Shumë prej nesh,
kush më shumë e kush më pak, është ndier
xheloz për partnerin kur ka kuptuar se ai ka kërkuar të
krijojë një marrëdhënie, i është përgjigjur
:’’ngacmimit’’ të dikujt tjetër
ose është larguar prej nesh për të patur një
lidhje të re. Kur e dëshiron shumë një person
nuk do që ta humbasësh : dëshiron të jetë
pranë teje përgjithmonë. Për ta mbajtur pranë,
për ta mbrojtur marrëdhënien kontrollon sjelljen e
partnerit, bëhesh xheloze. Në disa raste xhelozia mund të
jetë e bazuar në ‘’fakte’’ në
raste të tjera ne mund të jemi shkaku i saj.
Xhelozia nuk është e njëanshme: Jo vetëm femra
por edhe mashkulli është xheloz… Shpesh neve na është
thënë ose kemi dëgjuar t’i thuhet dikujt ….Nuk
më pëlqeu mënyra sesi të pa ai tipi… Mos
e kthesh kokën as majtas as djathtas… Je veshur kështu
që të biesh në sy: paske ndonjë variant sot…
Duhet të qëndrosh në shtëpi dhe të merresh
me fëmijët… Nuk më pëlqen të punosh
aty sepse ka shumë meshkuj madje edhe …. Do të të
vras nëse marr vesh gjë…. E vrava sepse më tradhtonte…
Përse mashkulli është xheloz në marrëdhënien
me partneren?
Nëse partneri nuk është i sigurt në marrëdhënien
e tij me partneren ka shumë mundësi që të ndihet
i kërcënuar nga prania e meshkujve të tjerë
në jetën e saj. Pasiguria për të ardhmen e lidhjes
shkakton xhelozinë. Kjo formë e xhelozisë mund të
jetë një ndër treguesit e periudhës së
vështirë që kalon marrëdhënia. Në
këto kushte xhelozia mjegullon pamjen dhe nuk të lejon
të kuptosh atë që po ngjet realisht me të dy
partnerët.
Xhelozia dhe përkushtimi i partneres
Nëse përkushtimi ndaj partnerit është në
nivele të ulëta, ka shumë mundësi që ai
të reagojë ndaj saj me xhelozi. Partneri cili merr pak
vëmendje dhe dashuri do të vihet në kërkim të
shkaqeve: përse ajo nuk më do si më parë? Përse
ka ndryshuar? Dhe në fakt mendja shkon për keq: Mund të
jetë dikush tjetër është në jetën
e saj. Një mendim i tillë mund të mjaftojë për
të ‘’minuar’’ paqen shpirtërore
dhe për t’i dhënë goditjen e parë lidhjes.
Xhelozia dhe tiparet e partneres
Nëse partnerja është miqësore, hyn shpejt në
komunikim, tërheq vëmendjen e meshkujëve, partneri
do të ndihet i kërcënuar. Ai e interpreton sjelljen
e partneres si provokim dhe i sheh meshkujt e tjerë si rivalë
të mundshëm të cilët mund të paraqesin
interes për partneren e tij. Për shkak të frikës
dhe inferioritetit, ai shfaq xhelozi për partneren në
marrëdhëniet që ajo krijon dhe do të fitojë
sa më shumë nga vëmendja e saj.
Xhelozia dhe historitë e mëparshme të partneres
Nëse partnerja nuk ka qënë e qëndrueshme në
lidhjet e mëparshme, partneri priret të mendojë se
ajo mund të jetë e paqëndrueshme edhe me të
dhe mund ta lerë për dikë që mund t’i
përgjigjet më mirë shijeve të saj.
Xhelozia dhe historitë e mëparshme të partnerit
Nëse edhe në marrëdhëniet e mëparshme mashkulli
ka qënë xheloz ai do të vazhdojë të shfaqë
xhelozi edhe në lidhjen në vazhdim. Në disa raste
xhelozia mund të shkaktohet nga sjellja e partneres ose nga
shkaqe të jashtme ndërsa në raste të tjera ajo
është tipar i mashkullit dhe ka nevojë të trajtohet.
Xhelozia dhe dëshira për kontroll
Nëse partneri kërkon të ketë kontroll në
jetën e partneres dhe ajo ka thënë “po”
për çdo vendim që ai ka marrë për të.
Ai do të tregohet xheloz nëse ai ka pak mundësi të
kontrollojë atë që partnerja bën. Ai do të
bëhet xheloz për shkak të mungesës së kontrollit.
Xhelozia dhe modelet në familje
Nëse partneri është rritur në një familje,
ku babai ka reagur me xhelozi ndaj nënës dhe ai do të
priret të imitojë modelin e babait në marrëdhënien
e tij me partneren. Ndikimi i modelit prindëror vazhdon të
jetë i pranishëm në jetën tonë edhe kur
nuk jemi më fëmijë. Gjithashtu edhe modelet e shokëve
apo të të afërmëve të tjerë ndikojnë
në sjelljen tonë. Nëse miqtë e partnerit priren
të jenë xhelozë me partneret e tyre kjo do të
jetë një arsye më shumë që ai të jetë
xheloz me partneren e tij.
Xhelozia dhe përfundimi i lidhjes
Nëse lidhja po shkon drejt fundit dhe partnerët nuk kanë
forcën e duhur për t’i thënë gjërat
në sy, për të qenë sa më të hapur
dhe të drejtpërdrejtë ai do të nisë t’i
nxijë jetën partneres me skena xhelozie, derisa ajo ose
ai të thotë fjalën e fundit.
Ti dhe xhelozia: Si mund ta zbutësh xhelozinë?
-Mbrojtja më e mirë kundra xhelozisë është
një ruajtja e marrëdhënies. Nëse dashuria mbahet
gjallë, nëse partnerët janë të përkushtuar
ndaj njëri-tjetrit, nëse e kanë njëri-tjetrin
në qendër të vëmendjes në lidhjen e tyre
nuk ka vend për xhelozinë e sëmurë.
-Kontrollo mendimet dhe imagjinatën: me kë është
ai? Çfarë është duke bërë? Ti mund
të kuptosh që në disa raste disa “lojëra”
mund të luhen nga partneri për të të bërë
xheloze, që partneri mund të jetë shumë i dhënë
pas vetes dhe në disa raste mund të mos tregojë ndaj
teje kujdesin e duhur. Një episod, një mendim i vetëm
mund të bëhet shkak për një “telenovelë”
të një jete të dyfishtë të partnerit. Në
këtë mënyrë ti i hedh benzinë zjarrit,
shqetëson veten dhe partnerin.
-Mos e “përdorni” xhelozinë si tregues të
dashurisë. Xhelozia e vazhdueshme nuk nënkupton dashuri
të vazhdueshme. Xhelozia reflekton nevojat e tua, dëshirën
për të ruajtur atë që ti e dëshiron për
momentin dhe kërkesat për atë që do të
sjellë e ardhmja. Xhelozia reflekton interesat personale dhe
dashurinë për veten sesa dashurinë reciproke.
-Hidh një shikim pas në marrëdhëniet e tua:
ke qënë xheloze edhe në marrëdhëniet e
mëparshme apo vetëm në këtë marrëdhënie.
Nëse për çdo partner je ndier xheloze duhet të
jesh më e kujdesshmë për akuzat që bën:
je ti që e paragjyon parnerin, je ti që sheh në sjelljen
e tij e tij atë që pret të shohësh duke mos
i dhënë rëndësinë e duhur aspekteve të
tjera të sjelljes së tij.
-Mos u hidh në sulm nëse e sheh që partneri yt është
duke flirtuar me dikë: Tregoi sesi u ndieve, tregoi sesa i
rëndësishëm është ai për ty dhe që
dëshiron të vazhdosh marrëdhënien në kohë.
Mos u bë qaramane. Jo të gjithë meshkujt janë
në gjendje t’i bëjnë ballë gruas në
një situatë të tillë. Dhe si vetëmbrojtje
zgjedhin “ngritjen e zërit” ose i kujtojnë
asaj një histori të “vjetër”. Nëse
ju nuk sulmoni do ta keni më të lehtë të komunikoni
me partnerin tuaj. Ndërshmëria shpesh është
mënyra më e mirë për të përballuar
xhelozinë.
Të rinjtë dhe xhelozia
Cfarë është xhelozia për ju?
Aulona
Xhelozia është si tenxhere ku përzihen të gjitha
ndjenjat: pasioni i tepërt jep më shumë zjarr dhe
i djeg të gjitha.
Enkeli
Xhelozia është mungesë tolerance, moskomunikim, dyshim,
dashuri, urrejtje, frikë, lumë që gryen mendimet,
zjarr që djeg përbrenda dhe nuk shuhet. Xhelozia është
njerëzore.
Fleura
Xhelozia është humbje kohe dhe energjie. Të bën
të vuash, të torturon, të turbullon mendimet dhe
ndjenjat dhe shpirtin.
Suela
Xhelozia: ndjenjë që herë ngjall dhe here e vdes
dashurinë tek çdo njeri; që herë të bën
të vuash dhe herë të bën të duash, që
edhe kur je i lodhur nuk të lë të vdesësh.
Serxho
Xhelozia është sëmundje psikike.
Anisa
Xhelozia nuk është as mirë as e keqe kur nuk kalohet
masa. Në disa raste kam nevojë për pak xhelozi “të
ëmbël”.
Xhelozia e sëmurë
Partneri i prekur nga xhelozia e sëmurë beson se partnerja
është e pabesë dhe se e tradhton. Përse kjo
xhelozi quhet e sëmurë? Sepse partneri dyshues nuk ka
fakte reale për të mbështetur dyshimin e tij. Në
fakt kjo xhelozi e ka burimin tek imagjinata e pakontrolluar: partneri
fantazon rreth tradhtive të partneres, kontrollon sjelljen
e tij dhe dyshon për çdo person të cilin ai e sheh
si rival të mundshëm. Ai vendos se çfarë mund
dhe nuk mund të bëjë partneri, se me cilat persona
ai mund ose jo të shoqërohet. Xhelozia e sëmurë
në disa raste mund ta shtyjë partnerin drejt vrasjes së
partneres, të fëmijës, atësinë e së
cilit ai e dyshon apo të burrit me të cilin partnerja
ka marrëdhënie.
|