GEGNISHTES, SI GJUHË E GJALLË, DHE GJUHA E BUZUKUT DHE E BARDHIT, I VYEN NJI FJALOR PËR VEDI

Ka edhe sebepe të tjera qi kishin me mbështetë botimin e nji fjalori të gegnishtes, përkundër përdorimit të pafrytshëm të naj fjalori të rândomtë të gjuhës letrare shqipe…

Jam konë tue nêjtë n’akshamin e të xhumasë kah dugaja e naj dostit tem, dhe ka ymyt qi kom me mujtë me bujtë n’at’ânë dej n’nân sahatin e sabahit.
Po të kërkojsha shumicën e fjalëve në këtë fjali në njâni p’ej qindra fjalorëve të gjuhës shqipe qi botohen njiherë përnjiherë, ka gjasa qi ato fjalë kishin me mbetë të pakuptueme k’ejt. Edhe fjalorët modernë mâ përfshimës dhe mâ e përpunuem nuk arrijnë me përfshi të gjitha fjalët shqipe qi mujnë me përdorë kosovarët, tetovarët e të tjerë. Edhe nëse gjindet diqysh nji fjalë si “sabah” në fjalorin egzistues shqip, s’ka dyshim qi ka me u dukë ngat fjalës naj vërejtje si ‘rajonale’, ‘dialektore’ ose ‘katûndarçe’. Ama pse duhet me u lânë punët qasifare? Gjuhëtarë mujnë, dhe duhen, m’ua shtuë vërejtje t’udhës atyne fjalëve qi janë tuë përpiluë, ama s’ka pse me paragjykuë vlerën e fjalëve të gjetuna mâ shpesh në njânën ose tjetrën formë të nji gjuhe. Me sasinë e konsiderueshme fjalësh shumë shpesh të ndëgjueme gegnisht, dhe me faktin se, gjithnji e mâ tepër, shkrimtarë janë kah përdorin trajtat e shkrueme të këtyne fjalëve gege në shkrimet e veta, helbete p’e meriton gegnishtja me pasë fjalorin e vet!
Ka edhe sebepe të tjera qi kishin me mbështetë botimin e nji fjalori të gegnishtes, përkundër përdorimit të pafrytshëm të naj fjalori të rândomtë të gjuhës letrare shqipe. Bukur do fjalë të shkrueme gege, tue i përfshi nji numër sosh qi kom zgjedhë për fjalinë teme mâ nalt, shkruhen gegnisht bash qysh shqiptohen. Bile, âsht konë njâni p’ej synimeve të Kongresit të Manastirit në 1908 me sajuë nji alfabet të gjuhës shqipe në të cilin çdo germë të përfaqësojke vetëm nji tingull, dhe s’kish pasë dëshirë me inkuadruë germa të shkrueme qi nuk shqiptoheshin. Po qe se mundohemi me ndjekë këtë parim me drejtshkrimin e gegnishtes letrare, edhe njiherë merret vesh qi fjalorët egzistues të shqipes nuk kanë me mjaftuë. Për shembull, në fjalinë gege mâ nalt, i kom shkruë fjalët nêjtë dhe nân. Janë fjalë shqipë, dhe në gegnishten janë bâ, dej dikûn, standarde, ama personi qi ka nî ose ka lexuë këto fjalë, dhe qi masanej përpiqet me i gjetë dikûn në fjalorin shqip, ka me u zhgënjye. Mbajeni mênd - qysh dreqi ka me ditë lexuesi ose studenti i shqipes se i vyen me kërkuë këto fjalë në format ndenjur dhe nëntë?! Dhe pse duhet me konë ashtu hesapi? Në të folmen e përditshme gege, kërkush s’ka me thânë ndenjur, ama të gjithë shqiptarë në Kosovë, për shembull, kanë me njofë fjalën nêjtë. Edhe në të shkruemit po shifemi gjithnji e mâ tepër këso formash, qi pasqyrojnë mâ mirë shqiptimin gegë, dhe hala po na mungon nji fjalor i shqipes gege në të cilin kish me u figuruë: majtë, nguë, nî, anena, mretni, dej e shumë të tjera. Tash për tash, na duhet me u munduë me mbajtur, (n)dëgjuar, ndier, andej, mbretëri, deri qi s’po i shërbejnë hiç gegnishtfolësit.
Në rastin e k’ejt atyne fjalëve të naltpërmênduna, janë me të vërtetë fjalë e zakonshme shqipe, dhe egzistojnë në fjalorët e shqipes. I vetmi hall âsht se variantet e përdoruna gegnisht janë shndërruë aq shumë, për shkak të shqiptimit gegë, sa qi s’po dihet mâ qysh me i kërkuë në fjalor! Dhe ky âsht telashi për k’ejt ata qi janë kah provojnë me kuptuë e më përdorë gegnishten. Mirëpo, njiherë të kapërcyem ky problem, duhet me u ballafaquë me nji tjetër - ato fjalë, kryesisht të origjinës turke, qi nuk përdoren rândom në gjuhën letrare, dhe qi ose nuk gjinden fare në fjalorin shqip, ose janë futë aty të shoqnueme nga naj vërejtje përçmuese si “të vjetnueme” ose “dialektore”. Gjithashtu në fjalinë në krye të kësaj kolumne, ka nji varg këso fjalësh: aksham, xhuma, dugajë, dost, ymyt, sahat dhe sabah. Në fjalorin e gjuhës shqipe letrare, fjalët aksham dhe xhuma janë cilësuë si “të vjetnueme”, dhe përcaktimi i parë i fjalës aksham âsht “lutja myslimane e mbrëmjes”. Fjalët sahat (me kuptimin e orës së ditës, dhe jo orë dore) dhe sabah janë cilësuë si “bisedimore”. Ama dugajë, dost dhe ymyt s’kanë vênd hiç! Janë fjalë shumë shpesh të përdoruna gegnisht, dhe qi mundet me u konsideruë fjalë standarde gege, ama nuk inkuadrohen hiç fare në fjalorin e gjuhës shqipe, sepse u lânë jashtë gjuhës letrare. Edhe njiherë, s’âsht çudi qi studentë e gegnishtes dëshpërohen fort kur janë të detyruem me përdorë nji fjalor të shqipes për me shkoklavitë misteret e gegnishtes. “Pse nuk ka fjalor i gegnishtes?” dhe “helbete duhet me pasë nji fjalor i kësaj gjuhe!” janë ankesa qi kom nî herë mbas here. I vetmi xhevap qi muj m’ua ofruë këtyne pyetjeve âsht, hala mbetet për me shkruë nji fjalor i gegnishtes së sotme, ama duhet me u shkruë.
Normal qi gjithnji ka me konë jashtzakonisht e shtirë me kuptuë, edhe me nxânë, nji gjuhë pa nji fjalor të përshtatshëm. Ky qëndrim mban hem për studentë të huej të gegnishtes hem për ata qi e kanë gegnishten si gjuha amnore, dhe qi e çajnë kryet tue i kërkuë k’ejt badihava në fjalor fjalë si anmik, milet, magari, konë dhe tybe, edhe pse janë kah nîjnë këto fjalë desh përditë. Për shembull, pse, për besë, na duhet me kërkuë fjalën qi ndëgjojmë si nime? ose njime? nën fjalën përnjëmend në fjalor? Për shka arsye âsht se shprehja po tybe! nuk meriton me pasë vênd në fjalor, dhe pse s’kishim me gjetë foljet me konë dhe me mujtë qaty? Studenti i gjuhës shqipe nuk ka me ditë vetëm me hamêndje se konë âsht qenë, dhe mujtë âsht mundur, dhe gegnishtfolësi i ri në diasporën shqiptare qi âsht tue mësuë gjuhën e ilakëve nuk ka me e pasë kollaj fare me kuptuë se pse fjalori nuk i përshtatet gjuhës së tij.
Âsht me ironi se fjalori i parë i gjuhës shqipe - ai latinisht-shqip i Frang Bardhit i vitit 1635 - i nxuer burimet e veta nga gegnishtja e asokohshme. Me ânë t’atij fjalori âsht konë e mundun me interpretuë Mesharin e Gjon Buzukut, të parën vepër letrare të gjuhës shqipe të zbulueme gjer tani. Besohet se Buzuku erdh nga trevat veriore shqiptare, dhe natyrisht, përdorke gegnishten në shkrimet e veta, se s’kish pasë debat n’atë kohë për najfarë gjuhe letrare. Shkrimtarë shkruejshin në mediumin e së folmes së tyne, tue e përdorë nji alfabet qi i përshtatej asaj. Kanuni i Lekë Dukagjinit poashtu u shkrue gegnisht në formën burimore të tij, dhe edhe pse âsht konë nji tipare e jetës gege dhe jo toske, përpiluesi i tij nuk u brêngos për shkrimin e gjuhës gegnishte qi ishte vetë gjuha qi flitke! Në kohën e Mesharit dhe të fjalorit të Frang Bardhit s’kish pasë kurrfarë korie a ngurrimi sa u përket shkrimit dhe pasqyrimit të gegnishtes si gjuhë letrare. Nuk konsiderohej përdorim krahinuer. Afërmêndsh se bukur shumë faktorë të tjerë, dhe shumica e tyne jolingvistikë, kanë ndikuë në mungesën absolute e nji fjalori të shqipes gege sot e kësaj dite, ama me shtimin e shkrimtarëve qi nuk tuten me e përdorë gegnishten e shkrueme, dhe qi nuk nîhen diqysh të poshtëruem ashtu, nji fjalor i gegnishtes, si edhe fjalorë dygjuhësorë të bazuem në gegnishten, po bâhen nji nevojë reale dhe e padiskutueshme.
Qysh edhe në kohën e Bardhit, qe tash, mâ shumë se kurr, po na nevojitet nji fjalor i gegnishtes letrare. Nuk ka me pasë farë roli kundershtues ndaj gjuhës letrare egzistuese, ama ka me e shënuë n’mnyrë shumë mâ efikase përdorimin e shqipes gege, dhe nuk ka me cilësuë fjalët dhe shprehjet e përdoruna nga gegnishtfolës si najsen “krahinore” dhe nën standardin e gjuhës letrare. Nashta po lypset me krye najfarë sondazhi për me marrë vesh tamam cilat janë fjalët mâ të zgjedhuna nga gegnishtfolësit. Duhet me ditë nëse dynja po nîhet mâ shumë se botë, ose nëse shumica e gegnishtfolësve kishin me përdorë fjalë si apet, hajgare ose sëmutë, qi shumë rrallë po gjinden në fjalorë të shqipes letrare. Dhe atëherë, kur të jetë mbledhun tânë radha e fjalëve të gegnishtes, me drejtshkrimin qi i afrohet mâ shumë shqiptimit të tyne të rândomtë, kena me pasë rastin me hartuë nji fjalor të gegnishtes letrare, dhe breza të ardhshme të shqiptarëve gegë dhe të studentëve të huej të gegnishtes kanë me na falenderuë për mundimin qi kena bâ.

shkruan:
Chris Hughes /
©jàva
Copyright www.agimi.com 2002