Recension:
Qemajl Juniku: “Stuhi ankthi”, poezi, botoi KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2004.
Vepra poetike “Stuhi ankthi” e Qemajl Junikut është e konceptuar dhe e shtresuar paksa ndryshe nga veprat e tij të botuara deri me tash. Në qendër të gamës dhe të interesimit poetik të autorit qëndrojnë dhe frymojnë vargje të ngarkuara me një barrë ankthi dhe stuhie që në njëfarë mënyre e konceptojnë frymëmarrjen tonë në një kohë të caktuar dhe në një hapësirë reale.
Andaj rrjedha e vargjeve poetike të veprës “Stuhi ankthi” të Qemajl Junikut konceptohet dhe strukturohet brenda katër cikleve poetikë të nominuara si ankthe duke u shtresuar në katër stresa, në katër rrafshe apo në katër rrath ankthi që janë: “Ankthi i parë”, “Ankthi i dytë”, “Ankthi i tretë” dhe “Ankthi i katërt”. Ky strukturim duket si një ndërtim i veçantë i një gjendjeje shpirtërore të subjektit lirik që është gjendje e tmerrit.
Përbirimi i struktures poetike bëhet nëpër stuhitë e tmerrit, nëpër tmerrin e ankthit, gjegjësisht nëpër stuhi ankthi. Dhe kjo gjendje shpirtërore nuk është statike e as e njëtrajtëshme, por është dinamike dhe shumëdimensionale. Shtrirja e tillë ka për synim që t’i pasqyrojë poetikisht të gjitha poret e një gjendjeje në situatë ankthi të përjetimeve dhe të receptimeve psikike, sepse: / përtej ankthit koha ime këlthet/ nëpër një kataklizmë ku ka vetëm yje të fikur ngase: / në këtë kohë shtatë hërë kukuse/ Bie breshëri mëkatesh/.
Ky është rrethi i ankthit të parë, porta e të cilit mbyllet duke u strukur:
/Qelive të dëshirave të mia/ Të zhgënjyera/ Klith/, thuhet në këto vargje të poezisë me titull: “Kënga ime e mplakur”.
Vargjet dominuese të veprës “Stuhi ankthi” të Qemajl Junikut gjenden në poezinë me titull “Ankth”, në të cilën autori shpalos stresimet e ankthit duke e portretizuar një kohë që kalon mbi urëmortin dhe këndon baladë trishtimi. Kjo urëmorti duket si purgatori i Dante Aligierit sepse aty dëgjohen ulërima bishash e njerëzish nga thellësitë e skëterrës prej anës së Ferrit. Në vargjet e kësaj poezie duket së parakalojnë hije, ulërima, vaje, kukama, etj. të një jete të dhunuar, të akuzuar dhe më në fund të dënuar. Ajo jetë është bërë maskenbal djajsh sepse: / Valvitem e valvitem/ Lugetër maska lugetër/ Jeta maskenbal djajsh/ thotë poeti në poezinë “Jeta maskenbal djajsh”, të ciklit “Ankthi i dytë” të veprës së vet poetike.
Poezitë e strukturuara në ciklin “Ankthi i tretë” të kësaj vepre poetike të këtij autori, janë pasqyrim i një rrafshi tjetër poetik nëpër të cilin duhet parakaluar me kujdes subjekti lirik, sepse tragjika është e pashmangshme dhe tejet e rëndë e e madhe, ngase as pendesa nuk është mjet për t’i përballuar huqet e ankthit. Tmerri i ankthit ka hyrë edhe në ëndrra, andaj edhe ato janë të ankthuara, janë të helmuara, janë të akuzuara. Ato e kanë humbur drejtpeshimin sepse janë dënuar në gjykatore nga gjykatës të veshur me të zeza, të cilët as që dijnë ç’është drejtësia. Duket se edhe këtu diçka nuk frymon mirë, por gjemon, dënesë dhe ofshanë “dhe prapë ankth”
është sepse: / Zjarr zjarmohem zjarr/ qielli kaq i zymtë/ dhe prapë ankth/, janë këto vargje që shprehin gjendjen në poezinë me të njëjtin titull.
Dhe kështu, nëpër këtë gjendje dhe nëpër këtë situatë frymojnë vargjet poetike të poezive të veprës “Stuhi ankthi” të Qemajl Junikut, për të mbërritur deri tek kurora e stuhisë së ankthit që shndërrohet në dallgë.
Cikli poetik “Ankthi i katërt” i veprës duket si një dallgë, sepse këto poezi emërtohen nga poeti me tituj sinjifikativë si: “Dallgët e frikës”, “Dallgët e ankthit”, “Dallgët rrënqethëse”, “Dallgët e zhgënjimit”, “Dallgët e dëshprimit” për t’u kurorëzuar me vargjet e poezisë “Dallgët e shpresës”.
Subjekti lirik udhëton nëpër valët e këtyre dallgëve duke ikur nga zgafella, sepse e ka molisur ankthi, ku askund nuk shifen rrezet e lirisë, nepërka ia thimthon sytë që pa pra lotojnë. Logut të zhgënjimit kalamendet jeta, sepse e ka kapluar një dallgë dëshprimi dhe assesi nuk mund të këndellët, ngase qielli i molisur ishte çarë e pranvera ishte tharë. Por, dikund nga thellësitë e jetës del dikush që ia lidhë plagët me fashot e qëndresës, ia qetëson ëndrrat dhe e nxjerrë nga skëterra që te del në agimet e lirisë. E kjo është ajo dallga e shpresës, ajo që nuk vdes kurrë, por edhe nëse duhet të vdesë, vdes e fundit.Andaj poeti Qemajl Juniku e përfundon veprën e vet “Stuhi ankthi” me vargjet e poezisë “Dallgët e shpresës” që janë:
Do ec i molisur përballë kësaj shtrëngate
Nga skëterra të dal në agime të lirisë
Për t’i flakë mjegullat këto ditë zymtake
Për ta sfiduar ankthin që më ka molisë
Karakteristika që duhet veçuar në poezitë e këtij cikli është se ato janë të shkruara në strofa me vargje të rimuara, që mbase ua shtojnë vlerën poetike jo vetëm këtyre poezive, por edhe veprës në tërësi. Këtë element, pra përdorimin e vargjeve me rimë në poezinë e tij, Qemajl Juniku e ka përdorur edhe me heret ne veprat e veta e sidomos në përmbledhjen paraprake “Me vdekjen në krah”.
Edhe një karakteristikë tjetër që hetohet në këtë vepër janë përdorimi i disa shprehjeve poetike që në lexim të parë duken të zakonshme, por që janë të veçanta për poezinë e këtij poeti. Përdorimi i tyre në vargje duket se frymon mirë edhe pse disa nga to janë fjalë të bashkangjitura të leksikut tonë. Ndër to veçohen: ankth, yjeerrët,urëmorti, trupkafshuar, kukuese, kohëshkrumi, flakëçmenduria, sqepkobët, kukon atdheu, fatkobi, flakon, etj.
Dhe në fund mund të themi se poeti Qemajl Juniku, tashmë veç e ka trasuar rrugën e vet poetike, pse jo edhe individualitetin poetik, andaj duket një zë që tashmë veç është i njohur për lexuesin e poezisë bashkëkohore shqiptare.