|
’’Aventura’’ italiano-shqiptare
që përfundoi në altar
ILIRI:''Kur jam i ftuar nëpër diskoteka, shikoj që
shqiptarët tashmë kanë nisur të bëhen pjesë
e diskotekave dhe të mos e mbajnë më kokën ulur.
Dalin me flamur në dorë dhe me bluza kuq e zi. Ky është
sodisfaksioni më i madh që shqiptari mund të ketë.''
EMANUELA:''Gjatë martesës kemi përdorur disa tradita
shqiptare si djegien e shamisë, apo hedhjen e parave në
këmbët e nuses.''
Të dy janë të bukur, janë në kulmin e
karrierës dhe prej tetë muajsh janë dhe të martuar.
Një dasëm, për të cilën u fol shumë
në median italiane, aty ku suksesi i tyre është shumë
i madh dhe i përfolur. Gjatë ceremonisë, nusja ka
dashur që të kryhen dhe disa rite shqiptare dasmash. Kështu
kanë djegur shaminë e beqarit dhe i kanë hedhur lekë
këmbëve. Iliri, është një nga balerinët
më të kërkuar në Itali dhe gruaja e tij një
aktore shumë e talentuar. Vijnë për herë të
parë në Shqipëri të dy bashkë pas këtij
evenimenti dhe flasin për revistën tonë.
Ilir Shaqiri
“Nuk është e lehtë të tregosh historinë
e jetës tënde” thotë Iliri. Kam lindur në
12 prill të 1973-it në Tiranë dhe jam fëmijë
arti i dy balerinëve të parë të teatrit të
Operas së këtij qyteti. Dy artistë të mëdhenj
plot me dashuri dhe mbrojtje ndaj meje. E shikoj si tani para syve
mamanë time, që për të mos më lënë
vetëm, më merrte me vete në provat e gjata, para
përgatitjes së spektakleve. Isha vetëm 5-6 vjeç
dhe mrekullohesha ndërsa e shihja duke “fluturuar”
në majë të gishtave. Kujtoj një muzikë
të mrekullueshme…drita me mijëra ngjyra…dhe
akoma ndjej ato aromat e përziera të tonit që është
një nga karakteristikat e gjithë teatrove të botës”.
- Thuhet se në sezonin e ri artistik të Tob-it ju do
të merrni pjesë si balerin në baletin “Halili
dhe Hajrija”. Apo është thjesht një thashethem?
- Nuk di nga e keni marrë vesh ju, sepse në fakt ka qenë
një bisedë private, në kafe me balet maestrin Agron
Aliaj. U takuam në teatër. Të gjithë balerinët
kudo ku janë, kanë një afeksion të madh, sepse
ai është mësuesi ynë, na ka rritur dhe na ka
mësuar rolet më të rëndësishme të
jetës sonë. Ai sa herë që vijmë në
Shqipëri, na ngacmon që të marrim pjesë në
spektaklet shqiptare, për të dhënë kontributin
tonë edhe këtu. Ai më tha se këtë shfaqje
do e vinte në skenë nën një këndvështrim
të ri nga ana artistike. Me thënë të drejtën
të kërcesh në vendin tënd është një
kënaqësi e madhe. Më propozoi të luaja rolin
e Mustës tek “Halili dhe Hajrija” dhe nëse
unë do kem mundësi të kombinohem me impenjimet e
mia në Itali, patjetër që do e pranoj me kënaqësi
rolin e Bektash agës.
- Cili është kalendari yt artistik për këtë
vit?
- Gjatë këtyre dy muajve do jem në turne në
të gjithë Italinë, si i ftuar në juri në
shumë konkurse ndërkombëtare nëpër Itali,
si dhe në shumë steixhe baleti. Më pas me nisjen
e spektaklit “Amici” të Maria de Filipit, do jem
si balerin i trupës. Mendoj se gjatë këtij viti nuk
do marr pjesë në trupën e “Buona domenica”
sepse është një punë e stëmundimshme për
mua dhe nuk mund t’i përballoj të dy spektaklet.
Edhe vjet unë e lashë “Buona domenica” në
mars, ndërkohë që spektakli mbaronte në maj.
- Si janë marëdhëniet tuaja me balerinët e
tjerë shqiptarë?
- Me Kledin kam marëdhënie shumë të mira pune
dhe shoqërore. Gjithashtu dhe me Ambetën. Ka dhe disa
balerinë të rinj emergjentë të moshave të
reja 22 vjeçare. Ato në të ardhmen do bëjnë
emër dhe kjo është gjëja më pozitive që
ndodh si fenomen sot në Itali. Emri shqiptar sot për sot
në Itali do të thotë danza.
- Shumë shqiptarë janë të detyruar të
mbijetojnë në emigracion. Si ju shohin ata?
- Ka reagim pozitiv. Kur jam i ftuar nëpër diskoteka,
shikoj që shqiptarët tashmë kanë nisur të
bëhen pjesë e diskotekave dhe të mos e mbajnë
më kokën ulur. Dalin me flamur në dorë dhe me
bluza kuq e zi. Ky është sodisfaksioni më i madh
që shqiptari mund të ketë. Nuk jemi të njohur
në Hollandë, Angli, Francë, por në Itali gjithë
shqiptarët na njohin dhe na respektojnë shumë.
- Si e ndjeni veten sot me këtë popullaritet?
- Unë se kam menduar kurrë që do arrija një
popullaritet kaq të madh për shqiptarët dhe italianët.
Është një gjë shumë e re, e veçantë
dhe kënaqësi shumë e madhe. Kur je profesionist,
shikon që ke bërë diçka për veten, është
gjë e madhe, pastaj kupton që ke bërë diçka
edhe për të tjerët. Është dyfish sodisfaksion.
- Të është rritur mendja?
- Nuk ka kuptim mëndjemadhësia. Unë jam i bindur
që ky moment siç ka ardhur dhe do ikë. Nuk do jetë
i përhershëm. Sigurisht do më vijë keq që
në një të ardhme nuk do kem këtë popullaritet
që kam sot, por është diçka normale, i përket
kohës, jetës, zhvillimit të njeriut. Por siç
ndodh me partizanët që kujtojnë kohën e luftës,
do kujtojmë dhe ne vitet e suksesit.
- Je duke u përgatitur ndërkohë për diçka
tjetër?
- Ëndrra ime është që në një të
ardhme, nga balerin të bëhem koreograf. Gjatë këtyre
ditëve kam takuar dhe z.Zhani Ciko, me të cilin njihem
prej kohësh dhe ai më propozoi që nëse do kisha
dëshirë të regjistroja diçka të re moderne
në Shqipëri, do kisha mbështetjen e tij. Dhe publiku
do më shihte në një version tjetër. Nuk e di
nëse do marrë këtë drejtim. Dëshira ime
është që të kërcej sa më shumë
të jetë e mundur, por jeta e balerinit ashtu si ajo e
sportistit mund të zgjasë deri në moshën 37-38
vjeçare.
- A është i mundimshëm ky profesion?
- Shumë. Unë mbas dy vjetësh po bëj pushimet
e para. Dhe zgjodha Shqipërinë për tu qetësuar
komplet. Mua më ka ndodhur që brenda një dite të
ndrroj katër aviona. Kërkesa për ne ka qenë
e madhe dhe kemi shfrytëzuar momentin. Po ka shumë mundime,
edhe pse në fund sodisfaksioni është shumë i
madh.
- Sa keni ndryshuar si balerin në Itali?

Emanuela Morini
|
- Shumë. Në radhë të parë kam ndërruar
zhanrin. Në Shqipëri kam kërcyer vetëm baletin
klasik. Më pas mora një specializim për të punuar
në Maqedoni dhe aty njoha baletin kontemporean dhe luajta “Karlina
Buriana”, “Pink Floyd” etj. Pastaj në Itali
ishin komplet zhanre të tjera si hiphop, funky, xhaz, që
në Shqipëri nuk i njihnim sepse ishim të kufizuar.
Por ky kufizim ne na ndihmoi shumë sepse punuam në baletin
klasik gjithë kohën dhe ky është drejtimi primar
për një balerin. Rezultatet që patëm me të
i zhvilluam më pas në baletin modern.
- Kush janë personazhet e spektaklit që ju kanë
ndihmuar më shumë?
- Në Itali një meritë të jashtëzakonshme
ka Maurizio Kostanzo, i cili me shumë dashamirësi na futi
në trupën e tij dhe na vlerësoi për atë
që ne dinim të bënim. Ai foli me dashamirësi
për ne si balerinë, dhe për shqiptarët në
përgjithësi. Kjo qe ngjarje e jashtëzakonshme. Koncepti
për ne nisi të ndryshonte. Më pas këtë
gjë bëri edhe zonja Filippi, një grua që i ka
shumë për zemër shqiptarët dhe që ka bërë
shumë për ta, në shumë aspekte të jetës.
Edhe pas quintave ka shumë shqiptarë. Kur hyn në
Cinnecitta të duket sikur je në Kinostudio, sepse flitet
shqip dhe italisht.
- Flitet nëpër kronikat rozë të gazetave dhe
rëvistave që mes Kledi Kadiut dhe Maria de Filipit mund
të ketë një histori dashurie. Ka ndonjë gjë
të vërtetë në këto që thuhen?
- Absolutisht jo. Janë thashetheme që lindin si fjala
vjen: Jerry Skotti me Paola Baralen e për shumë konduktorë
të tjerë. Italianët për thashetheme janë
më keq se shqiptarët. Ajo, simpati ka patur për Kledin,
për mua, një simpati të jashtëzakonshme për
Ambetën dhe sivjet do ketë dhe për Leoncinon që
do jetë konkurues shqiptar këtë vit. Është
thjesht një simpati që zonja De Filippi ka për shqiptarët.
- Si i keni patur raportet me femrat italiane?
- Shumë të mira, për arsye se ne shqiptarët
jemi pak allasoj, siç i thonë fjalës, dhe dimë
t’i vërtisim gurët mirë. Puna më ka ndihmuar
të takoj vajza italiane të një farë kulture,
targeti e bukurie dhe me to jam sjellë shumë mirë.
Emrin shqiptar e kam nderuar më së miri.
- Ndërkohë këtë vit për ju ka ndodhur
një ndryshim shumë i madh. Jeni martuar prej 8 muajsh.
Më flisni pak për këtë martesë?
- Martesa është evenimenti i jetës time dhe një
hap shumë i rëndësishëm. Zonjëza ime, quhet
Emanuela Morini, është aktore dhe fotomodele. E kam takuar
gjatë një transmetimi televiziv, “La sai ultima“
me Natalia Estradën dhe Gigi Sabanin dhe ajo ishte një
nga vajzat e spektaklit. U pamë aty dhe u dashuruam menjëherë
në një goditje rrufeje dypalëshe.
- Çfarë keni ruajtur ju nga traditat shqiptare?
- Ne kemi 12 vjet që kemi njohur perëndimin dhe botën.
Por dhe tridhjetë e më shumë vite të kalojnë,
atë që e kemi në gjak ne shqiptarët nuk e ndërrojmë.
Burri është burrë dhe gruaja grua. Këto pa diskutim
egzistojnë dhe në familjen time.
- A i është përshtatur Emanuela këtyre parimeve?
- Po, i është përshtatur shumë mirë. Ajo
vjen nga Verona dhe janë një familje me tradita të
forta dhe me baza të shëndosha familjare. Kemi një
raport të ngritur mbi respektin.
- Do jetë një lidhje e përjetshme?
- Uroj që po.
- Na trego diçka të veçantë nga dasma juaj?
- Ajo ishte një dasmë e vogël me pak njerëz,
ato më të afërmit. I vetmi mik i jashtëm ishte
Kledi. Një drekë e thjeshtë afër Cinecittas,
për punë kohe. Nga dasma ika direkt në punë.
Jemi martuar në 30 dhjetor, të nesërmen u nisëm
për në Budapest dhe me datë 2 janar përsëri
dancing.
- Ardhja e ndonjë fëmije...?
- Tani për tani është një argument i mbyllur.
Nëse vjen, mirë se të vijë, por tani për
tani asnjë plan.
- Përveç baletit dhe Emanuelës me çfarë
merresh tjetër?
- Më pëlqen shumë peshkimi. Që 5 vjeç
jam i uritur për këtë sport. Mezi pres momentin tani
që kam ardhur, të marr babin dhe të shkojmë
në Divjakë ose në Velipojë për të
peshkuar. Ndër motivet e ardhjes sime ka qenë dhe peshkimi.
- Si të është dukur Shqipëria këtë
radhë?
- Unë në këto 12 vjet kam ardhur në Shqipëri
vetëm tre herë në intervale katërvjeçare.
Kur vajtëm në Durrës, i tregoja Emanuelës që
Shqipëria ka shumë ndryshim dhe meritat kanë qenë
të shumë personave. Nuk më intereson politika, por
mendoj se çdo parti që ka ardhur në pushtet, një
gur sado të vogël për ndërtimin e Shqipërisë
e ka vënë. Mund të ishte bërë dhe më
shumë. Po aq larg sa kam qenë nga vendi im, shikoj një
ndryshim të jashtëzakonshëm. Ka ndryshuar dhe kultura
e shqiptarëve. Gjenerata po evoluon dhe rinia po hipën
në fuqi. Tirana ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë.
- E ardhmja juaj do jetë në Itali apo në Shqipëri?
- Shpresoj të jetë në Itali. Të paktën
kjo koha e punës dhe e karrierës. Pleqëria këtu.
Do vij dhe do luaj ndoshta domino tek parku “Rinia”.
- Si është jeta juaj e përditshme. A është
e vështirë të kalosh ambiciet dhe të durosh
ambientin e huaj?
- Vitet e para me “Korridën” e Korrados kanë
qenë të vështira shumë për mua. Unë
isha 19 vjeç dhe balerinët italianë nuk më
shihnin dot kur unë kërceja më shumë se ata,
rrotullohesha më shumë se ata. Arrinin të më
mënjanonin. Tani që fama është, zotësia
gjithashtu, kanë një lloj respekti dhe nuk e ndjej konkurencën.
Ndjej vetëm dashamirësi. Edhe pse e di që do mbarojë
dhe kjo.
- Je xheloz ndaj Emanuelës?
- Jam si jo.
- Si italianët apo si shqiptarët?
- Pak e pak. Nga të dyja.
- Çfarë të pëlqen më shumë nga
Emanuela?
- Sytë dhe ëmbëlsia e saj.
- Në shtëpi është e zonja?
- Po është një shtëpiake e shkëlqyer.
Emanuela Morini
- Le të flasim pak për karrierën tuaj. Kur e keni
filluar?
- Unë kam filluar dhjetë vjet më parë. Kam nisur
të punoj si modele. Më pas lindi dëshira për
të recituar. Kam bërë 6 vjet akademinë e artit
dhe kam nisur të marr pjesë në disa filma duke vazhduar
në të njëjtën kohë karrierën e modeles.
Kam marrë pjesë në miss Italia duke dalë në
finale. Kam punuar për një vit në Soap operan “Vivere”
në rolin e Anxhelika Altierit. Mendoj se gjatë këtij
viti do marr pjesë në një muzikal, dhe do më
pëlqente që të përqëndrohesha drejt teatrit,
duke lënë pak mënjanë televizionin. Në
shtator do nisë një pjesë teatrale me Pino Insenjon
.
- Si je njohur me Ilirin ?
- Gjatë një transmetimi në 2000. Unë isha valetë
dhe ai balerin. Që atëherë nuk jemi ndarë më.
Më kujtohet që ai nuk fliste shumë. Natën e
parë ma ka marrë mendjen duke kërcyer. Unë kam
studiuar dhjetë vjet balet dhe e kam në gjak. Më
pas kam patur një problem në gju dhe e kam lënë,
por është një nga pasionet e jetës sime.
- Çfarë të pëlqen më shumë nga
ai?
- Gjithçka.
- Ka difekte?
- Po, po difekte ka plot. Është shumë kokëderr
dhe kjo më “irriton”. Nëse ndodh diçka
mes ne të dyve, ai flet pa mbarim dhe nuk të lë që
të thuash dhe ti versionin tënd të fakteve. Flet
aq shumë sa t’i nuk ja del dot t’i vihesh mes tij
dhe fjalëve. Por unë jam tip që e ngre zërin
akoma dhe më shumë se ai. E bëj me zor të më
dëgjojë.
- Nuk është se ndonjëherë ndërhyn policia…
- Jo jo. Ai është një person shumë i edukuar
dhe i mrekullueshëm. Por ky difekt nuk është se më
rëndon shumë. Një difekt tjetër është
se ai është shumë krenar. Dhe në një raport
çifti nuk duhet të egzistojë krenaria, sepse nëse
do vëmë krenarinë të dy, nuk i del fundi kësaj
pune dhe pastaj ndodh që largohesh. Unë jam e bindur njëmijë
përqind që ai e ka gabim dhe qetësoj situatën
duke patur të drejtë. Por më shumë se dhjetë
minuta nuk ja dalim dot të rrimë në atë gjendjen
e grindjes.
- Çfarë kujtoni nga martesa?
- Më kujtohet që nuk kuptoja asgjë. Unë isha
me vonesë dhe ai po më priste. Taksisti që vraponte
nëpër rrugët e Romës. Isha kapur në mbajtëset
e makinës sepse kisha shumë frikë. Ai më thërriste
i shqetësuar, sepse njerzit po prisnin.
- Mos kishte pak frikë?
- Sipas meje po. Sepse nëse nuk shkoja atë ditë,
nuk martohesha më me të. Qesh…Por ka qenë një
ditë shumë e bukur, frenetike dhe shumë e shpejtë,
kaq e shpejtë sa ndonjëherë kam dëshirë
t’i rikthehem dhe ta përsëris. Ndoshta e përsërisim
me një ceremoni në kishë. Kur të arrijnë
fëmijët.
- Sa vjeç je ?
- 25.
- Mos ka qenë pak shpejt për tu martuar ?
- Ndoshta po. Por ishte gjëja e vetme që unë doja
ta bëja. E dëshiroja shumë. Që në fillim
të njohjes me të, e kam ndjerë këtë dëshirë.
Diçka që nuk më ka ndodhur më parë. Jam
martuar 24 vjeç dhe mendoj se është mosha e duhur.
- Çfarë të thonë mikeshat e tua për
të?
- Janë të gjitha të dashuruara me Ilirin tim.
- Jeni xheloze ndaj tij?
- Jam xheloze goxha. Përpiqem ta mbaj brenda xhelozinë,
por shpesh më del jashtë. Është i bukur, i rrethuar
nga vajza shumë të bukura, të zgjuara që kanë
gjithnjë një lidhje të veçantë artistike
gjatë baletit. Pastaj, ka dhe njerëz shumë të
çuditshëm në ditët e sotme që bëjnë
gjithçka për të fituar një puthje. Më
vret mungesa e respektit që kanë ndaj njeriut që
ai ka pranë. E përqafojnë, e shtrëngojnë
sikur unë të mos jem afër tij. Por dhe kjo bën
pjesë në lojën e artistit. Shyqyr që egzistojnë
fansat!
- Po ai a është xheloz ndaj fansëve të tu?
- Unë e di që ai do ketë thënë jo, por
është xheloz dhe ai. Është xheloz ndaj punës
time. Dhe është normale, kur sheh gruan tënde në
kontakt me persona të tjerë, pak xhelozi del jashtë.
- Ke patur probleme që je dashuruar me një shqiptar?
- Unë, absolutisht jo. Por personat e tjerë ma përballnin.
Më kujtohet që njëherë gati jam zënë
sepse më pyeti dikush: “Je martuar me një shqiptar!”.
– Po, i them unë. “Oh e varfra ti!” më
thotë personi. Po kjo ndodhte në kohët e para. Tani
ka ndryshuar shumë opinioni ndaj shqiptarëve, falë
dhe këtyre balerinëve të cilët artistikisht
ja kanë kaluar dhe shumë italianëve. Por unë
nuk kam probleme sepse jam dashuruar me të jo sepse është
shqiptar, apo italian. Jam dashuruar me të dhe nuk ka rëndësi
nacionaliteti. Bile mund të them se falë atyre gjërave
që ai ka fituar në Shqipëri unë kam zgjedhur
atë njeri.
- Është e para herë që vini në Shqipëri?
- Po më së fundi më ka sjellë. Ishte një
dëshirë e vjetër e imja të vija në Shqipëri
për të njohur vendin ku Iliri im është rritur,
ku ka luajtur, ku ka mësuar.
- Si të duket Shqipëria?
- Ka gjëra dhe pozitive dhe negative. Nga ato që kam parë
në televizion mendoja se do gjeja një vend shumë
të shkatërruar. Por shoh shumë ndryshime. Shqipëria
është në ndërtim dhe kjo është një
gjë pozitive. Jam duke u dashuruar me kuzhinën shqiptare.
Më pëlqejnë shumë akulloret që janë
shumë më të mira këtu se ato italianet. Më
pëlqen byreku. Jam duke ngrënë dhe duke u shëndoshur.
Vjerra ime, Mukadez, gatuan me të vërtetë shumë
mirë.
Nuk më pëlqen trafiku. Këtu nuk ka një edukim
rrugor, veçanërisht nga shoferët të cilët
nuk kanë respekt për kalimtarët. Duhet të fluturosh
nga një trotuar në tjetrin dhe ke gjithnjë frikën
që ndonjë makinë mund të të marrë
me vete.
- Ju pëlqen të merreni me shtëpinë?
- Kur jam në shtëpi merrem goxha. Edhe pse unë kam
impenjime të shumta. Shpesh ne gatuajmë të dy. Mua
më dalin shumë të mira pjatat e para, ndërsa
ai të dytat. Iliri ha gjithçka, dhe mua më duket
ndonjëherë si kanibal. Ia vlen të gatuash për
të.
- Ju më duket se jeni gjithnjë në dietë ?
- Jo. Unë nuk kam mbajtur asnjëherë dietë. Thjesht
jam më nazelie dhe ha pak. Ai ha gjithçka dhe është
llupës. Do ju tregoj një shaka që më ka bërë
disa vite më parë, dhe arsyen pse unë e quaj kanibal.
Kishte përpara një pjatë me një peshk të
madh, spigël. Pasi hoqi halat, dhe pjesët e mira, u ul
të hante kokën e peshkut. Gëlltiti dhe sytë.
Mbajti pupilën e syrit pesë minuta nën gjuhë
dhe më thotë: “E dashur më jep një të
puthur!”. Unë ja jap këtë puthje dhe ai më
kalon pupilën e syrit në gojë. Unë sapo e kuptova
seç ishte, desha ta vrisja. Kjo ka qenë e para herë
që kam dashur ta vras, ju betohem! Ai më bën shumë
shaka të tilla, dhe unë bie gjithnjë brenda. Por
është djalë i mirë.
- Traditat shqiptare si ju duken?
- Unë akoma nuk kam rënë në kontakt shumë
me to. Gjatë martesës kemi përdorur disa tradita
shqiptare si djegien e shamisë, apo hedhjen e parave në
këmbët e nuses. Por nuk i njoh akoma mirë për
t’i gjykuar. Megjithatë jam goditur pozitivisht nga Shqipëria.
Më pëlqeu shumë Piaza, Muzeu kombëtar. Mbas
disa vjetësh Shqipëria do jetë perfekte.
- Fëmijët…?
- Mua më pëlqejnë fëmijët. Por nuk është
momenti tani. Kur të na i sjellë Zoti.
- Mendoni në fillim për karrierën?
- Jo. Më pëlqen të kënaq jetën time private
dhe pastaj punën.
- Çfarë jeni duke studiuar tani?
- Jam duke bërë një degë të psikologjisë,
për edukuese komuniteti. Tani jam duke bërë praktikë
në një komunitet fëmijësh minorenë, të
cilët kanë patur probleme me ligjin, apo dhe fëmijë
që nuk kanë shtëpi. Diplomohem mbas një viti.
Aty ka dhe 5 fëmijë shqiptarë të cilët
kanë familjen në Shqipëri. Katër prej tyre punojnë
dhe jetojnë pranë këtij komuniteti. Është
dhe një djalë 15 vjeç që ka bërë
një vepër penale. Janë të gjithë djem të
mirë, e kujtojnë me mall jetën në Shqipëri,
por nuk mund të kthehen tani për tani. Të gjithë
ishin entuziatë për ardhjen time këtu, dhe kur jam
nisur, më kanë porositur t’i sjell fasule.
- Keni folur me Ilirin për të jetuar edhe në Shqipëri
?
- Nuk kemi folur kurrë për këtë. Tani për
tani do jetojmë në Itali. Por, jetës nuk i dihet
ç’të sjell. Ardhja në Shqipëri mua më
frikëson pak. Sepse duhet të filloj gjithçka nga
e para. Duhet të lë familjen time, shokët, vendin
e punës. Nuk di akoma gjuhën. Por duhet t’ja lëmë
të ardhmes.
- Ke mësuar ndonjë fjalë shqip?
- Në fillim Iliri më thërriste: shpirti, zemra. Kështu
që këto dy fjalë i di. Kuptoj shumë mirë,
por për të folur e kam të vështirë. Shqipja
ka dhjetë shkronja më shumë se italishtja dhe e kam
të vështirë. Por Iliri më thotë gjithnjë:
Mjaft, nuk duhet të mësosh më, ke mësuar më
shumë se ç’duhet. Je bërë e rrezikshme!
|