Recension
Sylë Arifi: “Pavarësia e Kosovës në udhëkryq”, botoi Shtëpia botuese “Gjakova 2000”, Prishtinë, 2004
Libri i tretë i Sylë Arifit “Pavarësia e Kosovës në udhëkryq” vjen para lexuesit tonë në një kohë bukur të ngjeshur jo vetëm politike, por
madje edhe historike, ekonomike e pse jo edhe kulturore, jo vetëm për
Kosovën, por edhe për të gjitha shtetet e rajonit, apo të ashtuquajtura
shtete të ish llagerit socialist. Libri, me një tematikë të tillë vjen para
lexuesit tonë edhe për diapazonin e qëlluar të një momenti të caktuar në këtë kohën tonë të re të Kosovës së re, sepse kanë filluar vëlimet e
ashtuquajtura parazgjedhore në shoqërinë e re kosovare, duke u munduar që dashtë e padashtë të ecën nëpër stazat e reja të zgjedhjeve më moderne, më demakoratike dhe më frytdhënëse për ne, për rajonin dhe për spektrin tonë politik pa përvojë të duhur dhe të mjaftueshme. Dhe, mu për këtë dhe mu
kështu siç është, ky libër e përmbushë zbrazëtinë tonë bukur të madhe të kësaj sfere specifike dhe të këtij lloji të krijimtarisë sonë, i cili nëpër
kohëra ishte deficitar, madje edhe plotësisht i ndaluar në sistemet
totalitare nëpër të cilët kaluan shqiptarët e të gjitha trojeve tona etnike
në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujonac, Medvegjë, etj.
Libri “Pavarësia e Kosovës në udhëkryq” i Sylë Arifit është i
konceptuar në dy pjesë: në pjesën e parë që quhet “Pavarësia e Kosovës në udhëkryq” dhe në pjesën e dytë “Monografi e një familje shqiptare”, të cilat
veç e veç mund të qëndrojnë të pavarura nga tërësia konceptuale dhe tematike
e veprës, por në një anë ato inkuadrohen suksesivisht në tërësinë e saj. Një pjesën e parë autori paraqet temën bosht të librit që është pavarësia e
Kosovës, pengesat, rrugët, format, pushtetet, qeverisja, mandej
institucionet, TMK-ja, SHPK-ja, partitë politke, elektorati, zgjedhjet dhe
në fund edhe trazirat e 17 e 18 Marsit të vitit 2004. Thënë me gjuhën e
analizës për një vepër të këtij lloji dhe të këtij tipi, lajmotivi i veprës është zhagitja e pavarësisë së Kosovës pesë vjet pas çlirimit, edhe pse për
lirinë dhe pavarësinë e saj janë flijuar jetërat e shumë bijve dhe bijave të saj dhe është derdhur gjak nëpër kohë dhe hapësirë historike që nga
lashtësia e deri në muajin mars të këtij viti. Prandaj nëpër këto rrafshe
observimi hulumton pena e analistit dhe e veprimtarit Sylë Arifi, i cili nuk
ngurron madje që në ndonjë rast apo në ndonjë moment të zgjojë përgjumjen e
lidershipit tonë kosovar se Kosova e jonë ende është duke e shpaguar një formë të kolonizimit tash më modern, më të fshehur dhe më politizues. Të gjitha këto momente dhe raste të tjera, autori Arifi i shpjegon duke u
mbështetur në faktet e nxjerra me përpikëri, pedanteri dhe me
profesionalizëm nga aktet qeverisëse aktuale me të cilat sot qeveriset
Kosova e cila ende nuk e ka shpaguar haraçin për ta fituar lirinë dhe
pavarësinë e pa cunguar dhe të parezervuar nga UNMIKU, OSBE-ja e pse jo edhe
nga KFORI. Dhe prandaj, pavarësia e Kosovës gjendet në një udhëkryq tjetër
historik që mbase shpesh duket i mjegullt, i errët, i pashtegdalje, i
padefinuar, i pakuptueshëm nga shtresat e njerëzeve të cilët dhanë gjithçka
patën, madje edhe jetën e bijve dhe bijave për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Por, fatkeqësisht atë liri dikush, e dihet kush është ai dikush, e mban
peng, e turbullon, e mjegullon e madje edhe e ngatërron edhe më tepër për
t’ia zgjatur jetën vetit dhe mekanizmit që e ka shpikur për të eksperimentuar në këtë kohë, në këtë mjedis dhe në këtë hapësirë.
Të gjitha ngecjet dhe ngatërresat e ngadalësimit të pavarësisë së Kosovës, autori Sylë Arifi, i shpjegon në veprën e tij duke u nisur nga
dokumentet qeverisëse të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja 1244 dhe nga
Korniza kushtetuese. Nëse Kuvendi i Kosovës në ndonjë seancë të veten e
tejkalon ndonjë nen të këtyre akteve, atëherë delegatët e saj shndërrohen në marioneta dhe nuk e kanë mundësinë që ta çojnë në vend mandatin e zgjedhësve
të vet, sepse përfaqësuesi special i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së nuk e nënshkruan ligjin e aprovuar nga Parlamenti dhe institucionet e tjera
duhet t’i zbatojnë ligjet deskriminuese të sistemit diskriminues serb i cili
bashkë me kryetarin e vet Millosheviq po gjykohen në Gjykatën e Hagës. Çfarë ironie paradoksale e një kohe të një mileniumi të ri! Për ta parë më mirë këtë gjendje të krijuar në qeverisjen e sotme në Kosovë u shkruan skenare që autori i quan “puç kushtetues”, për një popull që ka një territor kompakt
dhe me kufij të njohur ndërkombëtarisht. Ndërkaq, pranimin e të ashtuquajturës kreaturë të shtetit Serbi – Mal i Zi nga Bashkësia Evropiane
dhe nga instancat e tjera, në preambulën kushtetuese të së cilës përfshihet
edhe Kosova e qeverisur nga UNMIK-u, autori Sylë Arifi e quan “agresion
kushtetues” që ky shtet fqi ia bëri Kosovës.
Ka edhe aspekte e situata të tjera shumë domethënëse që trajtohen në librin e Sylë Arifit “Pavarësia e Kosovës në udhëkryq” që zgjojnë interesimin jo vetëm të lexuesit, por edhe të spektrit më të gjerë të kësaj hapësire ende të padefinuar dhe të paemërtuar edhe nga spektri
politik ndërkombëtar, por pse jo edhe nga ai vendor. Por, mbi të gjitha vlen
për t’u veçuar katër projektet e plasuara veç e veç nga subjektet politike
të Kosovës, të cilat sot e kësaj dite mbetën zëra të humbur dhe të vetmuar
në shkretëtirë. Për këtë autori Sylë Arifi konstaton se pavarësia e Kosovës
ka mbetur ende në udhëkryq për shkak të mungesës së një projekti të unifikuar politik për të nga lidershipi kosovar. Këtë konstatim autori e
ilustron me shembuj dhe me elemente konkrete, por kurrësesi duke mos aluduar
në shprehjen e njohur latine “deus ex machina” në raportin e zgjidhjes së pavarësisë së Kosovës.
Dhe krejt në fund mund të thuhet së autori Sylë Arifi me këtë vepër ia arrin që edhe njëherë para lexuesit të gjerë, e pse jo edhe atij
profesional, t’i shpalosë disa aspekte, mendime, ide dhe konstatime për
pengesat që ende janë prezente në shpalljen e pavarësisë së plotë të Kosovës. Gjithë kësaj autori ia arrinë duke u mbështetur në fakte konkrete
që sot janë prezente dhe funksionale në mekanizmin qeverisës të Kosovës.
Duhet konstatuar se edhe ky libër i këtij autori është një ekzemplar i
rëndësishëm në shkrimin e historisë së re të Kosovës.
Më 22.07.2004
Gjakovë