imazhit të shqiptarit, si një qytetar i denjë
europian, me bëma europiane, me akte europiane, me kulturë
europiane, me sjellje europiane, me mbrojtje të vlerave
të kontinentit ku jetojmë. Shpesh herë jemi viktima
të një paragjykimi nga të huajt, shpesh jemi
ne fajtorë për imazhin tonë. Eshtë e dëmshme
të konsiderosh veten si mbipopull, as ta nënvleftësosh
veten dhe të vuash nga kompleksi i inferioritetit. Populli
ynë është dhe duhet të konsiderohet, prej
nesh dhe prej të tjerëve, një popull normal,
me nobelistët e vet, me heronjtë e vet, me artistët
e vet dhe me pjesën më pak të nderuar të
tij.
Revolucioni më i madh i një populli është
të shohë në brendësinë e tij, ta pranojë
e të luftojë për emancipimin e tij, të mbjellë
tolerancën dhe mirëkuptimin ndaj popujve të tjerë,
të emancipojë gruan, të ketë kujdes për
rininë që të rritet e shëndetshme dhe e
pastër shpirtërisht, me ndjenja të forta të
identitetit etnik, por dhe të përkatësisë
europiane e pro vlerave demokratike perëndimore. Duhen
gjetur çelësat dhe mekanizmat e një programi
e një lëvizjeje brenda nesh për modernizim të
jetës, të mentalitetit, të ekonomisë, të
kulturës, të shoqërisë civile. Ne, shqiptarët,
në këtë kapërcyell mijëvjeçarësh,
kemi fituar një pozitë shumë të favorshme,
falë politikës e përkrahjes të vendeve demokratike
perëndimore, një pozitë që nuk e kemi patur
prej qindra vjetësh. Gjuha shqipe është gjuhë
zyrtare në tre vende (në Shqipërinë e brendshme
dhe atë të jashtme, por dhe gjuha shpirtërore
e “Shqipërisë së tretë”). Nuk
duhet të harrojmë përkatësinë dhe shortin
tonë gjeografik e shpirtëror europian, destinacioni
europian është provokimi ynë dhe trofeja e fitores
që e meritojmë plotësisht.
Xh. Ukshini: T`i kthehemi letërsisë. Rreth dy muaj
më parë ishte në Rumani shkrimtari ynë Ismail
Kadare. Kush e ftoi atë dhe si u prit ai në Rumani,
nga lexuesi dhe kritika?
Luan Topçiu: Në mujin shtator të këtij
viti, nën patronatin e Lidhjes së Shkrimtarëve
të Rumanisë, në Bukuresht dhe në Neptun,
qytezë në breg të Detit të Zi, u mbajt festivali
i dytë ndërkombëtar “Ditët dhe netët
e letërsisë” (18-24 shtator). Ishin të
ftuar një numër i madh shkrimtarësh nga vendi
e bota, ndër të cilët edhe tre kandidatë
të Çmimit Nobel për letërsi (Ismail Kadare,
Amos Oz nga Izraeli, portugezi António Lobo Antunes,
etj.). Vizita e Ismail Kadaresë u kthye në një
eveniment kulturor dhe një rast i shkëlqyer për
të kthyer vemendjen nga Shqipëria dhe shqiptarët.
Pothuaj, të gjitha gazetat e përditshme i kanë
kushtuar shkrime të gjata, intervista dhe referime veprës
së Ismail Kadaresë. Nuk dua të relatoj për
lexuesin e “Zërit” mungesat në fushën
e organizimit të Festivalit, akordimit të çmimeve,
thirrja e tre shkrimtarëve të nominalizuar për
çmimin Nobel dhe akordimit të çmimit sipas
një hierarkie “të dyshimtë”, e për
mendimin tim, të panevojshme. Vlerësimin mbi Ismail
Kadarenë po e sjell duke cituar një fragment nga fjala
e Eugen Uricaru-t, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve
të Rumanisë, me rastin e dorëzimit të Trofesë
së Festivalit shkrimtarit tonë: “Si personalitet
i përmasave botërore, Ismail Kadareja është
njëri nga ato modele të rralla të suksesit, që
u japin shpresë shkrimtarëve të gjuhëve
të vogla, se do të arrijnë ndonjëherë,
me talent, durim dhe fat, të mundin indiferencën natyrore
të perandorive të mëdha gjuhësore.
Ismail Kadare ka arritur ta bëjë të njohur, madje
edhe ta imponojë dhe përfitojë respektin dhe
simpatinë e miliona njerëzve ndaj universit shqiptar...Romani
i tij i jashtëzakonshëm Gjenerali i ushtrisë
së vdekur, i paralajmëroi krejt botës zbulimin
e një bote që ekziston që nga kohërat e
pakuptueshme, por që s’ishte e njohur. Jo përherë,
mosnjohja u përket atyre që shikojnë, ajo mund
të jetë edhe faji i atyre që presin të duket.
Ismail Kadareja është ai që pat guxuar dhe arriti
ta tërheqë vëmendjen ndaj botës së
tij, të popullit të tij, të kulturës shqiptare,
por derisa librat e tij, përmbi 50, qenë shkruar dhe
botuar, derisa ato depërtuan në qarkullimin normal
të kulturës ndërkombëtare, miliona njerëz
e kuptuan se sa shumë gjëra, përfytyrime, ide,
ndjenja, mungonin në universin në të cilin e
ndjenin veten aq mirë dhe aq komodë. Botimi i Kadaresë
në skenën e parë të kulturës botërore,
ishte një sukses të cilin të gjitha letërsitë
ballkanike, sidomos ajo rumune, e konsideronin si suksesin e
vet. Ia kemi borxh Kadaresë krejt atë që u përket
zbuluesve të tokave. Librat e tij e bënë botën
më të gjerë, më përfshirëse, ndërsa
letërsia botërore u pasurua me një dritë
të re – me dritën shqiptare, drita që vjen
nga Ballkani” (revista “22”, nr.707, f. 6).
Xh. Ukshini: Ju jeni njëri nga përkthyesit, por edhe
njëri nga ata që ka shkruar mjaft në shtypin
rumun për e veprën e Kadaresë.Cilat janë
vështirësitë e një përkthyesi që
përkthen nga shqipja në një gjuhë tjetër,
në këtë rast në rumanisht?
Luan Topçiu: Për hir të së vërtetës
është mirë që përkthyesi të përkthejë
nga gjuha e huaj në gjuhën amtare. Në cilësinë
e përkthyesit, unë bëj pjesë si një
përjashtim nga rregulli. Por, duke pasur parasysh autorët
shqiptarë që kam përkthyer në rumanisht
paleta është bërë mjaft e gjërë.
Mendoj se komunikimi mes kulturave është rruga më
e sigurt për të siguruar miqësinë mes popujve.
Njohja e kulturave gjegjëse dhe ofrimi i tyre nga njohës
të mirë të gjuhëve përkatëse është
një nevojë dhe përbën një domosdoshmëri.
Si vend i vogël, atë që mund të ofrojmë
më mirë të huajve, është kultura. Në
këtë kontekst kam botuar një sërë studimesh
dhe ese mbi veprën e Ismail Kadaresë në organet
letrare qendrore të Rumanisë. Gjithmonë e kam
konsideruar si parësore në preokupimet e mia studimet
mbi letërsinë. Sprovat letrare dhe marrja me studime
mbi letërsinë në një gjuhë të
huaj më ka bërë ta ndjej si një detyrim
përkthimin e letërsisë të vendit nga vij.
Autorët e letërsisë shqiptare që kam përkthyer
gjatë këtyre viteve në Rumani janë të
shumtë, duke filluar me Mitrush Kutelin, e me pas Lasgush
Poradeci, Ernest Koliqi, Faik Konica, Ismail Kadare, Dritero
Agolli, Xhevair Spahiu, Agim Isaku, Visar Zhiti, Dhimitër
Pojanku, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Bardhyl Londo, Resul Shabani,
Eqrem Basha, Martin Camaj, Teuta Arifi, Murat Isaku, Shaip Emerllahu,
Bashkim Shehu, Milianov Kallupi etj.
Përkthimet e letërsisë shqiptare fillojnë
me libra autorësh dhe deri në cikle poezish apo novela,
tregime, ese etj, të botuara këto në organet
e shtypit të specializuar në Rumani. Kështu mund
te veçoj novelën „E madhe është
gjëma e mëkatit“ e Mitrush Kutelit, botuar në
revistën prestigjoze „Secolul XX“, organ i
Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, novelat
„Qorrfermani“, si dhe „Piramida“ të
Ismail Kadaresë janë botuar në „Contemporanul,
idee europene“, vëllimi „Psalm“ i Visar
Zhitit është botuar në Shtëpinë Botuese
(Orient -Occident), vëllim i cili është konsideruar
si një zbulim nga kritika rumune. Po kështu, kanë
parë dritën e botimit në rumanisht novela të
Ernest Koliqit, vëllime poetike të Resul Shabanit,
Dhimitër Pojanakut, Milianov Kallupit, etj. Së fundi
Shtëpia Botuese Polirom, një nga më të fuqishmet
sot në Rumani, botoi romanin „Shkopi“ të
Agim Isakut në koleksionin e shkrimtarëve më
të mirë bashkëkohorë të Europës
Qendrore. Botimi i këtij romani shënon një sukses
të merituar të prozës moderne shqiptare. Prej
disa vitesh punoj për përgatitjen e një antologjie
të poezisë shqipe dhe jam në finalizim të
saj eventualisht mund të përgatis dhe një antologji
të prozës shqiptare.
Xh. Ukshini: Sa është i njohur Kadareja dhe letërsia
shqipe në Rumani?
Luan Topçiu: Pa dyshim, Kadareja është autori
më i lexuar, më i admiruar dhe më i njohur në
këtë vend. Veprat kryesore të tij, janë
të përkthyera në gjuhën e Emineskut, dhe
vazhdojnë të botohen. Ajo që është
më e rëndësishme, është fakti se lexuesi
rumun e çmon shumë veprën e tij. Intelektualiteti
rumunë, kanë nevojë për referime, edhe nga
vepra e Kadaresë. Letërsia shqipe, gjithë e më
shumë, bëhet më e njohur në Rumani, dhe
atë falë numrit të madh të intelektualëve
shqiptarë që jetojnë në këtë vend.
Falë ekzistencës së Bashkësisë së
Shqiptarëve të Rumanisë, numri i përkthimeve
nga autorët shqiptarë është rritur. Shtëpitë
botuese prestigjioze, janë duke i kushtuar një vemendje
të posaçme letërsisë shqiptare. Sigurisht,
kjo njohje është ende e pamjaftueshme. Letërsia
shqiptare meriton më shumë, dhe ka çfarë
të ofrojë. Shumë botime nga letërsia shqipe
bëhen në tirazhe shumë të vogla, sa për
t’u a dhuruar autorëve shqiptarë, që t’i
ngopin me lugë të zbrazët, gjoja se po marrin
pjesë në botë, me antologji apo vëllime.
Përpos autorëve që marrin pjesë në
to, askush nuk di gjë për daljen e librave të
tyre. Eshtë një lojë e rrezikshme që kryhet
për të fituar një kapital simpatie nga shkrimtarët
“viktima”. Në fakt, as letërsia shqiptare,
dhe askush nga autorët, nuk ka nevojë për një
hipokrizi të këtillë editoriale.
Xh. Ukshini: A mund të na flisni diçka më shumë
rreth veprimtarisë Suaj universitare?
Luan Topçiu: Jam prej disa vjetësh profesor bashkëpunëtor
i Universitetit Shtetëror të Bukureshtit, ku jap ligjërata-seminare
gjuhësie dhe një kurs praktik të gjuhës
shqipe për studentët rumunë që ndjekin masteratin
në specialitetin „historia dhe struktura e gjuhës
rumune“, profesioni im i vërtetë mbetet letërsia
e më konkretisht studimi i letërsisë. Jam specializuar
në „Teori letërsie dhe letërsi të
krahasuar“. Kam mbrojtur tezën e doktoratës
në letërsi të krahasuar, me tezën: „Ndjenja
e mallit në letërsinë popullore dhe të lavruar
shqiptare dhe rumune“, një studim tematik krahësimtar
i ndërtuar në disa rrafshe në dy letërsi
lehtësisht të përqasshme, që janë zhvilluar
në një terren historik të ngjashëm dhe pothuaj
nën shenjën e të njëjtës matricë
stilistikore.
Xh. Ukshini: Po studimet Tuaja në letërsinë krahasimtare?
Luan Topçiu: Letërsia e krahasuar mbetet një
lëmi që meriton gjithë përpjekjet të
zhvillohet gjërësisht. Letërsia krahasimtare
është një shkencë në pjesën më
të madhe franceze; me një të kaluar të shkëlqyer
dhe perspsektiva të gjëra për të ardhmen.
Letërsia e një vendi, krahas gjykimit brenda një
gjuhe e kulture, duhet të bëhet e njohur dhe njëherazi
të gjykohet në areale më të gjëra gjuhësore
e kulturore. Në kuadrin e letërsisë shqiptare,
zbulojmë kontakte me letërsi të tjera. Historia
e letërsisë duhet të merret në mënyrë
konstante me ndikimet, imitimet dhe huazimet. Duke studjuar
letërsinë rumune kam zbuluar konkordanca me letërsinë
shqiptare, qofshin ato në letërsinë orale apo
të lavruar, veçanërisht ndër shkrimtarët
që kanë pasur kontakte me këtë letërsi
dhe që kulturalisht janë formuar në të.
Kam botuar një libër dygjuhësh: “Sentimentul
dorului la/ Ndjenja e mallit tek Asdreni, Poradeci, Kuteli”,
FED, Bukuresht 1999, po kështu është në
proçes botimi një libër tjetër që
mund të inkuadrohet në letërsinë krahasimtare
„Paradigmat e vetmisë në poezinë shqiptare
dhe rumune“, „Cartea Universitara“, Bukuresht,
një version të së cilës po e përkthej
dhe në shqip.
Xh. Ukshini: Cili është statusi i kritikës letrare
në historinë e kulturës? Cili është
raporti i kritikës me veprën letrare? Si ndikon kritika
në zvogëlimin apo rritjen e vlerës së veprës
letrare?
Luan Topçiu: Në historinë e letërsisë
botërore, kanë rezistuar më shumë shkrimtarët;
kritikët, pavarësisht nga pozita e tyre e kohës,
kanë humbur. Zëri i shkrimtarëve autentikë
ka mbijetuar më mirë në kohë, ka më
shumë jetëgjatësi dhe rezonancë më
të gjërë sesa ai i kritikëve. Homeri, Sofokliu,
Ovidiu, Dante, Shakespeare, Balzaku, Dostoievski mbeten më
të njohur sesa Sainte-Beuve, Taine, Faguet, Mehring etj.
Historia e letërsisë ka konfirmuar faktin se Virgjili
nuk anulloi Homerin, Hugo-i nuk ka mënjanuar Corneille-n,
apo Dostoievski-Balzakun, Migjeni-Lasgushin, Kadareja-Agollin
etj. Historia e ideve demonstron megjithatë që Croce-ja
ka ndihmuar në zvogëlimin e rëndësisë
së Saint-Beuve-t, Lanson në atë të Taine-t
e kështu me radhë. Në dhjetëvjeçarët
e fundit të shekullit XX, si dhe sot, vihet re një
dukuri e re në konceptimin e kritikës që e dallon
këtë nga kritika që gjykon vetëm veprën
letrare. Eshtë ajo që do të thotë Roland
Barthes-i, i cili e ka shpallur në mënyrë publike
dhe pa asnjë retiçencë se përçapja
kritike, e konceptuar si një sistem subjektiv lëçitjeje,
kap vlerat e një akti krijimi, që e transformon objektin
që merr në analizë në një pretekst
shpikjeje të një ligjërimi të ri, relativisht
autonom. Një lojë e tillë e pastër e inteligjencës
nuk mund të gëzojë një audiencë të
gjërë publike, kritika fillon të shkruhet për
kritikët apo për një grup shumë të
vogël shkrimtarësh.
Xh. Ukshini: Në hapësirën shqiptare, vërejmë
sot, shumë shkrime komentuese veçanërisht në
shtypin e përditshëm dhe shpesh klasifikohen si „kritikë“.
A e mbulon kjo kategori shkrimesh kritikën letrare të
specializuar?
Luan Topçiu: Në dhjetëvjeçarët
e fundit të shekullit XX, u bë një dallim i qartë
midis kritikës së gazetave dhe kritikës si sistem;
konfigurohen në radhë të parë dy gjuhë,
dy mënyra të ndryshme trajtimi të tekstit letrar.
Kritika e gazetave mbetet ajo me një gjuhë tradicionale
ndërsa ajo me sistem modifikon në mënyrë
të vazhdueshme gjuhën, në funksion me progreset
e realizuara nga disiplinat nga merren hua konceptet bazale.
Mendoj se në kritikën e shkruar në gjuhën
shqipe mbetet problem kritika si sistem.
E para duket se ia ka zënë vendin të dytës
dhe për pasojë një hallkë e dobët e
proçesit letrar, sot në Shqipëri, mbetet kritika
letrare. Kritika shqiptare, megjithë përparimet e
bëra në këtë dhjetëvjeçar të
fundit, mbetet ende anemike. Ndihet një çoroditje,
shpesh kritika është klientelare, joprofesionale,
kaotike, e paprinciptë dhe e kryer në më të
shumtin e rasteve nga “gazetarë të kulturës”.
Tekstet kritike nuk ndërtohen as me termat operacionalë
të lëmisë, por kryesisht duke përdorur një
gjuhë druri, me lavde ose fyerje, sharje e konsiderente
ekstraletrarë e estetikë. Nuk mund të flasim
për mungesë tradite në këtë lëmi,
as për mungesën e njerëzve të shquar, as
nga ndonjë rezultat sporadik, por, mendoj në përgjithësi,
në vitet e fundit kritika jonë letrare është
e asfiksuar nga provincializmi.
Kam përshtypjen se kritika shqiptare duhet të reformohet
ende, të ndjekë procesin letrar dhe të risistemojë
e të rishohë vlerat letrare të krijuara në
kohë, për të dhënë më në
fund mendimin e saj mbi hierarkinë kombëtare të
vlerave letrare. Është një e drejtë legjitime
dhe morale që brezi i ri i studjuesve duhet ta ushtrojë.
Xh. Ukshini: Në bazë të asaj që lexojmë
e dëgjojmë, duket se jeni duke dhënë kontribute
të larta, për ndërlidhjen e Shqipërisë
me Rumaninë. Cila është perspektiva botuese,
e zotit Topçiu?
Luan Topçiu: Po nga Shtëpia Botuese “Polirom”.
bashkë me Ana Melonashin dhe Renata Topçiun, jemi
duke e botuar edhe një fjalor tjetër, kësaj rradhe
Rumanisht-Shqip, me rreth 50.000 fjalë-tituj, edhe i tipit
akademik, me të njëjtën strukturë si ai
Shqip-Rumanisht, që e pa dritën e botimit, në
prag të Ditës së Flamurit (2003). Punimi i përfunduar
ka hyrë në proçes botimi. Presi, të dalë
një studim monografik (rumanisht), në Shtëpinë
Botuese “Editura Universitara”. Është
fjala për librin “Paradigmat e vetmisë në
poezinë shqiptare dhe rumune”, pastaj një ribotim
në Shqipëri, të monografisë mbi veprën
poetike të Lasgush Poradecit (“Tekstualizëm
dhe stil”). Punoj poashtu për pjesën e dytë
të librit “Përmasa moderne në letërsinë
shqiptare”, libër me studime dhe ese për letërsinë
shqiptare. Jemi në përfundim, dhe po e përgatisim
për botim librin “ Antologjia e poezisë shqiptare”,
etj.
Ju faleminderit për këtë bashkëbisedim.
(Intervistën e realizoi: Xhevat Ukshini, redaktor i revistës
Albanische Hefte, )
18 dhjetor 2003 / TN