|
Tenori Josif Gjipali dhe soprano e njohur Inva Mula renditen në
kalendarët e operave të njohura evropiane dhe botërore.
Gjipali do të hapë sezonin teatror të një nga
institucioneve më të rëndësishme kulturore,
siç është opera e Torontos në Kanada, ndërsa
soprano Inva Mula do të shfaqet në dramën lirike
me tri akte "Turandot" të Puçinit, në
Itali.
Tashmë jo vetëm të talentuar, por edhe mjaft të
famshëm, tenori dhe sopranoja shqiptare kanë një
axhendë mjaft të ngjeshur takimesh me publikun e huaj.
Ka kaluar tashmë një vit nga spektakli i Mulës në
Parkun e Butrintit, më shumë kohë ka kaluar për
tenorin Gjipali. Ende nuk dihet nëse, këta të mëdhenj
të operas do të shfaqen këtë vit edhe për
publikun shqiptar.
Teatri i Torontos ka zgjedhur tashmë të gjitha pjesët
që do të vihen në skenë për sezonin e parë
për këtë vit në opera dhe jo vetëm kaq.
Gjipali, do të jetë tenori që do të luajë
poetin Rudolf në operan e njohur të Puçinit, "La
Boheme". Kjo opera, do të hapë dhe sezonin teatror
më 20 janar të këtij viti. Tenori shqiptar, fitues
në vitin 2003 të Operalias së Plaçido Domingos,
do të luajë një vend të rëndësishëm
në kalendarin e shfaqjeve të teatrit kanadez. Gjipali,
në rolin e poetit të salloneve letrare pariziene të
viteve '30, do të shfaqet për të disatën herë
në operan me pesë akte. Një shfaqje tjetër është
llogaritur në kalendarin e operas së qytetit të Kaljarit
në Itali për sopranon, Inva Mula. Në fillim të
muajit mars të vitit 2004, ajo do të luajë rolin
e Liu` në operan "Turandot" të Puçinit.
Pekini legjendar dhe drama e dashurisë së një princi,
ku Liu është shërbëtorja besnike e tij. Soprano
shqiptare do të luajë rolin Liu në këtë
dramë, së bashku me italianen, Mina Taska.
|