VESET E PËRDITSHMERISË TË SHFAQURA NË KOMEDI

Teatër – Premierë

“Ta jap, s'ta jap …”, komedi e shfaqur nga Teatri Kombëtar i Gjakovës me tekst dhe regji të Milto Kutalit nga Tirana

            Regjisori nga Tirana, Milto Kutali, pedagog në Akademinë e arteve, për herë të dytë brenda një kohë të shkurtër, në Teatrin Kombëtar të Gjakovës vuri në skenë edhe një projekt teatror, i cili e bëri edhe më të njohur emrin e tij tek spektatori i Kosovës në përgjithësi dhe ai i Gjakovës në veçanti. Andaj emrin e tij spketatori teatror i Gjakovës e njef që nga shfaqja “Një Antigonë e re” e Milazim Krasniqit, regjinë e së cilës e bëri ky regjisor dhe pedagog, duke arritur një sukses të dalluar me trupën artistike të këtij teatri. Por, tash, regjisori Kutali, në Teatrin Kombëtar të Gjakovës nuk vjen vetëm si regjisor i një drame të zgjedhur nga kopetentët e tij, por ai vjen me rol të dyfishtë, edhe si dramaturg, pra autor i tekstit, edhe si regjisor. Kjo dukuri nuk është e para në këtë teatër, por kjo mbase është bërë edhe modë, sepse hiç nja dy a tri shfaqje, të gjitha të tjerat kanë qenë tekste të vet regjisorëve. Siç duket kështu e kanë më lehtë kopetentet e teatrit sepse nuk e çajnë kokën që të zgjedhin tekste dramash apo edhe komedishë. Dhe kështu ndodhi edhe me regjisorin Kutali.
            Sipas një informacioni të shënuar në katalogun e shfaqjes “Ta jap, s'ta jap…”, Milto Kutali, edhe në raste të tjera është paraqitur në rolin e autorit të teksit dhe të regjisorit. Bile këtë e ka bërë me sukses që në vitin 1999 me shfaqjen “Kësulkuqja shqiptare” ku ka fituar edhe çmimin në Festivalin Ballkanik në Selanik të Greqisë. Pastaj ka dramatizuar dhe ka vënë në skenë “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, në Teatrin e Gjilanit, etj. Kështu pra, regjisori Kutali është paraqitur më se shtatë herë në rol të dyfishtë si regjisor dhe si autor teksti. Mbase, tekstet letrare të Kutalit edhe janë botuar si vepra, apo në faqet e ndonjë reviste apo gazete, por fatkeqësisht ende janë të panjohur për lexuesin e gjerë, edhe pse tekstet dramatike nuk shkruhen kurrë për t'u lexuar, por ato shkruhen kryesisht vetëm për t'u shfaqur në skenë, sepse aty e kanë frymëmarrjen, aty ato jetojnë.

                   DUKURIA E ZGJEDHJEVE E SHFAQUR NË KOMEDI

            Komedinë “Ta jap, s'ta jap …” Milto Kutali e ka konceptuar në një rrafsh të realitetit tonë shqiptar në një kohë që ende është e pastabilizuar. Ky është rrafshi më i ndijshëm i jetës sonë politke që quhet fushata parazgjedhore dhe zgjedhore, e cila duket se dita – ditës po shtrihet në të gjitha poret e shoqërisë. Që në fillim hetohet së shtrirja e këtij elementi bëhet në gjithë hapësirën shqiptare pa u penguar nga kufijtë gjeografikë apo politikë dhe i jep mundësi që, autori të përdorë edhe shprehje kokale të cilat shpesh, mbase bëhen për qëllim karikimi të situatave dhe gjendjeve të kandidatëve që kandidohen për t'u zgjdhur, apo që janë të zgjedhur në funksione dhe duhet prapë të rizgjedhen. Kështu, ngjarja e komedisë zhvillohet në shtëpinë, pse jo edhe në zyren e parlamentarit Ari Qoshja, i cili është fytyra më e karikuar e komedisë. Teksti letrar duket shumë i lehtë dhe përkon me të gjitha elementet e zakonshme të përditshmerisë sonë, të cilat na janë bërë pjesë e jona edhe pse, mbase, ndonjëherë e kemi të vështirë edhe për t'i vërejtur. Por, këtë gjë e shfrytëzon për mrekulli, regjisori Kutali, tash jo si autor i tekstit por si regjisor, duke e ngritur këtë element në skenën e teatrit para spektatorit i cili, siç u pa në natën e premierës, paska qenë i eçtuar për një parodizim të kësaj kohe për të cilën janë thurrë aq shumë lavde e hymne sa që kurrësesi nuk mund të shihej kjo anë kaq e shëmtuar e medaljes së saj. Dhe këtë e realizojnë artistikisht personazhet e komedisë së Kutalit, të cilët bartin mbi supet e tyre barrën e përditëshmerisë duke e zhveshur nga eleganca e lustruar e fallso.

                     SKALITJA E PERSONAZHEVE DHE E KARAKTEREVE

            Personazhet e komedisë së vet autori, gjegjësisht regjisori Milto Kutali, i emërtohen paksa karikueshëm sepse kështu ata ia arrijnë që secili në mënyrën e vet, me veçantinë individuale të ribashkohen suksesshëm në një peronazh të përbashkët që, në të vërtetë është strumbullari i komedisë: rrena, mashtrimi, fodullëku, pse jo edhe imoraliteti dhe injoranca. Të gjitha këto vese frymojnë të bashkëdyzuara për qëllimin e shprehur në brendinë e hulumtimit të shkakut që bie ndesh me besimin për një gjë krejt tjetër. Personazhet që kanë karakteret personale mundohen që në qenien e vet ta përcaktojnë edhe një moto me të cilën dallohen sepse iu duket si diçka e mirë, e njerëzishme dhe pse jo edhe e natyrshme. Kështu, Ari Qoshja, parlamentar (Ramazan Berkani) e ka moton; “Oh ç'i bëre vetes”, Karamon –Mon Rrena (Hysen Binaku) :”Vij të shes, jo të blej rrena”, Shirli Qoshja – gruaja e parlamentarit (Mervete Kurtishi): “T'ja jap, po kujt t'ja jap?”, Lulija (Vlora Muçaj): “Unë nuk di të gënjej”, Zonja Turkihanëm (Qefsere Berkani): “Unë vetëm bëj uff”, Hami(Ahmet Bakija): “Zhurmë, sa zhurmë”, Sofija e Bareve të natës (Muradije Muriqi): “Artiste si Madonna”, Hash Hushi (Behar Zeneli); “Më priu burgu” dhe Hash Hush Rrushi (Arben Lleshi):” Preji drutë shkurt!”. Këto moto kanë për qëllim që në raste të ndryshme të shprehin karaktere të cilat zakonisht janë ofiqe që përballën me subjektin e tyre të personaliteteve që gjallojnë dhe bashkëjetojnë në realitetin tonë, në përditshmerinë tonë. Dhe këtij qëllimi, regjisori Kutali ia arrinë me mençuri dhe me mjeshtrinë prej pedagogu e me përvojën e madhe skenike. Vetëm atëherë kur ndonjë element i duket paksa i çalë në skenë, ai din ta sqarojë, ta efektizojë, ta shpirtëzojë dhe t'i jepë udhë, në kuptimin e mirë të fjalës. Puna e tij prej mjeshtri shifet dhe del e kurorëzuar në mizanskenë, e cila ka frymëmarrje, nuk banalizohet dhe nuk i lejon që aktorët t'i karikojnë personazhet që i interpretojnë, duke imituar njerëz realë, apo karaktere që e zhvleftësojnë artin dramatik, e sidomos komedinë. Në ndonjë rast këto gjera shfaqen kalimthi tek ndonjëri prej aktorëve, por shpejt ato zhduken dhe çdo gjë rrjedh mirë, duke u mbuluar edhe me muzikë që komedinë e shpie kah vodvili. Gërshetimi i këtyre elementeve arriti deri aty sa që shpesh spektatori duartrokiste vetëm atëherë kur e kuptonte ironinë e humorin e kurrësesi imitacionin edhe pse ai bëhej në rrafshin lokal, në këtë rast në lokalizmin gjakovar. Faktori i gjuhës luan rol elementar në veprat dramtike e sidomos në komedi. Këtë gjë është munduar ta sendërtojë edhe regjisori Milto Kutali, sepse niveli gjuhësor i shfaqjes qëndroi lart dhe mu për këtë duhet pasur lakmi, ngase në këtë aspekt aktorët e Teatrit të Gjakovës gjithmonë kanë qenë të kujdesshëm.

                        INTERPRETIMI, SKENOGRAFIA, KOSTUMET …

            Në komedinë “Ta jap, s'ta jap …” të Milto Kutalit interpretuan nëntë aktorë e aktore të Teatrit Kombëtar të Gjakovës, edhe pse në katalogun e shfaqjes janë të shënuar dhjetë. E përmenda këtë fakt, sepse kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla në katalogjet e premierave të shfaqjeve. Kështu ka ndodhur edhe dy tri herë më parë dhe nëse mendohet të punohet në mënyrë profesionale dhe në bazë të ligjeve e kriteriumeve të reja, atëherë kjo gjë është një dukuri e cila nuk është vetëm papërgjegjësi, por edhe diçka më shumë.
            Aktori tashmë i njohur i këtij Teatri, Hysen Binaku kishte njërin ndër rolet kryesore, madje e barti barrën më të rëndë në këtë shfaqje. Siç është parë edhe më parë ky aktor thuajse është më tepër i prirur të interpretojë role në komedi se sa në drama. Këtë e ka dëshmuar pothuajse në të gjitha rolet e sidomos që nga roli i Gafit në komedinë “Shoku Gaf”, ngase Hysen Binaku është mishëruar me këtë rol dhe me figurën e tij. Poashtu edhe disa role të tjera. Por, disa finesa interpretimi të figurës së Gafit e përcjellin edhe kur interpreton role të tjera. Por, sidoqoftë roli i Hysen Binakut në këtë komedi kishte disa veçanti interpretative dhe individualitet krijues. Edhe Ramazan Berkani nëpersonazhin e Arit interpretoi me një invecion dhe shkathësi, ndërsa Mervete Kurtishi ishte në nivelin e interpretimeve të saj, sepse kjo aktore veç e ka krijuar fizionominë e saj interpretative. Figura e gruas Shirli i shpalosi të gjitha karakteret e veta duke iu falenderuar seriozitetit dhe përkushtimit të kësaj aktorje. Figura e Sofisë të bareve të natës kishte një veçanti duke u karakterizuar me tipare dhe nuanca të një femre e cila mundohet që çdo gjë të veten ta ekspozojë për qëllime të caktuara. Interpretimi i Miradije Muriqit e bëri këtë figurë të komedisë spirituale, të veçantë dhe me një karakter që komunikonte suksesshëm me shikuesin. Mund të konstatohet me këtë rast se aktorja Muriadije Muriqi ia arriti që të krijojë një figurë tejet funksionale skenike. Edhe aktorja e re Vlora Muçaj në rolin e Lulisë shprehi edhe njëherë aftësitë e veta interpretative dhe siç duket në këtë rol ajo ishte paksa më e çliruar, sepse lëvizjet skenike, diksioni dhe qendrimi kishin një siguri. Andaj, besimin e dhënë nga regjisori Kutali, aktorja Vlora Muçaj, e kurorëzoi edhe kësaj here me sukses.
Aktorët e tjerë si: Qefsere Berkani, Ahmet Bakija, Behar Zeneli dhe Arben Lleshi interpretuan rolet e veta mirë edhe pse tek ndonjëri përdorej ndonjëherë fjalor lokal, madje edhe ndonjë imitim rasti që kishte karakter të ndnjë skeqi estradesk. Edhe interpretimet e tyre shtuan deridikund vlerën e komedisë në përgjithësi duke përbushur kërkesat dhe detyrat e shtruara nga regjisori Milto Kutali
            Skenografinë dhe kostumet e shfaqjes i bëri Petrit Bakalli, i cili nga shfaqja në shfaqje është duke bërë një krijimtari artistike në skenografinë tonë në përgjithësi dhe në skenografinë e Teatrit të Gjakovës në veçanti. Skenografi Bakalli ka futur elemente moderne në skenografinë teatrore, andaj skena duket se ka karakter figurativ dhe inkorporohet suksesshëm në kërkesat jo vetëm të regjisorëve, por edhe në të vetë aktorëve që interpretojnë aty. Edhe skenografia e kësaj komedie ishte e lehtë, kishte frymëmarrje, kishte figuracion dhe domëthënie. Çdo gjë dukej se qendronte aty dhe ashtu siç i nevojitej secilit aktor dhe disa herë dukej se mishërohej edhe me domëthënien figurative të karakterit ironizues të situatave. Skenografisë i ndihmonin me sukses edhe efektet e dritave dhe muzika që ishin bashkëvepruese e të mishëruara efektivisht me qëllimin e shprehjes artistike të shfaqjes. Kostumet ishin adaptuar mirë me karakteret e personazheve edhe pse ndonjëherë dukeshin paksa të ngarkuara, apo edhe jashtëkohore për vëprimet në skenë. Por, ato kurrësesi nuk i penguan aktorët në interpretimin e roleve dhe assesi nuk e zvetnonin shkëlqimin e komedisë.
            Komedia “Ta jap, s'ta jap…” e Milto Kutalit është një projekt i qëlluar dhe madje edhe i realizuar mirë në Teatrin Komëtar të Gjakovës. Kopetentët e këtij teatri janë duke vepruar mirë duke angazhuar regjisor të njohur të artit tonë dramatik, sepse vetëm kështu po ia arrijnë që ta mbajnë nivelin artistik. Mbase, edhe në të ardhmen do t'ia dalin me sukses.

shkruan:


Halil Haxhosaj

Copyright www.agimi.com