| NUK
JETOHET VETËM NGA FAMA
Ahmeti: “Telex-i ka qenë ashtu sikurse
ishte “Bjello dugme” te ata tjerët. Kemi mësuar
shumë prej tyre, veçmas unë. Nga Bregoviçi
kam marrë një “shkollë”, e cila sot e
kësaj dite më ndihmon gjatë punës”.
Në një kohë kur kënga
këndohej për tu kënduar dhe kur kënga ishte
shumë më shumë se kënga na ishte një grup
djelmoshash shkupjan të mbledhur nën emrin “TELEX”
gjurmët e të cilëve edhe sot e kësaj dite akoma
s’janë shlyer. Ishin një grup të rinjsh entuziastë,
që mësonin në Gjimnazin “Zef Lush Marku”
në Shkup, të cilët shumë shpejt do të pushtonin
zemrat e të rinjve. Grupi përbëhej nga Seat Jakupi,
solist dhe kompozitor, Enver Bunjaku bas kitarë, Ismet Shahini
kitarë elektrike, Shpend Ahmeti daulle dhe Ylli Ismaili..
Që nga viti 1982 e këtej plotësisht mbretëronin
në rok muzikën shqiptare që atëkohë mori
hov si në Kosovë dhe gjetiu. Telex-at edituan vetëm
një kasetë në produksion të RTP-së, kasetë
kjo e cila u prit mjaft mirë dhe u shit në mbi 18 mijë
kopje. “Telex” ishte i pranishëm në të
gjitha top listat. Morrën pjesë në të gjitha
rok manifestimet , kishin turne të përbashkëta me
grupin sarajevas “Bjello Dugme”. Meloditë e tyre
kudo këndoheshin me ëndje …
Më 1982/83 në valët e RTV të Prishtinës
u zgjodhën grupi i vitit. Më vititn 1984 fituan mikrofonin
e artë. Pasuan koncerte të shumta në Kosovë,
Maqedoni dhe më gjërë.
Në vitin 1985 u editua kaseta e parë në produkcion
të RTP e cila u shit në mbi 18 mijë kopje.
Kur pritej që të renditeshin albumet tjera, ndodhi që
ky grup të “psuhonte”. Anëtarët e ishin
shpërndarë në botën e jashtme për të
“luftuar” për ekzistencë. Por duket se të
gjithë shpresojnë në riaktivizimin e grupit. Së
fundi janë duke përgatitur një album të ri,
të cilin po e punojnë në Keln të Gjermanisë.
Tani kanë kaluar 25 vjet nga ajo kohë. Brezi i ri ndoshta
di më pak për grupin “Telex”, por brezi, që
tani ka kaluar moshën e rinisë, e kujton me ëndje
dhe ndjen keqardhje që, në këtë kohë kur
“rokerat” mbijnë si kërpudha pas shiut, dhe
kur toplistat mbushen me “këngë” sezonale,
pak kush kujton se dikur ka ekzistuar një grup i quajtur “Telex”,
se këngët e tyre, edhe sot e kësaj dite, nuk kanë
humbur freskinë. Ndoshta dalja e albumit të ri sërish
do të rikthejë bujshëm këtë grup, të
cilët nuk dijnë asnjëherë që të zhgënjejnë
publikun.
LOBI: Kush është Shpend Ahmeti alias ZOGU?
AHMETI: Ndonjëherë edhe unë pyes veten: kush jam?
LOBI: Pse Zogu? Ndonjëherë të quajnë mbreti?
AHMETI: Ha, ha…jo, jo…këtë emër “artistik”
e fitova prej z.Serafim Fankos, regjisor shkodran që unë
e çmoj shumë. Ai në shaka e lexoi emrin tim mbrapsht
dhe i doli Ahmed Shpendi ose Zogu e kjo më pëlqeu, por
megjithatë Zogu s’do të thotë asgjë tjetër
përveç se: “i lirë si zogu”.
LOBI: Le të kthehemi te fillimi i karrierës. Si filluat
që të merreni me muzikë?
AHMETI: Karriera! Ueh! Karrierë e madhe…si t’ia
filloj… e gjith kjo “sëmundje” rreth muzikës
filloi në shkollën fillore “Liria” në
Shkup. Aty nisa të mësoj mandolinën, por brenda një
jave më larguan nga orkestri se isha i “majtë”dhe
ua prishja renditjen. Pastaj kalova në piano. Atëherë
isha i dashuruar në një soliste të korit të
shkollës dhe duke dashur të tregohem “ma frajer”
se gjithë shkupjanët ekzekutoja me këmbë. Arsimtari
i muzikës, Musa Piperku, u afrua dhe më fali një
potpuri shuplakash. Me kaq mbaroi karriera ime si pianist …
LOBI: E pastaj?
AHMETI: Pastaj… për “baksuz”, gjatë
viteve 70-të, doli grupi “Bjello Dugme”. Tek unë,
si gjimnazist, sërisht u ndez pasioni për t’u marrë
me muzikë… me Seatin krijuam një grup, e pastaj
një tjetër. Nga dëshira e madhe arrita që me
të vërtetë të mësohesha t’u bija
daulleve. Kam ushtruar pak edhe në kitarë por disi, përherë,
më pengonin telat, që ishin shumë afër njëri
tjetrit dhe ishin shumë, gjashtë… Dy kitara kam
thyer ndërsa të tretën ia kam falë kusheririt
tim.
LOBI: E Telex-at?
AHMETI: Eh Telexi! Pas shumë peripecive arritëm që
të regjistrojmë një këngë në studion
e RTV Shkupit të atëhershëm. Kështu filloi gjithçka.
LOBI: Cili ka qenë roli juaj në “Telex”?
AHMETI: Kam qenë udhëheqësi i grupit. Përpilues
i të gjitha teksteve. Me Seatin kemi bërë aranzhmanet
dhe kuptohet se kam qenë strateg i punës së “Telexave”.
Te grupet tjera strategjia e punës atëherë ishte
diçka e panjohur.
LOBI: Çka nënkuptoni me strategji?
AHMETI: Të dish që në kohë të duhur, të
bësh gjënë e vërtetë. Me “Telex”-in
dy vjet me rradhë kam përgatitur planin për të
depërtuar në Kosovë. E kam ditur se të tjerët
do t’i zërë gjumi. E kam ditur gjithashtu se edhe
në Shkup do të dyfishohej rejtingu i grupit. Është
zakon: më parë të të çmojnë të
tjerët, pastaj ata në shtëpi.
LOBI: …Dhe suksesi nuk mungoi?
AHMETI: Po shihni, ne ishim të përgatitur në çdo
aspekt. Kishim këngë me standarde të larta. Kishim
solistin i cili, me cilësitë që posedonte, dëshmoi
se ishte ndër më të mirët edhe në Ex-YU-në
e atëhershme. Këtë e kanë thënë edhe
të tjerët dhe jo vetëm unë. Vetë emri “Telex”
ishte i shkurtë, për ne shqiptarët jo i zakonshëm,
kishim imixh, të rinj 21 vjeçar dhe dallonim nga të
tjerët.
LOBI: Kush u kishte ndihmuar më shumë?
AHMETI: Kontaktet e para i kishim me Liljana Çavollin dhe
Mehdi Bajrin, pastaj përkrahja na erdhi nga të gjitha
anët, veçmas nga programi i dytë i radios…
Mos t’i harroj edhe adhuruesit e “Telex”it, të
cilët asnjëherë nuk na kthyen shpinën.
LOBI: Telexi dhe Bjello Dugme…
AHMETI: Ka qenë e pashmangshme. “Telex”-i ka qenë
ashtu sikurse ishte “Bjello dugme” te ata tjerët.
Kemi mësuar shumë prej tyre, veçmas unë. Nga
Bregoviçi kam marrë një “shkollë”,
e cila sot e kësaj dite më ndihmon gjatë punës.
LOBI: Pse pushuan Telex-at?
AHMETI: Pse... po vitin 1987 unë dhe Seati ishim në shërbim
ushtarak në APJ-në e atëhershme. Kur u kthyem ishim
të detyruar të luftonim për ekzistencë. Shihni
nuk jetohet vetëm nga popullariteti…
LOBI: Ku janë sot “telex”-at?
AHMETI: Seat Jakupi është në Gjermani ku jeton dhe
punon, është i martuar dhe ka dy vajza. Enver Bunjaku
punon në NEUSCHATEL të Zvicrës, Ismet Shahini punon
në Shkup në studion e tij private “Roma Recording”,
ndërsa unë punoj si astistent në departamentin për
zhvillimin e mediave në Maqedoni, pranë OSBE-së në
Shkup.
LOBI: Cilët janë planet për të ardhmen?
AHMETI: Së pari, desha që t’Ju dëshiroj punë
të mbarë të gjithëve në redaksinë
tuaj. Kemi pasur dhe kemi nevojë për një revistë
të tillë...
Nga “Telex”- tani kemi mbetur vetëm dy: unë
dhe Seati. Jemi duke realizuar një album, i cili sigurisht
do të del kah pranvera e vitit 2004. Dy këngë të
këtij albumi i kemi inçizuar për të përkujtuar
25 vjetorin e ekzistimit të grupit. |