Me kërkesë të zv/kryeministrit
Meta, vula e gjetur në Danimarkë pritet të mbërrijë
në Shqipëri për t’u ekspozuar
Ambasadori
shqiptar në Danimarkë: Ja si u gjet vula e rrallë.
Konsiderohej si relike osmane
Nga kancelaria e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Muzeun
Kombëtar të Danimarkës. Bëhet fjalë për
një vulë dylli origjinale, të përdorur nga
Skënderbeu, e cila pritet të mbërrijë së
shpejti për t’u ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar
në Tiranë dhe në muzeun e Krujës. Sipas studiuesve
dhe njohësve të epokës së Skënderbeut,
kjo vulë mbart vlera të shumta historike si dëshmi
materiale e kancelarisë së Skënderbeut. Përveç
disa letrave nga korrespondenca e Skënderbeut, pak prej objekteve
që ka përdorur ai kanë mundur t’i rezistojnë
kohës e të ruhen deri sot. Më shumë se për
vulat dhe objektet e skrivanisë së tij është
treguar kujdes për armët, të cilat ruhen në
muzeume. Sipas studiuesve, deri tani nuk është zbuluar
dhe nuk ka mbërritur në Shqipëri asnjë vulë
origjinale, përveç stampimeve të vulave të
ndryshme që ka përdorur Skënderbeu në letrat
që ai ka shkruar, pak prej të cilave kanë arritur
të gjenden. Lajmi për mbërritjen e pritshme të
vulës së rrallë është konfirmuar dje
për “Shekullin” nga zyra e shtypit e Ministrisë
së Jashtme. Zëdhënësi i kësaj ministrie
është shprehur se “Vula e dyllit të Heroit
Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e cila ndodhet
në Muzeun Kombëtar të Danimarkës, me interesimin
e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të
ekspozohet së shpejti në Muzeun Kombëtar në
Tiranë si dhe në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
në Krujë.
Si u njoh vula
Prej
kohësh qëndronte e ekspozuar në Muzeun Kombëtar
në Kopenhagen. Por studiuesit shqiptarë nuk e kanë
pikasur atë. Ajo ka qëndruar e harruar deri para pak
kohësh, kur ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë,
Qemal Minxhozi ka treguar interes për objektin në fjalë.
Pasi ka parë vulën e ekspozuar në muzeun e Danimarkës,
ambasadori shqiptar ka zhvilluar një takim me kuratorin e
Muzeut Kombëtar të Danimarkës, Peate Penz, me të
cilin kanë rënë dakord që vula të sillet
për t’u ekspozuar në Shqipëri. Minxhozi e
ka vrojtuar nga afër vulën e dyllit të Heroit Kombëtar
në këtë muze. Ai është shprehur se vula
është në gjendje shumë të mirë dhe
se të gjitha inicialet e saj ishin tepër të qarta.
Nga ana tjetër, sipas kuratorit të muzeut të Danimarkës,
Peate Pentz, vula mendohet të jetë derdhur në gadishullin
Italik, pasi kualiteti i derdhjes është shumë i
lartë dhe i avancuar për t’u krijuar në vende
të tjera të Evropës. Me kërkesë të
Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadori
ynë ka biseduar me kuratorin danez për mundësinë
e ekspozimit të kësaj vule me kaq vlera të mëdha
kombëtare e historike në Muzeun Kombëtar të
Tiranës dhe edhe në atë të Krujës. Në
takim janë dorëzuar formularët për kushtet
që duhet të plotësohen nga specialistët shqiptarë
përkatës, për të bërë të mundur
zhvendosjen e shpejtë të kësaj vule dhe mirëmbajtjen
e saj në kushte të mira.
Prononcim:
Sabri Godo: Sikur të na bëhej dhuratë kjo vulë!
Shkrimtari Sabri Godo, i cili ka shkruar edhe një libër
kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
titulluar “Skënderbeu”, shpreh entuziazëm
për mbërritjen e kësaj vule të ekspozuar në
Danimarkë, edhe në Shqipëri. “Ky është
një lajm i bukur. Mendoj se kjo vulë, nëse vërtet
është ajo që përshkruhet, është
e një rëndësie të madhe dhe mbart shumë
vlera. Unë nuk e kam parë atë, por do të pres
kur ajo të mbërrijë që ta vrojtoj nga afër.
Megjithatë, ndoshta do të ishte më mirë që
ajo jo vetëm të ekspozohej në muzetë tona,
por të ishte edhe pjesë e tyre. Më bukur do të
qe nëse muzeu i Evropës ku është ekspozuar
t’ia bënte dhuratë Muzeut tonë Kombëtar”,
- shprehet Godo. Ai shton se nga kancelaria e Skënderbeut
janë zbuluar disa gjëra interesante dhe me shumë
vlera dhe se të tilla, me siguri, ende kanë për
t’u zbuluar në të ardhmen. Zbulimi i korrespondencës
së Skënderbeut në arkivat e Vatikanit është
një nga surprizat më të bukura të kohëve
të fundit si dëshmi tepër e rëndësishme
historike e kohës. Në shumë prej këtyre dokumenteve
ka edhe vula të Skënderbeut,
Studiuesi:
Vulat e Skënderbeut, historia e vulës shtetërore
dhe sekrete
Studiuesi Dhimitër Pilika, autor i disa studimeve për
vulat dhe për betejat e kohës së Skënderbeut,
na shpjegon historinë e gjetjes së vulave të stampuara
në letër nga epoka e Skënderbeut. Ai thotë
se bëhet fjalë për vulën shtetërore dhe
atë sekrete të Skënderbeut. “Por nuk janë
vula materiale, madje nuk janë gjetur as dokumentet origjinale
në letër të vulosura, por disa kopje të tyre.
Këto kopje me vulën shtetërore dhe atë sekrete
të Gjergj Kastriot Skënderbeut janë ekspozuar prej
kohësh në muzetë shqiptare, që prej vitit
1961. Që të dyja janë gjetur nga një profesor
sllovak në Pragë, në arkivin e Raguzës”,
- tregon Dhimitër Pilika. Ai shton se vula shtetërore
stampon imazhin e një shqiponje me dy krerë dhe një
yll me gjashtë cepa, që përfaqëson diellin,
ndërsa vula tjetër, ajo sekretja, që sipas Pilikës,
përdorej nga Skënderbeu për dokumente kryesisht
financiare, stamponte imazhin e Zeusit të Dodonës bashkë
me Ledën, një perri pellazge. Pilika përmend si
gjetje interesante nga kancelaria e Skënderbeut edhe letrat
që ky i fundit i ka pas çuar Vatikanit. Deri më
tani gjenden të botuara vetëm letrat që Vatikani
i ka pas dërguar Skënderbeut dhe jo anasjelltas. Në
letrat e zbuluara janë gjetur edhe stampimet e vulave që
ka përdorur Skënderbeu. Sa i përket vulës
së gjetur, Pilika thotë se nuk e ka parë ende atë
dhe se nuk mund të flasë me siguri pa e vrojtuar.
Minxhozi në tratativa për sjelljen në Tiranë.
Ja aventura e vulës, që mbërriti në muze nga
një ankand
Ambasadori: Si e gjetëm vulën në muzeun e Danimarkës
Ka përfunduar në muzeun e Danimarkës që në
1839, por jo si vulë e Skënderbeut. Është
blerë nga ky muze me ankand në këtë kohë
si një relike e Perandorisë Osmane. Deri në dhjetor
të vitit 2002 njihej dhe ekspozohej në pavijonet e Muzeut
Kombëtar të Danimarkës si e tillë. Ja çfarë
rrëfen ambasadori shqiptar në Danimarkë për
odisenë e kësaj vule qindravjeçare: “Që
nga 1839 vula e Skënderbeut që pritet të mbërrijë
në Tiranë konsiderohej si një relike nga vulat
e Perandorisë Osmane. Vetëm përpara një viti,
arkeologu Peate Penz, kurator i muzeut, në një studim
të bërë, zbuloi se nuk bëhej fjalë për
një relike të Perandorisë Osmane, por për
një nga vulat origjinale të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Në
të njëjtën kohë vula e zbuluar, pjesa e dyllit
ka iniciale të qarta që tregojnë datimin e saj
që nga koha e Skënderbeut. Arkeologu i njohur danez
Penz ka përgatitur një artikull të gjatë studimor
që do të botohet së shpejti në mediat shkencore
të Kopenhagenit dhe do të titullohet “Shqiptari
i madh”. Në këtë artikull ai do të zbulojë
se si arriti ta identifikojë objektin e pretenduar për
relike të Perandorisë Osmane që doli se është
vula e heroit kombëtar të shqiptarëve”, -
shprehet nga Danimarka, ambasadori i Shqipërisë atje,
Qemal Minxhozi. Ai këto ditë është duke bërë
tratativa për ta sjellë objektin në Shqipëri
që të ekspozohet dhe thotë se mendohet që
objekti të mbërrijë këtu pas një ose
dy muajsh. “Ky është një proces që kërkon
dëshirë politike, të cilën, ne e kemi patur
deri tani, por edhe i kushtueshëm”, - shprehet Minxhozi.
Më tej ai shton se ka vetëm tre ditë që ka
patur mundësinë ta vrojtojë nga afër dhe ta
prekë vulën në fjalë. “Përpara
tre ditësh m’u mundësua ta vrojtoj nga afër
këtë vulë dhe ta prek atë, sigurisht i pajisur
me dorashkat përkatëse. Vula nuk është ndonjë
objekt mahnitës, as i ndonjë madhësie të pazakontë
siç mund të mendohet. Është pak më
e madhe se vulat tona të zakonshme zyrtare. Ajo përbëhet
nga pjesa metalike, që është vula e parë nga
sipër dhe pjesa e dyllit ku lexohen qartë inicialet
identifikuese të kohës së Skënderbeut. Gjatë
gjithë këtyre kohëve, pra që nga 1839 kur
vula ka mbërritur në muzeun e Danimarkës, është
prezantuar siç thashë, si relike e osmanëve dhe
vetëm para një viti është identifikuar si
shqiptare nga Penz”, - shprehet ambasadori Minxhozi. Ai
shton se ndërkohë që bëhen tratativat për
ta sjellë në Tiranë, po mendohet që ardhja
e saj në Shqipëri të shoqërohet edhe me ndonjë
aktivitet, ku ajo të prezantohet më mirë për
publikun dhe studiuesit shqiptarë. Sa i përket blerjes
apo dhurimit të këtij objekti për muzeun shqiptar,
Minxhozi thotë se është ende herët të
flitet për këtë dhe se ajo që pretendohet
për momentin është sjellja e objektit për
t’u ekspozuar në Tiranë.