Në shtëpinë e shkrimtarit që rrëfen
përpjekjet për të shkruar librin e vet më
të vështirë, aty ku do të flasë për
veten
DRITËRO AGOLLI: “AUTOBIOGRAFIA IME”
Shkrimtari ka nisur të rrëmojë në kujtimet,
shënimet e fletët e ditarit për të shkruar
librin e jetës së tij
Dritëro Agolli ka nisur të shkruajë të vërtetat
e jetës së vet. Një libër autobiografik ku
do të rrëfehet. Këtë vendim e ka marrë
prej më shumë se dhjetë vjetësh, por përgatitjet
për të nisën pesë vjet të shkuara dhe
vazhdojnë ende. Dhjetëra fletorka, blloqe shënimesh,
albume fotografish, artikuj shtypi, fletë ditari... Në
arkivin e shtëpisë së tij ka filluar prej kohësh
rrëmimi për dokumente dhe shënime. Korrespondenca
intime me Sadijen, impresionet dhe suveniret e periudhës
së studimeve në Rusi... Nga dhjetëra albume fotografish,
që i ka sistemuar të gjitha vetë në bibliotekën
e dhomës së gjumit, tek dosjet e trasha plot me shënime
nga periudha të ndryshme të jetës, i duhet t’i
lexojë edhe një herë të gjitha dhe të
rrëmojë për ato interesantet, duke ngjallur boll
kujtime prej të tjerave. Por jo vetëm aty, në arkivën
e shtëpisë. Një pjesë e rëndësishme
e shënimeve kanë mbijetuar nga arkivat e gazetës
“Zëri i Popullit” ku shkrimtari pati punuar për
15 vjet. Por arkivi më i rëndësishëm për
librin autobiografik që sapo ka nisur është kujtesa
e tij. Kështu thotë ai vetë. “Por më
shumë, mua m’i sjell ndër mend ngjarjet kujtesa.
Pse i vë rëndësi kujtesës? “Sepse ato
gjëra që i kam harruar, nuk kanë qenë të
rëndësishme dhe rreth atyre që më kanë
mbetur në mendje është më mirë të
flas. Më ka mbetur në mend, për shembull, një
detaj që e kam si lajtmotiv: lumi i fshatit. Ai gjithnjë
më gurgullon në vesh, edhe në ëndërr
më del. Edhe kur jam jashtë, mua nuk më del në
ëndërr Misisipi apo të tjerë lumenj, po lumi
i Devollit, ay më gurgullon gjithnjë. Kjo është
një gjë e rëndësishme që më kam
mbetur në mendje që nga fëmijëria, sepse rreth
atij lumi jam rritur”, - na tregon Dritëroi. Pra gjithçka
në autobiografinë e shkrimtarit ka për të
zënë fill me fshatin Menkulas të Devollit, ku edhe
ka lindur. Autobiografia që ende nuk dihet sa voluminoze
do të jetë dhe kur do të ketë mbaruar, siç
na thotë shkrimtari ka për të qenë e plotë
dhe do të përfshijë të gjitha etapat e jetës
së tij. Njerëzit që ka takuar e që i kanë
lënë mbresa, vendet ku ka shkelur, letërsia, politika...
Veçse ka vendosur të mos i japë rrjedhë
kronologjike asaj. Ndonjëherë mendon ta shkruajë
fare thjeshtë, me një stil të lirë, por ende
nuk e ka përcaktuar linjën përfundimtare, edhe
një skicë që kishte përpiluar, tani e ka hedhur
poshtë dhe është akoma në kërkim. “Një
herë e pati vendosur edhe titullin, por pastaj hoqi dorë
prej tij”, - na thotë Sadija, bashkëshortja.
Vështirësitë
Si rrallë ndonjëherë, edhe një shkrimtar i
madh si Dritëro Agolli është vënë në
vështirësi për të shkruar një libër,
sepse kësaj radhe do të thotë të vërtetën
e vet aty. Ja si e shpjegon ai njërën prej vështirësive
të tij: “Këto lloj librash janë tepër
të vështira, duhet të jesh sa më i vërtetë,
siç e thonë me një fjalë të huaj, të
jesh sa më objektiv, me një fjalë të mos gënjesh
dhe të mos e redaktosh biografinë tënde. Unë
nuk kam dëshirë që të redaktoj jetën,
jeta nuk redaktohet, ajo është jetuar ashtu dhe ashtu
mbetet. Redaktoje sa të duash ti, rregulloje, e vërteta
do të dalë një ditë në dritë dhe
atëherë edhe pse nuk do të jesh në jetë,
mund që miqve të tu, t’u vijë turp; shiko
si paska gënjyer ky njeri, do të thonë”.
Ai shton se duke lexuar disa libra të kujtimeve të njerëzve
që njeh, sheh se një pjesë e madhe e tyre nuk janë
të vërteta, prandaj thotë se i ruhet kësaj.
“Që të mos thotë ndonjë kolegu im që
kjo nuk është e vërtetë siç them unë
tani për disa libra që lexoj, sidomos kur lexoj që
shkruajnë për kohën e komunizmit, qoftë edhe
për të fashizmit dhe nuk i thonë të vërtetat
siç janë. Është fatkeqësi kur nuk i
thotë një shkrimtar të vërtetat dhe mundohet
të redaktojë jetën siç thashë. Jeta
jetohet dhe mbaroi. A e redakton dot 60 -vjetorin? Këtë
merak kam unë, që të mos redaktohet jeta”.
Por nuk është i vetmi shqetësim i Dritëro
Agollit për të shkruar autobiografinë e vet. Ai
thotë se “Për ne shkrimtarët shqiptarë
është e vështirë të shkruash një
autobiografi dhe ndryshe është për shkrimtarët
e mëdhenj të botës që janë edhe të
pasur shumë. Ata kanë një sekretari të tërë,
kanë njerëz që merren me grumbullimin e shtypit,
ia presin artikujt, ia bëjnë gati, e regjistrojnë
në manjetofon, zbardhin gjithçka dhe ai i redakton...
është më e lehtë për ta. Ne duhet t’i
bëjmë vetë gjithçka nga fillimi, jemi si
në kohën e shkrimtarëve të shekullit XIX.
Nga kjo anë është e zorshme të shkruash vetëbiografinë”.
Por ai ka patur edhe vështirësi të tjera. “Meqënëse
kam patur kohët e fundit sëmurë mushkëritë,
kjo më pengoi, më dembelosi, u bëra më përtac
dhe më ndërpreu punën. Sëmundja më shkëputi
nga të shkruarit. Tani do të pres... ngjet si me një
makinë që pret t’i ngrohet motori, që të
fillojë të punojë, ose si televizori që duhet
të nxehet pak që të dalë figura, edhe unë
po pres të ngrohem që të më dalë figura.
Mendoj se mund ta shkruaj këtë libër, po në
qoftë se njeriut i del një e papritur, siç thotë
populli i bie një damlla, atëherë nuk ka çfarë
bën....” Dhe shton se “në këto kohë
sa jam shëndoshë mendoj ta shkruaj librin, por ndonjëherë
bëj edhe punë paralele, për t’u zbavitur,
ose lexoj, përkthej ndonjë vjershë, shkruaj ndonjë
tregim”.
Copëra kujtimesh
Nga Shkodra në Gjirokastër, shënimet që ka
mbajtur si gazetar dhe që i ruan në dosje të posaçme,
tani me shumë kujdes, pasi ua di mirë vlerën, janë
për të një arkiv i vërtetë kujtese për
ngjarjet, njerëzit dhe vendet që ka parë në
atë kohë, duke filluar nga 1957 kur nis punën si
gazetar tek “Zëri i Popullit”. Shumë shënime
nga krahina e Matit, të cilën thotë se e ka vizituar
shumë, personazhe dhe miq që ka takuar atje, tregime
interesante, në këtë fazë të përzgjedhjes,
gjithçka i hyn në punë shkrimtarit. Por më
shumë vend në libër do të gjejë, pa dyshim,
vendlindja. “Nuk më harrohen shtëpitë e fshatit.
Ato unë i njihja të kujt ishin që me erën.
Kjo shtëpi bie erë qepë, ata e kishin qejf qepën.
Ata të tjerët pinin raki kumbulle dhe prandaj shtëpia
e tyre binte këtë erë. Kjo shtëpi bie erë
kafe, njerëzit e asaj shtëpie pinin kafe dhe unë
i njihja. Shtëpia që binte erë kafe ishte e Batos,
ata kishin një dyqan në fshat që në kohën
e Zogut, tregtonin kafe. Kjo shtëpi bie erë hudhra se
banorët e saj kishin qejf të hanin hudhra. Nga kjo anë,
me nuhatjen si një langua, unë i njihja shtëpitë
dhe jetën e tyre. Me një fjalë, në librat
autobiografikë, duke vënë edhe detaje të tilla,
elementë të jetës së përditshme, ato
bëhen të vërtetë dhe interesantë. Kështu
mendoj, se po të flasësh që unë kam qenë
i zoti, unë kam qenë trim i madh, gjatë fëmijërisë
ziheshim dhe unë i mundja të gjithë, të gënjesh
pra kështu, këto gjëra nuk kanë asnjë
vlerë”, - rrëfen shkrimtari.
Proces
Në atelienë e Dritëro Agollit
As kompjuter, as makinë shkrimi. Zakonisht ai shkruan me
dorë dhe kjo mënyrë i duket më e përshtatshme.
Nuk mbyllet në studio. Librat e tij lindin në sallonin
e pritjes, aty ku nuk rreshtin vizitat që nga mëngjesi
deri në mbrëmje. Por koha e tij e të shkruarit
është natën vonë, kur në shtëpinë
e madhe bie qetësia. Dritëroi ulet në divan dhe
mbështet dyert në tryezën e madhe rrumbullake,
nxjerr fletoren më të rehatshme për të shkruar
dhe nis nga puna. Do të kishte preferuar që librat të
botoheshin si dorëshkrime, që të ishin sa më
të vërteta dhe thotë: “Që kur dolli
Gutenbergu, kur filluan të shtypen librat, filloi të
humbë pak ana reale. Tani libri do të kalojë nëpër
duar redaktorësh, korrektorësh dhe nuk do të mbajë
erë bojë. Një dorëshkrim është shumë
më i vërtetë. Dikush tjetër para meje e ka
thënë se që kur doli Gutenbergu, humbi e vërteta.
Unë shkruaj me dorë, me makinë shkrimi shkruaj
gjëra të thjeshta, ndonjë artikull por jo krijimtari
dhe shumë shokë të mi bëjnë kështu.
Rrëfimi
Si vendosa ta shkruaj librin?
“Nga fundi i viteve 60 të jetës sime, pas moshës
60 e ca vjeçare, mendova të shkruaja një libër
për jetën time, për vendet ku kam jetuar, për
raportin me njerëzit e afërmit e mi, që kur kam
filluar të mendoj i pavarur, kur kam qenë në ndërgjegje,
me një fjalë që kur mbaj mend. Për marrëdhëniet
me shokët, me miqtë, me gjithçka që është
e shtrenjtë për njerinë, që kur fillova të
shkruaj, çfarë rruge kam bërë gjatë
jetës sime, për shkrimtarët, kritikat e mia dhe
të kritikuarin, unë vetë, pikëpamjet e mia
për jetën, fillozofinë, politikën... Përpara
moshës 60 -vjeçare nuk kam menduar të shkruaj
një libër të tillë. Mendoj se pas kësaj
moshe, si ta shohë edhe gjendjen shëndetësore,
njeriu mund të shkruajë një libër, vetëm
atëherë ai pothuajse e ka kryer më shumë se
treçerekun e jetës së tij dhe ka se ç’kujton.
Jeta e tij është e pasur. Po grumbulloj materiale prej
5-6 vjetësh. Shënimet e mia që kam pasur gjatë
jetës, kam mbajtur shumë fletorka për krahina të
ndryshme ku kam shkuar dhe kam jetuar, që nga Shkodra deri
në Gjirokastër. Janë shënime për njerëzit,
si biçim ditari. Kam një fat, sepse kam shkruar shumë
artikuj nëpër gazeta dhe ato më kujtojnë jetën,
pavarësisht që unë i kam botuar dhe mund të
mos jenë plotësisht të vërteta. Gjatë
këtyre 12 vjetëve unë kam shkruar shumë artikuj
nëpër gazeta dhe ato më kujtojnë gjithë
zhvillimet demokratike të vendit tonë, kështu edhe
duke i shfletuar ato, shënimet apo të botuarat, ato
më kujtojnë një jetë. Në këtë
fazë që jam, merrem edhe me vogëlsira, blej fletore
të trasha, me format të vogël dhe pastaj them se
dua të gjej një tjetër më të madhe që
të shkruaj më rehat. Pata bërë edhe një
skicë. Lufta më e madhe që bën një shkrimtar,
është lufta kundër dembelizmit. Një ndër
shkrimtarët e mëdhenj italianë të shekullit
të shkuar, për të luftuar dembelizmin e detyronte
të ëmën që ta lidhte për karrigeje me
rripa që të detyrohej të shkruante”.