TATJANA ISAJ: PARFUMET I NDËRROJ SI MBRETI GRATË

Personazh Look

Ajo është e bukur dhe vitet duket sikur nuk kanë lënë shenja mbi të. E quajnë "këngëtarja e qytetit të Elbasanit", pasi veprimtarinë e saj artistike e nisi në këtë vend. Quhet Tatjana Isaj. Jeton në Gjermani prej tetë vjetësh, bashkë me familjen, por është rikthyer për të marrë pjesë në festivalin "Kënga Magjike" dhe për të përuruar dy albume me këngë të lehta dhe këngë popullore e arbëreshe të përpunuara. Larg Shqipërisë, megjithatë këngën nuk e largoi për asnjë çast nga shpirti. Shumëkush do ta mbajë mend duke kënduar këngë për partizanët dhe partinë e asaj kohe. Ndërsa në skenat e sotme ajo vjen ndryshe, jo vetëm në pamje e në look, por dhe në mentalitet.

Karriera
Mbaroi shkollën e kantos, për mezzosoprano dhe filloi të këndojë në ' 81-in, në Festivalin e 22-të të Radiotelevizionit Shqiptar. Mori pjesë në festivalet e tjera deri në të 30-in. Karriera e saj si këngëtare mbizotërohet nga këngët baladë, ato të karakterit epik e dramatik.

Albumet
"Në muzikën e lehtë unë gjej veten time, aty mund të them se quhem Tatjana. Edhe pse kam tetë vjet që s'këndoj, kam mbledhur materiale dhe jam në prag të përurimit të dy albumeve, me 21 këngë, 11 nga të cilat i përkasin rrymës së lehtë, ku mbizotërojnë temat e mentalitetit të të rinjve, dashuria mes njëri-tjetrit, asaj që ndodh dhe asaj që duhet të jetë në të vërtetë, një dashuri e sinqertë, si dhe këngët popullore, kryesisht ato arbëreshe, me mallin e emigrantëve", tregon Tatjana. Albumi i parë, quhet "Mos ma përgjoni dashurinë", me kompozitor Edmond Rapin, ndërsa i dyti "Arbëri të qofshim falë", tekset e këngëve janë të ripunuara nga bashkëshorti, Nehat Sabriu, kurse këngët janë të kompozuara nga ajo vetë dhe Naim Gjoshi. Tatjana i përket zhanrit të "chanson-eve", të kantos. "Megjithatë kënga arbëreshe më flet në shpirt dhe në vokal. Mundohem të nxjerr dramatikën time, shpirtin emocional, mallin, dashurinë e atyre njerëzve që janë shumë larg dhe që nuk kanë mundësi të shohin atdheun e tyre". Por për të ardhur më pranë shijeve të momentit ajo ka zgjedhur një lloj përpunimi mes popullores dhe modernes që tani, siç thotë edhe vetë "janë bërë paksa 'hit'."

Grimi
"Jetoj në një vend ku thjeshtësia ia ngre njeriut vlerat. Në Shqipëri, në ditët e sotme, pamja ka marrë rëndësi tjetër dhe kjo thënie ka ekzistuar deri dikur si etiketë, ndërsa atje në Gjermani vazhdon të jetë realitet. Pothuaj trukohem shumë rrallë, më pëlqen kështu dhe mbase ngjaj edhe më e re."

Veshja
"Jam pak klasike në veshje, edhe nëse vesh xhinse. Këtë mbase ma ka detyruar edhe puna që bëj si avokate në firmën e ndërtimit të burrit tim. Çantat dhe këpucët sigurisht më pëlqen që t'i kombinoj. Kam një dhomë me këpucë, të cilat numërohen në rreth 300, pa e ekzagjeruar. Aksesorët më pëlqej t'i zgjedh të firmave, por ka gjëra shumë të bukura që s'janë firmë. Unë jam e sëmurë pas të shtrenjtave, por në Gjermani mund të zgjedhësh. Artistët shpesh përpiqen të mbajnë imazhin me anën e firmave. Unë s'jam e atij mendimi. Unë blej edhe atë që është më pak e shtrenjtë, por që është e bukur."

Parfumet
"I ndërroj si mbreti gratë, mund të hap edhe një dyqan pa frikë. Parfumi më jep moral, kur nuk jam zgjuar ende nga gjumi ndonjëherë më jep disponibilitet në punë dhe më bën të ndjehem më e gëzuar. Preferoj firmat, së fundi Bvglarin, edhe pse është paksa i shtrenjtë."

Sallonet e bukurisë
"U kushtoj pak më shumë rëndësi se sa duhet, kjo është një nga pikat ku nuk përputhemi me bashkëshortin, pasi sipas tij "rrudhat të japin fisnikëri". Unë nuk mendoj që jam plakur, aspak, është shpirti që të mban të gjallë, por femrat duan të ruajnë pak estetikë. Unë shkoj në palestër, luaj në piano, merrem me gjuhën gjermane, pra e shfrytëzoj kohën, bëj një punë intensive me të gjithë mundësitë e mia, në të njëjtën kohë argëtoj vetveten."

Bukuria
"Për mua rëndësi ka shpirti, tek një shpirt jo i sinqertë, bukuria është zero."

Vajza
"Quhet Korozana dhe është 16 vjeçe. Me vajzën time të vetme jam si shoqe, ajo është edhe si një motër për mua. Kuptohemi shumë mirë, është shumë inteligjente, herë pas here më jep moral, më pranon ashtu si jam, me të mirat dhe me të këqijat e mia."

Bashkëshorti
"E kam më shumë shok, punojmë bashkë dhe më imponon të bëj atë që kam qejf unë të bëj. Në punë ne kemi marrëdhënie zyrtare, po në të njëjtën kohë jemi edhe shumë të afërt përsa i përket muzikës, ai është i apasionuar dhe di më shumë këngë se unë. Kemi kënduar në një videoklip të dy këngën "Kur më vjen burri nga stani" dhe në atë moment jam ndier me të vërtetë e lumtur. Ai e sheh të bukurën me syrin që e shoh unë dhe më përkrah për çdo gjë."

Vendlindja
" Dy vitet e fundit kam ardhur më shpesh, për të parë edhe vendlindjen, edhe për të kaluar pushime. Nuk dua të le pa përmendur edhe qytetin e Përrenjasit dhe Librazhdin, ku kam kënduar me shumë pasion dhe kam kaluar vitet e shkollës së mesme, ato i kujtoj me mall."

Pushimet
Preferojmë të shkojnë larg, në Marok, Francë, (San Trope), Itali, (Milano), Turqi, Kroaci, nga është me nënshtetësi edhe Nehati, por nuk harrojnë edhe bregdetin jugor shqiptar, nga ku kanë preferuar Dhërmiun. "Pushojmë çdo tre muaj dhe meqënëse Gjermania është vend i ftohtë, bëjmë gjithmonë pushime verore, edhe në dimër."

Identikit
Emri-Mbiemri: Tatjana Isaj
Datëlindja: ?
Vendlindja: Elbasan
Vendbanimi: Gjermani
Horoskopi: Ujori
Ngjyra e preferuar: E bardha, e kuqja
Këngëtarët e preferuar: Tina Turner, Celine Dion
Hobi: Stilon dhe qep disa nga veshjet e saj.

shkruan:
Brikena DEMIRAS
Copyright www.agimi.com 2002