Monedha e Gentit - 1/2 MILAZIM KRASNIQI

Dramë në tri akte

AKTI I PARË

( Në një skenë të hapur që i përngjet një salloni të gjerë të Pallatit Mbretëror. Anash skena është e dominuar nga flamuj dhe nga statuja të shumta. Genti, Polemokrati dhe Pantauhu. Në këmbë.)

GENTI

Si një qyqar tash këtu unë po pres
Duke u endur mes statujave të ftohta
Dhe flamujve të heshtur që vajtojnë lavdinë,
Duke provuar ftohtësinë e vdekjes
Ndërsa mbretëria ime shtrihet si dele e prerë në fyt
E larë në pllangat e trashura të gjakut.

Pauzë e shkurtër.

Dhe kend e pres unë në këtë humbëtirë
Duke u dridhur nga frika a nga zemërimi?!
Orën e fundit të humbjes fatale e pres
Me të vetmen shpresë se mos im vëlla Karavanti
Ndoshta do të arrijë ta shpërthejë rrethimin
Dhe ashtu të na shpëtojë nga robëria.

(Heq kurorën nga koka dhe e mban në duar.)

Oh, këto tri ditë të mbylljes sime në Pallat
Janë kënaqësi e madhe për pretor Anicin
Si për peshkatarin kur e zë peshkun në rrjet
Dhe kënaqet nga lëvizjet e kota të viktimës.
Bujaria e pretor Anicit s'ka të sharë
Ai më dha vërtet tri ditë për të menduar
Dhe për t'i dhënë fund mbretërimit tim
Në mënyrën si më duket më pak e hidhur.

PANTAUHU

( I afrohet mbretit me një bidon me verë dhe ia mbush kupën.)

Pritja nuk do të thotë kursesi disfatë, o mbret
Po kërkim I rrugëve për të ruajtur nderin
Dhe famën e mbretërisë tënde.
Ju nuk duhet të ligështoheni për asnjë çast
Sepse fati I mbretërisë është në fuqinë e arsyes
Në guximin tënd që nuk ka një të metë.
Tri ditët edhe kalojnë shumë shpejt
Hëna duke vallëzuar mbi Liqenin Labeat
Dielli duke u shuar mbrapa malit Skord
Dhe do të vijë çasti për ta thënë fjalën e mbramë
Nga e cila do të varet gjithçka
Edhe fati Juaj edhe fati ynë, o mbret!

( Genti pi verë nga kupa që ia ka mbushur Pantauhu. PI me gëllënjka të mëdha, deri sa e zbraz krejt kupën.)

GENTI

Ku ka më zi se të kërkosh mëshirë nga Anici
Qoftë dhe tri ditë për të menduar?!
Këto tri ditë më kanë plakur krejt
Edhe pse ende djalë I ri jam, po ndihem plak
Si të kisha barrën e moshës së Rozafës,
Dhe as vera nuk po ma qetëson më shpirtin,
Si dikur, kur më sillte edhe gjumë të mirë.

PANTAUHU

(Ia mbush prapë kupën me verë dhe e nxitë që të pijë.)

Nuk duhet të humbim shpresat, o mbret,
Edhe pse i rrethuar nga të katër anët
Nga konsull Paul Emili I pamëshirshëm.
Ndoshta mund të na vjen në ndihmë im mbret Perseu,
Për të cilin thurin lavdi lumenjtë dhe malet.
Kur më dërgoi në këtë Pallat madhështor
Im mbret Perseu, me zërin e një prindi më tha:
Ti gjendesh mbretit Gent pranë në çdo orë
Dhe të jesh provë e besnikërisë sime
Deri në frymën më të fundit
Fati i mbretërive tona është i pandarë
Siç janë të pandara dy male të larta.

GENTI

Këto janë fjalë të vërteta burrash,
Po mbretëria ime po dridhet nga themelet
Dhe vetëm po prêt çastin që të plandoset për tokë,
Koha po kalon e shpresa po fundoset.

POLEMOKRATI

Mbreti im mos u ligështo as në këto orë të liga!
Fati na ka vu në sprova të rënda
Dhe ne sot o kurrë duhet të tregojmë fuqinë tonë
Atë fuqi që na e jep një Zot i vetëm.
Kujtimi I të parëve duhet të na e forcojë krenarinë,
A nuk ishte Agroni ai që i mundi romakët
Dhe vetëm vdekja e papritur e ndali në gjysmë rruge
Pa e kaluar detin dhe pa e shkelur Kuirinin,
A nuk ishte Teuta një tmerr për romakët?
Vetëm tradhtia e ligështoi dorën e saj guximtare!

GENTI

Tash ne fati na ka ngarkuar barrë të rëndë
Edhe dëmin e disfatave të kaluara romake,
Edhe hakmarrjen e tyre të mbetur përgjysmë
Duhet ta paguajmë ne me jetërat tona.

PANTAUHU

( Ia mbush kupën me verë Gentit.)

Kur të kalojë afati prej tri ditëve
O mbret, ju e dini detyrën Tuaj të lavdishme,
Vetëm jepni urdhër dhe ushtria do të sulet
E ndoshta na ndih fati edhe kësaj here
Dhe e dëbojmë Anicin deri në det.
Mbreti im Perseu prêt të shoh vepra të vërteta
Dhe unë jam vulë e tij në këtë pallat mbretëror.

(Errësimi në skenë tregon ndryshimin e ditës dhe natës. Kjo përsëritet dy herë, ndërsa personazhet që janë në skenë mbeten të palëvizshme. Pastaj skena mbetet e ndriçuar.)

GENTI

Sot është dita e fundit e afatit që I kam kërkuar Anicit
Dhe unë duhet ta them sot fjalën time të mbramë.

PANTAUHU

Atë fjalë mendoje mirë, o mbret
Se nuk do të ketë mundësi që të ndryshohet fati
Nëse bie në thonjtë e përgjakur të Romës.

POLEMOKRATI

( Nxjerrë shpatën si shenjë e gatishmërisë për të vazhduar luftën.)

Afati po kalon me shpejtësi, o mbreti im
Dhe ne vetëm një fjalë prej teje e presim,
Pa na u trembur syri ne përpara do sulemi,
Po na ndihmoi fati e shpërthejmë rrethimin
Dhe e përjetësojmë me lavdi emrin tënd!

GENTI

Afati që I kërkova Anicit tashmë kaloi
Dhe dielli po zbret pas malit të shenjtë,
Ndërsa unë ende nuk e di se çfarë duhet të bëjë,
Megjithëse detyrën time e di,
Po diçka ma ndalon fjalën në fyt,
Nuk është shija e idhët e frikës
Se pema e saj nuk ka mbirë kurrë në mua,
Po diçka tjetër është, ndoshta pendimi
Për gjithë atë që nuk kam bërë për mbretërinë
Dhe tash po më hakmirret me pabesi
Duke më prerë si me shpatë gjunjët dhe bërrylat.

PANTAUHU

Vetëm zëri I bririt që thërret për vazhdimin e luftës
E shëron ankthin dhe I zgjidhe dilemat, o mbret!
Hajt ta pimë edhe nga një kupë verë ilire
Dhe pastaj të rreshtohemi nën urdhërat e tua!

GENTI

( Lejon që t'ia mbush Pantauhu kupën. Pastaj e derdh ngadalë në tokë.)

Kaluan kohërat kur mund të pija verë si mbret
Tash e tutje duhet të mësohem të vuaj edhe për ujë
Atje ku do të më degëdis robëria e kobshme.

POLEMOKRATI

Ende ka kohë për të ngjeshur armët, o mbret
Dhe për të mos vuajtur as për ujë as për verë,
Në tokën tonë të shtrenjtë mbuluar me lavdi!

GENTI

(Pa ua vu veshin fjalëve të Polemokratit.)

E sheh si vonohet pretor Anici në këtë orë?
Nuk e ka nga rruga e gjatë a të papriturat e saj
Se lëmin e luftës e ka këtu nën kështjellë,
Po e ka nga kapardisja dhe nga ligësia.

(Me zë edhe më të nevrik.)

Ai dëshiron të na e mbush zemrën me hidhërim
Të na poshtërojë do, sa më shumë që të mundet.
Kësaj dite dhe këtij çasti I jam frikësuar shumë
Madje më shumë se shigjetave të helmuara
Dhe sopatave që fluturonin mbi kokat tona.
Kësaj dite ia kam pasur drojën më shumë se vdekjes
Ah, vdekja vjen njëherë dhe e kryen punën me nder
Ndërsa disfata të lë në një pritje poshtëruese
Ku nuk të ndihmon asgjë që ta ruash krenarinë,
As kjo kurorë mbretërore e larë në ar
As kjo pelerinë e purpurt, që bën dritë edhe në errësirë.
Kësaj dite ia kam pasur drojën më shumë se vdekjes,
Po ja që vdekja u tregua e pamëshirshme ndaj meje
Më dorëzoi në kthetrat e kësaj dite të zezë
Që të tallet pretor Anici si me një skllav me mua.

POLEMOKRATI

( I afrohet dhe bie në gjunj para tij, me ushtën në dorë.)

Ndoshta duhet ta vazhdojmë luftën, mbreti im
Deri në pikën e fundit të gjakut tonë të dëlirë.
Po të qëndronim deri në ushtën e mbramë
Anici nuk do të kishte çka të merrte nga fitorja
Përveç trupave tanë të pajetë dhe rrënojave.

GENTI

Ta kuptoj helmin që buron nga hidhërimi
Dhe ashtu flet një ushtar ilir, o bir!
Por, në çastet më të rënda të jetës sonë
Ne duhet të mendojmë edhe për atë që mbetet,
Për të ardhmen e mjegullt, o bir!

( E prek në sup Polemokratin, i jep shenjë që të ngrihet.)

Ne po lëmë prapa vetes një mbretëri të mundur
Të mbytur në gjak e të kapërdirë nga flakët,
Por e po e lëmë të gjallë edhe shpirtin tonë
Në ata që mbeten, megjithëse të poshtëruar.
Por, koha do t'I shërojë plagët e tyre të rënda
Dhe ata do ta ngrenë mbretërinë nga hiri
E do ta rikthejnë shkëlqimin e të parëve.

(Polemokrati ngrihet dhe qëndron gatitu, por kokulur. Genti largohet për disa hapa. E shikon Pantauhun.)

PANTAUHU

(Bën gjeste mirësjelljeje . Flet me zë mjaft patetik.)

Ju mendoni për të sotmen, o mbret,
Për gruan tuaj të bukur dhe për fëmijët tuaj
Që po bien skllevër në dorë të pretor Anicit
Ju jeni ligështuar para kohe, o mbret
Im mbret Perseu ju ka njohur për trim
Kur më ka sjellë si peng betimi në këtë pallat.

GENTI

( U afrohet statujave dhe i lëmon me radhë.)

I kam peshuar të gjitha një nga një
Dhe net të tëra kam mbetur pa gjumë
Duke kërkuar një shteg nga fatkeqësia
Po tash I jam dorëzuar fatit
Oh, e kam një shpresë të turbullt,
Ndoshta dorëzimi na ndihmon të shpëtojmë
Së paku njerëzit e gjallë dhe idenë e madhe
Të mbretërisë së përjetshme labeate..

POLEMOKRATI

( Sërish bie në gjun para tij, me ushtë të ngritur.).

Mbreti im, nuk e di çfarë do të mbetet e padhunuar
Dhe çfarë do të mbetet në kujtesën e brezave.
Kam frikë se ata nga pikëllimi do të na gjykojnë
Me fjalë të rënda si të padenjë për Ilirinë.

GENTI

Edhe në dhimbje duhet të flet arsyeja, biri im.
Nuk e kam të lehtë të pres duke e dridhur
Por, më mirë të shpëtojmë diçka nga mbretëria jonë
Ndoshta e nesërmja do të na kthejë sërish në fron.

(Hyn Karavanti me shpatë në dorë. I hallakatur.)

KARAVANTI

O vëllai im, o mbreti ynë!
Ende ka kohë që të ushqejmë shpatat tona
Me gjak të ndyrë romakësh zullumçarë,
E t'ua tregojmë udhët drejt detit të trazuar.
Unë them më mirë ta vazhdojmë luftën
Deri në pikën e fundit të gjakut tonë të dëlirë
Dhe besa t'ia presim kokën pretor Anicit
Kur të shkel me këmbët e tij të ndyra
Në këtë pallat të shenjtë mbretëror!
Me këtë shpresë në zemër çava rrethimin
I veshur si grua hyra fshehurazi në kështjellë.

GENTI

(Përplas një statujë të vogël për tokë.)

Jo dhe jo! !O vëlla trim dhe princ I lavdishëm!
Më mirë të shpëtojë dikush nga pasardhësit tanë
Se të na mbulojë dheu e bari përgjithmonë.
Dhe mbi mbretërinë tonë të sundojë asgjëja
Harrimi i kobshëm, i cili ka sunduar shumë mbretëri.

KARAVANTI

O vëllai im! O mbret I Ilirisë famëmadhe!
O do të vdesim si na ka hije në beteja
O do të thhyhemi si kjo statujë argjile,
E do të bëhemi skllevër, kushdo që të mbetet
Dhe ajo nuk është kurrfarë jete, o mbret!

GENTI

(Gërmuqet dhe përpiqet të mbledh copëra të statujës së thyer.)

E di më mirë nga të gjithë çka është krenaria
Por fati ynë është vendosur tashmë
Dhe nuk ka fuqi që mund ta ndryshojë.
Tash do të shohim se çka kërkon Anici
I veshur me purpurin e fitores mbi ne!

(Hyn Kasneci.)

KASNECI

O mbreti I lavdishëm I Ilirisë!
Para derës së pallatit ka ardhur pretor Anici
Dhe thotë se nuk dëshiron të presë asnjë çast!

(Polemokrati dhe Karavanti hakërrehen nga zemërimi dhe i zhveshin shpatat. Pantauhu niset drejt skajit të skenës, i frikësuar. Genti bën një gjest që të qetësohen.)

GENTI

Le të hyjnë se koha tash për ne është ndalur!

(Lëshon copat e statujës nga duart. Merr kurorën , e vë në kokë dhe merr qëndrim zyrtar. Pa vonuar hyn pretor Anici, I shoqëruar nga shkruesi dhe truprojat.)

ANICI

Vonesa e vogël më ndodhi për shkak të punëve të mëdha,
Duhej pastruar hyrja në kështjellë nga kufomat
E ushtarëve Tuaj që kanë mbetur të pavarrosur!
Dhe ishte udhë e vështirë se kutërbonte ndotësi
Nga ata trupa që kanë zënë të kalben.

(Me zë triumfal)

Kam udhëzime të prera, që nuk mund të ndryshohen:
Mbreti dhe familja mbretërore internohen
Floriri mirret i gjithi për të ndreçur dëmet,
Qytetit i vihen flaka nga themelet deri në majë
Që të jetë mësim për të gjitha kohët që vijnë.

(Karavanti nxjerrë shpatën dhe sulet drejt pretor Anicit. Truprojat e Anicit i dalin përpara dhe fillon një dyluftim i shkurtër. Trurojat e Anicit e therin Karavantin në kraharor. Ai bie përtokë i përgjakur. Genti I afrohet me hapa të dridhshëm të vëllait dhe gërmuqet mbi të. Polemokrati sulmon pretor Anicin, e qëllon rrëshqitazi në llërë, po edhe ai theret nga truprojat e Anicit dhe bie përdhe I vdekur. Pantauhu lebetitet. Genti dridhet mbi trupin e të vëllait. Anici bën disa hapa tërë kapardisje nëpër skenë, më mesin e truprojave që I mbajnë shpatat lart.)

GENTI

Pse e bëre këtë o vëllai im trim!
Ah!Fati na ka hedh në duart e humbjes!

ANICI

Nuk kam kohë për të humbur asnjë çast
Sepse ushtarët e mi po presin trofenë e luftës
Që ta shohin me sytë e tyre duarlidhur
Atë mbret që u ka sjellë shumë vuajtje e mjerime
Që i ka gjymtuar me shpatën e ti të helmuar,
Për tridhjetë ditë duke u futur tmerr në lëmin e luftës.
Ushtarët e mi po presin me padurim trofenë e fitores
Prandaj lërini vajtimet dhe ngutemi! Lidheni!
Princin e plagosur tërhiqeni zvarrë!

(Truprojat e tij e kapin Genti, dhe e lidhin, duke e rrëzuar përdhe e duke e shkelmuar pa mëshirë, përmes ulërimash të tyre entuziaste. Kravantin e plagosur e tërheqin zvarrë nëpër skenë. Pantauhun e lidhin dhe e tërheqin zvarrë gjithashtu.)

GENTI

Edhe kësaj here treguat se jeni barbarë
Dhe se nuk e meritoni nderimin e askujt!
Lufta ime ka qenë fort e drejtë
Dhe është dashur ta dëgjoja vëllain tim
E të luftoja deri në pikën e fundit të gjakut.

ANICI

Nuk i takon një të munduri që të mburret!

GENTI

Kjo nuk mburrjeje, është pendim i thellë.

ANICI

Ne s'mund të kemi respekt për barbarët.

GENTI

Kush është barbar? Unë që mbrojta mbretërinë time
Apo ju që na e dhunuat lirinë me shpatë?
A po i sheh statujat e mermerta, artin e madh
Që është skalitur në mbretërinë time
Ku po e sheh ti mbretërinë barbare?

ANICI

Skulpturat po, por egërsia e luftëtarëve tuaj
Ka bërë që me mijëra romakë të dergjen nën dhe
Dhe shumë të tjerë lëngojnë nga plagët e thella.

GENTI

Luftëtarët e mi nuk kanë ardhur para dyerve të Romës
Po ju keni ardhur para dyerve të Skodrës.

(Gentin, Karavantin e plagosur dhe Pantauhun i nxjerrin në sheshin e kështjellës duarlidhur. Aty janë duarlidhur edhe Etleva, Skerdilaidi, Pleurati. Dëgjohen rënkimat e shumë ushtarëve të plagosur, të mbetur anekënd kështjellës. Nga një largësi më e madhe dëgjohen edhe brohoritjet triumfale të ushtarëve romakë.)

ETLEVA

Ku I pate sytë o mbret që u dorëzove
Në duart e pamëshirshme të këtij romaku?
Po kujt po ia lë këtë qytet të bekuar
Kujt po ia lë kalrinë e Liqenit Labeat
Kujt po ia lë bukurinë e Barbanës.
Përse nuk luftove deri në pikën e fundit të gjakut
Dhe të meritonim një vdekje ilire
Në atdheun tonë të lavdishëm.

GENTI

Mjaft më tash me ankime grash,
Nuk na ndihmon as vajtimi as hidhërimi!
Im vëlla ,Karavanti, është rëndë I plagosur
Polemokrati mbeti I vrarë në Pallat,
Po Iliria do të jetojë nëpër mote
Deri sa nuk shkulet kjo kodër me rrënjë të thella
Deri sa nuk shteret Liqeni Labeat
Deri sa nuk ndërron rrjedhën e vet Barbana.

ANICI

Këto janë fjalë të mëdha të një mbreti të mundur
Dhe mirë bën nëse nuk flet fare
Atë që kishe për të thënë e the në lëmin e luftës.

GENTI

Ah! Tash ju mund të më poshtëroni
Para gruas dhe para fëmijëve të mi të shkretë
Si të isha unë një skllav i blerë në treg!

ETLEVA

(Përhumbshëm.)

Zemra më dridhet për fatin e bijve
Që të mitur po e shijojnë robërinë e zezë,
Të nisur në një rrugë të pafund të jolirisë
Po sytë më errësohen më shumë nga dhimbja
Për mbretërinë tonë të humbur.

GENTI

Ka një shpresë se do të rikthehemi

ANICI

(Bën me gjeste në drejtim të ushtarëve të vet.)

Filloni plaçkitjen e qytetit
Dhe mos lini ndonjë gjë me vlerë pa e marrë
Urdhëri i prerë i konsull Paul Emilit:
E tërë Iliria duhet të nxihet prej tymit.

GENTI

Qyteti im, oh qyteti im I shkretë!
Sa të kam ruajtur nga sulmet barbare
Ndërsa tash nuk mund të ta shtrij krahun
Dhe ti je pre e ushtarëve të pangopshëm.

ETLEVA

Ah, pallati im mbretëror ku nusërova
Ku linda fëmijë, ku isha mbretëreshë
Sa fat të zi të paskan rezervuar koha!

(Në prapavijë fillon të duket zjarri që përpinë qytetin e Skodrës. Ndihet ulërima e ushtarëve romakë të entuziazmuar. Flakët vijnë duke u rritur dhe duket se e përthekojnë tërë skenën.)

ANICI

Tash do të nisemi për në rrugë të gjatë
Për në Romën e lavdishme, kryeqytet i botës.
Atje Senati do të gjykojë krimet e tua, o Gent
Dhe fati yt e i familes sate varet nga urtia e tyre!

(Jep urdhër me gjest dhe ushtarët fillojnë t'i shtyjnë Gentin, Karavantin e plagosur, Etlevën, Skerdilaidin dhe Pleuratin, që janë të lidhur me një zingjir të gjatë e të përbashkët. Pantauhun e therin me shpatë dhe e lënë të vdekur në tokë.)

ETLEVA

Lamtumirë o Skodër e dashur
Që nuk e di a do të shihemi më për të gjallë
Dhe ti o Barbanë e kaltër si sy vashe, lamtumirë
Dhe qaje fatin tonë me lotët e tu të kthjellët
Deri sa të shteron gjiri i Rozafës.

GENTI

Lamtumirë o dhe i dashur, lamtumirë!
Kujtomëni o njerëz, dhe mos më harroni!
Ndoshta do të kthehem në fron përsëri!
Nëse s'kthehem dikush do ta gëzojë Ilirinë
Se e pavdekshme është kjo mbretëri!

AKTI I DYTË

(Skena e njëjtë. Aktorët që luajnë Gentin, Anicin, Polemokratin dhe Pantauhun, janë në këmbë dhe në veshjet e roleve që luajnë.)

AKTORI I

Po gjatë rrugës çka ka ndodhur a thua? Ky dramaturgu ynë e ka ndërprerë dramën si me dhunë. Asgjë nuk merret vesh. Akti i dytë nuk ndriçon asgjë në fakt. Më shumë është njëfarë ideje, sipas të cilës fajtorë për fatkeqësitë e shqiptarëve është mazohizmi i tyre e jo armiqtë e jashtëm. E amneston pushtuesin, duke ia lënë fajin mbretit Gent.

AKTORI IV

Këtu nuk është e rëndësishme se çka u ka ndodhur atyre me të vëretë.

AKTORI I

E pse nuk qenka e rëndësishme?!

AKTORI IV

Për ne e rëndësishme është se çka do të ndodh me ne, sipas autorit dhe sipas regjisorit.

AKTORI III

Autori si gjithmonë bën disa zgjidhje arbitrare. Unë parimisht nuk besoj në sinqeritetin e autorit! Prandaj, edhe mundohem që të përjetoj rolin në mënyrën time.

AKTORI I

Këtu kemi të bëjmë me persona historikë. Nuk janë disa emra të trilluar dhe hajt bacë, grahja nga të duash. Në tekst ka shumë arbitraritet autorial. Ka dhunë autoriale ndaj figurave historike! Unë nuk e kam të lehtë të dalë nga ky labirinth i dilemave.

(Polemokrati dhe Pantauhu zgërdhihen dhe bëjnë gjeste ironizuese në drejtim të Gentit.)
Gjithkush është bërë autor dramash sot dhe t'i prish nervat!

AKTORI III

Të thashë se autori gjithmonë bën disa zgjidhje arbitrare.. Autori është mbret i tekstit.
Ha, ha, ha! A është krahasim I mirë? (Kërcen nëpër skenë.)

AKTORI IV

(Gentit.) Po më habit me qasjen nostalgjike. Përjetoje rolin në mënyrën tënde dhe pikë!

AKTORI I

Do të kalojë kohë e gjatë deri sa të çmësohem me figurën e atij mbreti. Më ka pushtuar në një mënyrë ë çuditshme. Ndoshta për këtë shkak edhe jam kaq i stresuar.

AKTORI IV

Aktorë i thua vetes! Aktori ka fuqi të transformohet dhe sapo e luan rolin, e harron të tërën.

AKTORI I

Më të shumtën ashtu më ndodh, por me këtë rol diçka nuk është në rregull. Ndoshta pse ka qëlluar që unë edhe emrin e vërtetë e kam Gent.

AKTORI IV

Ha ha ha! Ti po manifeston një kompleks infrioriteti, apo çka ke? Shiko ku të ka shkuar mendja! Ani çka që e ke edhe emrin e vërtetë Gent, ashtu si personazhi që e luan?

( I afrohet dhe ia ofron një kupë me verë.)

vazhdo>>>

Romani
MONEDHA E GENTIT
Autor
MILAZIM KRASNIQI

Personazhet

Në aktin e parë:

Genti, mbret i Ilirisë
Anici, pretor romak
Polemokrati, kryekomandant i ushtrisë së Gentit
Pantauhu, i dërguar i Perseut pranë Gentit
Karavanti, vëllai i mbretit Gent
Etleva- mbretëresha, gruaja e Gentit
Kasneci

Në aktin e dytë:

Aktori I - në veshje të Gentit
Aktori II - në veshje të Anicit
Aktori III - në veshje të Polemokratit
Aktori IV- në veshje të Pantauhut
Regjisori

Në aktin e tretë:

Genti
Platori (Fantazma), i vëllai i Gentit
Etleva
Karavanti
Skerdilaidi, i biri i Gentit dhe i Etlevës
Pleurati, i biri i Gentit dhe i Etlevës
Roja

Copyright www.agimi.com 2002