|
Puna nis më 7 korrik, luajnë dhe aktorë shqiptarë
Një film, ngjarjet e të cilit
zhvillohen në Liban, do të nisë xhirimet në
Shqipëri më 7 korrik. Si një prodhim franko-kanadez,
është zgjedhur pikërisht Shqipëria për
të realizuar xhirimet, pasi situata në Liban nuk është
e favorshme për këtë gjë.
Në film do të luajnë edhe aktorë shqiptarë.
“Littoral” është titulli i këtij filmi,
skenari i të cilit është shkruar nga vetë regjisori
Wajdi Mouawad, dramaturg dhe regjisor teatri i njohur në Kanada.
Jeta e një djaloshi libanez, që jeton në Kanada,
ndryshon në pak momente. Ai merr vesh lajmin e vdekjes së
të atit dhe i duhet të kthehet në Liban pas shumë
vitesh emigrim në Kanada. Një jetë kthimi e mbushur
me peripeci dhe aventura, në kërkim të banesës
së fundit të babait të tij, është thelbi
i këtij filmi social psikologjik, i cili ka përfunduar
tashmë xhirimet e para në Kanada, saktësisht dy javë
xhirime. Pjesa tjetër e xhirimeve do të vijojë në
Shqipëri. Sot mbërrin pjesa më e madhe e grupit të
xhirimeve, ku përfshihet regjisori, producentja, kostumierja,
skenografi, menaxherët etj. Producenti ekzekutiv i këtij
filmi, Arben Tasellari, rrëfen se regjisori i filmit Wajdi
Mouawad ishte në Shqipëri para tre javësh, kur është
bërë edhe një tur njëjavor në të gjithë
vendet e xhirimeve me qëllim përcaktimin e tyre.
Pse u zgjodh Shqipëria?
“Ngjarjet e këtij filmi, në të vërtetë
zhvillohen në Liban dhe ai nuk ka ndonjë lidhje me Shqipërinë.
Por meqë klima në Liban është e vështirë
dhe është gati e pamundur për të xhiruar atje
për shkak të situatës dhe sigurisë, producentët
kanadezë, menduan se klima, atmosfera, fshatrat, dhe një
pjesë e mirë e natyrës shqiptare është
shumë e ngjashme me Libanin”. Kështu thotë
producenti Tasellari, i cili saktëson se në Shqipëri
do të bëhet prodhimi ekzekutiv i filmit. Por, ndërsa
aktorët kryesorë të këtij filmi janë përcaktuar
tashmë dhe janë kryesisht kanadezë, është
vendosur për një sërë aktorësh shqiptarë,
të cilët do të luajnë në role episodike
dhe figurantët në këtë film. Tasellari pohon
se, megjithëse ende nuk është vendosur përfundimisht
për aktorët shqiptarë, një pjesë e tyre
janë përcaktuar tashmë dhe po vendoset përfundimisht
për karakteret që do të mishërojnë në
këtë film.
Shtete ku filmat kushtojnë lirë
Sipas producentit Tasellari, xhirimi i këtij filmi
këtu është një rast i mirë për kinemanë
tonë. Kjo jo vetëm për promovimin e vendeve shqiptare,
por edhe për përfitimet ekonomike që vijnë në
Shqipëri. “Është një nga rastet e rralla
që, kinemaja shqiptare, të japë një shërbim
të tillë. Sepse janë shumë të rrallë
filmat e huaj që janë xhiruar këtu”, thotë
producenti. Por, sipas tij, janë të shumtë filmat
hollivudian që xhirohen në Evropë, pavarësisht
se ku vendosen ngjarjet e tyre. “Një pjesë e mirë
e tyre kanë arritur të spostohen në Evropë,
përkatësisht në Rumani, Bullgari, Çeki etj”,
thotë Tasellari, duke shtuar se kjo rrugë ndiqet pasi
kostoja e xhirimeve është më e ulët dhe prodhimi
i filmave është më i lehtë.
Kuriozitete mbi filmin
Xhirimet në Shqipëri do të zhvillohen në pjesën
jugore të bregdetit shqiptar në Dhërmi, Porto Palermo,
Himarë etj. Ka pak xhirime në Vlorë dhe në Tiranë,
jo nëpër rrugët e kryeqytetit, por në ambiente
të përzgjedhura të tij
Aktorët shqiptarë, të cilët do të luajnë
në film, janë Niko Kanxheri, Fadil Kujovska, Natasha Sela,
Ervin Bejleri etj
Regjisori 34-vjeçar, Wajdi Mouawad, është regjisor
teatri dhe dramaturg. Ai është gjithashtu edhe skenarist
i filmit
Skenari është bazuar në një dramë të
shkruar po nga Mouawad
I lindur në Liban në vitin 1968, Mouawad jeton prej vitesh
në Kanada. Ky është filmi i parë që ai
realizon
Filmi nuk ka nota biografike, megjithëse jeta e personazhit
i ngjan shumë jetës së regjisorit me origjinë
libaneze
Skenari i filmit përfshin jetën e një të riu
libanez që jeton në Kanada. Atë e marrin në
telefon nga vendi i lindjes, nga Libani, nga i cili ishte larguar
para shumë vitesh. Me këtë vend kishte humbur të
gjithë lidhjet. Pasi e njoftojnë se i ka vdekur babai,
ai duhet të kthehet për të identifikuar kufomën
Xhirimet e filmit (përveç xhirimeve në Kanada)
do të realizohen të gjitha në Shqipëri
|