Flet
shkrimtari i madh: Nga tensionimi i politikës shqiptare,
tek pozicioni i Shqipërisë ndaj luftës në
Irak
Kadare: Përçarja, veprimtari antikombëtare
“Vënia në shënjestër e Edi Ramës,
një ndërtuesi, midis duhmës shkatërruese,
shenjë e keqe”
Këmbëngulja për përçarje e politikës
shqiptare duhet të konsiderohet si veprimtari antikombëtare.
Kështu u shpreh dje në një intervistë për
gazetën “Shekulli”, shkrimtari i madh, Ismail
Kadare. Ai ka komentuar gjithashtu edhe debatet për komisionin
hetimor ndaj Edi Ramës dhe pozicionin e Shqipërisë
ndaj luftës në Irak.
Ditët e fundit, vihet re një ngritje e tensionit politik
në Shqipëri, pasi siç është deklaruar
nga të dy palët, marrëveshja politike Nano-Berisha
nuk ekziston më, si e gjykoni këtë rikthim të
politikës shqiptare në konfliktualitet dhe çfarë
pasojash mund të ketë sipas jush?
Ju e dini se marrëveshjen pozitë-opozitë, ashtu
si shumica dërrmuese e opinionit publik në Shqipëri,
unë e kam përshëndetur. Nuk kam qenë aq naiv
sa të besoja në sinqeritetin e plotë të saj.
Megjithatë, kam parapëlqyer një marrëveshje
qoftë edhe të pasinqertë, në krahasim me një
grindje të sinqertë. Nuk dua të bëj humor
me gjera që janë dramatike, por të gjithë
jemi dëshmitarë se gjer tani e vetmja veprimtari që
politikanët e kanë bërë me zemër, me
përkushtim, pa hile, me përgjegjësi, si të
thuash, të lartë, ka qenë kacafytja. Kurse të
kundërtën e saj, pajtimin e kanë bërë
shkel e shko, sa për të larë gojën, për
të fituar ndonjë "bravo!" nga Evropa ose për
interesa thellësisht vetiake. Gjithë populli shqiptar,
gjithë shqiptarët që jetojnë kudo nëpër
botë, zbutjen, pajtimin ndërshqiptar e kanë sot
brengën dhe preokupimin e tyre më të madh. Në
këtë pikë, unë nuk di ndonjë vend tjetër
në Evropë, ku klasa politike të jetë në
kundërshtim me vendin e vet, dhe kundër tij. Mendoj
që opinioni ynë mbarëkombëtar, brenda dhe
jashtë Shqipërisë, këtë këmbëngulje
për përçarje të politikës shqiptare
duhet ta konsiderojnë si veprimtari antikombëtare. Sepse
s'mund të jetë veçse e tillë një politikë
që po i merr frymën e që i mbyll rrugët e
zhvillimit këtij vendi. Me këtë rast dëshiroj
të përsërit pyetjen time të vjetër, që
është në të vërtetë dyshimi im i
vjetër, nëse kjo mbrapështi e politikës shqiptare
vjen si rrjedhojë e një mungese emancipimi, e një
lajthitjeje tribale, e një çarturie shqiptaro-ballkanase,
apo është thjesht e programuar.
Z.Kadare që prej dy-tre javësh, Kuvendi dhe politika
shqiptare është mbërthyer rreth një diskutimi
për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin
e Edi Ramës, mendoni se kjo është një e drejtë
që i takon opozitës apo është thjesht një
tensionim i situatës politike para zgjedhjeve lokale?
Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit akuzohet për
faje për të cilat janë akuzuar shumica e politikanëve
dhe qeveritarëve shqiptarë të të gjitha ngjyrimeve
politike. Ndërkaq, ndryshe nga shumica e të fajësuarve
që ne i mbajmë mend vetëm nga akuzat që u
janë bërë, ngaqë s'kemi parë të
na lenë ndonjë kujtim tjetër, Edi Rama, mu në
sytë tonë ka ndryshuar kryeqytetin e vendit. Rrjedhimisht,
edhe sikur të pranonim që kryetari i Bashkisë së
kryeqytetit ka ecur në traditën e keqe të të
korruptuarve, radha e gjykimit të tij do të vononte
shumë. Ndaj, sa t'i vijë radha, le ta lemë të
punojë Edi Ramën. Vënia në shënjestër
e një ndërtuesi midis duhmës shkatërruese,
e një njeriu që zgjon shpresë, midis atyre që
shtojnë dëshpërimin, e një qytetari të
kohës, që gëzon simpatinë e brezit të
ri, midis injorancës që po plaket, është për
mendimin tim një shenjë jashtëzakonisht e keqe.
Disa analistë politikë në Shqipëri kanë
kundërshtuar qëndrimin e qeverisë shqiptare në
mbështetje të SHBA-së për luftën në
Irak, në optikën tuaj çfarë pozicioni duhet
të mbajnë shqiptarët në këtë përplasje
mes SHBA-së dhe disa prej vendeve të BE-së me në
krye Francën?
Mendoj se Shqipëria ka bërë një zgjedhje të
drejtë. Mirënjohja tradicionale ndaj SHBA, (kundërshtimi
amerikan për copëtimin e Shqipërisë në
fillim të shekullit dhe roli kryesor për çlirimin
e Kosovës në fund të tij), për fat të
mirë nuk bie ndesh me interesat e sotme shqiptare dhe SHBA
mbeten sot aleati ynë i fuqishëm. Shqipëria është
një shtet i kërcënuar nga terrorizmi kështu
që luftën kundër tij mund ta konsiderojë si
luftë të saj. Një arsye më tepër që
opinioni publik shqiptar të jetë gjerësisht në
favor të një ndërhyrjeje në Irak është
kujtimi i dramës së Kosovës, atëherë
kur shqiptarët prisnin me padurim ndërhyrjen ushtarake
të NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit,
aq shumë tê ngjashëm me atë të Sadam
Hyseinit sot. Në kushtet e një acarimi midis SHBA-së
dhe një pjese të Evropës, për shkak të
Irakut, vendet e ish-bllokut sovjetik, që porsa kanë
hyrë ose synojnë të hyjnë në Evropë,
vetvetiu janë ndodhur në një pozitë disi delikate.
Shqipëria, ndonëse e shkëputur kaherë nga
blloku sovjetik, bën pjesë në këtë grup.
Dihet tashmë se zgjedhja që bënë këto
vende, e Shqipëria bashkë me to, përkrah Evropës
Atlantike, shkaktoi nervozizëm të përzier me ironi,
në atë që u quajt "Evropë e vjetër",
sidomos në Francë. Nervozizmi, e aq më tepêr
ironia janë quajtur fare të pavend nga vetë opinioni
publik francez. U shquan për kritikë të rreptë
kundër këtij nervozizmi filozofi i shquar, Alain Finkelkraut,
Bernar Kuchner etj. Nervozizmi, e sidomos ironia, kanë qenë
të pavend për disa arsye. E para këto janë
shtete sovrane dhe është e drejta e tyre të marrin
atë vendim që duan. E dyta, në Evropë s'mund
të ketë shtete të familjes e shtete jashtë
saj, me fjalë të tjera, të nënës e të
njerkës, siç u duk në një deklaratë
të papërgjegjshme, kur u bë shantazh ndaj këtyre
vendeve. (Ne të familjes do të merremi vesh mes nesh,
por ju që sapo hyni, do të paguani harxhet). E treta,
vendeve ish-komuniste, të porsadala nga sundimi sovjetik
nuk mund t'u valavitet flamuri i aleancës me Moskën
si ngushëllim për humbjen e Washingtonit. E katërta
dhe kryesorja, alternativa që u shtrua përpara këtyre
vendeve: o me SHBA o me Evropën, në një vështrim
të thellë të gjërave është alternativë
e paqenë, për të mos thënë absurde. Sipas
vizionit të këtyre popujve, që është
dhe vizioni ynë shqiptar, s'mund të ketë qëndrim
të vërtetë proevropian që në të
njejtën kohë të jetë antiamerikan. Dhe e kundërta,
proamerikanizmi për ne s'mund të jetë kurrë
në thelb antieuropian. Mendoj se ky vizion, si të thuash
i jashtëm për botên perëndimore, është
më i sakti nga tê tjerët. Për ne, që
kemi qenë të veçuar nga qytetërimi perëndimor,
Evropa dhe SHBA kanë qenë një dhe të pandarë.
SHBA dhe Evropa jo veç e veç, por bashkarisht, përbënin
Perëndimin, shpresën tonë të vetme për
liri. Prandaj acarimi brenda Perëndimit nuk mund të
përjetohet prej këtyre popujve veçse si ngjarje
tejet dramatike, që bie ndesh me interesat e tyre themelore.
Në këto kushte, të gjitha vendet ish-komuniste,
duke përfshirê edhe vendin tonë, janë tê
interesuara që konflikti SHBA-Evropê të kapërcehet
dhe uniteti i Perëndimit tê vendoset sa mê shpejt.
Natyrisht interesat e vetë Perëndimit të kërcënuar
aq rëndë sot, e në një rrafsh më të
gjerë, ato të krejt botës së sotme e kërkojnë
këtê gjë.