Skandinada Lalaj

Nuk jam e druajtur!

Me një veshje sportive dhe me një truk që rëndohet paksa tek sytë, ajo që vërehet më shumë në trupin e saj të gjatë dhe tejet elegant është një piercing në kërthizë, në formën e një luleje-yll. Ka një emër të çuditshëm dhe një pamje që të josh. Skandinada Lalaj është vajza që u shpall si modelja më e mirë në konkursin e parë të modeleve shqiptare, të zhvilluar gjatë "Netëve të Klipit shqiptar". E çliruar nga komplekset dhe tejet e lirshme, ajo është zbuluar si një ndër vajzat më komode për stilistët. Kjo u vu re dhe në "Netët e Klipit", ku ishte e vetmja që pranonte të sfilonte me veshjet më trasparente dhe më esktravagante, pa asnjë shenjë druajtjeje. Është ende e re dhe sapo ka hedhur hapat e para në botën e botës dhe spektaklit shqiptar, por parashikimet e stilistëve dhe njerëzve të artit, janë gati të vënë bast mbi një të ardhme ku suksesi nuk ka për të munguar…

Jeni shpallur topmodeli më i mirë i vitit në "Netët e Klipit shqiptar". Si ka ndryshuar jeta juaj pas kësaj?
Ndryshime ka shumë sepse vijnë shumë oferta pune, të hapen dyert, të jepen më shumë mundësi. Jeta ime tani është shumë më e ndryshme nga më parë.

Sa i rëndësishëm ka qenë për ju ky konkurrim?
Unë kam bërë edhe më parë sfilata mode apo kam marrë pjesë edhe në Miss Shqipëria 2001. Kam sfiluar për stilistë të ndryshëm, por ky konkurrim është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe mund ta quaj veten të privilegjuar që mora pjesë dhe për më tepër, u shpalla modelja më e mirë. Për këtë i jam shumë mirënjohëse regjisorit dhe producentit Petri Bozo, si dhe skenaristes Alda Bida, të cilët mbi të gjitha, janë dy miq të mirë.

Ndërkaq, keni shënuar dhe pjesëmarrjen tuaj të parë në aktivitete ndërkombëtare…
Po, mora pjesë në "Miss Dreamgirl International" që u zhvillua këtë vit në Stamboll, Turqi, ku merrnin pjesë vajza nga 24 vende të botës. Ishte një aktivitet ku merrnin pjesë modele të cilat kishin marrë pjesë dhe çmime edhe nëpër spektakle bukurie. Në këtë aktivitet u ndanë 8 çmime, ndërsa unë u vlerësova si "Miss Disco of the world".

Është e vështirë të bësh profesionin e modeles në Shqipëri?
Është shumë e vështirë. Këtu nuk ekzistojnë agjencitë e mirëfillta të modeleve, si në të gjithë botën. Atje, në Turqi, kërkonin një pikë kontakti me agjencinë, një fax… Nuk kisha çfarë t'u jepja… Mua vërtet më shpuri Petri Bozo me shoqërinë e tij "Deliart" në Turqi, por ata donin një kontakt me agjenci modelesh. E vetmja gjë që mund të bëjë një modele këtu është të lidhet me stilistë të ndryshëm dhe të marrë pjesë nëpër spektakle.

Me çfarë po merreni tani?
Po përgatitem të konkurroj në Akademinë e Arteve të Bukura. Jam e dyzuar mes dëshirës për të studiuar regji dhe asaj për të studiuar aktrim, por ende nuk e di… Në fakt, do të më pëlqente regjia, sepse në këtë degë mund të mësosh veç regjisë edhe mjeshtërinë e aktorit, por është shumë e vështirë. Dua të shtoj se kjo nuk është një dëshirë e rëndomtë si ajo e çdo vajze që konkurron për miss, etj, pasi që e vogël e kam pasur pasion aktrimin.

Atëherë, e ardhmja juaj është profesioni i modeles apo aktores?
Modelja ka lindur tek unë duke u rritur, ndërsa drama ka qenë një ëndërr e fëmijërisë… Nga ana profesionale, të bësh modelen është e vështirë, edhe pse mua më josh vështirësia, më jep kënaqësi. Ka të bëjë edhe me fatin.

Ju josh televizioni?
Mundësi tjetër nuk kam, pasi këtu sfilatat janë shumë të pakta dhe të paorganizuara profesionalisht, kështu që duhet synuar televizioni… Unë o do digjem o do eci, sepse jam e para e këtij lloji në Shqipëri. Them dhe shpresoj se vajzat e tjera që do të vijnë pas meje do të kenë më shumë mundësi se unë.

Si arrini të mbani një formë kaq të mirë?
Unë kam luajtur volejboll me skuadrën e "Partizanit" dhe kam vetëm 3-4 vjet që kam hequr dorë. Nuk vuaj dhe as kam vuajtur ndonjëherë për t'u dobësuar. Ha sa më hahet, ndoshta dhe më shumë se ç'duhet, por kam një metabolizëm dhe konstrukt të mirë. Nuk kam mbajtur kurrë dietë. Por këto ditë do të filloj palestrën. Mendoj se është më mirë të parandaloj ndonjë problem që vjen me kalimin e viteve etj.

Çfarë do të thotë të jesh një vajzë e bukur?
Unë nuk jam e bukur. Jam vetëm shumë tip, kam diçka të veçantë në paraqitjen time. Në Shqipëri është më e vështirë të jesh person publik, apo i njohur. Je gjithmonë e vëzhguar. Megjithatë, mua nuk më shqetëson kjo gjë, ndërsa vazhdoj normalisht jetën time ashtu si edhe më parë.

Do të pranoje të zhvisheshe për hir të profesionit?
Nëse do të ma kërkonte profesioni, pse jo? Pastaj në spektaklin e "Klipit shqiptar" unë kam sfiluar vazhdimisht me veshjet më esktravagante. Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë e druajtur nga natyra…

Si ndiheni përpara makinës fotografike?
Deri tani kam pasur marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me makinën fotografike. Gjithçka po ecën mirë. Më pëlqen të bëj fotografi, jam shumë e lirshme dhe aspak e kontraktuar. E kam shumë xhan aparatin.

Si e ka pritur familja juaj këtë profesion të ri tuajin?
Nuk kam probleme me familjen time. Unë jetoj me nënën time, pasi babain nuk e kam më. Ndërsa motrat dhe vëllai janë të martuar dhe jetojnë më vete. Nuk kam pasur probleme, pasi ata e dinë se jam e vetëdishme për çdo gjë që bëj. Kanë besim tek unë. Në fakt, unë marrëdhëniet më të mira i kam pasur me babain. Por me mamin jemi bërë shoqe tashmë dhe flasim për çdo gjë bashkë. Ajo më sheh ndryshe tani…

Keni dhe nipër?
Kam pesë nipa dhe dy mbesa, të cilët i dua shumë, shumë…

Keni dy tatuazhe. Mund të na i shpjegoni domethëniet?
Tek kavilja e këmbës së djathtë është një thënie shqip e shkruar me gërrma kineze. Përveç meje dhe atij që ka bërë tatuazhin, asnjë nuk ia di domethënien. E dua shumë dhe e kam shumë xhan këtë tatuazh. Kurse tjetrën e kam në fund të shpinës… Është një tribalt abstraksion, pasi nuk më pëlqejnë figurat e vërteta.

Keni pasur arsye që i keni bërë apo…?
Jo, ka qenë vetmë një dëshirë e lindur në moment dhe kaq. Unë jam kështu, jetoj momentin dhe ditën si më vjen. Nuk bëhem pishman…

Po familja si reagon?
Jo dhe aq e kënaqur, megjithatë, nuk ka frikë nga zgjedhja ime.

Jeni e dashuruar?
Mund të them se për momentin, ndihem shumë mirë shpirtërisht.

Cili është mashkulli që të josh më shumë?
Një mashkull shumë mashkull dhe brun. Nuk ka rëndësi nëse është i bukur apo jo. Trupi është gjëja e parë që më tërheq tek një mashkull, ndoshta një zakon i mbetur prej kohës kur merresha me sport. Dua një mashkull që të më respektojë, të më ketë xhan dhe ta kem xhan.

Do të sakrifikoje profesionin për hir të dashurisë apo e kundërta?
Nuk do të sakrifikoja asnjë nga këto të dyja. Do të preferoja të mos i ndaja.

Look-u i juaj është i pandryshueshëm?
Jam ekstravagante si tip, por edhe ndryshoj shpesh në look. Kam fatin e mirë që më ndihmon shumë me këshillat apo sugjerimet e saj, edhe stilistja Anila Konomi, e cila më ka zbuluar që në fillim.

Koha juaj e lirë?
Kohën e lirë e kaloj pothuajse gjithmonë me një miken time më të mirë, që është edhe shumë e ndryshme nga unë. Jemi të kundërta, në tip, në veshje, në karakter, por rrimë gjithnjë bashkë.


Copyright©2002 Teuta Meçi

shkruan
Teuta Meçi
www.agimi.com
Copyright www.agimi.com 2002