Në gjykimin tim hyn edhe rehabilitimi zyrtar i Gjergj Fishtës,
kësaj figure që u vlerësua “Nderi i Kombit”,
nga Presidenti i Republikës, titull që kaloi pa jehonën
e merituar dhe, siç duket, studiuesit socialë e përfaqësuesit
e sotëm të kulturës nuk janë çliruar
plotësisht nga njëfarë kompleksi mbi veprën
e tij.
Hipotezat
Gjergj Fishta kreu studimet e larta për filozofi e teologji.
Ai e filloi veprimtarinë studimore në Gomsiqe ku, siç
rezulton, shkoi i nxitur edhe nga interesa hulumtuese, shkencore.
Në këtë zonë përfaqësuese, nga pikëpamja
historike dhe etnokulturore, ai njohu “shpirtin e racës”,
mënyrën tradicionalisht shqiptare të jetesës,
gojëdhënat, doket, zakonet, normat juridike etj., të
cilat do t’i shfrytëzonte mjeshtërisht për
veprat e tij. Ai dhe Shtjefën Gjeçovi bënë
që Kisha e Gomsiqes të shndërrohej në një
institut të vërtetë hulumtimi shkencor.
Fishta kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të
cilin Kongresi i Manastirit (1908), e miratoi si alfabet të
vetëm të shqipes. Shkencëtari i gjuhësisë,
Gjergj Fishta, dha një kontribut të çmuar për
krijimin e gjuhës shqipe të njësuar. Ai ishte i
bindur se gjuhët nuk krijohen nga bashkimi apo shkrirja e
dialekteve, por nga zgjedhja e një dialekti. “Alfabeti
shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer, thotë
Kadareja, dhe po ju kujtoj se kryetari i komisionit të Manastirit
të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk ka
qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga
shkrimtarët më të shquar nga Veriu”.
Fishta është një personalitet profetik i kulturës
shqiptare, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik, historian,
estet, filozof etj. Të huajt e kanë cilësuar atë,
siç vëren A. Plasari, themelues të një shkolle
filozofike shqiptare sepse krijimtaria e tij, pavarësisht
formës, vjen e ngarkohet me peshë filozofike. Për
disa studiues, Fishta filozof është quajtur më
së shumti si një përfaqësues i filozofisë
kristiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë vënë
në dukje faktin se ai është ndikuar po aq nga Platoni
e filozofë të tjerë të lashtë, nga idealizmi
gjerman i Hegelit etj.
Nuk ishte vetëm njeri me vullnet politik, por politikan,
madje edhe politolog. Ai, në stilin e Makiavelit të
disa shekujve para tij, vrojtoi sjelljen e klasës politike
të fillimit të shek. XX dhe fshikulloi, siç dinte
ai, mediokritetin e qeverive të kohës, politikat e mbrapshta
etj. Një mendimtar si ai, aktiv në politikë e diplomaci
(deputet i Shkodrës, anëtar i Parlamentit të parë
Shqiptar dhe nënkryetar i tij, përfaqësues në
konferenca ndërkombëtare etj.), nuk mund të mos
ishte edhe politolog.
Si studiues i sociologjisë, jam i prirur të pohoj se
Fishta ka arsye të cilësohet edhe si një ndër
pararendësit e sociologjisë shqiptare, në mos sociolog.
Dihet se, si çdo shkencë shoqërore, edhe sociologjia
nuk lindi në një boshllëk historik. Nga kjo formë
latente zhvillimi, nuk mund të përjashtohet edhe sociologjia
shqiptare. Fishta ka trajtuar një problematikë e cila
është, gjithsesi, në fokus të sociologjisë
bashkëkohore: të sociologjisë religjoze, të
kulturës, artit e komunikimit, të moralit e të
edukimit, të sociologjisë së familjes (kompleksi
i marrëdhënieve familjare, martesa, familja, divorci
etj.). Pra mund të pohojmë se ai ka vendosur një
gur themeli në godinën sociologjike shqiptare.
Me “Lahuta e Malcis”, Fishta është quajtur
“Homeri i shqiptarëve”. Por Homeri ishte edhe
një eksplorator i madh, që ka bërë të
njohur jetën e popujve që ka takuar dhe, në këtë
vështrim, ai është quajtur si një ndër
etnologët e parë. Me të njëjtën logjikë
kemi të drejtë të pohojmë se Fishta ishte
një ndër etnologët e parë shqiptarë.
Ai ishte edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që
kanë marrë në kohën tonë këto fjalë.
Pohimi se Fishta është edhe shkencëtar social mund
të kontestohen me “argumentin” se ai nuk ka shkruar
vepra të veçanta mbi filozofinë, sociologjinë,
antropologjinë, politologjinë apo degë e nëndegë
të tjera të shkencave sociale, siç shkruajnë
studiuesit e këtyre fushave në kohën tonë.
Megjithatë duhet të mbajmë parasysh faktin se këto
degë të shkencave sociale nuk kanë qenë gjithmonë
qartësisht të diferencuara nga njëra-tjetra. Në
Francë, për shembull, Monteskje quhet si një ndër
themeluesit e sociologjisë, megjithse hibridi latino-grek,
sociologji, do të përmendej për herë të
parë gati një shekull pasi ai shkroi veprën e tij
“Mbi frymën e ligjeve”. Kur gjykojmë për
filozofinë e Fishtës apo për Fishtën filozof,
mund të përmendim faktin se edhe Aleni, një filozof
francez i shek.XX, nga filozofët më të lexuar,
në të vërtetë është vetëm autor
esesh. Por “filozofi e Alenit” është quajtur
tërësia e ideve të tij, ide të shprehura në
vepra jo të mirëfillta filozofike e të vendosura
në një sistem. Makiaveli, gjithashtu, nuk është
një studiues “i pastër” i shkencave sociale.
Por ai trajtoi dhe vuri themele mbi një varg çështjesh
që janë në fokusin e shkencave sociale bashkëkohore,
sidomos të sociologjisë politike e politologjisë.
Ne kemi të drejtë të përdorim të njëjtën
logjikë për Fishtën.
Unë bashkohem me mendimin e disa studiuesve, A. Plasari etj.,
që e quajnë si të papranueshëm faktin që
në strukturat e kurseve të një fakulteti të
letrave apo të filozofisë, të mungojnë studimet
fishtjane; se një kurs i tillë do të funksiononte
si shtyllë kurrizore në një sistem shkollor me
drejtim humanist; se botimi (dhe ribotimi) i mendimit fishtjan
bëhet sot i domosdoshëm për rishtënien në
dorë të vlerave të fshehura ose të huajsuara
prej kulturës sonë.
Rivlerësime e (mos)vlerësime
Deri më 1940, Gjergj Fishta u nderua me çmime
e tituj, u bë anëtar i Akademisë Italiane, u propozua
për çmimin Nobel etj. Më pas u denigrua nga regjimit
komunist. Eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin, në
përpjekjen për të varrosur një herë e
mirë veprën e tij, për të ardhur te ”Nderi
i Kombit” (dhjetor 2002). Edhe pse ky rivlerësim duhej
të ishte bërë më parë (Alfred Moisiu
është presidenti i katërt i periudhës paskomuniste
dhe jo i pari), edhe pse ai përfaqëson një akt
dinjitoz që nderon shtetin e shoqërinë shqiptare,
ky rivlerësim duhej paraprirë nga rivlerësimi i
veprës së tij, të paktën prej disa institucioneve
shtetërore, duke filluar nga Akademia e Shkencave, e cila
ka dhënë “vlerësimin zyrtar” (ende
në fuqi) për Fishtën, të formuluar në
Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Them “ende në fuqi”,
sepse deri më sot ai nuk është zëvendësuar
nga një i ri, ndonëse kanë kaluar 12-13 vjet nga
fillimi i proceseve demokratike, pra rivlerësuese.
Në këtë botim për Gjergj Fishtën është
shkruar, si vëllim, sa 1/20 e asaj që është
shkruar për E. Hoxhën, 2-5 herë më pak se
për B. Currin, L. Gurakuqin, D. Agollin, M. Asllanin, L.
Çukon, H. Çelikun... (!). Por më tepër
rëndësi ka cilësia e (mos)vlerësimit të
Fishtës (fq. 270-71): “Fishta, Gjergj. Shkrimtar dhe
publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë
klerikale-katolike, mori pjesë gjallërisht në jetën
politike dhe kulturore për të forcuar në të
ndikimin e klerit katolik..., drejtoi revistën “Hylli
i Dritës”, një nga tribunat më aktive të
reaksionit klerikal…, luftoi me tërbim kundër
ideve përparimtare, përshëndeti pushtimin e vendit
nga forcat fashiste italiane...”
Iu referova këtij fjalori, sepse ai përfaqëson
veprën më të madhe e më voluminozë të
hartuar te ne, si për nga vëllimi (1250 faqe), sikurse
nga numri dhe cilësitë akademike të njerëzve
të angazhuar në hartimin e tij. Hartimi i tij u drejtua
nga një redaksi e përgjithshme, e përbërë
nga 34 akademikë e shkencëtarë, për të
ka funksionuar një sektor i veçantë (Sektori
i Encilopedisë Shqiptare), njëzet redaksi të fushave
të shkencave, mbi 800 studiues, autorë të zërave
të Enciklopedisë, pa përmendur rreth 30 grupe të
mëdha të punës për qendrat e banuara sipas
rretheve, për Shqipërinë e Kosovën.
Të bën përshtypje zelli i regjimit politik të
para viteve ’90-të, për t’u dhënë
një veshje shkencore vendimeve e vlerësimeve të
paravendosura politikisht. Por si për inerci, gjurmë
të një (mos)vlerësimi të tillë për
Fishtën vazhduan edhe në vitet e paskomunizmit. Ndoshta
një reagim më realist mund të bëhet për
të kapërcyer një herë e mirë logjikën
“bardhë e zi”, për vlerësimin e gjithanshëm
të Fishtës, këtij sovrani të letrave shqipe,
këtij dijetari, eruditi të gjithanshëm, publicisti,
polemisti, përkthyesi e shkencëtari të disa fushave
të shkencave sociale. Nëse Fishta ka shkruar: “Dhe
ta dijë bota mbar/se un mbas sodit s’jam ma shqiptar”,
këto vargje kanë shprehur, siç vëren prof.
Hamit Beqja, zemërimin e tij ndaj bashkatdhetarëve.,
sikurse edhe Noli (Skllevër, bij skllevërish/s’e
meritoni, se liri s’doni), Pashko Vasa, Konica etj. etj.
Kur ishte fjala për Shqipërinë, Fishta nuk kurseu
jo më shqiptarët, por as Evropën (Moj Evropë,
moj kurv’ e motit…), madje as vetë Perëndinë.
“O Perendi a ndjeve/tradhtarët na lanë pa atdhe/e
ti rrin e gjun me rrfe/lisat nëpër male kot”.
Ky ishte “reaksionari” dhe “antishqiptari”
Gjergj Fishta.
Sociolog