SHTJELLIMI MODERN I BASHKËKOHËSISË NË ROMAN

Recension

Rudina Xhunga: “Preja e një martese të lodhur”, roman, botoi Shtëpia e Librit “Ombra GVG”, Tiranë, 2003

Rudina Xhunga është personalitet i njohur për shqiptarët nga ekranet televizive shqiptare duke filluar që nga TVSH-ja e tutje. Ajo njihet për moderimin e saj paksa të veçantë në disa emisione poashtu paksa të veçanta që figurën e saj e mbështjellin me një dozë të matur respekti, lakmie e madje pse jo edhe xhelozie nga koleget e saja gazetare dhe moderatore. Dhe mu për këtë Xhunga kishte dhe ka një të veçantë në qëndrimin, moderimin bisedën, udhëheqjen dhe përzgjedhjen e temave për emisionet e veta. Dhe mu për këtë ajo u bë një emër i njohur i ekranit, madje i dashur dhe i adhuruar nga shumë shikues. Pra, kështu në disa raste me temat e veta dhe për guximin e treguar bëhej paksa befasuese për shikuesit.

 

BEFASI E PROZËS SONË

 

Mirëpo, Rudina Xhunga bëri edhe një befasi tjetër me botimin e prozës së saj, pra të romanit të saj të parë “Preja e një martese të lodhur” i cili arriti që për më pak se dy muaj t'i përjetojë disa ribotime, duke u bërë kështu bestelier në letërsinë tonë bashkëkohore. Dhe kjo prozë e Xhungës u bë e tillë, ngase i ka disa elemente që vërtet janë befasuese për lexuesin shqiptar në të gjitha trojet tona. Romani nuk shquhet as për ndonjë volum as për ndonjë shtrirje të temës në rrafshin e historisë sonë të lavdishme, por ai që në fillim e josh lexuesin për një qasje paksa tjetër të temës së prozës sonë në përgjithësi dhe të romanit modern në veçanti. Dhe mu këtu Xhunga ia arriti që të jetë paksa e veçantë, paksa tjetër, paksa më moderne dhe pse jo edhe paksa më bashkëkohore se sa të tjerët. Madje, kësaj ajo ia arrinë duke “futur” disa elemente autobiografike që thënë në gjuhën e teorisë së letërsisë shpesh ndodhë tek shkrimtarët e njohur të artit letrar. Por, shkrimtares Xhunga elementet autobiografike nuk i nevojiten si fakte të narracionit, por vetëm që rrëfimi i romanit të jetë sa më bindës duke ecur nëpër rrafshin modern artistik. Dhe mu këtij qëllimi dhe synimi ia del me sukses, ngase ngjarja e romanit nuk mund të veçohet nga struktura e tij, madje as nga figuracioni, gjuha dhe stili. Elementi autobiografik duket se frymon vetëm për qëllimin e shkrimtares që i duhet t'i bëj të mundshëm lexuesit që sa më drejtpërdrejt ta hetojë prenë e një martese, e cila ka kaluar në monotoni, në obligim jetësor, por që në një anë ajo është e lodhur, madje edhe e cfilitur nga tagri që duhet paguar. Një tjetër anë e medaljes së saj duket me errët se sa vet jeta e kryepersonazhes, që në të vërtetë është një pol i kundërt i rrëfimit romanesk. E rrëfimi nuk është i ngurtë, nuk është statik, nuk është monoton dhe iritues, por është i rrjedhshëm, i lirë, dinamik dhe plot ngjyra jete e lëvizshmërie. Prandaj, edhe përfundimi i tij, sikurse edhe përfundimi i romanit puçen në një pikë që simbolizon prenë e një martese të lodhur, e një martese, e cila që në fillim duket se është e dedikuar për të dështuar. Ajo dështon sepse nuk mund të ketë martesa të tilla në mjediset tona ku ende dashtë apo padashtë endet hija e zakoneve dhe të kanuneve të moçme. Edhe pse ekziston dëshira për t'u shmangur nga zakonet e ngurta të martesave tradicionale, prapë së prapë diçka nga thellësia ngrit kokë në ndërgjegjen e personazheve dhe duket se i gërryen nga brendësia e thellë e traditës shekulllore. Edhe pse rrëfimi rrëshqet nëpër binarët e bashkëkohësisë, prapë së prapë duket një lodhje e tij ngase i mungon freskia dhe guximi për të bërë atë që është moderne në bashkëshortësinë e botës tjetër më të avancuar dhe më të përparuar, që ndryshe quhet edhe martesë në formën më të re si bashkëjetesë. Mbase ky synim i autores ndonjëherë del në siperfaqe, por nuk mund t'u përballojë tallazeve ende të ashpra që ngritën në jetën tonë shqiptare. Dhe siç duket këtë e heton edhe Rudina Xhunga kur e shkruan romanin e vet “Preja e një martese të lodhur”.

 

NDËRTIMI I PERSONAZHEVE DHE I SITUATAVE

 

Personazhet e romanit të Rudina Xhungës “Preja e një martese të lodhur” nuk kanë emra, gjegjësisht nuk nominohen as me emra njerëzish nga historia, tradita apo nga bashkëkohësia, por ata janë më tepër si karaktere që kanë për qëllim gjeneralizimin e temës dhe të idesë së romanti në përgjithësi. Kështu, personazhet e këtij romani madje nuk grupizohen sipas normave të ngurta letrare, në pozitivë e negativë, që dominonin në kohën e metodës letrare të realsocializmit, por ata janë: Unë, I panjohuri, Nëna, Motra, sms apo mesengeri dhe celulari apo telefoni mobil. Elementi i celularit mund të zëvendësohet edhe me kompjuterin, gjegjësisht me internetin që sot tek ne është njëra ndër format me të lehta, më akute dhe më në modë i komunikimit bashkëkohor tek të gjitha shtresat e shoqërisë, madje edhe tek të gjitha moshat. Këtë element, autorja Rudina Xhunga e paraqet në roman edhe si fakt teknik sepse në disa faqe të tij ajo jo vetëm që i shënon të ashtuquajtura data të heshtjes, por aty është edhe figura e celularit, i cili është bartësi kryesor i veprimit të personazheve të romanit. Kështu në këtë prozë autorja e shtron vendin e veprimit të rrëfimit artistik që shndërrohet në arenë veprimi të dyluftimit në mes të bisedës dhe të heshtjes që shpesh nuk ka fitues deri në fund. Zilja e celularit dhe rrafshi teknik i ekranit të tij janë objekte që autores i duhen vetëm për ta zhvilluar edhe më tutje hapësirën e rrëfimit artistik e letrar që lëviz nëpër rrathet e dialogut të personazheve Unë dhe I panjohuri. Këto personazhe të gjitha idetë, mesazhet synimet dhe qëllimet e tyre i shfaqin në ekranin e celularit që u prinë zilja e tij e cila shpesh duket një shpresë shpëtimi, por edhe si një lajm i dështimit.

Rrëfimi i romanit në formë dialogu në mes të personazheve Unë dhe I panjohuri në fillim duket paksa monoton dhe i rrezikshëm për lexuesin. Por, duke hyrë më thellë në bashkëbisedimin e tyre ai merr dinamizëm, madje edhe shtrirje në vertikale dhe në horizontale sa që shpesh është aq i ngrohtë sa që lexuesit i duket se është duke lexuar mesazhet e veta në celular apo në sms-të në internet. Njëjtësimi i tyre duket paksa funksional sepse hyrja në rrjedhën e dialogut shpesh merr kahjen e akuzave për fajësim apo edhe për shfajësim të peronazheve të romanit që ndikon drejtpërdrejt tek lexuesi. Kështu , autorja kësaj ia arrinë duke e shkruar romanin e saj në formë të një ditari kompjuterik, pra jo të romanit sentimental në formë të ditarëve të njohur në letërsi në përgjithësi dhe në letërsinë tonë të viteve '30 –ta , të shekullit të XX, në veçanti. Bile, Xhunga këtë element e thellon edhe më shumë kur përveç datës e shënon edhe orën e bashkëbisedimit të personazheve të romanit të saj “Preja e një martese të lodhur”. Dhe brengat e kësaj hapësire zhvillohen dhe krijohen në të gjitha situatat e të ashtuquajturit konflikt romanesk që në këtë rast nuk është i ngatërruar, madje as i ngurtësuar dhe abstrakt e i pakpshëm. Krijimi i situatave nuk duket formal edhe pse këtë mundësi mund ta ketë në disa raste dialogu që mbase në rrjedhë ka frymëmarrje të vështirësuar. Por, autorja duke qenë e vetëdijëshme për të gjitha këto, prandaj ia del me sukses dhe në mënyrë tejet të lehtë artistikisht. Andaj rrjedha e situatave dhe vetë qëndrimi i personazheve të romanit bashkëdyzohen për të shprehur një modernitet jo vetëm në formën e romanit por edhe në të gjitha poret e prozës sonë bashkëkohore. Kështu figura e personazhit Unë në roman shenjëzon një situatë paksa tejet ngacmuese dhe tejet intriguese për disa momente, sepse personazhi bie në disa gracka që situata duket se do të merrë një kahje tjetër kah zgjidhja e nyjës së gjetjes së personazhit tjetër, pra I panjohurit. Por, këto situata të romanit janë paksa të ngatërruara qëllimisht në dobi të artistikes sepse disi “ e shpetojnë” rrëfimin nga monotonia. Dhe mu atëherë kur ndërpritet dialogu në mes të personazheve të romanit, autorja Xhunga krijon situata që shprehin nivelin artistik dhe letrar të romanit. Atëherë shpërfaqja e rrëfimit, nëse mund të quhet kështu, duket tjetër, rrjedh më mirë, por megjithatë nuk ka parashikim., sepse : “Nëse të shohin më shumë se dy herë me një femër, ti je lesbike. Nëse të shohin përditë në varreza për të çuar lule, të morën për nekrofile, e ç'të numëroj, e di që sërish nuk do mund të të bind për vetminë që provon kur je 28 vjeç, nxjerr kokën përnatë në ekran dhe komunikimi yt me botën përditë e më shumë bëhet nëpërmjet celularit dhe internetit”. Për të qenë çudia edhe më e madhe, një plakë shtatëdhjetë vjeçare që quhet Enkelejda dëshiron të bisedojë më Unë sepse është i interesuar për t'u martuar më të djali i saj që gjendet në Angli. Ky djalë është i përngjajshëm më djaloshin e sms-ve të emailave të celularit dhe pikë. Pritja e ardhjes është e kotë sepse në skenë dalin treshet që në një ndërdije tonën të lashtë të bartur deri në bashkëkohësi duket së prore ka sjellur terse në jetën bashkëshortore.

Kështu rrjedhë zhvillimi i dialogut në romani e Rudina Xhungës “Preja e një martese të lodhur” nëpër të gjitha rëniet dhe ngritjet, nëpër të gjitha dufet dhe rënkimet, nëpër të gjitha rrugët dhe rrugica për të mbërritur në zgjidhjen e prologut. Dhe fundi i romanit duket poashtu befasues dhe modern sepse përshfaqet se kryepersonazhet e tij janë dy femra, të cilat e njohin në thellësi jo vetëm njëra tjetrën, por edhe natyrën, psikologjinë dhe madje edhe filozofinë e femrës të kësaj moshe. Zgjidhja e prologut bëhet në mënyrë paksa të çuditshme, sepse burri ia sjell personazhit kryesor, pra femrës Unë, të gjitha msm-të që ia kishte dërguar gruaja e tij apo, mbase edhe dikush tjetër në emër të saj.

Mbase edhe më shumë do të mund të shkruhet prapë për këtë roman. Por, mbase më se miri për të ka shkruar studiusi dhe kritiku ynë i mirënjohur Rexhep Qosja, i cili ndër të tjera thotë se nëse ia arrin të shkruajë përsëri roman, atëherë ky do të ishte modeli më i mirë për veprën e tij.

Me siguri se kjo mënyrë e re e shkrimit të prozës sone moderne do të bëjë jehonë në letërsinë e sotme shqiptare në të gjitha trevat tona krijuese.

shkruan:


Halil Haxhosaj

Copyright www.agimi.com