Dy
caqe të gjuhës Shqipe
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit (1210)
I gjetur në Vatikan, ai është botimi më
i vjetër i njohur deri tani i gjuhës Shqipe. I tëri
është në pergamen dhe ka 208 faqe. I gjithë
dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine
dhe i tëri në gjuhën shqipe, në dialektin
e veriut. Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në
faqet 1r-97r mbi teologjinë; faqet 98r-146r mbi filozofinë
dhe faqet 147r-208r mbi historinë. Ndërsa në
fund, autori ka firmosur vetë duke shkruar: Mee nihemmen
zze dessirnnee e phorte t' Lummnummitt ZOT e mbaronjj n'Vitte
MCCX dittn ee IX t' Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE. Rëndësia
e këtij libri (që nuk është abetare) është
se tregon që ka patur shkrues, botues dhe lexues te shkolluar
te Shqipes në vitin 1210.
Alfabetet origjinale shqiptare (1761-1844)
Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit
(1761) është teksti më i hershëm Shqip i
shkruar me një alfabet origjinal. Autor është
Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës,
i cili qëndroi pesëmbëdhjetë vjet në
Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq
të shkruante në një gjuhë të përbashkët
që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme.
Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas:
Ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë
latine dhe shtatë fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve
biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë
6113 fjalë të shkruara në një alfabet prej
40 gërmash: 35 gërma të zakonshme dhe 5 gërma
të rralla. Shumica e gërmave të këtij alfabetit
janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve
dhe të alfabeteve të popujve fqinjë.
Në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve
gjëndet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë
fjalë të shkruar me një alfabet i cili ndryshon
krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit; por i pa
zbërthyer akoma.
Alfabeti i Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, i cili
është një sistem grafik i ndërlikuar prej
52 gërmash që u përdor në mënyrë
sporadike në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.
Alfabeti i Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim
prej 154 faqesh. Në faqen 104 gjejmë dy radhë
Shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37
gërmash të ndikuara nga glagolishtja.
Nga Gjirokastra kemi një alfabet tjetër nga fundi
i shekullit XVIII ose nga fillimi i shekullit XIX, i cili është
një sistem grafik prej 22 gërmash, por pak i përhapur.
Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e Shqipërisë
është ai i Jani Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori
grek i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit
1801 për t'i mësuar shqip grekërve. Gjuhën
shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 gërmash
në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.
Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça prej
33 gërmash të botuarai në abetare e tij Shqipe
në vitin 1844. Jehona e këtij alfabeti, i cili i ngjan
një lloj armenishtje kursive, ishte e pakët.
Kjo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850 ishte
një kohë shumëllojshmërie shkrimesh të
habitshme në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha
shqipe u shkrua me DHJETË ALFABETE: shtatë alfabetet
origjinale të lartëpërmendur si dhe përshtatjet
pas vitit 1850 të alfabeteve latin, grek dhe arab. Është
për t’u çuditur që kultura shqiptare
arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një
madhështi të tillë letrare. Egzistenca e tyre
çjerr poshtërsinë me të cilën u ndesh
delegacioni Shqiptar në Kongresin e Berlinit më 1878
ku iu tha në vend të JO-së për shtetin Shqiptar
se: nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar.
Ndërkohë që kishte jo një, por 10 alfabete
që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.
Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Alfabetit
(14 Nëntor 1908)
Atdhetarët që përpiqeshin të bashkonin
popullin kishin përpara një përçarje në
popull që shkatohej nga: 1- politika ‘përça
e sundo’ e qeverise osmane; 2- struktura shoqërore
feudale-fisnore në Shqipëri; 3- drejtimet e huaja
të grupeve të ndryshme fetare, të cilat përdornin
turqishten, greqishten, italishten e gjermanishten në vend
të Shqipes. Në ato kushte, shoqëria Bashkimi
e Manastirit thirri më 14 Nëntor 1908 kongresin e
parë të përgjithshëm për diskutimin
dhe miratimin e nje alfabeti të njësuar.
Aty ishin të pranishëm 150 delegatë të
ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe
nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjipt,
Itali, Amerikë e gjetkë. Ata zgjodhën si kryetar
Mithat Frasherin, të birin e të shquarit Abdyl që
kishte kryesuar mbledhjen në Prizren. Përfaqësuesi
i Shoqërisë Biblike Gjergji Qiriazi u zgjodh nënkryetar,
kurse prifti protestant nga Korça Grigor Cilka mori pjesë
bashkë me të në Komisionin e Alfabetit të
përbërë prej 11 vetësh. Parashqevi Qiriazi,
e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu
si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate
në Manastir dhe e para grua në histori që mori
pjesë në një forum gjithëshqiptar. Zonja
Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë,
e pranishme aty si vezhguese, shkruante për poetin Gjergj
Fishta: Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift
katolik nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë
që dëgjuesve t'u rridhnin lotë; një hoxhë
u prek aq shumë, saqë rendi ta përqafonte para
gjithë të pranishmeve.
Kongresi nëntëditor vendosi me votë të
plotë që shqiptarët të linin mënjanë
alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat e tij të
veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm
me alfabetin latin. Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante
36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Duke qenë
se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me
shkronja arabe, greke e sllave apo përshtatje të tyre,
vendosmëria e këtyre delegatëve për t'i
kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi nje shpallje
kulturore e pavarësisë, gjë që shkaktoi
kundërveprime të ashpra nga qeveria osmane, sllavët
dhe kisha ortodokse e grekërve.
Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e
Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra,
Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet
e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi
në disa vende të huaja dhe mësoi të fliste
13 gjuhë, mbi gjuhën Shqipe ai nuk vinte gjë
tjeter.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç per ty rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie
janë të bukra me temel;
por prep’ këjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave ju del.
Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e Shtypshkronjës
Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit,
e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse
e librave dhe gazetave Shqipe. Por shpejt qeveria osmane i mbylli
të gjitha shtypshkronjat shqipe. Më 1911, Hoxhson,
përfaqesuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës,
raportonte: Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur
pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për
ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë Shqipe
nuk kanë rreshtur kurrë. Gjendja e rëndë
politike mund të marrë flakë nga çasti
në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte shpërthyer
dhe nuk do ndalej më!
Shkrimi është mbështetur edhe në botime
përkatëse të mëparshme.