|
Mendoj
se ka vetëm dëshira të qarta dhe veprim. Dëshira
ime si femër është të kem familjen time me njeriun
që unë dua dhe me të cilin do të doja të
plakesha.
Jeni e bukur, e suksesshme, por si ka
mundësi që nuk e keni gjetur këtë njeri?
Kush tha që nuk e kam gjetur?
Atëherë ç'është
dashuria për Rovenën?
Për mua është mënyra e vetme për të
jetuar.
Nëse natën vjen"titullohej kënga që riktheu
vajzën bjonde, me flokë kaçurela dhe sy të
bukur në vitin 1993.
Kishte ikur prej vitesh për t'u rikthyer në një natë
koncertit të pranverës në të cilin do të
rrëmbente me të drejtë çmimin e dytë.
Edhe për pak kohë do të rikthehej vetëm në
netët e festivaleve deri sa të vendoste që Shqipëria
ishte për të. Ndërsa tani nuk shfaqet vetëm
nëpër netët e koncerteve. Nëse rruga të
bie, andej diku nga blloku, në një nga lokalet e shumtë
do të shohësh atë vajzën e bukur që të
mrekullon në skenë. Lokali nuk ka emër por të
tërë thonë: pijmë një kafe tek Rovena.
Përveç skenës, aty mund ta gjesh këngëtaren
e "fjalëve të përjetshme". Kujdeset për
lulet, madje thotë se kjo i jep kënaqësi sa edhe
kërkesa e adhuruesve të saj për një foto. Ka
kohë që jeta e saj është në këtë
qoshëz të Tiranës. Aty ndihet më e sigurt, përtej
saj gjithmonë do të ketë të papritura, pse jo
ndonjëherë edhe të pakëndshme.
Megjithatë, të vërtetat e jetës fshihen pas
së nesërmes. Por Rovena ndihet e qetë edhe pse ka
një sërë projektesh që presin impenjimin e saj.
Me një pyetje të lë të kuptosh se ka gjetur
njeriun me të cilin do të plaket. Megjithatë ky është
një moment që i përket asaj dhe askush nuk ka të
drejtë të "përdhosë" ndjenjat e një
dashurie. Bjondja me sy të bukur sot të duket më
e sigurt se kurrë. Edhe ca të vërteta të hidhura
duhen sikur kanë rënë në kozmos. Ndihet e dashuruar
nga njerëzit që e rredhojnë. Pas kuintave të
një skene e pret suksesi, ç'duhet më për të
qenë e lumtur?
10 vjet më parë, kur një bukuroshe do të ngjitej
në skenë tha "Nëse natën vij", ndërsa
sot për revistën "Spektër" ajo thotë
edhe ca nga të vërtetat e jetës së saj.
Rovena : Dua të plakem me njeriun që dua
Albumi juaj i parë, "Ante" është ndër
albumet më të shitura. Si e keni përjetuar këtë
sukses si dhe emocionet e këtij albumi.
E kam pritur që ky album të shkojë mirë, që
të kishte sukses sepse për të kanë punuar emrat
më të mirë të muzikës shqiptare. Ky album
është rrjedhojë e një pune shumëvjeçare.
Është një punë e pjekur mirë e ardhur mirë
dhe si e tillë e ka merituar suksesin. Por fakti që është
albumi më i shitur i këngës së lehtë shqiptare
më përkëdhel dhe sigurisht më vë përballë
një përgjegjësie shumë më të madhe
për albumin e dytë .
Pas debutimeve të suksesshme në skenën shqiptare,
ju pas një kohe të gjatë vendosni të realizoni
albumin tuaj të parë. Pse kaq vonë?
Nxjerrja e albumeve të muzikës së lehtë me ritme
kaq të ngadalta është tregues i një interesimi
të vogël nga ana e konsumatorëve shqiptarë.
E rëndësishme për mua tani është që
fati i albumit të dytë s'do të ketë atë
të të parit. Do vijë shumë më shpejt dhe
për këtë jam e kënaqur. Duhet të krijojmë
një traditë që nuk ekziston në tregun muzikor.
Përshëmbull Kosova na dha një mësim të
mirë duke treguar që di të përqafojë gjithçka
që është shqiptare dhe sidomos muzikën.
Fetivali
Kombëtar i Muzikës së Lehtë nga viti në
viti po braktiset nga këngëtarët më në
zë të skenës shqiptare. Për mendimin tuaj pse
ka ndodhur kjo dhe a do të merrni pjesë në edicionin
e sivjetshëm?
Është e vërtetë që Festivali Kombëtar
ka një bjerrje. Kjo sepse në realitetin shqiptar janë
shfaqur aktivitete të rëndësishme në të
cilat këngëtarët mund të prezantohen me dinjitet.
Tani ata kanë mundësi të përzgjedhin. Por kjo
bjerrje ka ardhur edhe për shkak se Festivali Komëtar
pat rënie në organizim, në ndarje çmimesh
si dhe në komponentë të tjerë që nuk ka
vend të përmenden këtu. Mendoj se këto ishin
disa nga arsyet që këngëtarët filluan të
tërhiqen nga festivali duke menduar se mund të ishin diku
tjetër. Por Fetivali Kombëtar i fundvitit është
një festival që mbart në vetvete një emër
shumë të madh, tradita e të cilit nuk është
e lehtë të rrënohet. Në fund të fundit,
ai është gjithmonë një destinacion, një
qëllim për shumë artistë shqiptarë, përfshi
edhe mua. Jo më kot unë fitoren e vitit 2000 në këtë
festival me këngën , "Ante i tokës simë"
e quaj një nga arritjet e karrierës sime. Sepse një
fetival 40- vjeçar, një plak i muzikës shqiptare,
le ta quajmë kështu, të përkëdhel shumë
duke të zgjatur dorën e tij për t'u ngjitur në
atë podium të mrekullueshëm .
Pra, sërish do të merrnin pjesë në këtë
festival?
Unë kam 6 -7 vjet rrjesht që marr pjesë në këtë
fetival. Kjo tregon shumë. Për mua ky festival ka një
dinjitet të padiskutueshëm që nuk është
e lehtë të nëpërkëmbet dhe sigurisht që
do të marr pjesë. Kam një projekt me Pirro Çakon,
një këngë karakteri këtë herë. Por
nuk e di sa do të realizohet sepse ndodh që planet të
prishen edhe në momentin e fundit. Po ashtu kam në plan
të marr pjesë tek "Kënga Magjike". Këto
për mua janë evenimente të muzikës shqiptare.
Atëherë po flasim për projektet tuaja. Për
këtë vit Rovena do të ndalet vetëm në këto
dy evenimente të muzikës shqiptare?
Jo, kam një projekt më të shpejtë. Nga dita
në ditë pres të ndërmarr një turne në
qytetet më të rëndësishme të Kosovës.
Pres një telefonatë përfundimtare dhe do të
nisem. Kjo për mua është një ndërmarrje
goxha e rëndësishme . Është hera e parë
që unë ndërmarr një turne kaq intensiv në
Kosovë dhe kjo falë suksesit që albumi im ka patur
atje. Po ashtu kam një propozim nga regjisori Pali Kuke për
të marrë pjesë në "Telebingon Kombëtare"
si këngëtare e ftuar. Akoma nuk kemi vendosur asgjë
por është një propozim tepër serioz. Po ashtu
po punoj për këngët e albumit tim të dytë,
i cili kërkon një impenjim shumë më të
madh.
Thatë që do të organizoni një turne në
Kosovë, ndërsa në skenën shqiptare prezantoheni
në aktivitete të zgjedhura. Përse këtë
nismë nuk e ndërmerrni edhe në Shqipëri?
Kam dëshirë që të realizoj një recital
timin. Ai do të jetë live se një recital nuk ka kuptim
ndryshe. Por kjo kërkon një impenjim tepër të
madh sepse live nuk është kaq e lehtë të realizohet
në kushtet e Shqipërisë. Ndërsa turneun nëpër
qytete të ndryshme nuk mund të them se kam ndërmend
që ta zhvilloj. Ndoshta pas recitalit po. Ajo trupë që
do të përgatisë këtë show të Rovena
Dilos, mund të lëvizë në qytete të ndryshme.
E dëshiroj shumë këtë gjë, por akoma nuk
kam vendosur nëse do ta bëj.
Pse, ç'ju pengon?
Kjo është një pyetje shumë me vend. Por përderisa
unë akoma nuk ia kam bërë vetes tregon që këtë
projekt nuk e kam marrë seriozisht . Ndoshta fakti që
do më duhet të merrem jashtëzakonisht shumë
me të, dy- tre muaj përditë, më tremb. Ndoshta
edhe pse jam pak dembele. (duke qeshur Rovena zë sytë
me duar, ndoshta është dhe e turpshme).
Gjithmonë
në skenë keni një look të veçantë,
kush kujdeset për këtë pjesë tuajën?
Do të thoshja që kujdeset Rovena për Rovenën.
Në qoftë se ti nuk kujdesesh për veten tënde
askush nuk kujdeset për ty. Këtu fillon kujdesi, sepse
dihet jo të gjitha mund t'i bësh vetë, të qepësh,
të trukoshesh vetë, këto janë gjëra që
gjithkush i di. Bota jo më kot i ndan përgjegjësitë
dhe unë përgjegjësitë e mia të look-ut
tim i kam ndarë. Sigurisht në veshjet e mia, përveç
shijes së stilistit, me të cilin bashkëpunoj shumë
shpesh Ardi Asllani, patjetër është dhe shija ime.
Ndërsa për trukun kam zgjedhur dhe rizgjedhur Mond Lakon.
Dhe sigurisht këto elementë janë të domosdoshëm
për imazhin tim në skenë.
Keni foto shumë të bukura. Ju pëlqen edhe fotografia?
Jo vetëm më pëlqen fotografia si dhe të fotografohem
por kam patur fatin të fokusohem nga Fadil Berisha, dhe jo
pak, por kam marrë pjesë në tre seanca fotografike
të tij. Është vërtet një lloj shkolle të
marrësh pjesë në seancat e tij fotografike. Ai është
shumë xheneroz dhe ti nuk bën dot ndryshe veç se
ta duash. Fotografitë që shfaqen për herë të
parë në revistën tuaj, janë nga seanca e fundit
që kam bërë jo shumë kohë më parë.
Ai dëshironte të më fotografonte me flokë të
drejta dhe unë pata shansin të prekem edhe një herë
nga duart e Isabelës, që është trukatorja e
tij. Shtresoj që kjo seri fotosh të më vijë
shumë shpejt me dëshirën që albumi i dytë
të ketë sërisht fotot e tij.
Folëm për projektet tuaja, po në jetën e përditshme
si është Rovena?
Së pari ngrihem vonë , flë vonë. Orët e
darkës i kaloj duke lexuar dhe parë televizor. Bëj
një jetë të qetë, të kënaqshme, ndonjëherë
monotone, ndonjëherë me aktivitet si gjithkush nga ne.
Megjithatë jam e kënaqur që ndodhem në vendin
tim e rrethuar nga njerëzit e mi.
Të qënurit person i njohur do të thotë të
privohesh nga jeta private?
Jo tamam kështu. Jetën private nuk mund të ta marrë
askush, vetëm se ti duhet të kujdesesh më shumë
për të. Domethënë të mos i japësh
shkak të tjerëve të merren me ty.
Kjo do të thotë se liria e tyre përfundon ku fillon
liria juaj?
Po. Ekzaktësisht.
Cili është momenti më me fat në jetën
tuaj?
Momenti më fatlum për mua ka qenë kur kam lindur
me ata prindër, me ata gjyshër. Mbi të gjitha, fat
është të lindësh mes njerëzve që të
duan vërtet shumë. Që në asnjë moment nuk
lodhen duke ta treguar këtë dashuri dhe duke ta dhuruar
pa kufij. Për mua ky është fat.
Ju jeni e rrethuar nga dashuria?
Sigurisht ,prej të gjithë njerëzve të mi. Është
një nga faktorët për t'u ndier e lirë, pa komplekse,
pa inferioritete
E dhuroni këtë dashuri?
Patjetër. Tërë këtë që marr e rikthej
me të njëjtën monedhë. Unë jam një
njeri që dua shumë dhe nuk dua ta mbaj për vetë
këtë dashuri por dua t'ua jap vërtet sinqerisht.
E dhuroj pa kërkuar të ma kompensojnë, pa i vënë
një çmim dashurisë sime. Unë jam një
njeri që dua të jap dashuri dhe besoj se të gjitha
të mirat më vijnë nga kjo nga që mendoj se se
dashuria, mirëkuptimi dhe respekti janë armët për
të ecur përpara. Për të qenë e lumtur dhe
e qetë. Sepse jo vetëm njerëzit e tu, por edhe ata
me të cilët bashkëpunon, me të cilët ndan
kafenë, bisedën, të gjithë njërëzit
duan nga pak dashuri, respekt dhe presin fjalën e mirë.
Ëndrra në sirtar e Rovena Dilos?
(Qesh, pastaj mendohet) Ku ka kohë për ëndrra në
sirtar në shekullin që po jetojmë? Mendoj se ka vetëm
dëshira të qarta dhe veprim. Dëshira ime si femër
është të kem familjen time me njeriun që unë
dua dhe me të cilin do të doja të plakesha.
Jeni e bukur, e suksesshme por si ka mundësi që nuk e
keni gjetur këtë njeri?
Kush tha që nuk e kam gjetur?
Atëherë ç'është dashuria për Rovenën?
Për mua është mënyra e vetme për të
jetuar.
Ç'farë urren Rovena?
Së pari, fjala urrejtje është një fjalë
tepër e rëndë, nuk është për mua.
Rovena nuk urren. Por ka gjëra që më bezdisin, më
nervozojnë dhe këto gjëra gjithmonë ndryshojnë
dhe ia lënë vendin njëra -tjetrës. Tani për
tani mua më bezdisin jashtëzakonisht njerëzit shpirtvegjël,
njerëzit mëndjengushtë që janë jo të
paktë.
Modeli i femrës për ju?
Mua më pëlqejnë femrat e mençura, femrat me
shije dhe sigurisht me një bukuri të brendshme që
duket në gjithçka që përbën një
femër. Nuk ka nevojë që të jetë një
Merlin Monro ajo që unë e adhuroj. Unë adhuroj këtë
femër, të mençur, të urtë dhe me shije.
Një femër që të jetë gjithmonë gati
të falë ëmblësi dhe dashuri, atë që
bota pret prej saj, atë që e ardhmia pret prej saj. Në
fund të fundit është femra ajo që ka në
dorë të ardhmen, fëmijën, burrin. Ajo e bën
botën.
Po prindërit çfarë presin nga ju?
Prindërit e mi kanë marrë goxha nga Rovena por ndoshta
prindërit e mi presin që një ditë unë të
bëhem mama dhe ata gjyshër.
Gjërat që pelqen?
Janë shumë gjëra që pëlqej. Gjërat
e bukura më pëlqejnë.
Rovena është xheloze?
Jam vetëm atëherë kur absolutisht duhet të jem
dhe asnjëherë kot ose pa shkak.
|