Historia
e arkivës së Jeronim De Radës që u zbulua
nga një letër e nipit të tij drejtuar shtetit shqiptar
i cili nuk u interesua në ato kohë për rimëkëmbjen
e shtëpisë së rrënuar të De Radës.
Pikërisht aty ndodhej ky arkiv.
Dorëzimi i dorëshkrimeve në Akademisë Mbretërore
Italiane. Vetëm pas shumë vitesh, shteti shqiptar do
të siguronte këtë pasuri të De Radës
Në 100- vjetorin e vdekjes së rilindasit, këto
dorëshkrime e letërkëmbime janë vendosur në
një ekspozitë
100 vjet pas vdekjes së De Radës studiues të shumë
janë mbledhur tok në një konferencë për
të diskutuar gjatë për veprën e tij, mbi pozicionin
e tij në jetën shoqërore e politike të kohës,
mbi gjurmët e thella që ai vendosi në letërsinë
shqipe, etj. Studiuesi Alfred Uçi ka mbajtur kumtesën
“Profeti i poezisë dhe i mendimit shqiptar” ,
Kristaq Jorgo ka mbajtur kumtesën “Si lindi një
letërsi kombëtare: Jeronim De Rada”, Gjovalin
Shkurtaj “Gjuha dhe shpirti i arbrit në veprën
e De Radës”, Ali Aliu me “Universi i “Milosaos”,
Klara Kodra “De Rada, midis traditës dhe modernitetit”,
Shaban Sinani ka mbajtur kumtesën “Kulti i epopesë
tek De Rada”, Ali Xhiku “De Rada në mungesat
e studimeve për të” dhe Nevila Nika me “Fondi
i De Radës, burim parësor për studimin e Rilindjes
Kombëtare”.
Alfred Uçi është ndalur më shumë në
veprën e botuar së fundmi të De Radës “Parime
të estetikës”, përgatitur për botim
nga vetë studiuesi. “Jeronim Derada i mirënjohur
si përfaqësues i parë i poezisë moderne shqipe,
themelues i letërsisë romantike shqipe me librin “Principi
di Estetica”, paraqitet nëpërmjet këtij libri
edhe si lëvrues i estetikës teorike”,- tha Uçi.
Sipas tij, ky libër mbështetet mbi baza të forta
filozofike, mbi përvojat e historisë botërore të
estetikës, dhe të letërsisë dhe arteve.
Ndërsa dr. Shaban Sinani, në kumtesën e tij tha
se “Letërsia shqipe është sunduar për
afro një shekull prej kultit të epopesë. Shkrimtarët
e mëdhenj rilindas e shihnin veten përgjegjës ndaj
epopesë kombëtare. Nga kjo përgjegjësi lindën
vepra të rëndësishme prej më të mëdhenjve
të letrave shqipe, duke filluar që nga Jeronim De Rada
, Naimi e deri tek Fishta.” Më tej ai tha se “Kulti
i epopesë tek De Rada është pjesë e mitit
të së shkuarës, e hyjnizimit të “motit
të madh”. Nëse kjo çështje do të
shihej në mënyrë teknokratike, atëherë
do të duhej të pranohej se romantizmi i De Radës
është romantizëm prapavajtës. Karakterizimi
teorik i romantizmit si drejtim dydegësh, futurist-utopik
dhe retrospektiv, do të bëhej pengesë për
të kuptuar në tërësi veprën e tij”.
Më tej në këtë konferencë është
diskutuar edhe mbi pikëpamje të tjera të veprës
së De Radës, si dhe është hapur një ekspozitë
me dorëshkrime dhe letërkëmbime origjinale të
De Radës nga Arkivi Qendror Shtetëror. Mbi këtë
arkiv të De Radës ka folur në këtë konferencë
dr.Nevila Nika.
Udhëtimi i vështirë i arkivit të
De Radës
“Arkivi i Jeronim De Radës bën pjesë
në ato arkiva personale, që janë një minierë
ari për të gjithë studiuesit e Rilindjes Kombëtare
Shqiptare”, – kështu bëri të ditur
studiuesja Nevila Nika, e cila foli në këtë përvjetor
për “Arkivi i Jeronim De Radës,- burimi parësor
për studimin e Rilindjes Kombëtare”. Në këtë
kumtesë ajo foli me hollësi për këtë
arkiv si dhe për rrugën që i është dashur
të ndjekë ai që prej kohës së vështirë
kur shtëpia e De Radës ishte në gjendje shumë
të keqe. Sipas saj, njoftimi i parë, pak a shumë
zyrtar për ekzistencën e këtij arkivi na e përcjell
një letër e nipit të De Radës, i quajtur Zef
De Rada, ose Xhuzepe më 14 korrik 1924. Pikërisht 21
vjet pas vdekjes së gjyshit të tij, ai i ka drejtuar
një letër Ministrisë së Punëve Botore
në Tiranë. Letra është dorëshkrim i Zef
De Radës dhe është shkruar në gjuhën
italiane. Nga kjo letër mësojmë se shtëpia
e lindjes së Jeronim De Radës “është
në gjendje mjaft të keqe” dhe për këtë
arsye Zef De Rada kërkon ndihmën e shtetit shqiptar.
Sipas tij, në këtë shtëpi ndodhet arkivi me
vlera të pallogaritshme i vetë Jeronimit, i cili nga
gjendja e mjerueshme e shtëpisë rrezikon të zhduket
. Lutja e Zef De Radës, përcillet disa ditë më
vonë pikërisht më 20 korrik 1924 nga Ministria
e Punëve Botore tek ajo e Arsimit. Arsyetimi ishte se Ministria
Botore nuk mund të nxirrte fonde për të tilla raste.
Po ashtu edhe Ministria e Arsimit tha se nuk kishte fonde për
meremetimin e shtëpisë së De Radës, por përsa
i përket dokumenteve ato mund t’i dërgohen kësaj
ministrie dhe ajo do t’i vlerësojë. Për këtë
përgjigje, Ministria Botore lajmëron familjen De Rada
e cila si duket, kishte pritur më shumë nga atdheu i
të parëve. Kësisoj vite më pas, trashëgimtarët
e De Radës, pjesën më të madhe të arkivit
ia kaluan Akademisë Mbretërore Italiane. Ky njoftim
del nga një letër e datës 16 nëntor 1941,
dërguar Ernest Koliqit, autori i të cilës nuk dihet
pasi është vetëm një fletë nga kjo letër
e shkruar në gjuhën italiane. Nisur nga ky fakt mendohet
se letërshkruesi të ketë qenë italo- arbëresh
dhe sipas tij kuptohet se vetë Ernest Koliqi ka qenë
i interesuar, për tërheqjen në Shqipëri të
arkivit të De Radës. Por Koliqi u njoftua më vonë
se Akademia Mbretërore Italiane, nëpërmjet prof.Skiroit,
arriti të tërhiqte të gjithë dorëshkrimet.
Më tej u deshën të kalonin vite, deri në vitin
1951, kur qeveria shqipatre mori në shqyrtim mundësinë
e blerjes së dorëshkrimeve të Jeronim De Radës.
U ra dakord për t’i blerë dhe u caktua shuma përkatëse
3 milionë lireta italiane. Nuk dihet nëse këtë
shumë e kërkoi familja e De Radës, apo e caktoi
vetë qeveria shqiptare, megjithatë me anë të
saj u bë tërheqja e këtyre dorëshkrimeve.
Fillimisht dorëshkrimet kanë kaluar në Seksionin
e Historisë të Institutit të Shkencave e më
pas në Arkivin e shtetit.
Çfarë ndodhet në arkivin e De Radës?
Siç shpjegon me hollësi studiuesja Nevila
Nikaj, ky arkiv që tashmë ndodhet në Arkivin Qendror
të Shtetit i është nënshtruar përpunimit
tekniko shkencor, pra klasifikimit të dorëshkrimeve
të De Radës, i cili sipas saj paraqiste mjaft vështirësi,
për shkak se ishin dorëshkrime pothuajse në gjuhë
të huaj si italisht, frëngjisht dhe greqisht, por edhe
dorëshkrimet në shqip e arbërisht ishin po aq të
vështira për t’u lexuar. Po ashtu një pjesë
e madhe e dorëshkrimeve ishin fragmente shkrimesh të
ndryshme dhe paraqitnin vështirësi për t’i
bashkuar apo identifikuar. Por megjithatë u arrit të
bëhej pikërisht klasifikimi i dëshiruar, nga puna
e përkthyesve profesionistë si Cin Çapeli, Vasil
Bozgo, Gjon Kovaçi, dhe Shuk Koka. E pas klasifikimit përfundimtar
në vitin 1963 ky arkiv pati 91 njësi ruajtjeje me 6410
fletë dokumente dhe 31 libra. Tashmë janë disa
njësi ruajtjeje të këtij arkivi ku përmblidhen
1) materiali biografik, 2)veprimi zyrtaro-shoqëror, 3)veprimtaria
krijuese, 4)letërkëmbimet( letra të ardhura e të
dërguara), 5) pasuria e krijuesit të fondit, 6) të
tjerët për krijuesin e fondit, 7)materiali i familjes,
8)materiali i grumbulluar dhe 9) materiali ilustrativ. Materialet
janë shkruar në gjuhët shqipe, arbërisht,
italisht, frëngjisht, greqisht, dhe pjesa dërrmuese
e tyre janë dorëshkrime origjinale. Në dosjen e
parë gjendet “Autobiologjia”ose outobiografia
e botuar në tre pjesë në formë broshure. Në
dosjen numër 10 gjenden artikuj dhe materiale të tjera
shtypi për të cilat mendohet se janë botuar, ose
grumbulluar për botim nga vetë De Rada. Mes tyre gjendet
edhe një artikull i nënshkruar nga një shqiptar
që jeton në Egjipt, një artikull pa autor me të
dhëna për vendbanimet e arbëreshëve në
Itali, një material mbi Shkodrën, tre artikuj të
Xhuzepe Petrasit. Përmbajtja e “Flamurit të arbërit”,
për vitin 1884, etj. Sipas Nikës, dorëshkrimi i
njërës prej veprave më në zë të
De Radës “Këngët e Milosaos” ndodhet
në dosjen 19. Sipas saj, vepra nuk është e plotë.
Vargjet janë arbërisht dhe janë shkruar në
një bllok të përmasave shumë të vogla.
Gjithsej janë 42 fletë. Ndërsa dosja 21 ka 99 fletë
dorëshkrime. “Poesie albanesi del sec.XV” De
Rada e ka shkruar në një bllok të vogël dhe
mban datën 1839. Dorëshkrimi është arbërisht
e italisht. Po në këtë dosje është edhe
një fletore në të cilën De Rada arbërisht
ka shkruar “Terzo libro della vita di Serafina Topia”
nënshkruar nga ai vetë në Napoli me 1846. Po ashtu
në këtë dosje gjenden edhe disa pjesë të
ditarit të tij.
Letërkëmbimet e De Radës
Janë rreth 400 persona nga të vilët 368 dihet se
kush janë me të cilët Jeronim De Rada ka pasur
letërkëmbim të vazhdueshëm. Të gjithë
këto letra janë origjinale dhe janë të periudhës
nga viti 1829 deri ën vitin 1903. Ndër to ka koppje
të letrave që vetë De Rada iu ka shkruar rreht
17 personave, letra këto të ruajtura nga ai vetë.
Ndër to një vend të rëndësishëm
zë edhe letërkëmbimi familjar, ku ka letra të
babait, vëllezërve, motrave, djemve, bashkëshortes,
, nipave, etj. Në këto letra duket synimi i De Radës
që shkon në dobi të çështjes kombëtare
shqipatre, përqendruar kryesisht në mësimin dhe
kultivimin e gjuhës shqipe, si dhe angazhimi i tij në
jetën politike të Italisë së atyre viteve.
Lista e letërkëmbyesve me De Radën është
mjaft e gjatë, e ndër ta një numër të
madh bënin bashkatdhetarët në kolonitë e mërgimit,
në Itali, Egjipt, Rumani, etj. Midis tyre janë Zef Jubani,
Sami Frashëri, Faik Konica, Dora D’Istria, Thimi Mitko,
Spiro Dine, Visarion Dodani, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Anselmo
Lorekio, Lui Benloev, Gustav Majer,Alfons De Lamartin, Luigj Gurakuqi,
Mit-hat Frashëri, Anton Santori, Preng Doçi, princesha
Di Strongoli, Françesko Krispi, Pietro Kiara, Dhimitër
Kamarda, Pietro Matranga, etj. Sipas dr. Nevila Nikës, studimi
i fondit arkivor të Jeronim De Radës nga ana e historianëve
dhe sidomos i letërkëmbimit të tij , përbëjnë
një ndër burimet më të rëndësishme
për njohjen dhe studimin e e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Aty studiuesit mund të njihen me përpjekjet e De Rdaës
në drejtim të mësimit e të përhapjes
së gjuhës amtare, evolimin e gjuhës shqipe në
shekuj, çështjen e alfabetit, shkollave etj.
Fletë nga ditari
Sa të ndryshme e të trishtuara janë tani
ditët e jetës sime, plot andralla familjare dhe shqetësime
të rëndomta, në krahasim me ato ditët aq të
gëzuara të rinisë sime, kur me shpirt të pushtuar
nga dashuria për një vajzë fisnike, erdha për
pak ditë nga një qytet i largët në shtëpinë
e fshatit ku më priste ajo. Këtu u dhashë pas punëve
bujqësore, i çliruar nga çdo shqetësim
që sjell puna mendore . Toka m’u shfaq e mbushur jo
vetëm me gëzimin e të vjelave të vreshtave
dhe të mbledhjes së ullinjve, me ditët e bukura
e të kthjellëta, por edhe me erërat kushtrimtare
të kohës, të cilat kishin mbërritur deri në
fshatin tim dhe kishin pushtuar zemrën dhe shpirtin tim…
Trimi e zuri e ma puthi
Na e puthi mu në buzët
Vasha n’uj’ e vërtiti faqen
Dhe lau të puthurën
Po m’atë e skuqi ujët.
Nga qyteti aty afër
Duallë gratë e lan’ leveret
Skuqeshin, nuk zbardheshin
T’linato që ato lanin
Kopshtet që vaditeshin
Gjethet i bënin të kuqe.
Zogjtë që pinin atij uji
Cicërimn’ e tyre humbnin…
(Shkëputur nga “Parime të Estetikës”
nga libri II dhe III)