VRASJA E ÇMENDURISË

Recension

Rasim Syla”Do ta vras çmendurinë”.Botoi “Vatra”.-Prishtinë 2004

Shkrimin tim për librin në shqyrtim, do ta filloj nga vetë titulli i tij,mjaft provokativ dhe sugjestiv “Do ta vras çmendurinë, i cili vie pas librit të tij të parë botuar,para shtatë vitesh,pra më 1997 me titull :Hija natës”.Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala çmenduri spjegohet kështu:çmenduri- gjendje e njeriut të sëmurë nga mendja,humbje e plotë e aftësisë për të menduar në mënyrë normale për shkak të çrregullimeve të rënda psikike. Nga vjen kjo gjendje? –shtrohet pyetja. Arsyet dhe shkaqet,që e shkaktojnë këtë gjendje janë të ndryshme dhe të shumta.Këtë mund ta sjellë edhe dashuria e dështuar, por edhe gjendja e rëndë sociale e aq më shumë edhe ajo nacionale,siç është, bie fjala,gjendja e njerëzve të këtij nënqielli pas masakrave që bën katilat e Karpatëve mbi popullat e pambrojtur gjatë luftës së fundit Si do të qoftë Rasim Syla përpiqet që ta vrasi këtë gjendje, pra ta vrasi çmendurinë,çmendurinë që mund të jetë manifestuar ke njeriu i ynë,pra ke bashkëkombasit e tij.

Përmbledhjen e vet të dytë me vjersha “Do ta vras çmendurinë” Rasim Syla nuk e ndan në cikuj, siç veprojnë shumë krijues të tjerë,nga se është i bindur se ajo paraqet një tërësi organike,një tërësi tematike dhe si e tillë ashtu duhet të kuptohet.

Cilat janë temat,cila është problematika,cili është subjekti lirik, që e preokupon, e ngacmon dhe shqëtëson autorin e përmbledhjes në shqyrtim? Ato janë të larmishme dhe të shumta në të njejtën kohë, ashtu siç është e larmishme dhe vetë mënyra e ndertimi të vargjeve të përmbledhjes.Si edhe shumë krijues të tjerë edhe autorin i veprës fjalë e shqetëson gjendja e popullit të vet, ajo gjendje që është pasojë e vuajtjeve të këtyre njerëzve nën okupimin shekullor slave, kundër të cilit luftuan dhe fituan djelmoshat sypatrembur, për të sjellë lirinë e shumëkerkuar në këto troje.

Libri hapet me poezinë, ta quajmë emblematike, “Pikturë historike”, në të cilën i këndohet heroizmit të trimave të të gjitha kohërave,duke filluar nga luftëtarët e veshur me tirq, që do të thotë njerëzve të thjeshtë,që e sakrifikuan vetëm për të mirën e vendit, të fëmijve të tyre,ata që këndonin këngë kur ktheheshin nga betejat,si dëshmi se i kishin fituar ato me gjak , me trimëri e heroizëm të paparë ndonjëherë më parë.Dhe duke e lexuar këtë poezi lexuesi do të futet në botën e ndieshme të poetit, i cili është i vetëdijshëm se poezia nuk duron fjalë e shprehje t'i quajmë kushtimisht gazetareske, por asosh figurative,me metafora përmes të të cilave do të shprehet bota intime, por edhe ajo e përgjithshme njerëzore.

Krijues që mendon se me pak fjalë, por të zgjedhura, me shprehje të qëlluara mund të thuhet shumë Rasim Syla harton poezi të shkurtëra, nganjëherë vetëm më tri vargje,por që kanë kuptimin më të gjerë që sa mund të paramendohet,e që mund të ngjajnë edhe në sentenca.Vjersha e tij “Parandjenjë”, e shkruar në vitin 1992 ka vetëm tri vargje

Veç ndonjë birë nane

Me pushkë në dorë

Lirinë ka me na sjëllë

Vetëm kaq thot poeti ynë,për të vazhduar madje të thuri vargje të tjera, në të cilat madhërohet trimëria e djelmeve dhe vashava shqiptare në situate, kohë dhe hapësira të ndryshme,gjithëmonë të gatshëm që të sakrifikohen, që të japin më të shtrejtën,pra jetën, për të mirën e vendit.Dhe parashikimi i tij u realizua në vitet e nëntëdhjeta të shkullit të kaluar, kur trimat shqiptarë të Kosovës i rroken armët dhe i dolen për ballë armikut disa herë më të fortë dhe më të armatosurt,dhe të përkrahur nga fuqitë e mëdha botërore e përzunë njëherë e përgjithëmonë armikun shekullore nga trojet tona.Shqiptari do të këndojë këngë malsorçe, por edhe kur nënat do t'i mbulonin me dhe djelmet e dëshirit, kënga e tij do t'i shoqërojë, do të ndajë dhëmbjen me to,edhe pse ka derdhur gjak nga goja, vetëm e vetëm që ta ruaj gjuhën e nënës.

Si çdo i ri tjetër edhe Rasim Syla i këndon dashurisë,madje mund të themi lirisht se krijimet që kanë për temë dashurinë janë më të ngrohtat, më të sinqertat dhe poezi që shpalosin zjarrin djaloshare të të riut të dashuruar, të cilin dashuria e hedhë herë në një kënd herë në njerin kënde të jetës nëpër batica e zbatica të jetës.

Thamë pak më lartë se Rasim Syla është krijues që botën e vet e shpreh me figura të ndryshme stilistike, me metafora të ndryshme.Figurat stilistike janë të llojllojshme dhe të shumta, duke filluar nga krahasimi, kontrasti e të tjera, elemente këto që e bëjnë poezinë e tij të sukseshme dhe gjithësesi të kapshme për lexuesin, për të cilin edhe shkruhet ajo.Si e këtillë kjo dëshmon se autori i përmbledhjes “Do ta vras çmendurinë” ka talente, ka prirje dhe aftësi të krijojë poezi të sukseshme, për çka dëshmojnë pjesa më e madhe e poezive të përmbledhjes në shqyrtim.

shkruan:

Ali D. Jasiqi

Copyright www.agimi.com