martir
i fesë dhe i shqiptarizmës së kulluar
“A e dini se çdo ndertese
i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, ne hijshem
duhet t’jemi gurt e temelit t’njiasaj binaje t’cillin
sot e quajm Shqypni” At Anton Harapi (1888-1946)
Një sqarim i “vogël” për lexuesit
shqiptarë Kam lexuar para disa kohe me një kujdes të
veçantë një shkrim kuptimplotë të publicistit
të mirënjohur z. Mergim Korça, në gazetën
shqiptaro-amerikane “Illyria” në Manhattan New
York. Ju përgëzoj i dashur bashkëatdhetar, që
jeni shumë i shqetësuar për mosfutjen e emrit të
veprës martire të At Anton harapit në fazën
e kanonizimit, që Selia e Shenjtë në Vatikan aplikon
për meshtarët e Krishtit. Dhe pikërisht për
atë ushtar besnik të Urdhërit të Shën
Françeskut, që me sandale dhe varfëri qendroi
pranë dhe mes popullit të vet, ku gjithnjë për
te Shqipnia ishte NJI. U privua nga kjo e drejtë e merituar,
pikërisht françeskani i përvujtë, që
u pushkatua barbarisht me fjalët e Krishtit në gojë:
“Fali o Zot se nuk dijnë çka bajnë”,
“Rrnoft Krishti Mbret!”, “Rrnoft Shqipnia edhe
pa ne!”. Keni shumë të drejtë i nderuari
z. Korça, kur thoni, se me At Antonin, do të ndodhë
njësoj sikurse i ngjau Padre Piu-t, i cili, kur ishte në
jetën tokësore thoshte: “La Benedizione del Signore
scenda su di te, sulla tua casa e su tutte le persone a te care”.
Atëherë ç’vlerë ka pendesa, kur veprimi
i padrejtë, për mosshënimin e emrit në listën
e martirëve shqiptarë është bërë
me dëshirën e një individi apo “komisioni”
shqiptarësh. Askush nuk ka drejtë t’i jap të
gatshëm në tabaka Selisë së Shenjtë,
ku meshtar e meriton apo jo, që të bëhet martir
i lterit! Me sa di unë, Komisioni i Rishqyrtimit të
Aktit të Martirizimit të Klerikëve Katolikë
në kohën e masakrave të komunizmit (sikurse në
të gjithë vendet diktatoriale dhe komuniste të
ish - Evropës Lindore) nga Vatikani, ka kërkuar prej
Konferences Ipeshkvnore të Kishës Katolike në Shqipëri
dokumentet (të marra nga Arkivi Qendror i Shtetit, aktet
e gjyqeve), dëshmi me deklarata autentike nga përsona
që dëshmojnë vërtetësinë e faktit
të kërkuar, dhe jo të paragjykohet nga gjyqi i
dytë shqiptar, etj. “komisioni” apo individë,
kushdo kjoftë, duhet t’i ketë parë pikturat
ose arkivat, që i kushtohen pushkatimit të klerikëve
katolikë, një prej të cilëve është
edhe At Anton Harapi. Frati i pushkatuar e i anatemuar pa mëshirë,
ka nevojë që të qitet në shesh me dokumente
autentike dhe jo të marrë të gatshme nga zyrat
e ekzekutorëve etërit dhe bijtë e të cilëve
ende drejtojnë Shqipërinë dhe ende nuk kanë
bërë “mia culpa” për krimet që
kanë bërë kundër njerëzimit dhe popullit
të vet. Veprimi i njëanshëm dhe me tendenca diskriminuese
që kanë përdorur sot servilët e sistemit qofshin
këto dhe me petk meshtarak, është një shkelje
ndaj martirëve të krishtërimit që e kanë
derdhur gjakun e tyre për ungjillizimin e popullit dhe dashninë
e besimtarëve shqiptarë. Shpesh po abuzohet pa të
drejtë përmes një fotografie, ku ka dalë frati
që ka kaluar në amshim At Anton Harapi me një gjeneral
gjerman Fitstum asokohe të Luftës Dytë Botërore...
Mirëpo, kushdo e di, se e gjithë hierarkia që ka
10 vjet pushtet shpirtëror në Shqipëri (25 Prill
1993-2003), pas vitit 1993 me përjashtim të Shkëlqësisë
së Tij imzot Zef Simoni Ipeshkëv (që ka vuajtur
kalvarin komunist për 12 vjet në Spaç, Burrel,
Sarandë, etj.), përsa i përket historisë së
martirizimit të prelatëve tanë, nuk i njohin, dhe
mendoj se nuk kanë të drejtë të vendosë
apriori.
Nuk është vonë të bëhet dorëzimi
i materialeve për fratin Anton Harapi në Vatikan, mbasi
drejtësia herët ose vonë do të triumfojë...
Do të vijë një ditë që madhështia
e Pader Anton Harapit, të rritët ashtu sikurse ngjau
pas shumë dekadash me shenjtin Pader Piu-n. Faqet e historisë,
të mbshura me male kufomash të pafajshme nga kmerët
e kuq të polpotit të Tiranës së kuqe të
diktatorit largkjoftë, me heshtjen e tyre stoike po flasin
dhe kërkojnë drejtësi. Opurtiniteti e konformizmi
me xhelatët ekzekutorë që janë sot në
pushtet pas revolucionit jevgjito-komunist të vitit të
zi 1997, do të shkrihet si kripa në ujë...
Në një natë të errët e të vranët,
u hapën gropa të mëdha kolektive. U gjakosën
qielli e toka, u thanë trungje shumëvjeçare.
U vranë nga komunistët, bijtë e kësaj toke,
që shquheshin për nga lartësia shpirtërore,
për nga zgjuarësia e trimëria. Shumë klerikë
katolikë u pushkatuan me gjyq fars dhe pa gjyq, u burgosën,
internuan dhe zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.
U vranë mizorisht 8 kryeipeshkëvij, 4 ipeshkëvij,
53 priftërinj dioqezanë, 25 françeskanë,
10 jezuitë, 10 seminaristë. Ata së bashku kishin
bërë 881 vjet burg ose gati 9 shekuj vuajtje. Ata së
bashku kishin kryer 450 vjet studime në 24 universitete të
ndryshme. Këtë fat të zi kishte edhe At Antoni.
Në këtë mënyrë, historia njerëzore
mbetet një meteor, që shndritë përjetë
veprën e prelatëve të kishës dhe të kombit
shqiptar të mbisalvuar. Asnjë përkujtimore shkencore
nuk është bërë për përkujtimin e
veprës dhe jetës së tij në dobi të shqiptarizmës
së kulluar. Tash 14 vjet në Shqipëri dhe për
më tepër në vendlindje në qytetin e Shkodrës,
nuk është bërë asgjë, as nga Urdhëri
Françeskan që e ka për detyrë të përkujtojë
martirët e Shën Françeskut, një shembëlltyrë
e të cilit ishte edhe frati shqiptar At Anton Harapi. Vetëm
në Prishtinë, revista kulturore “Jeta e Re”
në vititn 1997, i ka përkushtuar një numër
të veçantë At Anton Harapit. Asnjë pendesë,
nuk ka nga ata autorë që dje e mallëkuan me shkrime
turpi dhe sot përsëri po rishkruajnë me metorën
e “realizmit social-komunist”, “Historinë
e Letërsisë Shqipe” (Antologjinë) dhe të
ashtëquajturën “Histori e Populli Shqiptar”
(2002), ku domonojnë “Prof.dr.” e komunizmit.
Tashmë hipokrizia ka dalë sheshit dhe po han bukën
e marres së vet nga pushtetarët socialkomunist që
janë bërë padronë shpirtërorë, kulturorë,
fizikë dhe ekonomik në vendlindjen tonë e përtej
saj... Kush ishte dhe mbeti At Anton Harapi Ai lindi në Shirokë
të Shkodrës, më 5 janar 1888. I biri i Loros dhe
i Çiles, shtoi gëzimin e familjes që jetonte
buzë valëve të Liqenit piktoresk. Babai merrej
me peshkim, të cilin e kishte traditë. Në fëmijëri
bashkëmoshatarët e thërrisnin Gaspër, sepse
ishte i pagëzuar me këtë emër. Që në
moshë të re hyri në Kolegjin e Jezuitëve dhe
më pas në Kolegjin Françeskan, që ishte
dhe mbeti shtylla e traditës së mirëfilltë
kombëtare shqiptare, duke qenë përherë një
pikë e mirëfilltë referimi për të gjithë
gjeneratat e mëvonshme, që dolën nga kjo qendër
e rrezatimit të fortë të gurrës së pashtershme
popullore fetare e atdhetare. Vocërraku, aty mori njohuritë
elementare të teologjisë, rriti cilësinë e
mendjes së vet, duke fisnikëruar zemrën me kulturë
fetare, u mëkua me dashurinë e thellë për
Atdheun. Si fëmijë dallohej për mirësi, butësi,
përshpirtëri, duke qenë një dashamirës,
me vepra të lloj-llojshme mëshire. Rezultatet e larta
në shkollë i mundësuan adolishentit të mençur,
të vijojë studimet e larta në disa qytete të
rëndësishme të Austrisë, që njihen si
metropole të rrezatimit të kulturës së lashtë
e bashkëkohore botërore. Këtu rregullisht studio
në Villach të Tirolit, Salezburg dhe Shvarc për
degën adhuruese të tij teologji. Ai ishte një enciklopedi
që ecte me dy këmbë mbasi, preferonte shumë
të ishte në kontakt me bibliotekat, si një frekuentues
shumë i rregullt dhe i azhurnuar me të gjithë median
e huaj evropiane që vinte në këtë bibliotekë.
Pranë profesorëve të mirënjohur austriakë
dhe të traditës fetare vendase, këtu studioi për
degët e adhuruara teozofi e filozofi, ku menjëherë
përfitoi një kulturë të shëndoshë
oksidentale, dije të qëndrueshme, përpikmëri
të dalluar të stilit gjerman, qendresë të
shpirtit të hekurt françeskan.
Duhet vënë në dukje se pikërisht gga ky element
i vlefshëm françeskan, rezulton, se françeskanët
nëtë tërësi, pa kursim derdhin energjitë
e tyre në kulturë, dije, përparim, cilësi
me vullnet pune dhe inisiativë të lirë përsonale.
Kësisoj, mbi të gjitha në unitet dominoi bashkimi
i të gjithë virtyteteve pozitive, duke plotësuar
më tej shpirtin e pastër françeskan, me të
cilin frati ynë ishte i edukuar qysh në fillim... Gaspëri
i ri, bëhet At Anton Harapi në Shqipëri. Dijet
e thalla akademike, që ai i kishte akumuluar gjatë viteve
të studimeve akademike, nuk do ta tulatshin kujtesën
e tij të freskët, por do të shpërthenin valë
- valë, gjithnjë në nivele të reja rritjeje,
me një dinamikë për t’u pasur zili, të
cilat falë aftësive përsonale, do t’i reflektonte
me finesë. Argumentet që buronin në mënyrë
të natyrshme, në çdo kohë dhe rrethanë,
do t’i parashtronte me një logjikë të hekurt
gjermane. Kjo ishte aftësi profesionale vetëm e një
gjeniu të rrallë. Dhe një njeri i tillë, dy
herë nuk do të përsëritet në tokën
shqiptare. Mbi freskinë dhe mendimin e gërshetuar filozofik,
për stilin e matur karakteristik, të lidhur me rrjedhshmëri,
Dom Kolec Prenushi, na ofron para 67 vjetëve këto rradhë
vlerësimi: “...mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj,
nder cillt disa janë kryvepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun,
analizimi i holl, stili i peshuem, dallojn gjith shkrimet e tija.
Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt
e i pafajshem” (Shih, “Hylli i Dritës”,
1936, fq. 583). Për të gjithë ata që hodhën
vrerë, për jetën dhe veprën e At Antonit (kujtojmë
se posaçërisht për të ulur figurën
e martirit shqiptar françeskan, pseudoshkrimtari Skënder
Drini, për të përfituar poste dhe “merita”,
zhgarravitë me urretjen e tij latente, dramën përvese
“Shembja e hidhujve” me përsonazh kryesor të
ashtëqujtunin “Harapi i Shkodres”, duke fyer
edhe më tej me skenarin e filmit dhe libretin e drames me
te njejtin titull figuren e At Anton Harapit. Me ardhjen e demokracisë
ky shkrim në vend që të bënte “mia culpa”
u shpërblye për bëmat e tij si Atashe Kulturor
në Konsullaten e Shqipërisë në Turqi shënimi
im K. Kapinova), që vraponte shpejt për të përhapur
paqen, dashurinë për njeri - tjetrin, e drejtësinë
midis njerëzve, do të ishte me vend, që nga thellësia
e shekujve, t’u përgjigjemi me një fjalë
të urtë të skalitur nga Paskal: “Ndërgjegja,
është libri më i mirë moral që kemi dhe
me të cilin, duhet të këshillohemi më shumë”.
Si intelektual model, sillte me vete mentalitetin e misionarëve
përparimtarë europianë, që në shumicë
asokohe kishin në zotërim shartet e Provincës Françeskane
(shek. XII - XIII), që po hidhte shtat me palcë e fizionomi
shqiptare, tërësisht me taban solid, e cila gradualisht
kishte çelur gonxhe, që shpërthyen në të
ardhmen lulëzimin e kulturës amtare shqiptare, ku në
rezonancë dominonte fryma e ngrohtë françeskane
“lutu e puno”. Veprimtaria fetare e atdhetare Në
vitin 1910, At Antoni kthehet në Shqipëri dhe shugurohet
meshtar, duke qenë deri në flijim meshtar besnik i zhgunit
të Shën Françeskut e popullit që e donte
dhe e respektonte me veneracion. Ai punon si mësues në
Kolegjin e Fretënve, ku, kishte mësuar qysh I vogël.
Si I ri, kishte ide e objektiva të veçanta, duke I
kanalizuar në një shtrat të vetëm, formimin
dituror të rinisë së ardhshme, me metoda të
tilla, ku, dallohet universaliteti I dritës, për t’i
ndriçuar të gjitha së bashku pa dallim bindjesh,
përkatësish, krahinash, origjinë edukimi, lloje
shkollash, duke nisur që të edukoj kësisoj njerëz
me virtyte, ku mirësia, dashuria, feja, nacioni të jenë
bashkëudhëtarë të pandashëm gjatë
gjithë jetës tek shqiptarët. Gjatë tetorit
të vitit 1912 deri në prill 1913 (vite të trazimeve
të mëdha të Luftës së Parë Botërore),
I përkushtohet shërbesave fetare në kishën
“Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në
Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Në
këtë lagje u njoh dhe u ballafaqua me varfërinë
e tejskajshme, të cilën e përjetonte vetë,
mes banorëve pa dallim feje. Viti 1916, për banorët
malësorë të Dukagjinit, ishte një vit I vështirë,
vit I sëmundjes epidemike të kolerës, ku, njerëzit
njeri pas tjetrit vdisnin dhe askush nuk u gjendej pranë
nga frika e lëngatës. Por meshtari karizmatik, me shpirt
të pastër fisniku, u gjend si shërbetor pranë
tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar.
Frati 25 vjeçar, me ndjenja të holla të humanizmit,
ecte në këmbë, nëpër katunde të
thella e të ashpra malore, në të gjitha shtëpitë
e bjeshkëve të thepisura të Dukagjinit (Malësia
e Mbishkodrës), për të shpëtuar nga vdekja
e sigurtë malësorët, duke I ndihmuar drejtpërdrejtë
nga ana profilaksike kundër kolerës, kësaj murtaje
të fillmshekullit XX, që kishte përpirë miliona
jetë njerëzish nëpër botë... Viti 1918,
fratin e Urdhërit të Shën Françeskut (vendosur
në Arbëri në shek. XIII), e gjeti famullitar në
katundin Grudë. Binomi “Fe e Atdhe”, qe aorta
e zemrës së tij, e Gruda ishte terreni, ku edhe një
herë shpalosi zgjuarësinë dhe dituritë e thella
enciklopedike, të cilat spikaten sipas mendimit tim, në
dy rrafshe: së pari, në fushën e gjërë
politike, ku, për interesat e larta të nacionit pranonte
të flijohej, për të mirën e përbashkët;
së dyti, spikat me sukses në lëmin e letrave shqipe,
duke pasur pendë e mendim të mprehtë, të cilat
admiroheshin nga qarqet preferuese të sferës së
letrave albanologjike. Për të tillë publicist,
me polemikë rezultative dhe mendime të reja, pohohet
me të drejtën e qytetarisë, se epoka e njerëzve
të mëdhenj vulos me gjurmët e veta të pashlyeshme,
ku, këtu dallohen mirë njerëzit e ndritur, që
denjësisht i përfaqësojnë, në paradën
e së cilës, bën pjesë edhe emri i ndritur
i At Anton Harapit. Pa hyrë në hollësira e zgjatje
të tepërta, në kontekstin e këtij shkrimi
modest, dua të nënvizoj idenë e ndonjë mediokri,
që e trajton apo vlerëson si sakrilegj bashkëpunimin
e Kishës Katolike në Shqipëri me problemet nacionale,
kur dihet historikisht, se në shekuj kemi të përcaktuar
parimet kryesore të këtij uniteti nga etërit dhe
dijetarët e shquar të Kishës. Në kushtet kur
populli ynë jetonte errësirën më të gjatë
mesjetare dhe njëkohsisht të shoqëruar me plot
kalvare përsekutimi, nën pushtimin më të egër
të barbarëve otomanë, në veçanti klerikët
katolikë (në trojet etnike shqiptare dhe shtetin amë),
kanë qenë sistematikisht gjatë shekujve vetëdija
e nacionit shqiptar, duke sjellë përherë zgjimin
e ndërgjegjës së mirëfilltë nacionale.
Në këtë kohë, shekull pas shekulli, kultura
shqiptare u ngrit në nivele të reja, brenda kishës
sonë, por që gjatë përbuzjes së gjatë,
zëvendësoi me dinjitet Akademinë e Parë Shqiptare
brenda universit shqiptar. Sa për ilustrim, po sjellim një
shembull, të cilin esencialisht po e trajtoi më poshtë.
Në veprën më të përkthyer në shumë
gjuhë të botës: “Angazhimi ynë shoqëror”,
në mënyrë filozofike, autori i saj, prof. Giorgio
La Piera (1904-1977), nënvizon: “Nga pikëpamja
katolike, politika është veprimtaria udhëheqëse
e jetës njerëzore, që ushtrohet nga shteti, gjinia
ose nga klasat me plotësinë e problemeve shpirtërore
dhe materiale të individit dhe komunitetit”. Këto
dije të kohës, I kishte si vizione të kjarta At
Anton Harapi dhe po udhëtonte në rrugë të
sigurtë. Ai, përherë mendonte e vepronte nën
shembullin e idealeve, që i kishte si pika referimi, se “...njerin
e ban shpirti dhe ndergjegja, e paraqet sjellja, e vlerson puna;
apostullin e rrit ideali, qendresa e guximit; bamirsin e krijon
zemer-gjansija e vetmohimi. Para plumbit, qi e rrzoi perdhe, shqiptoi
pa za: “Lumin e ep deka kunoren e ven varri”, - shkruan
në parathanien e vepres “Andra e Pretashit”,
studiuesi i afërt i tij Gjin Duka (alias At Daniel Gjeçaj)...
Ai njohu me të gjitha përmasat e saj zonën e Grudës
së Malësisë së Madhe, koloritin e gjallë
të zakoneve, vajet, dasmat, epiken, psikologjinë origjinale
të trevave kreshnike të marra në studim, pra tërësinë
klasike të kulturës së pasur nacionale ende të
palëvruar asokohe... Në këtë mjedis të
ri dhe të përshtatshëm për mendjen dhe punën
e tij me pasion lindi dhe u rrit romani “Andra e Pretashit”,
që vlerësohet nga vetë biografët më të
afërt të autorit, si një ndër kryeveprat e
dorëshkrimeve, që i la si pasuri të paçmuar
Atdheut të vet. Ai ruajti me mjeshtëri kompozimin unik
të një vepre letrare.
Midis malësorëve të zonës së Vajzës
së Kastratit (Malësi e Madhe), spikat njohja e hollë
e psikologjisë së njerëzve, kultura e pasur dhe
e gjerë fetare, si bari I popullit, duke qenë përherë
në shërbim të tij, për t’i pajisur ata
me nivele të reja të civilizimit përparimtar. Zelli
për kulturë qytetare ishte pjesë e edukatës,
falë aftësive të lindura dhe të kultivuara
në fushën pedagogjike, për rininë shqiptare
brenda famullisë, ku, ai posaçërisht kontribuoi
çdo ditë në formimin e të krishterëve
katolikë të ndërgjeshëm, tek e ktheu atë
në qendër të rëndësishme të akumulimit
të diturive të reja perëndimore. Në rrafshin
politik, mbeti një zbulues i gjallë i fatit të
popullit shqiptar. Në kujtesën e historisë, kanë
mbetur të pashlyera shumë ngjarje, që gjithsesi
kanë emrin e kontributit të meshtarit të shqiptarizmës.
Në kohën e turbullirave politike, midis të cilave
ishte mbërthyer kontinenti i Europës, Fuqitë e
Mëdha, hartonin harta të reja, ku, pa të drejtë,
Shqipërisë së vogël gjeografikisht, i cungoheshin
arbitrarisht, njëra pas tjetrës disa treva të trungut
amë. A mund të heshte frati i urtë, përballë
kësaj masakre, që u bëhej ditën për diell
tokave shqiptare!? Normalisht, që jo. I veshur me zhgun,
me nismën e vet, organizon menjëherë tre bajrakë,
si: Gruda, Hoti e Triepshi dhe përmes tyre, i dorëzon
Memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin
1918, komandantit francez në Shkodër (asokohe në
Shkodër, kishin zyren e tyre konsullore 7 përfaqësi
të huaja). Në bashkëpunim me liberatorin e madh
Luigj Gurakuqin dhe “Poetin Nacional” At Gjergj Fishta
OFM, harton një Peticion, të nënshkruar nga 200
përfaqësues të tre bajrakëve, drejtuar përkatësisht
Konferencës së Paqes në Paris, Ministrave të
Jashtëm të ShBa-së, Anglisë, Francës
dhe Italisë.
Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit
e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan
demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur: “Hot
e Grud kekan betue Pa gjak malet mos me i l’shue...”
Frati ynë, kishte moq e dashamirë, duke bashkëpunuar
ngushtë me At Marin Sirdanin, At Shtjefen Kryeziu Gjeçovin,
Çerçiz Topullin, Isa Boletinin, Fan Stilian Nolin,
At Gjergj Fishtën, Imzot Vinçenc Prennushin, At Donat
Kurtin, Dr. At Gjon Shllakun, Dom Ndre Zadejen, Hilë Mosin,
Mehmet Shpendin, etj., në Jug e Veri të Shqipërisë.
Cicëroni i oratorisë nacionale në ligjeratat fetare
e nacionale “Kjo ishte edukata harapiane. Ai ishte i kryqzuem
n’Kryq per Fe e Atdhe” At Daniel Gjeçaj (1913-2002)
Në ligjeratat e tij të famshme, të mbajtura në
“Parisin e vogël”, sikurse njihej nga intelektualët
asokohe qyteti kulturdashës Korça, ndër të
tjera At Anton Harapi u shpreh: “Jam fetar, por kam tager
dhe detyr shoqnor”. E rëndësishme për At
Antonin, ishte fati i nacionit dhe i martirëve, të cilët
për vemendjen që i kushtonte rëndësisë
së tyre, ishin pjesë e jetës së tij. Populli
i Shkodrës, kurrë s’do ta harrojë përshëndetjen
e fundit të titulluar: “Dy lotet e nji betimi”,
si shembull i oratorisë klasike shqipe, në përcjelljen
e eshtrave të martirëve nacionalë Mustafë
Qullit dhe Çerçiz Topullit, shtrënguan duart
në shenjë betimi nacional: “Për nji Shqipni
të bashkueme e të lidhun me idealin e herojve”.
Ajo që i jep konture të plota portretit të tij,
është se ishte dhe mbeti si teolog, konferencier me
mendim të freskët e cilësi të spikatur, ku
në mënyrë të dukshme shquhet në drejtime
parësore fetare e nacionale. Gojëtaria e tij, ishte
përherë e kjartë në mendimet e shprehura,
arsyetimin e lidhur mbi bazën e një logjike të
kristalizuar e të ngjeshur mirë, ku çfarëdo
që të lexosh nga erudicioni solid, të bie në
sy tema e kuptueshme dhe e përshtatshme e veprave që
shkroi dhe kumtesave historike që ligjëroi para njerëzve
me nivel përgatitjeje e dije të ndryshme kulturore.
Frati stoik, vazhdimisht ishte i pritur për një bashkëjetesë
paqësore, vëllazërore në katër besimet
fetare (bektashi, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë),
ashtu sikurse ka vlerësuar me të drejtë biografi
i pasionuar At Daniel Gjeçaj, ku, nënvizon: “Kjo
ishte edukata harapiane. Ai ishte i kryeqzuem n’Kryq për
Fe e Atdhe”. Viti 1920, mbetët për meshtarin e
Shën Françeskut, kohë e ingranimit me lëvizjen
atdhetare shqiptare, në kushte e rrethana të reja, falë
enërgjive të pashtërshme të prelatit, mori
një shtytje dhe organizim të ri. Më 1921-1924,
bëhet drejtues i grupit të njohur atdhetar “Ora
e Maleve”, së bashku me poetin e njohur At Gjergj Fishtën
(1870-1940), demokratin liberator Luigj Gurakuqin, Dom Lazër
Shantojën, duke qenë njëkohsisht themelues, drejtues
e botues i aftë i fletores “Ora e Maleve”, që
rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë. Për
më tepër, liberatorit të madh Luigj Gurakuqit,
i përkushton veprën e vet të titulluar: “Andra
e Pretashit”, ku shkruhet: “Luigj Gurakuqit- burrit
vërtetë burrë”. Më 1924, u zhvilluan
zgjedhjet e para në Shqipëri, ku, gjendet mes “opozitës”
së kohës përkrah Gurakuqit, Fishtës, Bajram
Currit, At Benardin Palaj, Nolit etj. , që ishin pararoja
e kësaj lëvizjeje, duke sjellë një mendim
të epërm e veprim më të përshpejtuar
racional për nacionin shqiptar. At Anton Harapi, ka meritë
për organizmin politik të kristiandemokratëve shqiptarë
(1920) dhe që lidhen pastaj me përpjekjet më fisnike
të një partie të re Demokristiane shqiptare, më
1930, e cila shquhej me programin e saj bashkëkohorë
për palcën me tipare të thella atdhetare e humanizmi,
duke përuar dhe reflektuar parime të shëndosha
të burime kristiane, duke mos qendruar pas nacioneve civilizuese
me tradita të lashta politike, si italianët e gjermanët,
në përputhje me nevojat e kohës. Me logjikë
më të zhvilluar, demokristianët e parë shqiptarë
në ide e shpirt, më 1946, ishin të njëkohshëm
me De Gasperi-n në Itali dhe Audenhaurin në Gjermani,
ku, shqiptarët kristiandemokratë, paraqiten si alternativa
më shpresëdhënëse në periudha të
ndezura antifashiste e antikomuniste të nacionit tonë
të rrënuar nga Lufta e Dytë Botërore... Pas
rrëzimit të Qeverisë së Nolit, për shkaqe,
që tashmë dihen mirë, sikurse shumë të
tjerë, frati demokrat arrestohet 3 herë dhe burgoset
së bashku me At Benardin Palaj e më vëllezër
të tjerë në Krishtin të Urdhërit të
Shën Françeskut, mbasi kishin përkrahur alternativën
e demokracisë liberale të popullit, “Për
një Shqipni t’Lir e t’Perparueme”.
Mbasi lirohet nga burgu, me vendosmëri dhe klajtësi
ideore, vijon pa ndërprerje misionin e shenjtë, duke
predikuar doktriminën e krishtërë. Si i Derguari
i Françeskanëve të Veriut, i kërkon Qeverisë
së Tiranës haptazi: “Flamurin Kuq e Zi, Gjuhën
Nacionale, Lirin e Pavarsin e plot t’popullit”. Edhe
pse kishte detyren e rëndësishme të Provincialit,
nuk e shkëpuste për asnjë ast veprimtarinë
adhuruese atdhetare. Më 1933, ishte drejtues i Kolegjit Françeskan
(Rektor), drejtor i Liceut “Illyricum” dhe pedagog
në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine
në qytetin e Shkodrës (Gjuhadol). Në harkun kohor
të viteve 1930-1936, është drejtori i së përkohshmes
prestigjioze revistes së mirënjohur në Ballkan
“Hylli i Dritës” (Botuar për herë të
parë më 1913), bashkëdrejtues i gazetës “Posta
e Shqypnisë”, revistës fetaro - kulturore “Zani
i Shna Ndout” etj. Me pendën e fuqishme në fushën
e letrave shqipe Frati, krahas përkushtimit fetar dhe vlerave
të çmueshme sociale të komunitetit, dallon me
po atë madhështi, në filozofi, teologji, pedagogji,
sociologji, publicistikë dhe letërsi artistike. Homelitë
e këndshme, që mbajnë peshën e fjalëve
frymëzuese të At Antonit, si vlerë autentike zbukurojnë
letërsinë e pasur fetare të traditës gegë,
ku, në tërësi kulmoi erudicioni esencial plot elokuencë
elegante e me një diksion të kjartë.
Në mënyrë të rregullt, ndiqte rrymat e letërsisë
botërore, lexonte në origjinal autorët e famshëm
të pedagogjisë moderne të kohës, si: Pestaloc,
Hergert, Frobel, Herbart, Forster etj. Midis librave dhe përherë
pranë librave, mendonte se mendja e tij dhe e çdo
njeriu, në përgjithësi, duke lexuar bën një
gjimnastikë të mirë, sepse zgjeron dritaret e diturisë
njerëzore, të cilat përherë duhet të
jenë të interesuara, për të lejuar depërtimin
e njohurive të reja bashkëkohore. Shpesh At Antoni porosiste:
“Gjimnastika e mendjes, me ushtrimin e vullndeses, duhet
të shkojë krahas me penden, si krahet e shqipes, qi
ket e naltojn n’ajer dhe e mbajn n’drejtpeshim”.
Si pasojë e një akumulimi të dijeve dhe të
përvojës si pedagog, në vitin 1925 boton veprën
e parë pedagogjike, e cila njiherazi mund të cilësohet,
një përshtatje të leksioneve të pedagogut
A. Hergert, një punim i mirëfilltë shkencorë,
të cilin e kishte pagëzuar me emrin: “Edukata
ose mirërritja e fëmijëve”. Synimi fisnik
dhe final i tij, ishte që brënda lëvizjeve të
reja reformatore të krijohen hapësira për modernizimin
e metodave mësimdhënëse, didaktika e shkollës
së re shqiptare, dhe në veçanti këtë
rrymë të kohës kërkonte ta shpërndante
me pasion në veçanti midis moshës së re,
duke i pajisur në këtë mënyrë, me një
kujdes e maturi, me parimet progresiste të shkollës
së traditës së hershme demokratike e kulturore
të Evropës Perëndimore. Për çudi, sot
ende studiohen në universitetet e vendlindjes autorët
e pedagogjisë sovjetike (pedagogë pedantë komunistë
rusë) dhe jo pedagogët e traditës shqiptare në
trojet etnike shqiptare. Siç pohojnë biografët,
meshtari shkrimtar e studiues i vëmendshëm, nuk harronte
të ishte i kujdeshëm, kur analizonte, se më e rëndësishme
në shpirtin e shqiptarit është bindja, si akti
më cilësor dhe frytdhënës, se sa dajaku e
frika. Pikërisht për këtë edukatori At Anton
Harapi, duke qenë më pranë rinisë e kuptonte
krejt mirë, se forca fizike e thyen shqiptarin, por nuk e
lakon, porsi butësia, si një mirësi e përhershme.
Duke qenë drejtues për shumë vjet me radhë
i disa revistave, me dorën e vet nënshkruan mbi 50 artikuj,
editoriale, që të ndara në disa tematika I përkasin
disa lëmive shkencore. Ajo që e lartëson më
shumë martirin At Anton Harapin, sipas mendimit tim, është
elokuenca në gojëtari dhe filozofi, aftësi të
cilën, në mënyrë të merituar e shfaqi
në qytetin e Korçës, ku, spikati dukshëm
para intelektualëve. Me anë të 6 ligjeratave të
mprehta të kohës, analizoi të gjitha dukuritë
e kohës, që e shqetësojnë shqiptarin. Sot
për fat të mirë, dhe falë vullnesës së
Zotit, ata gjenden të ruajtura në veprën “Vlerë
Shpirtnore”. Duhet vënë në dukje, se shtysë
për autorin e kësaj nisme të guximshme, ishte çasti
i një krize shpirtërore në Shqipëri, dukuri
kjo me rrjedhime negative dhe shkatërrimtare. Aty autori
referues, analizoi me hollësi shkaqet e kësaj krize,
duke bërë gradualisht njohjen me etilogjinë dhe
terapinë e kësaj sindrome kanceroze, ku, si epidemi
e rrezikshme kishte nderhyrë ideologjia shterpe dhe vdekje
prurëse e marksizmit (Marx-it) edhe në vendin tonë,
shenjat e së cilës i importoi në Shqipëri
Ali Kelmendi me kompani në vitin 1936... Tashmë ndërgjegja
shqiptare ishte paralajmëruar nga frati At Anton Harapi,
që ndiqte me kujdes vërshimet marramendëse të
reve të zeza komuniste, që mbillnin obskurantizëm,
gjak, dhunë dhe ateizëm të shfrenuar. Me deklaratën
e tij françeskani shkodran, zbuloi se: “Por u pa
n’Rusi, se si parimi i komunizmit, në vend që
të zhdukte të zezat, u ba burim mjerimi”.
Duke nuhatur dhe studiuar me kujdes rrezikun e shtrirjes së
kësaj epidemie asfikësuese në Shqipëri, shpejt
e kuptoi se Ballkani, i lodhur nga luftrat do të pushtohet,
mbasi po vëzhgonte lajmet, që vinin me shpejtësi
nga Evropa Perëndimore, si alarme të kobshme, se çfarë
po ndodhte në stepat e Siberisë Lindore në Rusi,
ku, miliona rusë të pafajshëm, atdhetarë,
filozofë e kundërshtarë të regjimit të
sovjetëve po rezistonin si antikomunistë, klerikë
të besimeve të ndryshëm, po përsekutoheshin
pa mëshirë nga gijotina e armëve të vdekjes,
që ishte ateizmi dhe diktatura e proletariatit me hekur dhe
litar... At Antoni, kërkonte të ndërtonte godinën
e re të mendimit më përparimtar nacional shqiptar.
“Një frat i thjeshtë, renditet përkrah mendimtarëve
të mëdhenj nacionesh të tjera”, vlerësin
studiuesi e kritiku bashkëkohor Dr. Aurel Plasari. Frati
ynë kishte shumë pasion letërsinë e traditës
dhe atë bashkëkohore të shkruar nga Fishta, Naimi,
Poradeci etj. Ai shkruante në prozë të ëmbël
në gjuhën e bukur dhe tingëlluese gegë, me
një stil të këndshëm, të latuar e fin,
ku shquhet larmia e argumenteve që parashtronte. Kushdo sot
kundron me kënaqësi thjeshtësinë e të
shkruarit. Vepra e dytë “Andra e Pretashit”,
si roman u botua pjesë - pjesë prej vitit 1933 - 1942,
në revistën e njohur kulturore “Hylli i Dritës”,
ne nëntituj: “Urti e Burrni nder banorët e Cemit”
dhe “Valë mbi valë”. Ajo u dërgua për
botim në mërgim, së bashku me veprat e tjera të
letërsisë së kohës, pranë Insitutit të
Studimeve Shqiptare, në Shtëpinë Botuese “Valecchi”
të Firencës (Itali), por shkaku i Luftës së
Dytë Botërore, bëri që kjo nismë qëllimmirë
të mbetet e paplotësuar. Disa vjet më vonë,
në vitin 1959, veprat në fjalë u botuan në
Romë, në saj të kujdesit të drejtpërdrejtë
të albanologut të shquar Prof. At Zef Valentinit dhe
nga prozatori i famshëm shkrimtari i shquar i traditës
ish-Ministri i Kulturës Prof. Ernest Koliqi dhe françeskani
i përkushtuar kulturës shqiptare At Daniel Gjeçaj
ofm. Shqipëria dhe 72.000 izraelitët që u mbrojtën
nga merita e At Anton Harapit Shpesh servilët të ashtëquajtur
as profesorë dhe as doktorë të regjimit të
polpotit të Shqipërisë, i kanë ofruar dhe
vërbuar sytë brezave të tërë shqiptarësh,
me një foto, ku, shquhet një takim i At Antonit me gjeneralin
gjerman Fitsum, si ndër “trathtitë” më
të mëdha që paska bërë Kleri Katolik
dhe prelati i lartë françeskan dhe prandaj të
gjithë duhet të përshkohen në litar dhe të
kalben nëpër burgje. Gjatë seancave të gjyqit,
pas shumë dekadave, duke biseduar me njerëz, që
e kanë njohur nga afër Pader Anton Harapin ofm dëshmojnë
sot, se një pjesë e “prof. dr.”, përveç
se përvetësuan shumë dorëshkrime origjinale
të klerikëve katolikë françeskanë në
kohën e kataklizmave të tyre (morën gradat e pamerituara
shkencërisht nga “veladonët e zi” siç
i quanin ata), filluan në ish-kinema “Rozafat”
të lëshonin britma për gjak dhe litar, me thirrje
histerike: “Të gjithë në litar!”, “Plumbin
ballit!”, “Hakmarrje-Hakmarrje!”. Sot këta
të “rinj” militantë komunistë, që
kanë kryesuar edhe të ashtëquajturin “revolucioni
kulturor kinez” në Shqipëri, shtypin komunist,
si: “Ze(h)ri i popullit”, “Bashkimi”,
“Puna”, “Drita”, “Hosteni”
etj., dhe si kryetar komisionesh për sekuestrimin dhe “luftën
kunder fesë dhe zakoneve prapanike”, janë në
pension dhe gëzojnë të gjitha të drejtat dhe
privilegjet, si shërbestorë besnik të regjimit,
që i lindi dhe i rriti për vete... Asnjëherë,
sikurse vë në dukje publicisti z. Mërgim Korça,
pseudoshkenca komuniste dje dhe sot, nuk flet dhe shkruan se çfarë
i ka thënë gjeneralit gjerman At Anton Harapi, ku ai
i kujtoi ushtarakut të lartë pushtues se: “Marrëveshja
me Reichun, ishte që trupat gjermane do të kishin territorin
shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi,
pa i cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet
e brendshme shqiptare!”. Është e drejtë të
mendohet, se vetëm Shqipëria (72.000 çifytë)
dhe Danimarka, janë dy shtet në botë, që nuk
kanë dorëzuar asnjë çifut (izraelit) në
duart e shumë kërkuesve gjermanë. Pse heshtet për
ketë aspekt të rëndësishëm dhe si një
meritë e Këshillit të Lartë të Regjencës
Shqiptare, ku, një meritë ka edhe antari i saj At Anton
Harapi!? Po jetë shqiptarësh nuk janë shpëtuar
në këtë rast!? Sigurisht që shumë dhe
historia herët ose vonë do ta ndriçojë këtë
aspekt të rëndësishëm edhe të fratit
nacionalist. Komunistët gjithnjë dhe përherë,
sipas profesionit të tyre leninist “shpif shpif se
diçka do të mbijë”, përhapën
një propagandë të shfrenuar vetëm në
klishenë zi, për të justifikuar dashurinë,
që ata kanë për simotrën e saj Jugosllavinë
komuniste asokohe, e cila porosiste polpotin e kuq të Tiranës,
se “nëse doni që të qeverisni gjithnjë,
pa asnjë ferrë në këmbë, duhet të
zhdukni me rrënjë çerdhen e saj, klerin katolik
dhe besimtarët e saj besnik në Shkodër e gjetkë”.
At Anton Harapi, shprehet hapur, pse e pranoi detyrën e regjentit:
“E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë
të pushtueme prej anarkijet...nuk dojshem të krijohej
nji Babiloni shqyptare me luftë vllavrase qi zhgatrronte
katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet...ndjeva
mëshirë, si për popull e gjithashtu edhe për
Shqypni...Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën
t’eme për çashtjen e perbashket? Le të
ndodhë ajo qi ka me ndodh, thashë, me vedi, rrnoftë
populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnia!...E fillueme me nji
poezi e po e perfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë
kujdo...e vetmja gja m’u bamun asht m’e pshtuemun
Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë
fajtorët të mos bajnë ma dame...Nuk duhet të
ekzistojnë filogjerman, anglofila apo italofila. Duhet t’jena
veç shqyptarë...”. Pra, mbi të gjitha frati
i paharruar, kërkonte të shpëtonte Shqipërinë
dhe në tokën tonë të mos kishte të huaj,
sikurse që shihet edhe në tekst që historiografia
komuniste dhe paskomuniste ka nxjerrë në tregun e rrëmujës
politike, ekonomike e gjithçkaje tjetër, që çdo
ditë po ndodh për fat të keq në shtetin tonë
amë... At Anton Harapi - martir i shqiptarizmës të
kulluar “Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet
e robnueme. Do të vij dita e me Paqe e Drejtsi do t’fitohet”
At Anton Harapi Martirizimin e klerikut të nderuar, veçse
Shekspiri i madh do të gjente forcë për ta përshkruar
në mënyrë më dramatike, si një tabllo
e vërtetë e një historie të trishtuar, të
shkaktuar nga komunistët, të cilët, nuk deshtën
fjalën e lirë të klerikëve katolikë.
Në një çast të caktuar të historisë,
për ridimendionimin e lirisë dhe të drejtave të
njeriut në tërësi, buri i shquar amerikan George
Washington, u shpreh haptas para bashkëkombasve të vet:
“Një komb, duhet të jetë i virtytshëm,
po të dojë të jetë i lirë”. Por
koj fjalë “liri”, aq e shtypur dhe e nëpërkëmbur
në Shqipëri, gjatë monizmit kishte njohur veçse
barbari. Kësisoj, frati atdhetar e largpamës, analizonte
ngjarjet e historisë sonë: “Vllavrasja, asht rrënimi
ynë fizik, moral, ekonomik dhe politik...Të dhunoj shqiptari-
shqiptarin nuk asht zakon...”. E ashtëquajtuna lufta
“NÇ” e internacionalistëve partizanë,
në vend që të bënte çlirimin e vendit,
u kthye në një luftë të kobshme vllavrasëse,
ku skenaristët e tragjedisë ishin projektuesi e drejtuesi
i drejtpërdrejtë Enver Hoxha me klikën e tij sadiste.
Mirëpo martiri ynë, shtronte kushtrimin, që çdo
shqiptar i çdo krahine, besimi ose shkalle civilizimi,
t’i thërrasin arsyes, të mos humbasim si komb
e shtet, por të ndiejmë me zemër, se jemi vëllezër
të një gjaku e gjuhe, miq, dashamirës, shokë.
Ne duhet të na bashkojë një shpirt i vetëm,
shpirti shqiptar: një vend, një zakon, një interes
dhe një flamur.
Gjuetinë më të madhe kryefashisti i kuq Enver Hoxha
e filloi me meshtarët katolikë e intelektualë.
Albanologu i mirënjohur italian Prof. At Zef Valentini shkruan:
“Duke kenë të kulturuem me arsim, shumë të
ngritun, katolikët shqiptarë gjithmonë u patën
ngjallë zili disave... Vranësi antikatolik Hoxha e pranonte
këtë, duke i ba nder katolicizmit, por katolicizmi dhe
në veçanti kleri katolik, ishin pengesa ma e madhe
për triumfin e komunizmit”. Epilogu Historia e vrasjes
së At Anton Harapit është sa e dhimbshme, aq edhe
e lavdishme. Fratin e Shën Françeskut deri në
flijim, e këshillojnë që të ikë nga Shqipëria,
sikurse bënë shumë njerëz kundërshtarë
të rregjimit të diktatorit stalinist Enver Hoxha, që
dhunshëm dhe me mashtrime erdhi në pushtet. Fakti është
se Frati këtë këshillë e hodhi poshtë
prerazi, duke thënë me krenari: “Kam punue për
Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk
ka pse m’pret. Bashkatdhetart e dinë fort mir se kurr
nuk i trathtova. Me ta vuajta, me ta punova, me ta qindrova, me
ta gzova. Me ta edhe do des. Eshtent e mi, n’token e t’parve
t’jen testamendi em”. Në muajt e fundit të
jetës së tij, ai u strehua në fshatin Kir (Dukagjin-Malësia
e Madhe e Mbishkodrës, shënimi im K.K.), më parë,
duke u shoqëruar nga martiri i kombit Lef Nosi dhe pastaj
në katundin Plan, nëpër malet e ashpra të
Veriut, në mes të të cilave kishte punuar gjatë
viteve kur ishte meshtar në famulli. Kështu i ndjekur
nga kriminelet e kuq të veshur me ngjyrën e barit dhe
një yll në ballë, frati ynë At Antoni, u strehua
nëpër shpellat e maleve, për një kohë
të gjatë, duke qendruar me uratë në duar dhe
me një bllok shënime ditar... Befasisht u zbulua...në
një shtëpi nga pretenza e dhëmbëve... (Për
këtë histori do të shkruaj në ta ardhmen,
shënimi im K.K). Ai i gjykua dhe u dënua nga Gjyqi Ushtarak
në Tiranë, ku kryesonte procesin gjyqësor kryetari
i saj Koli Xoxe dhe si Prokuror Gjeneral ishte Bedri Spahiu (të
cilët, e pësojnë nga bisha komuniste, që hante
këlyshët e vet)... Kjo u realizua në mënyrë
të përpiktë, me porosi të drejtpërdrejtë
të kryexhelatit antishqiptar Hoxha, që çdo ditë
jetonte mes ekstanzave dhe sadizmit perves dhe kishte vënë
shuma të mëdha për ta kapur të gjallë
ose të vrarë pa dalur jashtë Shqipnisë...
Pretenca e gjyqit ishte kulmi i një poshtërsie dhe fabrikimi
të pashoq, të një sistemi që i lindi. Por
çudia nuk soset me kaq. Dosja e fratit të urtë,
është e mbushur fill e mbarim me akuza shpifëse,
trillimi i së cilës ishte përgatitur me kohë
nga kuzhina ndërkombëtare jugosllave e shqiptare, që
asnjëherë nuk deshtën nacionin dhe fytyrat e ndritshme
të nacionalizmit shqiptar. Ishte mëngjez i vranët.
Binte shi. Në orët e para të datës 14 shkurt
1946, u nxor nga qelia e burgut të vogël, frati fisnik,
që me duart e bashkuara në parzëm, me krye të
varur dhe sytë gjysmë të mbyllura nga torturat
e rënda , ndaj të cilit me intensitet të lartë
ishin ushtruar pa ndërprerje nga gardianët xhelatë,
qëndronte me stoicizëm, si sfidë, duke thënë
Lutjet e fundit, kur e çuan në periferi të Tiranës
për ta ekzekutuar... Frati i përvujtë, por krenar
hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë-herë kindet,
për të mos u stërpikur nga balta që e rrethonte.
Një prej ekzekutorëve barbarë i tha: “Mos
ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue. Në
çast reagoi nga drita shpirti i tij shëmbullor: “Atje
tek shkoj biri im, dua të shkoj i panjollë, siç
jam kenë tanë jetën”.
I bekoi vrasësit e tij, i fali për aktin që do
të kryenin nën shembullin e Jezu Krishtit. Këtë
dëshmi feje të dëshmitarëve martirë,
ku asnjë nuk e mohoi fenë, e pasuruan librin e “Martirologjisë
Romane”, duke i shtuar një faqe të shkëlqyer
fesë së Kishës së Shenjtë Katolike në
Shqipni. Ky Dishepull i përvujtun i Shën Françeskut,
që i ka të tretuna eshtnat e tij, nëpër zallishtet
e Tirones, i fliste shqiptarëve me këtë vepër
të martirizimit për “Fe e Atdhe”: “Po
të mos i zeni besë fjalve t’mia, ja tek keni vepren
teme për peng sigurie”. Marrë nga libri në
dorëshkrim i autorit.