PËLCITJET  E KOHËS NË POEZI
Tahir Bezhani: “Pëlcitje e vonuar”, poezi, botoi SHB “Vatra”, Prishtinë, 2004

           Tahir Bezhani deri tash ka botuar monografinë: “Koha lind vigaj” më 2001 dhe përmbledhjen poetike: “Përplasje kohe” më 2002, ndërsa para pak kohësh botoi edhe veprën e tretë me poezi “Pëlcitje e vonuar”.
           Që në fillim duhet konstatuar se kjo vepër e Tahir Bezhanit shënon diçka më të avansuar qoftë në interesimin poetik, qoftë në shtrirjen e temave dhe motiveve që i trajton në poezi. Përveç kësaj libri është paksa më voluminoz dhe shtrihet në gjerësinë dhe thellësinë e trajtimeve dhe të thurjes poetike. Preokupimet e subjektit lirik tashmë dalin më të thukta, më të skalitura dhe më të thella, sepse ai shpreh diçka që është në qenien tonë, në mendjen tonë dhe në ndiesitë tona. Duke ecur nëpër këtë kahje dhe trasim, poeti dhe subjekti i tij lirik dijnë se si veprojnë dhe se si duhet qendruar. Kjo gjë duket qartë sepse ai mëton të thotë atë që dikur ishte non grata dhe temë tabu për kohën e cila patjetër duhej pëlcitur nga ntrashjet e zullumit, terrorit dhe dhunës.
           Vepra “Pëlcitje e vonuar” e Tahir Bezhanit shtrihet nëpër rrathet e shtatë cikleve poetikë, ndërsa hapet me poezinë programatike “Ekspozitë tmerri” e cila është qelësi i librit, është hyrje në poret e tmerrit, është pasqyrimi dhe inkarnimi poetik i masakrave të luftës së fundit në Kosovë. Kjo poezi duket se është me temë të angazhuar në këtë kohën tonë të pritjes dhe ankthit për ata të cilët janë në listat e të zhdukurve që nga fillimi i luftës e deri me sot. Kjo poezi i ka disa observime që duken paradoksale për një botë tjetër, por për këtë tonën janë përditshmëri. Andaj, një kënd i kësaj kohe është shndërruar në ekspozitë tmerri.
           Ndërkaq në ciklin e parë “Përjetime të thella” poeti Bezhani me vargje paraqet përjetimet e subjektit lirik ndaj ndiesive dhe gjendjes shpirtërore nëpër hallkat e një kohe që ka lënë vërragë në pulsin e historisë sonë., sepse: /E mendja më tretë/ Larg në histori/ I shof Arbreshët/ Në Kalabri e Sicili/ Përtej Detit Jon/ Parafytyroj Makin/ E De Radën/ Darën e Vjetër/ Darën e Ri/. Kështu, historia dhe gjeografia e shtrirjes poetike shtresohen në gamën e interesimeve që dhembin e të cilat janë plagët tona të pambyllura nëpër brezni.
           Cikli i dytë i përmbledhjes poetike “Pëlcitje e vonuar” të Tahir Bezhanit titullohet “Këngë e plagë dardane” që në të vërtetë janë vargje përjetësimi i plagës së historisë sonë në piramidën poetike që nga autori shprehet e bigëzuar në dy kulme antinomishë: në këngën dhe plagën, në jetën e vdekjen, të cilat prore kanë jetuar të bashkëdyzuara për ta fituar lirinë me tagër gjithmonë të paguar shtrenjtë nga ne. Kështu, në poezitë e këtij cikli poeti këndon për dëshmorët dhe heronjtë e kombit, madje edhe për martirët dhe të rënët e tjerë të të gjitha kohrave. E ata janë: trimat në fushëbeteja, Sali Çeku, Yllka Domi, dëshmorët, etj. /Krismë armësh në fushëbeteja/ Gjakosje e tmerrshme/ Trimat nuk vdesin kurrë/ apo /Me duar kape Yjet/ E puthe horizontin/ Për rrebeshet në Koshare/ Kohën në histori shpalon/ janë disa vargje kushtuar Sali Çekut, ose për Yllka Domin, poeten dhe luftëtaren gjakovare shkruan: /Yllka e Bukur/ Shkruan poezitë/ Në Çabrat/ Yjet ndriçojnë gjithësinë/ E Yllka Domi/ Bëhet metaforë e Lirisë/, etj.
           “Erotikë” titullohet cikli i tretë i kësaj vepre poetike të Tahir Bezhanit. Siç shihet nga vet emërtimi ky cikël përfshin disa poezi me një aromë tjetërfare dhe me vargje që shprehin një tingëllimë paksa tjetër nga ato të cikleve të tjera.. Në këto poezi intima dhe dashuria bashkëdyzohen me ndjenjen më sublime të subjektit lirik. Andaj, këto vargje “lëngëzojnë” paksa ndryshe dhe përjetohen më thellë, jo vetëm nga lexuesi, por edhe nga vet autori që i ka shkruar. Vargjet e këtyre poezive gërshetohen suksesivisht me shprehjen e ndjenjes dhe prirjes së dashurisë, sepse: /Nuk më hiqet sysh/ Bukuri e saj/  për të vazhduar: /Dua ta vë faqen time/ Në gjoksin tënd/ , etj, apo: / Sytë e ty të kaltër/ I mora peng/, dhe për të përfunduar me vargjet e poezisë: “Ngarkesë shpirtërore”, ku në mes të tjerash thuhet: /Pa ty dimrin nuk e përballoj/ Pa ty pranverën nuk e shijoj/ Vera pa ty më djeg/ Vjeshta po ty është lot/.
           Një cikël të veçantë të vargjeve të veta Tahir Bezhani ua kushton miqve të tij poetë. Këto vargje grupizohen në ciklin “Net me poetë”, që janë një shprehje dashurie, miqësie e respekti për miqtë e tij të penës. Ai
këndon për poetët dhe për vargjet e tyre, të cilat shpesh kanë qenë frymëzuese dhe udhërrefyese për të dhe për poezinë e tij. Kështu në vargjet e këtyre poezive frymon një fije shprese dhe dashurie për jetën, për njeriun, për botën në përgjithësi dhe për poezinë si akt më sublim i krijimit, në veçanti. Prandaj autori u kushton poezi poetëve tanë të njohur si: Ali Podrimja, Din Mehmeti, Ali Musaj, Fahredin Gunga etj.
           Dhe kështu në shpirtin dhe në frymëzimin e poetit duket se diçka fillon të heshtë, duket se diçka nis të ngujohet në fundësi. Kjo heshtje e ngujuar nuk e le të qetë, andaj ai e kërkon çlirimin dhe ngushëllimin në vargje dhe në poezi. Vargjet e poezive të ciklit “Heshtje e ngujuar” duket se shprehin një gjendje të shurdhër e të heshtur të një kohe të pakohë që autori e pagëzon “të ngujuar”. Kjo sintagmë poetike duket se frymon paksa me vështirësi në kohën e robërisë kur lirisë iu kishte zënë fryma dhe përpëlitej në agoni. Por, poeti nuk e ndal assesi luftën e vet me penë, me vargje, me poezi për të arritur që heshtjen e ngujuar ta çlirojë pa marrë parasysh pasojat . Kështu kjo heshtje kërkon nga pena e tij që të shpërthejë edhe në përballje me vdekjen.
           Ndërkaq dy ciklet e fundit poetikë të veprës “Pëlcitje e vonuar” të Tahir Bezhanit kanë emërtime interesante dhe quhen “Vargje kryeneçe” dhe “Vargje të djegura”. Andaj vargjet kryeneçe kur janë të tilla, duket se do të pësojnë, por autori është i kujdesshëm në këtë situatë. Ai ka qëllimin e vet, andaj këtyre vargjeve ua rrit hovin, ua hap udhën, ua dhuron ndjenjen dhe aromën e njerëzores së stërkequr dhe i përjetëson në poezi. Ato pastaj fillojnë udhëtimin e vet, shugullojnë, bëhen ushtimë kënge deri në pëlcitjen e vonuar dhe nuk ndalen as në diell as në shi derisa bëhen miq me të. Dhe ato tash luajnë rolin e një marathonomaku që sjell lajmin për fitore, që
sjell lajmin e ardhjes së lirisë për të cilën kishte pëlcitur gjithçka. Mbase jeta e përflakur i ka djegur paksa edhe vargjet e poezive të poetit Tahir Bezhani, por ai është i bindur dhe beson në përjetësinë e tyre. Prandaj, veprën e përfundon me poezinë “Loti”, e cila ka ngjyrën e dhembjes, ofshamën e zemrës, dhe shpon gurin, çan tokën, djeg malin, por megjithatë ka ngjyrën e mallit dhe të krenarisë kombëtare.
           Ky është vizioni qendror i shprehur poetikisht me figura të qëlluara dhe funksionale nga pena e poetit Tahir Bezhani në vargjet e veprës poetike “Pëlcitje e vonuar”. Mbase, nga këtu dhe nga kënde  e rrafshe të tjera frymon porosia humanitare që edhe pse duhet të falet ajo që ka ndodhur nëpër rrathet e historisë sonë njerkë, kurrësesi nuk duhet të harrohet, sepse “Stuhitë e detyrojnë lisin t'i shtijë rrënjët edhe më thellë”, thotë Herberti, filozofi , dijetari dhe shkrimtari i njohur polak.
           Siç duket Tahir Bezhani tashmë veç e ka bërë hapin e parë në rrugën e vet të poezisë dhe nuk ka më nevojë që të hulumtojë nëpër skutat dhe këndët e saj, por i mbetet që këtë hap ta shtrijë me sigurt për të shkruar në të ardhmen vargje dhe vepra edhe më të arrira poetike e pse jo edhe artistike.
shkruan:


Halil Haxhosaj

Copyright www.agimi.com