|
Pak çaste mes duartrokitjeve të Perëndimit
në një bisedë ekskluzive te saj per ne
Mariela
Çingo është një pianiste e re shqiptare që
jeton në Londër. Ajo është një emër
I ri shqiptar në fushën e muzikës në Britaninë
e Madhe, por me një dyzinë arritjesh e vlerësimesh.
Ka lindur më 14 Gusht 1978 në qytetin e Korçës
dhe në moshën 7 vjeçare ka dhënë koncertin
e saj të parë.Vetëm 12 vjeç ajo ka luajtur
në piano në orkestrën filarmonike të Korçës.E
lindur dhe e rritur në qytetin e vendlindjes, mes zhurmës
së përditshme të muzikës, me nënën
këngëtare, Mariela që në moshën 5-vjeçare
filloi të lexonte notat mbi pentagram.Dhe vetëm në
moshën 7-vjeçare, me ndihmën e një shoqeje
të nënës së saj ajo arriti t’I përkushtohej
e të përhumbte mes pianos ashtu si edhe sot.Tani talenti
I saj është ne rritje gjithandej, sigurisht me “miken”
e saj të pavdekshme pianon.
“Ajo sjell orrigjinalitetin e një tradite muzikore në
mesin e një eksperience, plot dëshirë e pasion”-thuhet
per te nga shtypi I huaj dhe nga kritiket.Në moshën 17
vjeçare u vendos në Londër, ku menjëherë
tërhoqi vëmendjen e profesorit të mirënjohur
britanik Raphael Teroni të London College of Music and Media.Këtu
ajo ka fituar shumë çmime, përfshirë “Piano
Concerto Prize” në performancen e Rachmaninoff’s
Second Piano Concerto.Aktualisht është duke organizuar
disa koncerte në Shqipëri, Londër si dhe një
në Beograd. Shumicën e kohës e kalon mbi piano dhe
telefonata, por edhe duke shtypur biografi dhe letra të ndryshme.
“Besoj se më kuptoni,- shprehet ajo,- pse e bëj
një gjë të tillë”.
Po kush është më saktë muzikantja shqiptare
që duartrokitet sot në skenat më në zë
të Perëndimit?. Është e bija e këngëtares
Tereza Kreshova (njihet akoma me mbiemrin e vajzërisë)
e cila ka studiuar nëTiranë me Mihal Cikon. (E ëma
ka mbaruar studimet në një kohë me të madhen
Vaçe Zela dhe të mirënjohurin Gaqo Çako).
Ajo vetë ka bërë shumë koncerte dhe turne nëpër
Shqipëri, dhe jashtë shtetit qoftë si soliste, por
edhe si pjesëtare e grupit 'Lira' në Korçë
me dirigjent Gaqo Nanon. I ati I Marielës Robert Çingo,
futbollist, zëvendës tranier i ekipit 'Skënderbeu
dhe vetë ajo e ndiqnin atëherë zërin e Terezës
gati në ç'do koncert të saj, dhe ndërkohë
Mariela e vogël rrinte dhe priste prapa skene deri sa të
mbaronte, dhe më pas t’i dhuronte lule. Atje Mariela
vetë mësoi të nderoj publikun dashamirës për
herë të parë.
Sa për histori gazmore, kur ajo ishte rreth 4-5 vjeç,
shkoi me të atin Robertin të dëgjonte mamin në
opera, në teatrin A.Z.Çajupi në Korçë.
Gjatë shfaqjes, vajza, rolin e të cilës luante ajo,
mori një shuplakë nga një mashkull. Duke mos bërë
dot dallimin midis realitetit dhe aktit, Mariela u çua dhe
bërtiti që ta linte mamin e saj të qetë, se
ndryshe do të kishte të bënte me babin e saj(I cili
do t’a shembte me dru jashtë skene!). Këtë
episod e mban mend tani spektatori I asaj kohe në Korçë,
ndërsa Mariela vetëm qesh kur ia kujton.Ajo shton për
ne edhe një detaj tjetër, kur thotë se babi I saj
u struk në karrige dhe u përpoq që ta qetësonte,
kurse disa spektatorë në sallën plot qeshnin me të
madhe.
Profesori i parë i saj I pianos Petrika Melo që tani banon
në New York, pas tre vitesh mësim tha më shumë
se mund të thoshte një njeri për një studente
universiteti, atëherë për Marielën.Por pasi
ai u vendos në Tiranë Mariela startoi më tej të
mësonte me Koço Vramen. Gjatë kësaj kohe,
fitoi një konkurs që ishte në lidhje me fëmijët
e talentuar të Shqipërisë, në të cilin
merrnin pjesë të gjitha shkollat e muzikës në
vend. Për këtë arsye, ajo luajti me orkestrën
e Korçës concerton Haydn në Re maxhor. Më
pas mori mësime në Tiranë nga Aleksandër Gashi,
që me sa di unë, tani ndodhet në Itali. Ai i dha
një frymëzim të madh, dhe gjatë kësaj kohe,
(13-14 vjeç) luajti në disa shfaqje televizive në
Shqipëri (pra në Tiranë), duke dhënë një
koncert tjetër me orkestrën e Korçës, Mendelson
no 2. Një arritje e vështirë për Marielën,
pasi duart i kishte akoma të vogla dhe nuk i kapnin dot të
gjitha notat. Patë mësime herë pas here me Boris
Plumbin, emër mjaft i dëgjuar në Korçë
dhe në Shqipëri, pasi ka udhëtuar në Francë,
Itali, AmerikË, Rumani etj me koncertet e tij, por u shtyp
nga regjimi në atë kohë, dhe u vendos në Korçë.
Midis moshes 15-16 luajti mjaft koncerte të tjera, në
teatrin e Kulturës, në teatrin Çajupi në Korçë,
në shkollën e muzikës si edhe për televizionin.
Disa prej këtyre shfaqjeve ishin kryesisht recitale. Ajo ka
ekzekutuar edhe Marshin Turk, (Mozart) me orkestrën e shkollës,
pjesë shumë e njohur dhe e dëgjuar. Aleksandër
Gashi emigroi si shumë njërëz të tjerë
në atë kohë, si edhe mësuesi tjetër, Koço
Vrame dhe ajo filloi të merrte mësimin e pianos me Zana
Ngjelan, në Korçë. Me ndihmen e Vera Grabockës
Mariela bëri videon e parë dhe këtë video e
dërgoi nëpër universitete të ndryshme nëpër
botë. (kryesisht ne Angli, Itali dhe Australi) Kjo video i
ra në dorë kompozitorit John McCabe, i cili ia pasoi Profesorit
me origjinë italiane Raphael Terroni. Ai organizoi një
bursë studimi për Marielën, dhe nëpërmjet
disa miqve dhe shoqatave bamirëse, si Kisha Katolike dhe Motrat
e Nënë Terezës (të cilën e ka takuar 2
herë me që ra fjala, dhe ka luajtur personalisht për
të, sepse i pëlqeu stili I saj në piano), gjeti një
familje për të banuar dhe në 1995, mbërriti
në Angli.
Vitin e parë, mori mësime private me profesor Terronin
dhe njëkohësisht bëri 2 'A levels' (1 në muzikë
dhe 1 në italisht) sepse sipas traditave angleze, 'A levels
' janë kriteret e pranimit në universitet. “Unë
mund të kisha hyrë edhe pa to, por doja të trajtohesha
njësoj si gjithë studentët e tjerë,-na thotë
Mariela. Më tej ajo shton ,se këto i kreu brenda një
viti, edhe pse në përgjithësi marrin 2 vite të
plota. Ishte një 'sfidë'(shtytje) e mirë për
të, pasi e përmirësoi anglishten si edhe njohuritë
me muzikën konteporane.
Pas
2 vitesh, fitoi çmimin e koncertit dhe luajti Rachmamonov
2. (Këtë e ka patur gjithmonë ëndërr t’a
luaj, që kur pa filmin'Rapsodia' me Elizabeth Taylor.) Më
pas e ndoqën koncerte të tjera dhe çmime të
tjera, si çmimi 'Beethoven' me të cilin përfaqësoi
universitetin dhe luajti në një koncert në 'Regent
Hall' në Oxford Circus, çmimin 'Holmes' në universitet
me të cilin dha disa recitale etj. Gjatë kësaj kohe
u njoh me dirigjentë dhe kompozitorë të ndryshëm.
Ka luajtur Shostakovich no 2, me orkestrën e universitetit
si edhe me dirigjentin Tom MacLeiland Young, Mozart no 21 me orkestrën
Ëhitehall në St Giles Barbican dirigjent Michael Nebe,
Grieg, Chopen etj me Wealdon Symphonia, Hillingdon Philharmonic
me dirigjent Peter Williams etj.
Në vitin 2001, në Shtator u ftua për të dhënë
koncert dhe mësim të hapur në Edingburg, Skoci, nga
Scotish International Competition dhe luajti me Hamish Milne.
Ka bashkëpunuar edhe me këngëtarë të tjerë
sigurisht, dhe pjesa më e fundit ishte 'Karmina Burama' e kompozitorit
Karl Orff që u luajt në Turnham Green, me Addison Singers
dhe David Wandsworth si dirigjent. Kjo është një
pjesë shumë e dëgjuar për kor dhe orkestër
ku protagonistët bënë versionin me 2 piano dhe perkusion,
dhe luajtën disa psalme nga kompozitori amerikan Lukas Foss.
Mariela është edhe pjesëtare e grupit 'Del Vero'
që është një grup muzikantësh të rinj
që përpiqen të sjellin muzikën në ambiente
dhe vende të ndryshme. Me këtë grup ka luajtur në
Kent si edhe në Londër, në 'shtëpi' (më
mirë të themi vila apo ndërtesa me vlera historike
që i përkasin qeverisë angleze, dhe reklamojnë
stilin e ndërtesës si dhe vepra artesh) të ndryshme
duke kombinuar kështu të vjetrën me të renë,
klasiken me konteporanen. Nëpërmjet këtij grupi u
takua edhe me celisten Rachel Scott me të cilën kaë
organizuar shumë koncerte. Ajo është Australiane
dhe stili shqiptar i të shprehurit qoftë në muzikë
por edhe në biseda, është shumë i përafërt,
pra gjetën kështu vetveten tek njëra-tjetra nqs mund
të shprehemi në këtë mënyrë.
Në 20 Shtator, Mariela do të ketë një koncert
dhome me një violonceliste dhe me një violinist (ky i
fundit shqiptar) në Hillingdon(www.cingo.uk) Kjo zonë
(Uxbridge, Hillingdon, Northolt) ka një numër të
madh shqiptarësh . Kështu edhe atyre u jepet mundësia
të shijojnë nga afër tingullin e artë të
pianos së Marielës në muzikën klasike, ku shumica
sigurisht do të jenë të interesuar që tani t’a
ndjekin. Shumica e pjesëve, do të jenë Ruse, Gjermane...klasike
, por do të përfshihet në repertor edhe muzikë
Shqiptare, si psh "Fjalët e Qiririt" nga Limoz Dizdari.
1-Një emër dhe një talent shqiptar në
fushën e muzikës. Në fakt kush është misteri
i Marielës?
Mister? Jeta ime nuk ka shumë mistere. U linda në Korçë
dhe u rrita me muzikën pasi mami është këngëtare.
Kur isha 5 vjeç, mësova të lexoja muzikë thjesht
nga kurioziteti, nëpërmjet një shoqes së mamit.
Kur mbusha 7 vjeç, vendosa të mësoja pianon sepse
ishte instrumenti që më tërhoqi më shumë,
pasi mund të mund të nxirrte tinguj të ndryshëm
dhe të imitonte zëra, kafshë apo instrumente të
ndryshme.Përshembull, në anën e majtë të
tastierës, tingujt janë të lartë, dhe pothuajse
të frikshëm, (mua më ngjasonin me arinj gjumashë)
në mes të tastierës, janë të ngjashme me
zërin e njeriut, kurse në anën e djathtë, tingujt
ngjasojnë me zërin e zogjve. Për një fëmijë
me imagjinatë, pianoja është “lodra”
më e sofistikuar, që s'e lodh e s’e merzit asnjëherë.
Që atëherë, nuk kam mundur ta imagjinoj dot jetën
time pa pianon, pa muzikën. Mbase kam mbetur akoma fëmijë…
2-Muzika dhe Mariela a kanë raporte, kundërshti
…?
Sigurisht. Për mua, muzika, pianoja në veçanti,
është si një mik që ndodhet pranë meje
në momentet më të lumtura dhe më të hidhura
të jetës e që nuk më lë asnjëherë
në baltë. Sa më shumë kohë që kaloj
me të, aq më e fortë bëhet lidhja. Nuk mund
të them që kam kundërshtime me muzikën, por
vetëm me vetveten, kur bie në kontradiktë personaliteti
i kompozitorit me muzikën e tij. Sipas meje, muzika është
një shprehje e personalitetit të njeriut, prandaj ndonjëherë
ne muzikantët, nuk e mirëpresim kritikën. Problemi
për mua qëndron tek një kompozitor, i cili nuk do
të më pëlqente aspak si njeri, jo si një përkushtim
ndaj muzikës (për shkak të mendimeve të tij
raciste, si psh Vagner), ose për ata që mendojnë
se “shkruajnë muzikë hyjnore”. Atëherë
bie në kundërshtim me veten, a duhet t'ju përmbahem
parimeve dhe idealeve të mia, apo të jepem pas pasionit
dhe të mendoj vetëm për muzikën? Zgjedhje e
vështirë…
3-Ku qëndron rrëmbimi pas pasionit? Diçka
nga e shkuara juaj që keni lënë pas...
Për mua, nuk është vetëm pasion. Është
jetë. Dhe nuk jam e rrëmbyer pas saj, por zgjedh t’a
jetoj. Muzika është një lloj të shprehuri, të
cilën nuk mund t’a përshkruash dot me fjalë.
Mendoj që shumë njërëz kanë arritur një
moment në jetë, kur fjalët i kanë lënë,
sepse nuk do të kenë zgjedhur dot fjalët e duhura,
apo fjalët e përshtatshme për të përshkruar
një ndjenjë në një moment të caktuar në
jetën e tyre, (qoftë ky moment gëzimi, apo hidhërimi).
Këtu hyn muzika. Në fëmijëri muzika ishte thjesht
diçka interesante për mua. Por rreth viteve '90, kur
ç'do gjë në Shqipëri u shkatërrua dhe
fytyrat e njërëzve ishin gjithmonë të ngrysura,
për mua muzika u bë e vetmja shoqe, e vetmja shpresë
për një të ardhme më të mirë. Kisha
dy rrugëzgjidhje, ose mund të pezmatohesha dhe mos zgjidhja
gjë, ose të shprësoja dhë të investoja
në të ardhmen. Unë zgjodha rrugën e dytë
dhe mendoj që nuk u gabova.
4-Ç'koncept ka jeta për ju?
Është diçka shumë e thjeshtë.
Jeta është dhuratë. Ne jemi me fat që na është
dhënë kjo dhuratë. Është gjynah të
mos e jetojmë. Ka disa njërëz që mendojnë
se kanë të drejtë t'jua marrin këtë dhuratë
të tjerëve. Këta njërëz nuk më pëlqejnë
aspak. Ç'do njeri ka të drejtë të jetojë
jetën e vet dhe të zgjedhë rrugën e tij. Secili
prej nesh ka një dhunti, por jo të gjithë kanë
mundësinë për ta ushtruar dhuntinë e tyre. Ç'do
njeri zgjedh rrugën e vet dhe jeton me pasojat. Pikësynimi
im, është që të prek dhe të frymëzoj
sa më shumë njërëz gjatë jetës time.
Për ata që kanë probleme, sikur të kem mundësi
që t'i bëj t'i harrojnë problemet e tyre, qoftë
edhe për 1 minutë, do të jem e lumtur.
5-Kë rrjeshtoni në hapin tuaj të së
përditshmes pas muzikës?
Humanizmin. Komunikimin me njërëz të ndryshëm
prej vendesh dhe kulturash të ndryshme, dhe zgjerimin e njohurive.
Sipas mendimit tim, injoranca është ajo që shkakton
gjithmonë probleme, dituria i zgjidh ato.
6-Sigurisht ju zgjon muzika...Por a ju ka vënë
në gjumë ajo ndonjëherë?
Po më bëni të buzëqesh. Kur isha e vogël,
po. Tani jo. Nqs dikush i bie pa ndjenja, në vend që të
më zërë gjumi, inatosem me ta sepse më duket
sikur po i bëjnë fyerje muzikës dhe kompozitorit.
Mgjt, mos harroni që në muzikë ka disa pjesë
të veçanta, qëllimi i të cilave është
që të sjellin gjumë, si psh nina-nana, këngët
e djepit, sigurisht vetëm kur je fëmijë.
7-Ku mendoni se duhet të jetë sot profesionalizmi,
midis atij të vetëquajtur dhe atij në kuptimin e
tij të vërtetë?
Profesionalizmi më duket se është vetëm një
nisje, si t’a them më popullore pa bitisje, pra pa fund.Të
synosh profesionalizmin do të thotë, sipas meje të
ecësh e të mos ndalesh kurrë në fushën
tënde.Një rrugë e tillë është e lodhshme,
e vështirë në pamje të parë, por e domosdoshme
për të dalë nga e shtirura dhe për të hyrë
aty ku kritika dhe duartrokitjet të zgjasin jetën.Unë
nuk jam kritike, por me syrin tim them se duhet punë dhe vetëm
profesionalizëm …
8-A ju bezdis monotonia?
Varet nga sasia. Jeta e muzikantëve nuk është asnjëherë
monotone. Takojmë gjithmonë njërëz të rinj,
udhëtojmë në vende të ndryshme dhe ngadonjëherë,
urojmë që të kemi monotoni,(si psh të kalojmë
një muaj në një shtëpi në breg të
detit, dhe të mos kemi shqetësime nga bota e jashtme)
në mënyrë që të çlodhemi, por pas
një farë kohe, duam të rikthehemi në ritmin
e jetës tonë të paparashikueshme. Pra me një
fjalë, po mendoj se do të më bezdiste, monotonia.
9-Në fakt kush është Mariela jashtë
pianos?
Nuk e di. Unë vetë nuk e bëj dot dallimin. Unë
jam thjesht Mariela. Të apasionuarit e muzikës sime, kritikët,
gazetarët,kolegët dhe mjaft njërëz të thjeshtë
më shikojnë dhe më trajtojnë si 'Mariela-muzikantja',
por ata që më njohin, e dinë që pianoja dhe
unë jemi të pandara dhe pa të unë nuk do të
isha Mariela që jam sot.
10-Në fund surpriza juaj e pathënë për
shqiptarët dhe të tjerët ...?
Surprizë? Nuk di çfarë t'ju them. Siç përmenda
dhe më parë, unë nuk kam mistere. Por në se
dëshironi një mesazh prej meje, mesazhi do të ishte:
'Mos humbni ëndrrat dhe shpresat. Ëndrrat janë ato
që ju japin jetë shpresave, dhe shpresat janë ato
që i bëjnë ëndrrat realitet. |