Projekti shumë ambicioz i nisur para katër vjetëve
nga një grup i vogël të rinjsh entuziastë,
të cilët e kishin kuptuar seriozisht provokimin e kohës
kompjuterike edhe në rrafshin gjuhësor, këto ditë
po testohet përfundimisht për t’u vënë
në përdorim menjëherë. Se ç’do
të thotë kjo për shqipen dhe përdoruesit e
saj, sot, në kohën e zhvillimeve të përshpejtuara
në të gjitha rrafshet e jetës sonë shoqërore
e ekonomike, në kohën kur në rajone të gjera
botërore po shkelen hapësira të reja shkencore,
sidomos në fushën e kompjuteristikës, të paimagjinueshme
deri dje e provokim serioz sot, është e tepërt
të thuhet diçka. Të paktë ishin ata që
e kishin marrë seriozisht asokohe punën e filluar të
këtyre të rinjve, në krye me juristin premtues,
jo vetëm në fushën e parapëlqimit të
tij profesional, Lulzim Shishani. Arsyet ishin të shumta:
e para, një ndërmarrje e tillë nuk mund të
mendohej se mund të kryhej jashtë ndonjë institucioni
përkatës prestigjioz; e dyta, realizueshmëria,
në të vërtetë pajtimi teorik e praktik i normësisë
për lëndën gjuhësore që do të përfshihej
në projekt, nuk dukej punë e lehtë; e treta, përballimi
i anës materiale paraqiste realisht problem të pazgjidhur,
sepse ishte e pamundur të konceptohej realizimi i një
projekti të tillë pa sponzorë seriozë; e katërta,
bashkëpunimi i ndërsjellë i kuadrit profesional
teknik dhe atij profesional gjuhësor jo gjithmonë funksionon
si duhet në hapësirën tonë për shumë
arsye, po sidomos për mungesë përvoje për
punë ekipore (në kësi rastesh ndihmesat verbale
ofrohen me shumicë, ndërsa ndihmesat praktike janë
të vogla ose kurrfare fatkeqësisht); e pesta, vënia
në përdorim praktik e programit të realizuar në
kushtet tona pa rregullsi ligjore në fushën e mbrojtjes
autoriale ngre më vete edhe rrezikun për keqpërdorim.
Ka edhe arsye të tjera që e vinin në dyshim jo
vetëm realizimin e këtij projekti, po edhe cilësinë
ose vlefshmërinë e një projekti të tillë
për shqipen. Këmbëngulësia e ekipit punues
- grup të rinjsh që dinë ç’donë,
entuziazmi dhe pragmatizmi i zhvilluar i tyre, brezi i të
cilëve ngrihet në tavolinën e punës me kompjuter,
përgatitja profesionale kompjuteristike e tyre, gatishmëria
për bashkëpunim me profesionistë gjuhësorë
dhe ndihma e pakursyer e këtyre të dytëve, bënë
që ajo që dje shihej me skeptizëm, sot të
bëhet njëmendësi, bënë që shqipja
të radhitet në grupin e pesëdhjetë gjuhëve
botërore me program të tillë për gjuhën
në kompjuter. Ç’është e vërteta
shumica nga këto gjuhë këtë program dhe programe
të tjera shumë të avancuara e të dobishme
i kanë shumë kohë më herët, ndërsa
për shqipen ky projekt i rëndësishëm po hap
rrugën për projekte të tjera që do vazhdojnë
fill pas vënies në përdorim të tij.
Rëndësia e projektit
Cila është rëndësia e këtij projekti
dhe pse ka rëndësi të shumëfishtë sidomos
për shqipen ky projekt? Ana e parë: Mund të thuhet
se përfundimi i fazës së parë të punës
- realizimi i programit të drejtshkrimit dhe vënia në
përdorim e tij në institucionet tona shtetëroreadministrative,
në instucionet tona arsimore e shkencore, në shtëpitë
tona informative, në ndërmarrjet ekonomike e në
përdorimin individual - do të ndikojë në përmirësimin
cilësor të pamjes tonë gjuhësore, pamje kjo,
fatkeqësisht, shumë dëshpëruese në të
gjitha rrafshet e përdorimit të gjuhës. Eshtë
e vërtetë e hidhur se jo vetëm gjuha e administratës
shtetërore, gjuha e politikës dhe e politikanëve,
gjuha në rrethet shkollore e universitare, gjuha e teksteve
shkollore, profesionale e atyre shkencore, gjuha e mjeteve të
informimit, gjuha në përdorim individual e publik, shpreh
shkallë të ulët të njohjes e të zbatimit
të normësisë e të rregullsisë së
saj. Problemet janë të shumta që lidhen me kulturën
e gjuhës dhe projekti i drejtshkrimit në kompjuter nuk
do të mund t’i zgjidhë të gjitha, por do
të mund të përmirësojë dukshëm pamjen
tona shkrimore. Kjo është njëra anë. Ana e
dytë e vlefshmërisë së këtij programi
është ekonomizimi, jo vetëm i kohës, për
korrigjim elektronik (autokorrekt), në kohë optimale.
Ata që kanë punuar dhe punojnë si redaktorë
a lektorë gjuhësorë e dinë më së
miri rëndësinë e tij. Shmangiet e shkeljet gjuhësore
në të gjitha llojet e shkrimeve tona nuk janë vetëm
të natyrës drejtshkrimore, po edhe të rrafshit
logjik, të fonetikës, të morfologjisë, të
leksikut, të sintaksës e të stilit, ndonëse
edhe shkeljet drejtshkrimore janë, vërtet, të shumta
dhe mënjanimi i tyre automatik paraqet hap të madh drejt
zbatimit të drejtë të normës drejtshkrimore
në një segment të rëndësishëm të
normësisë së saj gjuhësore. Ana e tretë,
që për kah rëndësia nuk mbetet prapa dy të
parave, është funksioni i nxënies së rregullave
gjuhësore përmes këtij korrigjimi të quajtur
autokorrekt. Përvetësimi spontan i rregullsisë
drejtshkrimore përmes këtij korrigjimi është
dëshmuar shumë i frytshëm edhe në gjuhë
të tjera që tashmë e kanë të instaluar
këtë program, prandaj edhe për shqipen s’ka
si mund të jetë ndryshe, prandaj vlen mendimi i shprehur
në krye të shkrimit se për shqipen letrare vërtet
po fillon një etapë e re e përdorimit dhe zhvillimit
të saj.
Çka përmban projekti?
Cilin është projekti i realizuar dhe çka përmban
ai? Programi kompjuterik i shqipes është realizuar nga
Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP). Programi është
i ngjashëm me programet për gjuhë të tjera
në kuadër të Microsoft-it dhe në pajtim me
programin operativ të Microsoft Windows, Microsoft Office
dhe Micrososft XP Profesional. Eshtë kryer pjesa e parë
e programit që përfshin fjalorin (thesauri) dhe korrigjimin
automatik drejtshkrimor (autoCorrect List). Në program është
përfshirë korpus shumë i gjerë leksikor. Grupi
realizues (punonjës të QEP-it dhe gjuhëtarë
nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë së
Tiranës) dhe grupi mbikëqyrës (gjuhëtarë
nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë së
Tiranës, të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë
së UP, dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës)
ka përcaktuar parime e kritere shumë të qarta gjuhësore
e teknike lidhur me përbërjen e këtij fjalori dhe
me realizimin teknik - kompjuterik.Trajtimit kompjuterik i janë
nënshtruar shumë burime gjuhësore, duke filluar
nga i gjithë fjalësi i FGJSSH (botimet e mëparshme
dhe ky i fundit botim i “Toenës”), “Fjalori
drejtshkrimor”, “Fjalor i fjalëve dhe i shprehjeve
të huaja”, “Fjalori i sinonimeve”, “Fjalori
i termave të gjuhësisë”, “Fjalori i
termave letrarë”, “Fjalori politik”, “Fjalori
i psikologjisë”, “Fjalori i pedagogjisë”,
“Fjalori politeknik”, “Fjalori i bujqësisë”,
“Fjalori i mekanikës”, “Fjalori i gjinekologjisë
e obstetrikës”, si dhe një numër tjetër
fjalorësh terminologjikë. Në fjalorë janë
përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm
fjalësh që nuk gjendet në fjalorët tanë
të botuar, po që kanë një përdorim shumë
të gjerë në ligjërimin tonë të sotëm
nga fusha të ndryshme dhe një fond prej 2000 fjalësh,
përgatitur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë
për fjalorin e mbarë shqipes, projekt nën përkujdesjen
e prof. Emil Lafes. Rëndësia e projektit shihet sidomos
në zgjidhjet e ofruara drejtshkrimore për këtë
fond fjalësh, duke e ditur se ato nuk përfshihen në
asnjë fjalor normativ të shqipes. Shumë nga ato
janë fjalë të reja që janë në rrugë
të mirë për marrjen e qytetarisë së shqipes.
Me këtë program në kompjuter korrigjohen mbi 1
milion fjalë e trajta fjalësh, shifër kjo që
ka tejkaluar dyfish shifrën e paraparë në fillim
të projektit, edhe nga ekspertë tanë të njohur
të gjuhës (vetëm emra, si kategori gramatikore,
janë përfshirë mbi 30 mijë, pa trajtat e lakuara,
ndërsa vetëm për 6 mijë foljet e përfshira
janë trajtuar mbi 50 mijë trajta të zgjedhuara
në mënyrët e kohët përkatëse të
sistemit foljor të shqipes). Me drejtshkrimin në kompjuter,
pos fjalësit të shqipes, janë përfshirë
edhe mbi 3 mijë emra të njerëzve dhe emrat gjeografikë
të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Mënyra e përdorimit
Fjalët e shkruara gabimisht me këtë program korrigjohen
automatikisht dhe çdo fjalë mund t’i nënshtrohet
mbi pesë korrigjimeve - formave të gabuara. Në
rastet kur fjala është shkruar gabimisht dhe është
larguar shumë nga fjala bazë, fjala nënvizohet
me ngjyrë të kuqe, me çka sinjalizohet dhe i
sugjerohet shqipshkruesit se kompjuteri nuk njeh formë të
tillë, as të përafërme, të shqipes, prandaj
mbetet të korrigjohet nga autori, përndryshe të
gjitha gabimet e tjera drejtshkrimore i korrigjon vetë kompjuteri.
Një tekst ose libër me 500 faqe mund të korrigjohet
automatikisht për vetëm dy orë. Programi do të
zëvendësojë punën shumë të mundimshme
të redaktorëve a lektorëve gjuhësorë,
si dhe të korrektorëve teknikë, ndonëse do
të mbetën edhe mjaft punë për ta në rrafshet
e tjera gjuhësore. Ana tjetër e vlefshme e këtij
programi është mundësia që vetë përdoruesi
të shtojë në mënyrë automatike fjalësin
e programit, kur një fjalë nuk është përfshirë
në të. Po kështu, ekziston edhe mundësia e
korrektimit automatik të ndonjë fjale të shkruar
gabimisht nga përdoruesi, ndonëse nga puna e bërë
me gjuhëtarë të shquar saktësia drejtshkrimore
është në shkallë të lartë. Programi
i realizuar, pas testimit tri ditësh nga ekipi mbikëqyrës
(22-24 korrik) është i gatshëm t’i dorëzohet
Qeverisë së Kosovës, më saktësisht Ministrisë
së Shërbimeve Publike, ashtu siç është
paraparë më herët, ndërsa pritet që për
një kohë të shkurër ai të instalohet,
fillimisht në institucionet shtetërore të Kosovës
e më pas në institucionet arsimore e të tjera,
ndërsa tashmë janë paraparë bisedime edhe
me Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Maqedonisë.
Projekti ka rëndësi mbarëkombëtare dhe si
i tillë do t’i shërbejë të gjithë
shqipshkruesve në kompjuter. Cilat janë projektet e
reja të QEP-it? Me këtë program nuk mbaron puna.
Ajo në të vërtetë vetëm sa ka filluar.
Realizimi i programit kompjuterik të drejtshkrimit, si një
pjesë hyrëse e makroprojektit “Gjuha shqipe dhe
kompjuteri”, i çel rrugë programeve të
tjera, të cilat tashmë kanë kaluar nëpër
fazën e përgatitjes. Planet e QEPit në rrafshin
gjuhësor përfshijnë edhe këto projekte të
vlefshme për shqipen standarde: programin që përfshin
aspektin gramatikor të gjuhës (një punë e
madhe është kryer nga ky projekt dhe tashmë një
gramatikë e shqipes është funksionalizuar në
program), sinonimet dhe antonimet si dhe fjalori shpjegues, si
program afatgjatë. Por, nuk janë vetëm këto
pikësynim i ekipit punues. Planet janë shumë të
gjera dhe me interes, shumë nga ato tashmë janë
vënë në rrugë të mirë për t’u
realizuar. Realizimi i këtyre programeve dhe i të tjerëve
që do të pasojnë, me vlerë të madhe praktike
dhe njohëse për shqipen, janë garanci se shqipja
po hyn më në fund në fazën e komunikimit modern.