Shkrimtarja
Elvira Dones tregon si e gjykon ajo letërsinë shqipe,
jetën e saj në Zvicër dhe takimet me shkrimtarë
të huaj.
Elvira Dones: "Letërsia shqipe, ende në
eksperimentim"
Përse shkruani? Keni dyshuar ndonjëherë
në punën tuaj ?
E shkruara nuk është një ide
që lind një ditë me t'u zgjuar, ashtu, sikur
të ishte një trill i çastit. E shkruara është
një forcë e brendshme, e thellë, e matur, e vjetër
sa bota. Rrëfimi ka lindur me njeriun. Shkrimtari lind
shkrimtar. Pastaj, më vonë, mëson "teknikisht"
të shkruajë. Unë kam filluar të shkruaj
në mendje shumë, shumë më parë se të
nisja të shkruaja në kartë. Të shkruaj më
është qenësore si ajri që marr. Nuk mund
të bëj pa të. Kam një marrëdhënie
të atillë me të shkruarën, sa nuk kam patur
kurrë një konflikt me të, kurrë një
hepim, një hije sado të vogël. Është
si një martesë e fortë shkëmb, me themele
të shëndosha e me rrënjët deri në zemër
të tokës. Nuk besoj se do të ketë kurrë
diçka që të ma lëkundë.
Keni një audiencë të
madhe në qarqet letrare të huaja, si ndiheni?
Ndihem pa dyshim e me shumë sinqeritet, e kenaqur për
këtë. Të pohoja të kundërtën do
të ishte një falsitet, jo vetëm për mua,
por për çdo shkrimtar. Nuk besoj se ka ndonjë
syresh, por edhe artist të çdo forme tjetër
shprehëse, i cili do të mbetej indiferent para suksesit.
Ç'vepra apo ç'autorë kanë ndikuar
në formimin tuaj si shkrimtare?
Do te dilte një përgjigje tepër e gjatë.
E përpos kësaj, e kam zët të rreshtoj lista
me tituj veprash e emra shkrimtarësh. Në këso
rastesh, do të ma kish më shumë ënda të
kisha përpara një publik me të cilin të
shkëmbeja mbresa rreth këtij apo atij autori klasik,
apo modern. Sidoqoftë, në formimin tim kanë ndikuar
që nga Gete e Tomas Mann, që nga Chaucer e Naipaul,
që nga Hugo e Yourcenar, deri në letersinë latino-amerikane
e atë anglo-saksone bashkëkohore. Kam hulumtuar, e
vazhdoj ta bëj këtë me rregullsi gati maniakale,
në shumë letërsi "të vogla", letërsi
"marginale", letërsi që kanë krijuar
perla të vërteta, por që ndoshta kurrë nuk
kanë "takuar" publikun e madh.
A ka pse të jetë letërsia, feministe
apo maskiliste?
Ndoshta doni të thoni letërsi femërore e mashkullore?
Femërore e feministe, nuk janë e gjëjta gjë.
Ashtu si maskiliste e mashkullore, janë dy koncepte që
kanë një dallim të fortë mes tyre. Më
bëhet kjo pyetje nga gazetarët shqiptarë disi
shpesh kohët e fundit, e të them të drejtën,
nuk e kuptoj "përse" në e saj. Në radhë
të parë, deri më sot nuk kam lexuar ndonjë
autor "maskilist", apo vepra "maskiliste".
E as autorë "mashkullorë".
Ndërsa letërsia feministe ka qenë një lëvizje
e fuqishme e shumë e rëndësishme në një
çast të caktuar historiko – shoqëroro
- ekonomik në Perëndim. Letërsia feministe, pa
dyshim që mund të ketë, madje duhet të ketë,
një rol të fuqishëm në ato pjesë të
botës ku emancipimi i femrës është ende
shumë, shumë pas. E kam fjalën këtu për
Azinë e Afrikën, sidomos. Por Shqipëria tashmë
është në një tjetër fazë, gjendet
në Evropë e thith prej saj informacion, kulturë,
ndërgjegjësim, ndonëse gjendja e gruas lë
ende për të dëshiruar në shumë pikëpamje.
Përsa më përket, e konsideroj letërsinë
një, të plotë e universale: në qendër
të saj është njeriu, kjo qenie kaq e vogël
dhe e mahnitshme para një universi kompleks. Në qendër
të letërsisë është jeta, vdekja, ëndrrat,
zhgënjimet, çmenduritë, bukuritë, qoshet
e errëta të qenies njerëzore. Këto i përkasin
të dy gjinive që e popullojnë planetin. Do të
flisja ndoshta vetëm për "ndjeshmëri"
e hollësira femërore, për veçanësi
femërore apo mashkullore. Harrojmë vallë, që
një pjesë të personazheve femërorë
më të bukur në thesarin letrar, janë shkruar
nga pena mashkullore, dhe anasjelltas, personazhe mashkullorë
të një peshe e thellësie të jashtëzakonëshme
në prozën bashkëkohore, janë shkruar nga
pena femërore?
"I love Tom Hanks" është një nga librat
më të njohur, ku ju shfaqeni me një formë
tjetër.
Jam shfaqur prej kohësh me gjininë e tregimit, "I
love Tom Hanks" është i dyti vëllim me tregime
që kam shkruar. I pari i përket disa viteve të
shkuar e titullohet "Lule të gabuara". E konsideroj
tregimin një gjini të vyer, një ushtrim stili
të mrekullueshëm e ekzigjent, ku nevoja e barazpeshimi
të ritmit rrëfyes dhe personazheve, është
në vetvete aq e rreptë, sa nuk të "fal"
asnjë tepri apo mosvëmendje, asnjë shkapërderdhje.
Kush është "Tom Hanks"?
Le të themi që "Tom Hanks" është
ëndrra që Shqipëria ushqente dikur për Perëndimin
e për lirinë që ky i fundit përfaqësonte.
Personazhi i hamallit në tregimin "I love Tom Hanks",
po ia lejoj vetes këtu të marr hua nga Pirandello:
një, askush e njëqindmijë, është një
nga të shumtët njerëz që u shtrydhën,
u copëzuan, u asgjësuan psiqikisht e fizikisht nga
diktatura.
Tom Hanks, apo më saktë fotografia e tij me ngjyra
në një revistë kinemaje, është përfaqësues
i së shkuarës fare të afërt të Shqipërisë,
dëshmitar i njëres prej faqeve më të dhimbshme
e më të heshtura të saj. Hamalli në atë
tregim është një personazh që kam dashur
e respektuar shumë, e që vazhdon të më dhimbset
përbrenda, pikërisht për atë që përfaqëson.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me letërsinë
shqipe? Si e shihni atë?
E shoh letërsinë shqiptare në lëvizje, në
eksperimentim, në rritje, me shumë rrugë ende
për të bërë, por është një
letërsi e gjallë. Vendi ynë është për
shkrimtarin një terren i larmishëm, i pasur, plot
kontraste e dinamizëm. Marrëdhëniet e mia me
letërsinë shqipe janë të lumtura. Shkruaj
në shqip. Lexoj në shqip shumë gjëra që
botohen. Shpesh për kënaqësi, por edhe për
t'u mbajtur në dijeni rreth botimeve të reja. Si mund
të jetë ndryshe një marrëdhënie e sëmurë?
Ka vend për të gjithë në këtë
botë. E si rrjedhojë, edhe në letërsi. Siç
thoshte një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë
bashkëkohorë amerikanë, që aq shumë
kam dashur e vlerësuar: "Ka fjalë të mjaftueshme
për të gjithë ne. Le t'i shkruajmë!"
Keni miq?
Natyrisht. Njeriu është qenie shoqërore.
Kam miq, po. Miq për kokë, të paktë në
numër, sasinë nuk e kam konsideruar kurrë cilësi.
Miqtë e mi janë njerëz që s'para bërtasin
e as rrahin gjoksin, nga ata që kur i takon në jetë
ndihesh menjëherë i pasuruar. Jam krenare për
ta, e njëkohësisht u jam mirënjohëse për
atë që më japin: miqësinë e tyre të
kulluar.
Ka lidhje Elvira Dones me shkrimtarë të huaj
të njohur?
Kam takuar e takoj mjaft syresh nëpër festivalet,
panairet e aktivitetet e shumta letrare nëpër Evropë.
Është e natyrshme, normale.
Keni filluar të shkruani edhe skenare?
Kam shkruar disa skenarë. Njëri prej tyre do të
fillojë të xhirohet, besoj pas fare pak kohe. Bazohet
mbi romanin tim "Yjet nuk vishen kështu". Aktorët
do të jenë shqiptarë, pjesa dërrmuese, regjisori
gjithashtu: bëhet fjalë për regjisorin Fatmir
Koçi. Produksioni është ndërkombëtar.
Gjithçka është thuajse në përfundim
e sipër, përsa i përket procesit shkrues. Një
tjetër skenar i imi realizohet gjysmën e dytë
të vitit që vjen, mes Zvicres e Francës. Është
një projekt delikat, mbi të cilin më duhet të
punoj ende, sapo te gjej pak kohë.
Cili është, sipas jush, problemi më
i madh që ka letërsia sot? Po kultura, në përgjithësi?
Kjo është një pyetje që do të vlente
një shkrim të gjithin më vete, pasi kështu
rrezikohet të thuhen gjërat perciptas e të cunguara.
Kultura sot vuan nga komercializimi, nga cektësia, nga
zbrazëtia. Pushteti i gjithfuqishëm i konsumit e konsumizmit,
konsorciumet dhe konglomeratet financiare, kultura e së
përkohshmes, kalimtares, po e vret kulturën e mirëfilltë,
po e shtrëngon në një qoshe, po ia merr frymën.
Kultura, sa më shumë e shkon koha po kthehet në
një vlerë elitare për pak njerëz kokëfortë
me mendje të ndriçuar. Pjesa tjetër bluan vetëm
kulturë "trash". Kjo vlen dhe për letërsinë.
Mëkat. Një mëkat shumë i madh. Shpresoj
shumë që Perëndimi të dijë të
"tërheqë frenin" e të verë sërish
në vend disa vlera që duhet të mbeten përjetësisht
të shenjta.
Cila është jeta e Elvires ne Zvicer, si ndiheni
si shqiptare?
Është një jetë normale: me familjen time,
me dy fëmijët e tim shoq. Familja është
porti im, pika më e vyer dhe më e paprekshme. Pastaj,
vetëm më pas, vijnë të tjerat. Vjen shumë
punë. Shumë udhëtime. Një jetë interesante
për të cilen ndihem fatlume. Si shqiptare ndihem shumë
mirë në Zvicër e gjetkë. Sepse jam shkrimtarja,
si rrjedhojë jam e respektuar, me një peshë e
realizim vetjak e shoqëror. Por nuk është kështu
për gjithë shqiptarët, gjë që ju e
dini fare mirë. Është e natyrshme që një
shkrimtar i njohur të respektohet për atë që
është. Por shumë shqiptarë "njollosen",
thjesht sepse janë shqiptarë, pavarësisht se
janë njerëz të ndershëm. Paragjykimi është
tejet kokëfort e nuk vdes lehtë.