SATIRA DHE IRONIA NË THELB TË AFORIZMAVE

Recension:

Mehmet Bobi: “Aforizma”, botoi SHB “Ideali as”, Gjakovë, 2004

Në vend të hyrjes

Emrin e krijuesit Mehmet Bobi, lexuesi i ynë e njeh më tepër si poet, tregimtar, madje edhe gazetar, por rrallë ndonjëherë edhe si shkrues të aforizmave. Ky krijues i zellshëm herë pas here nëpër faqet e gazetave dhe të revistave tona është paraqitur edhe me aforizma, që deridiku kanë zgjuar kurreshtjen e lexuesit.

Mehmet Bobi si autor i aforizmave është paraqitur heret dhe gjithnjë ka korrur një sukses të lakmueshëm. Por kjo paraqitje e tij ishte e herëpasherëshme dhe e ndërprerë, prandaj edhe lexuesi i tyre nuk ka mundur të krijonte një pasqyrë të saktë për rolin dhe fizionominë e aforizmave të Mehmet Bobit. Andaj, siç duket, ky krijues i zellshëm, i cili deri me tash i ka botuar veprat poetike: “E nuk më lenë të qetë”, “Parnasi im”, “Pak mësim, pak dëfrim” dhe “Një minutë heshtje”, me në fund vendosi që para lexuesve të vet të paraqitet edhe me një libër tejet interesant aforizmash me titullin e njëjtë “Aforizma”.

Strukturimi i librit dhe esenca e aforizmave

Libri i Mehmet Bobit “Aforizma” u botua nga SHB “Ideali as” më 2004 dhe ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë që quhet “Aforizma” dhe në pjesën e dytë që quhet “Satirizma”. Mirëpo, sidoqoftë, ky në radhë të parë konstituohet si libër me aforizma që në brendi ka edhe satirën si mëlmesë primare. Pra, lidhur me këtë që në fillim mund të konstatohet se edhe pjesa e parë e librit, pra aforizmat, është e ndërtuar mbi rrafshin e satirës, e pse jo edhe të sarkazmës çka është gjëja parësore e këtij lloji letrar. Andaj edhe në aforizmat e Mehmet Bobit, hetohet deridiku një dozë e tolerueshme e satirës që ka për qëllim thumbimin dhe satirizimin e disa veseve, dukurive, të ligave, të këqijave të individit tonë dhe të shoqërisë në përgjithësi të kësaj kohe dhe të këtij mjedisi ku jetohet dhe frymohet. Kështu me penën e tij prej krijuesi, Bobi shpesh ia arrin qëllimit artistik dhe letrar që të thotë atë që e mundon në radhë të parë si krijues në këtë kohën tonë të shoqërisë tranzitore dhe në këtë mjedisin tonë kaq interesant dhe të pakuptim. Dhe kështu ai ia arrin disi, që pse jo të çlirohet nga ato gjëra që janë të këqija, madje edhe pengesat kryesore të zhvillimit dhe të përparimit të Kosovës.

Aforizmat e Mehmet Bobit, pothuajse esencialisht prekin të gjitha poret e jetës të njeriut tonë, pa marrë parasysh gjininë, moshën, gjendjen sociale, shpirtërore, ekonomike, e besa edhe bindjet e tij politike. Kështu disa aforizma kanë për temë, në esencën e tyre, femrën për të cilën në krijimtarinë botërore janë shkruar vëllime të tëra. Por, Mehmet Bobi, femrën e konsideron si krijesën më të shenjtë dhe më të pasur pa të cilën vështirë se do të ekzistonte bota. Mirëpo, ai nuk përton që ta ironizojë atë, përveç që e aforizon, thënë me gjuhën e tij. Andaj, në disa aforizma dhe satirizma për femrën në librin e tij ai shkruan: “Femra që mahnit me bukuri është burim bukurie ose kobi”, ose “Femra është arenë ku edhe humbja është e madhërishme”, apo “ Femra është tiktaku i njerëzimit”, e tjerë.

E veçanta dhe mjeshtria e aforizmave

Një kaptinë e veçantë interesimi i aforizmave dhe satirizmave të Mehmet Bobit është liria, pavarësia, flamuri, koprracia, dhelpëria, grykësia, dembellëku, etj. Këto dukuri dhe disa të tjera që domosdo dominojnë në këtë libër, me siguri se do të mbahen gjatë në mend nga lexuesi i vemendshëm, e pse jo do të jenë citate të mira për disa të tjerë, të cilët mëtojnë që të hulumtojnë këtë lloj krijimtarie dhe të mirren me të.

Një mjeshtri e krijimtarisë aforistike të Mehmet Bobit, qëndron në faktin sepse disa thënie, apo urti popullore dhe të tjera, ai i fut në thonjëza dhe pastaj e krijon aforizmin apo satirën e vet e cila për disa nuanca zgjerohet dhe finksionalizohet autorialisht. Mbase, kjo nuk ia ul vlerën, por përkundrazi e ngrit librin në një nivel më të lartë. Për këtë mund të merrën shumë shembuj si: Qengji i butë i thithë dy nënë, por përfundon te kasapi” ose “Peshku i madh e ha të voglin, por të dy i ha peshkatari”, apo “Libri është burim i diturisë, por jo edhe i pasurisë”, etj. Pra, pjesa e dytë e satirizmave të këtij lloji është krijim origjinal i Mehmet Bobit, i cili potencon domethënien e autorit pa ndonjë sqarim të dukshëm apo perifrazues, siç është rrezik të ndodhë në raste të tilla.

Libri “Aforizma” i autorit Mehmet Bobi, që sapo doli nga shtypi, nga lexuesi mund të vështrohet, përceptohet dhe kapet nga rrafshe e kënde të ndryshme për të absorbuar koloritin e tij.

Me këtë libër ky autor ka zbuluar dhe treguar mjeshtrisht edhe një talent të tij prej krijuesi, i cili në të ardhmen me siguri do të sjellë edhe vepra të tjera interesante të kësaj natyre dhe të këtij lloji.

shkruan:

Halil Haxhosaj

Copyright www.agimi.com