"DASMA ARBËRESHE", DREJT SKENËS OPERA E PARË NË HISTORINË E KOSOVËS

Për herë të parë, do të vihet një opera në skenën kosovare. Është një vepër krejtësisht shqiptare, e cila shënon veç premierës, edhe krijimin e Operas Nacionale të Kosovës. Një opera lirike që prek një histori arbëreshe, me tradita të çuditshme që ndërfuten në histori dashurish dhe rebelimesh.“Dasma arbëreshe”, do të vihet premierë më 10 qershor në Prishtinë.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Rauf Dhomi, shprehet se Opera Nacionale e Kosovës, është krijuar së fundmi pas një varg përpjekjesh dhe dëshirash për të parë në skenën kosovare edhe gjininë e operës. Tashmë mbeten edhe pak ditë nga premiera, ndërsa artistët e angazhuar në këtë shfaqje, ardhur nga vende të ndryshme të Evropës, janë në përgatitjet e fundit. Premiera do të shfaqet me rastin e 125- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Dasma arbëreshe
Gjithçka merr frymë në një fshat arbëresh. Aty ka zënë vend frikshëm një traditë e çuditshme të cilës të gjithë i nënshtrohen pa bërë zë. Baroni i fshatit, ka kohë që sundon gjithçka e këdo në këtë ambient shqiptarësh. Ai, përveçse i shfrytëzontë në tokat e tij arbëreshët e fshatit, ka krijuar prej kohësh një traditë amorale që lidhet me natën e parë të çdo martese që zhvillohej në atë fshat. Sipas kësaj tradite të pazakontë, nusja duhej të flinte natën e parë me këtë personazh. Vetëm pas kësaj, ajo kishte të drejtë të shkonte në shtëpinë e burrit të saj. Kjo ndodhte gjithmonë me çdonjërën nga nuset e atij fshati, derisa një ditë, dikush ngre krye dhe rebelohet ndaj këtij absurdi. Në një nga këto dasma, një çift të rinjsh vendos të mos i nënshtrohet baronit të fshatit. Djaloshi me emrin Arbër, arrin të bindë edhe bashkëfshatarët e tij të mos e respektojnë më këtë rit të keq, por edhe mjaft rite të tjera që kishte vendosur sunduesi i tyre. Çifti vendos të bëjë martesën në mal për të mos rënë në dorën e tij….I këtillë, zë e shfaqet fundi në këtë histori. Ai vjen rrezëllitës nën hijen fashitëse të një dueli. Është një fund pozitv ku e mira sundon mbi të keqen. Kjo është përveç zgjedhjes artistike të autorit dhe një mënyrë për të servirur triumf ndër histori shqiptarësh ku dramat s’kanë munguar kurrë.

Ritmet arbëreshe
Kompozitori i operës, Rauf Dhomi, thotë se kësaj historie i vishet një gjuhë muzikore e cila mbështetet në intonacionet e këngëve arbëreshe dhe të motiveve me efekt kombëtar. Opera është me tre akte dhe ngjitet në skenë nga regjisori Milto Kutali, me koreografi të Gjergj Prevazit. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Agim Zajmi. Ndërsa dirigjenti i operas ka mbërritur prej ditësh nga Hollanda në Prishtinë dhe është djali i kompozitorit të veprës, Arbër Dhomi. Në rolin e baronit do të interpretojë baritoni shqiptar Agim Duro. Ndërsa në rolin e Arbrit, tenori Kastriot Tusha. Sipas kompozitorit Dhomi, opera mendohet të ketë dy premiera: atë më 10 qershor, por dhe një të dytë më 11 qershor me ekipin e dublantëve. "Dasma arbëreshe" është opera e parë që ekzekutohet në Prishtinë, pas ekzekutimit në formë koncertale të operas “Goca e Kaçanikut”, para shumë e shumë viteve. Orkestra është krijuar rishtas për këtë opera dhe më tej do të funksionojë si orkestra e Operas Nacionale të Kosovës.

Baritoni Duro, nga Tirana në Operën Nacionale të Kosovës
Ai e mban mend me detaje propozimin e para një muaji për rolin e këtij sunduesi famëkeq në operan e parë që do të prekë skenën kosovare. Kompozitori i operas “Dasma Arbëreshe”, Rauf Dhomi, e kishte zgjedhur Agim Duron ndër emrat e disa baritonëve që mund të luanin këtë rol. Dhe vetë Duro e ka mirëpritur këtë kërkesë edhe pse i impenjuar në projekte të tjera. Për të ishte e rëndësishme të këndonte në këtë opera. “Kësisoj më jepet mundësia të jap kontributin tim në inaugurimin e këtij teatri, për më tepër që është një vepër shqiptare”. Ai thotë se e ka pranuar këtë propozim edhe për faktin se dita e kësaj premiere, është një ditë historike për Kosovën dhe pjesëmarrja në këtë inaugurim të bën të hysh në histori. Cilado shfaqje që do të vihet më tej në këtë skenë, nuk do të ketë këtë rëndësi”,- thotë Duro, duke rrëfyer mbi punën që i është dashur të bëjë për këtë rol. Ai thotë se në këto ditë provash i është dashur të punojë në Tiranë, së bashku me tenorin Kastriot Tusha, me të cilin do të luajë dy nga rolet kryesore tek “Dasma arbëreshe”. “Kemi punuar së bashku me regjisorin Milto Kutali dhe më datën 20 të këtij muaji do të nisemi për në Prishtinë, ku po përgatitet pjesa tjetër e trupës. Baritoni shqiptar Agim Duro thotë se për këtë ditë po bëhen përgatitjet e një feste madhështore, e cila do të ketë edhe karakter politik. Ajo tregon se shqiptarët e Kosovës kanë vullnetin të ndërtojnë institucione jo vetëm administrative por edhe kulturore”- thotë Duro.
Intervista
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës dhe kompozitori i operës "Dasma arbëreshe", Rauf Dhomi, rrëfen iniciativën për të ngritur në këmbë Operan Nacionale të Kosovës
Të krijosh një Opera Nacionale

Ngjitja në skenë e kësaj opere është ndërmarrja e parë e përmasave të tilla në Kosovë. Deri ku kanë shkuar punët me përgatitjen e saj?
Faza e tanishme e punës po i afrohet fundit. Pasi u caktuan të gjitha rolet duke filluar prej pesë roleve kryesore, triove dhe kuintetit të femrave, tani po punohet për detajet e fundit të shfaqjes, e cila do të ketë dy premiera. Kam menduar të bëj dublimin e të gjitha roleve, kështuqë më datën 10 qershor do të jetë premiera botërore dhe më datën 11 premiera tjetër me ekipin e dublantëve. Ka mbërritur edhe dirigjenti nga Hollanda dhe besoj se puna është në përfundim e sipër.
A janë hasur vështirësi në krijimin e trupës së kësaj opere? Mungesat e instrumentistëve dhe këngëtarëve janë ndier shpesh herë në Filarmoninë e Kosovës, apo jo?
Po. Vështirësi kam hasur shumë, në veçanti në gjetjen e këngëtarëve. D.m.th tenor nuk kishim, e po ashtu na mungonte edhe një bariton. Si bariton fillimisht caktuam z. Agim Duro, emër i njohur i këngës në Shqipëri dhe së fundmi u përcaktua edhe Kastriot Tusha si tenor, ftesë që ata i janë përgjigjur me kënaqësi.
Para disa kohësh, ju e shpallët zyrtarisht formimin e Operas së Kosovës. Pas vënies në skenë të "Dasmës arbëreshe”, keni menduar për shfaqje tjetër?
Sigurisht që Opera do ta vazhdojë programin e saj si institucion i formuar pranë Filharmonisë.
Sa i përket Filarmonisë, shumë herë është vënë në mëdyshje mbijetesa e saj për shkak të numrit të paktë të instrumentistëve kosovarë, gjë që kundërshton mundësinë e krijimit të trupës së Operas. Si i përgjigjeni këtij fakti?
Vetë fakti i formimit të trupës së Operas me të gjithë anëtarët e saj, me të gjitha grupet e saj është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që kanë gabuar në gjykime dhe paragjykime. Formimi i Operas tregoi se ata kanë menduar gabim.
Duke pasur parasysh se kjo është ndërmarrja më e madhe dhe më serioze në këtë fushë, jeni i bindur në suksesin e "Dasmës arbëreshe"?
Unë jam plotësisht i bindur në suksesin e saj, sepse është vepër spektakolare, është vepër e goditur në skenë; interpretimi koncertal e ka dëshmuar se është muzikë e mirë. Gjithashtu regjisori Milto Kutali, asistenti i tij Bajram Çupi dhe të tjerë të ekipit janë shprehur se opera do të jetë e suksesshme edhe në skenë.
Megjithë kontestimet, mungesat dhe vështirësitë, a keni hezituar qoftë edhe një herë të vetme për këtë projekt?
Jo, jo asnjëherë të vetme. Por duhet të them se fillimisht kam qenë skeptik vetëm në përmbushjen e emrave rreth tenorit; kam patur një numër të madh emrash, derisa e përcaktova.
Në rrethet e artistëve shqiptarë krijimi i këtij institucioni është vlerësuar mjaft. Ju vetë si e vlerësoni?
Ky projekt është eveniment edhe politik. Them i tillë sepse kjo tregon se shtetarët tanë i kanë rregulluar të gjitha institucionet e tjera dhe kanë ardhur deri te Opera e cila është e fundit në këtë hierarki por shumë kryesore në kulturë, pra për përmbushjen e standardeve për shtetësi.

shkruan:
Admirina Peçi
Copyright www.agimi.com 2002