Poeti
kosovar Halil Haxhosaj po përkthehet për herë
të parë në gjuhën rumune. Bashkë me
poezinë e tij, lexuesi rumun do të krijojë dhe
një përshtypje më të qartë të
poezisë shqiptare të Kosovës. Sepse kjo poezi,
mbart në vetvete elementë tipologjikë të
gjithë poezisë shqiptare, posaçërisht
të asaj që është shkruar në Kosovë,
dhe padyshim tipare të poezisë moderne europiane.
Ajo që të bie në sy menjëherë, kur
ke kontaktin e parë me të, mund të konstatosh
lirisht, se kemi të bëjmë me një poezi të
kondensuar. Poeti na ofron një lëndë gjuhësore
të ngjeshur, me sa më shumë ide, me sa më
shumë sugjerime lirike, në sa më pak shenja gjuhësore.
Ky proçes është i mundshëm në çdo
gjuhë natyrale, aq më tepër kur fjala është
për gjuhën shqipe, një nga gjuhët më
të vjetra të kontinentit, me shumë mundësi
ekspresiviteti dhe tejet e pasur me mjete leksikore dhe sintaksore.
Poezia e Haxhosajt të kujton më së shumti tablo
nga piktura minimaliste, ku thelbi i pasqyrimit të botës
reduktohet në sa më pak objekte, në sa më
pak ngjyra, në sa më pak mjete artistike, për
të mbërritur sa më shpejt tek thelbi i gjërave
- në kuintesencën e tyre.
Hoxhosaj dëshmon se është një poet i thellë
dhe i rafinuar, me aftësi vëzhguese dhe përzgjedhëse,
një artist që di të ndalet në momentin e
përshtatshëm, të marrë në konsideratë
detajet më domethënëse për poezinë
e tij. Përzgjedhja me sqimë i detajeve dhe kapja e
momenteve të përshtatshme poetike kryet, sepse poeti
mbetet i interesuar për mesazhin lirik, dhe mesazhet e
tij nuk tejkalojnë kurrë kufijtë e poezisë,
teksti dhe ligjërimi poetik mbeten esencialisht lirikë.
Poeti mendon me figurë, ai artikulon mendimet e tij përmes
fjalës të ngarkuar me imazh, përmes asosacinesh,
përsiatjet mbi botën, mbi realitetin historik, mbi
dashurinë, miqësinë, tradhëtinë, mbi
njeriun në përgjithësi në këtë
vëllim poetik-autori përpiqet të japë disa
përgjigje me nota tejet vetanake.
Poezia e Haxhosajt është një poezi e përpunuar
gjuhësisht, poezi që të fton për të
zbuluar mesazhe të fshehura nër vargje, në nëntekst,
në kuptimin vertikal të tekstit, ai na ofron vetëm
një pjesë të botës së tij, pjesën
tjetër na i le ne si lëçitës ta zbulojmë,
ta ndërtojmë, ta krijojmë. Kjo lloj poezie implikon
dhe një shkallë të lartë pjesëmarrjeje
dhe bashkëpunimi të lexuesit me tekstin poetik. Akti
i përjetimit të kësaj poezie përfundon me
marrëdhëniet me receptorin, sepse nga vetë natyra
e tij, teksti poetik është një objekt polisemik,
hipostazë që presupozon një hapje të pafundme
në marrëdhënie me receptorin (si funksion transgjuhësor
dhe transenunciativ). Poeti kupton, si rrallë poet tjetër,
sensin e masës. Atë që do të thoshte dikur
Michelangelo, se skulptura është art i të hequrit
dhe jo i të shtuarit. Ashtu dhe Haxhosaj, heq gjithçka
të tepërt, poezia mbetet me atë që konsiderohet
prej tij si tejet e domosdoshme, pa teprica, pa proliksitet,
shpjegime të panevojshme, fjalë, shenja që do
ta ngarkonin pa nevojë poezinë.
Kryesisht, poezia e tij është e shkurtër. Më
shumë duket si rezultat i një reduktimi gjuhësor
i më shumë ideve, imazheve, asosacioneve, meditimeve,
se sa një poezi e konceptuar si e tillë. Kështusoj
mund të themi se poezia fiton përmes kondensimit thellësi,
hermetizëm poetik, magji, ekspresivitet, etj. Në lëndën
poetike që mbetet pas kaq e kaq operacionesh heqjeje dhe
reduktimi, poeti ka kujdes për kombinacionet e mundshme
të fjalëve, ideve, imazheve, për kombinimet gjuhësore
për të krijuar një poezi që gjeneron ide
e mendime poetike.
Poeti filozofon përmes fjalës dhe përmes ligjërimit
lirik. Haxhosaj ka zgjedhur mjetet adekuate për të
filozofuar, për të medituar, poezia mbetet thelbësisht
e mbështetur mbi mjetet specifike të artit.
Sa herë kam dashur të shëtis kotësive
Të gjitha rrugët janë lidhur nyjë
Sa herë kam dashur të rri i vetmuar
Mendimeve u ka ardhur era myk
Sa herë kam dashur të çlodhem
Koha është vonuar për të ardhur
Sa herë kam bredhur pakuptimësive
Tym m’i ka dalë kokës
(Rrugët janë lidhur nyje)
Teksti poetik i mësipërm na sjell qëndrime ekzistenciale
mbi vetminë, përsjatje mbi ontologjinë e qenies,
mbi kohën dhe rrjedhjen e saj, mbi kuptimin e botës
dhe mbi pakuptimësitë e saj. Haxhosaj në kërkimin
e rrugëve të tij, në përçapjet e
heroit lirik për të na dëshmuar përvoja
ekzistenciale, na ofron rezultate dështimesh, trishtimesh,
mosrealizimesh. Poeti është një mendimtar lirik,
ai filozofon në mënyrë të figurshme, na
jep sinteza të një vetëpërcaktimi ekzistencialist,
na përcjell, njëherazi, një përvojë
ekzistenciale që merr forma përgjithësuese. Poeti
është transmetues i një shorti vetanak, i një
dëshpërimi personal, i një zëri që
kërkon të përçojë tek të tjerët:
një mesazh lirik.
Halil Haxhosaj zotëron një timbër të veçantë
në poezinë shqipe, një timbër tejet personal,
tejet të përpunuar dhe tejet të pjekur, të
kalkuluar, të matur, njëherazi të ngrohtë
dhe plot ngjyrë. I botuar dhe i njohur në shtypin
e specializuar, debuton në vitin 1964, e dorëzon librin
e parë për botim në vitin 1979, fiton çmim
në vitet 1980, vepra e parë poetike del në vitin
1992, për të arritur përgjatë këtij
viti, në vëllimin e tij të shtatë. Poeti
ruan koloraturën lokale dhe kombëtare përmes
artikulimit të shenjave poetike autoktone si: Dukagjini,
Shtjefën Gjeçovi, Hasi e Gjakova, Drenica e Tetova,
Tropoja, Tepelena, Kalabria, Manastiri, Janina e Çamëria.
Autori ka kryer studimet albanistike në Prishtinë.
Është kryetar i Degës së Lidhjes së
Shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë,
profesor i gjuhës shqipe dhe autor i disa vëllimeve
poetike, Damarë të ringjallur, Në kafaz me pantera,
Këngë të ngrira, Zëra të grisur, Hija
e orëligës. Librit të zotit Haxhosaj ia shtojnë
vlerën edhe qëndrime dhe regjistra shumë të
pasura me ndjenja, si një poezi autorefleksive ku heroi
lirik i drejtohet mëkatit, mallkimit, faljes, pendimit,
mallit, mëshirës.
Ardhja e poetit në gjuhën rumune është një
ngjarje, një ogur i mbarë, që lajmëron ardhjen
e poezisë kosovare tek lëçitësit rumunë,
në këtë vend ku kanë parë dritën
e botimit veprat e Naim Frashërit, Asdrenit, Lasgush Poradecit...