Tërheqja seksuale është si rrufe
Çfarë është tërheqja seksuale e menjëherëshme?
Rrufe, në qiell të pastër!
Vjen natyrshëm apo ka ndonjë mekanizëm që duhet të vësh në përdorim?
Nuk besoj se ka ndonjë mekanizëm, por edhe sikur të ketë ai është misterioz, tepër i fshehtë.
Nuk mund ta dish asnjëherë se kur ose si do të vihet në lëvizje.
Nesë është kaq i papritur, rrezikon ta tradhëtosh veten?
E gjitha kjo është një tradhëti
Ndaj kujt?
Ndaj të gjithëve
Edhe ndaj vetes?
Sidomos ndaj vetes.
Sa fort mund ta ndjesh këtë shtangie?
Me një forcë të mbinatyrshme.
Si mund të ruhesh të mos të shpërthesh atëherë?
Shtangia nuk kalon asnjëherë, e vetmja mënyrë për t'u ruajtur është të mos e tregosh.
Çfarë ndodh nëse e thua?
Magjia humbet. Nuk është më e njëjta ndjenjë.
Të pasurit siguri në vetvete, sa ndikon të jesh tërheqëse në sytë e të tjerëve dhe të kontrollosh ndjenjat e momentit?
Sigurinë unë e konsideroj pjesë të mediokritetit. Asnjëherë nuk mund të jesh i sigurtë për gjërat, dhe as për veten.
E rëndësishme është të jesh harmonik me veten. Tërheqëse mua më duket më shumë ndrojtja.
Tek harmonia gjendet forca për t'u përballur me të tjerët?
Të vetëndjerit nuk ka nevojë për ballafaqim. Është diçka e brendshme dhe s'ka pse të përplaset me formën e jashme. Një nga mënyrat është të bësh paqe me veten dhe pastaj ta riformulosh atë, ashtu siç e mendon më mirë. Por në fillim duhet të dish të vërtetën për veten.
Po sikur e vërteta tek vetja të mos të të pëlqejë?
Kjo është gjithë çështja. Por që në momentin që fillon të kërkosh, nis edhe ndryshimi. Unë besoj se njerëzit janë të aftë të ndryshojnë. Kjo përkthehet: duaje veten me përkushtim dhe këmbëngulje.
Cilat janë gjërat që ju tërheqin më shumë tek njerëzit kur i njihni?
Marrëzia dhe çiltërsia, sidomos marrëzia. Ajo çfarë nuk pëlqej është cinizmi, e konsideroj si humor të prishur. |