I DASHURI ARMIK DHE TË VËRTETAT E PATHËNA

Një histori e pazakontë përcillet nga një film jo i zakontë, me personazhe jo "siç na thanë" por me njerëz "siç ishin dhe siçjanë".
Armikun duhet ta urrejmë, ta luftojmë e pushkatojmë. Jemi mësuar shpesh me këto tre vendime të përmbledhura në një ideal për të drejtën. Në librat e historisë, në tekstet e leximit e në romane të realizmit, personazhet nuk kanë qenë veçse etiketime modelesh të indoktrinuara; ballisti që vidhte pula, partizani më i forti e i ndershmi, italiani frikacaku, gjermani katili, etj, etj.
Ka dalë nga kjo skemë regjisori Gjergj Xhuvani në filmin e tij më të fundit "Dear Enemy" (I dashur armik). Dëshiron ta prezantojë me një emër ndërkombëtar, një bashkëpunim ndërkombëtar me personazhe përsëri ndërkombëtare.
Ngjarjet janë të jetuara, pa përjashtuar trillin artistik të autorit, të vendosura në një kohë reale vitet 43-44, që përkojnë me ikjen e italianëve, ardhjen e gjermanëve dhe së fundmi çlirimin e Shqipërisë. Jo më kot u zgjata me spjegime, sepse janë ato që të çojnë në kuptimin e një të vërtete akoma më të madhe se historike; dashuria sjell paqe. Boll më me urrejtje e inate. Të gjithë prej mishi e kocke, herë qeshim e herë qajmë, herë këndojmë e herë bërtasim.

***

E kanë krijuar një familje të madhe në këtë film, Dhimitër dhe Gjergj Xhuvani, aty në shtëpinë e Bonatëve.

Një shtëpi me përplasje kulturash e kombësish që arrijnë të bashkëjetojnë e mirë madje. Banojnë aty, jo shumë larg një ure që është dhe udhëkryqi i gjithë kohës ku jetojmë. Një urë që ka parë mbi vete njerëz që vijnë e shkojnë ashtu nëpër tym pa e ditur se ku. Dashtë Zoti që e la atë urë dhe rrugë të Shkodrës ashtu si dhjetëra vite më parë, të zymta e të mjegullta si për të na kujtuar se kufijtë kohorë janë fare të padukshëm sa larg aq edhe afër.
Të kaluara janë vetëm veshjet e zhurmat e luftës, ndërsa mesazhet vazhdojnë të jenë bashkëkohore. Është absurde që njerëzit të ndahen mes bindjesh e besimesh. Gjermanë, italianë, ballistë shqiptarë kur shihen të zhveshur janë të gjithë njësoj të mirë. Xhuvani ka arritur te zgjidhë mjaft thjesht karakteret e tyre, përmes figurës që pasqyron gjithsecili, duke i lënë në të njëjtin pozicion. Rrethanat e luftës i detyrojnë që të shohin te njëri-tjetri thelbin e mirësisë njerëzore që i bën të jenë për njëri-tjetrin asgjë tjetër përveç armiq të dashur. Aty secili personazh ka jetën e vet dhe kjo jepet shumë qartë. Aty tradhtohet e përsëri dashurohet. Burri shqiptar impotent (Marko Bitrako) me një grua ende të virgjër (Luiza Xhuvani) tridhjetë e pesë vjeç, demistifikohet në burrëri nga një italian (Rinaldo Rocco) “çun mamaje”, që arrin ta lë edhe shtatzanë, një nënëmadhe (Margarita Xhepa) që karakteri i saj i fortë nuk e pengonte të shihte me sy tjetër, një çifut (Birçe Hasko) që sapo kishte mbërritur në oborrin e saj, një austriake (Nina Petri) bashkë me burrin e saj shqiptar historian (Lefter Simoni)… Një ballist (Agim Qirjaqi) vetëm përkthente, Një partizan më shumë karagjoz sesa luftëtar (Helidon Fino), një gjerman (Peter Lohmeyer) më shumë njerëzor sesa nazist, e mbi të gjithë ishte Harun Bonata (Ndriçim Xhepa), tregtar tipik që sheh vetëm punën e vet. Mikpritësi Bonata i sheh të gjithë njësoj, njerëz në situatë të vështirë që kanë nevojë për ndihmë, të cilën ai nuk heziton t'ia japë atë secilit prej tyre. Por janë në fund vetë patriotët e tij që këtë mikpritje ndaj të tjerëve ia shpërblejnë me një pushkatim.
Një fund i zgjedhur për të treguar vazhdimësinë që ndodhi dhe që po ndodh. Megjithëse regjisori mohon se mban një qëndrim politik, ai thotë se është vetë vepra që ka qëndrimet e veta. A ktualja qëndron në faktin që ne përdhosim atë që nuk duhet të përdhoset.

***

E njëjta situatë po përjetohet sot në Ballkan, në Lindje; është i njëjti problem që kane hebrejtë e palestinezët. Per Xhuvanin tema e luftës nuk është se i përket një kohe shumë të largët. Në rastin konkret kjo temë ishte si një trampolinë që kishte rrethanat e luftës, ndërsa mesazhet, filozofia është e sotme, aktuale. Por duke njohur këtë histori të jetuar nga gjyshi nga e ëma ndjeu se ishte një subjekt, një ngjarje e cila mund të shpërfaqte të gjitha mesazhet, te gjitha emocionet, idetë, për të cilat ne kemi nevojë në këtë kohë. Një ide vjen më interesante për një kohë që nuk e kemi kaluar.

 

Jo vetëm në skenar, por edhe gjatë interpretimit u ndje nga të gjithë aktorët që nuk kishte aspak ndryshime në lojën e ansamblit shqiptaro- gjermano- italian. Edhe për vetë regjisorin Xhuvani, harmonia në lojë ishte një pikat e forta të realizimit me sukses të filmit.
Filmi është pritur shumë mirë në Gjermani, në Francë mund të jetë pak dyshues për shkak se preket lobi çifut, ndërkohë që në Japoni tashmë është i blerë.
Është një film që përsa i përket teknikës nuk ndryshon aspak nga një film Hollivudian. Bashkë me lojën profesioniste të aktorëvve, ana teknike e realizuar në Francë dhe buxheti prej 1.2 milionë Euro, e bëjnë që të jetë një film që arrin standarte të larta të kinematografisë moderne sot. Për këtë Gjergj Xhuvani shpreson që mund të konkurojë denjësisht në Festivalin e Venecias, (gjithmonë nëse Spielberg nuk paraqet një film me të njëjtën temë).
Me mesazhin e së ardhmes, që s'ka si të jetë ndryshe një thirrje për më shumë dashuri, çdo njeri duhet të shkëputet nga e kaluara e hidhur duke qeshur.

Pasaporta:
Titulli: “Dear Enemy”
Bashkëprodhim shqiptaro-franko-gjerman
Regjia: Gjergj Xhuvani
Skenari: Dhimitër Xhuvani, Gjergj Xhuvani
Kostumograf: Durim Neziri
Interpretojnë: Ndriçim Xhepa, Margarita Xhepa, Birçe Hasko, Luiza Xhuvani, Niko Kanxheri, Agim Qirjaqi, Helidon Fino, Nina Petri, Rinaldo Rocco, Peter Lohmeyer.

Copyright www.agimi.com 2002