| Si
konceptohet:
Alba, studente: Celuliti është efekti “lekurë
portokalli”, është masë dhjamore e mpiksur
që duhet tretur. Humbet me fitness, me trajtime estetike dhe
masazh. Shkaktohet nga konsumi i yndyrnave te tepërta, jetëndënja
dhe gjëndja pasive e trupit. Mendoj se celuliti prek çdo
organizëm edhe personat me peshë normale. Femrat janë
më të ndjeshme ndaj këtij fenomeni.
Sheila, sociologe: Celuliti është dukuri joestetike e
lëkurës në zonat me më pak aktivitet. Shkaktohet
nga mbushja e qelizave me ujë dhe dhjami i tepërt dhe
nuk ndikojnë në peshën trupore. Shkaku: Teprimi me
sheqerna dhe yndyrna në ushqim. Moskonsumimi i mjaftueshëm
i ujit. Mungesa e aktivitetit fizik, regjimit dhe mosqarkullimi
i mirë.
Diana, strudente: Celuliti është përqëndrimi
i yndyrnave që bëjnë efektin lekurë portokalli.
Shkaku; ushqimet e përpunuara me pigmente artificiale, mosha,
jeta pasive. Celuliti reduktohet me sport dhe trajtim estetik. Personalisht
kam celulit dhe ushtroj aktivitet fizik, por nuk përzgjedh
ushqimin. Pëlqej të gjitha ato që më shkaktojnë
celulit; pijet me gaz, çokollatat etj.
Çfar është
Celuliti është një lloj indi dhjamor në
shtresën e nënlëkurës që përmban tufa
indi lidhor. Ky ind lidhor, që varion në trashësi
dhe është i ndërthurur me qelizat dhjamore, mbahet
në atë pozicion nga një rrjet fibrash që e mbron
trupin tonë duke rrethuar muskujt dhe organet. Ai është
i rrethuar nga një lëng që perveçse e ushqen,
përbën dhe një sistem efektiv për eliminimin
e mbeturinave. Kur gjithshka funksionon siç duhet, mbeturinat
largohen jashtë trupit nga ky sistem, gjë që rezulton
në kurba të lëmuara të trupit; kur yndyrnat,
lëngjet dhe toksinat mbeten thellë në lëkurë
(poshtë shtresës epidurale), indi lidhor trashet dhe forcohet
duke dhënë një efekt fryrës. Me kalimin e moshës,
shtresat e lëkurës hollohen, çka rezulton në
shfaqjen e pamjes së valëzuar të celulitit. Ndryshimi
i celulitit me dhjamin është se celuliti, në dallim
nga dhjamosja, ndodhet vetëm në disa pjesë të
caktuara te trupit; kofshët, të ndënjurat, barku
dhe gjoksi. Celuliti ka të bëjë detyrimisht me peshën.
Megjithëse formimi i celulitit varet nga dieta dhe stili i
jetesës, pjesa më e madhe e tij është e formuar
nga toksina dhe yndyrna të formuara në trup, që mund
të prekin gra të çfardolloj përmase, peshe
dhe strukture trupore.
Tipet e celulitit:
Celuliti i fortë ose solid, zakonisht gjëndet
në gratë aktive si: balerinat, atletet etj. Ky lloj celuliti
është i vështirë të eliminohet sepse nuk
drenohet kollaj nga trupi. Nga ana tjetër në disa raste
është i vështirë dhe të diktohet sepse
ngjitet direkt me muskulin.
Celuliti i shkrifët, nuk është aq i përqëndruar
dhe është më i dukshëm se celuliti solid. Zakonisht
gjëndet në zona të mëdha, është i
lëvizshëm dhe mund të shkaktojë atoni muskulore
(rënie e tonusit). Edhe pse më i dukshëm, celuliti
i shkrifët mund të eliminohet më lehtësisht.
Kush preket nga celuliti dhe pse
Zakonisht janë gratë ato që preken më shume
nga celuliti. Ai fillon të shfaqet tek vajzat rreth moshës
14 vjeç dhe rritet si rezultat I hollimit dhe rishpërndarjes
së shtresës së lekurës me kalimin e moshës.
Celuliti zakonisht formohet tek gratë pas lindjes dhe në
ato që marrin kontraceptivë oralë sepse sistemi i
eliminimit nuk mund të përballojë fluksin tepër
të madh të estrogjeneve ne trup. Ai mund të zhvillohet
edhe pas traumave aksidentale që dëmtojnë sistemin
e qarkullimit të gjakut ose në ato që bëjnë
jetë sedentare (pasive). Shumë rrallë celuliti mund
të formohet edhe tek meshkujt, kjo sepse rrjeti i tyre i qelizave
yndyrore është në thellësi të lëkurës.
Faktorët që kontribuojnë
në formimin e celulitit janë:
1. Trashëgimia.
2. Marrja e pamjaftueshme e ujit. Uji ndihmon në sistemin e
eliminimit të mbeturinave duke nxjerrë jashtë toksinat
nga trupi. Këshillohet mundësisht të merren 7 gota
ujë në ditë. Konsumi i 3 litrave ujë në
ditë është optimale.
3. Dieta. Zakonet e dëmshme të ngrënies (alkooli,
kafeina, ushqimet pikante) ndihmojnë në formimin e celulitit
sepse toksinat që ato prodhojnë, mbeten në indin
dhjamor.
4. Pirja e duhanit. Nuk është e dëmshme vetëm
për lëkurën dhe mushkëritë por gjithashtu
ngushton kapilarët e gjakut dhe dëmton indin lidhor duke
shkaktuar fryrjen karakteristike të celulitit.
5. Tensioni dhe stresi. Bëjnë që muskujt dhe indi
lidhor që i mbulon ato, të trashen. Nga ana tjetër
tensioni bllokon qelizat, duke dëmtuar eliminimin e mbeturinave
dhe pastrimin e trupit.
6. Marrja e mjekimit. Mund të dëmtojë proceset natyrale
të organizmit të njeriut. Barnat për dobësim,
sedativët dhe diuretikët, mund të çojnë
të gjitha në krijimin e celulitit, kontraceptivët
orale, që rrisin nivelin e estrogjeneve në gjak, shkaktojnë
zmadhimin e qelizave yndyrore që çon në mbajtjen
e ujit në organizëm. Mbajtja e ujit në organizëm
pengon trupin të eliminojë toksinat dhe krijon celulitin.
7. Mungesa e ushqimeve dhe stili sedentar i jetesës. Ushtrimet
ndihmojnë tonifikimin muskulor, qarkullimin e gjakut dhe mirëqenien
e përgjithshme, duke shkaktuar copëzimin e indit të
bllokuar dhe pastrimin e trupit.
Eliminimi: Mos prisni mrekullira kur bëhet fjalë për
celulit. Por nga kombinimi i ushqyerjes dhe aktivitetit fizik të
duhur, me eliminimin e stresit dhe trajtimet estetike, mund të
rezultojnë në zbutje të lëkurës. Rritja
e qarkullimit të gjakut përmes masazhit padyshim që
ndihmon në eliminimin e celulitit. Çelësi në
parandalimin dhe luftimin e celulitit është pastrimi i
trupit i kombinuar me aktivitet fizik, dietë të shëndetshme,
reduktim të tensionit dhe përmirësim të qarkullimit
të gjakut.
Trajtimi anticelulit: Nuk mund t’i nështrohesh
kësaj terapie në rastet kur vuan nga;
1. Zemra
2. Organet e frymëmarrjes
3. Diabeti
4. Variçet
5. Mëlçi kronike
6. Epilepsi
7. Puçra masive
8. Lëkura është e dëmtuar
9. Shtatzania
10. Gjatë ciklit menstrual
11. Ka plagë te pa shëruara plotësisht në lëkurë
12. Menjëherë pas ndërhyrjeve kirurgjikale etj
Për të patur rezultatin e dëshiruar, duhet të
kemi parasysh rregullin e hekurt te bashkëpunimit me specialistin
(estetisten). Ky trajtim është i thjeshtë, i pranueshëm
dhe relaksues. Humbja e peshës bëhet gradualisht, pa shkaktuar
eksese. Është e rëndësishme që të
konceptojmë faktin që kemi të bëjmë me
bilanc energjitik dhe gjatë terapisë nuk duhet te shkelim
limitet e kalorive te marra. Duhet hequr dorë nga konsumi i
ushqimeve të trajtuara në vaj të nxehtë pasi
këto produkte shkaktojnë vështirësi në
tretje. Mënyra më e drejtë është të
ushqehemi me produkte të trajtuara në avull ose me zierje
pasi janë plotësisht të asimilueshme dhe aspak të
dëmshme për organizmin. Gjatë kursit të humbjes
së peshës, kërkohet ekuilibër në marrjen
e ushqimit, përtypje e mirë, konsum i 3 litrave ujë
në ditë. Lënia e një vakti pa marrë është
e dëmshme. Organizmi ka nevojë për ushqim, zaharinë,
proteina, yndyrna etj. Për të humbur 1 kg peshë trupore
duhen harxhuar 7000 kalori energji. Në bazë të kësaj
shifre mund të llogaritet thjeshtë. Ky është
thelbi i bashkëpunimit të specialistit me pacientin.
Si proçedohet
Përcaktohet zona problematike që shfaqet në
trajtën e edemës. Në këtë zonë ushtrohet
masazh anticelulit me produktin specifik (kremfoliant). Ky krem,
në sajë të strukturës së tij me kokrriza,
ndihmon në aktivizimin e ujrave dhe toksinave të mbetura,
te cilat eliminohen dhe dalin jashtë përmes djersës
ose rrugëve të jashtëqitjes. Më pas lëkura
trajtohet me një serum i cili favorizon djersitjen. Kjo zonë
e trajtuar lyhet me baltë, që ka në përbërje
alga deti dhe parafinë. Është e domosdoshme të
fashohet kjo pjesë disa herë me pelikola (material i hollë
plastik), në mënyrë që të realizohet më
së miri efekti sauna. Mbështillet klientja përsëri
me çarçaf plastik dhe mbyllet dysheku për 20-25
minuta. Në përfundim të këtij proçesi,
largohet balta nga lëkura dhe përgatitet klientja për
proçesin tjetër; tonifikimin e muskulaturës. Përpara
këtij proçesi, vendoset edhe një produkt tjetër
në trajtë kremi, lipoaminocel ose lipoaminodren, varet
nga përmasat e celulitit. Sipas një skeme të veçantë,
vendosen elektrodat që kanë efektin e gjimnastikës
pasive. Intensiteti i elektrodave lëshohet deri në limitin
e dëshiruar nga klientja. Një seancë zgjat pothuajse
1 orë pa llogaritur qëndrimin në dyshek. Trajtimi
duhet të kalojë përmes relaksit. Seancat bëhen
me një ditë pushim ndërmjet, jo suksesive. Në
çdo seancë klientja pëson humbje peshe. Kjo humbje
është variabël, asnjëherë nuk mund të
paracaktohet sepse çdo organizëm reagon me mënyrën
e vet. Kjo terapi është e studiuar dhe nuk shkakton efekte
anësore në rast se i përmbahesh proçedurës.
Terapia mund të vazhdojë nga një deri në tre
muaj sipas rendit që përmënda sipër. Suksesi
është i sigurtë nëse klientja zbaton me përpikmëri
këshillat. Haset vështirësi në konceptin e konsumit
të ujit. Duhet edukuar klientja me këtë koncept.
Nëse ajo ka të qartë si funksionon sasia e madhe
e ujit në organizëm, proçesi shkon drejt rezultatit
të dëshiruar. Ky element është i rëndësishëm
sepse prania e konsiderueshme e ujit në organizëm prish
disa lidhje ndërqelizore, që pengojnë shkëmbimin
e lëndëve dhe funksionin normal të metabolizmit.
Nga eksperienca, klientet që i përmbahen këtij rregulli
kanë rezultat të padiskutueshëm.
Edhe me mënyra të tjera mund të realizohet humbja
e celulitit. Sauna e kombinuar me elektroda dhe masazh, por me efikase
mbetet baltoterapia. Dieta e përdorur gjatë trajtimit
është e domosdoshme. Në rast se neglizhohet ky fakt,
koha e trajtimit do të zgjasë. Dietat me kalori të
përcaktuara në çdo asortiment na ndihmojnë
për të llogaritur vetë kaloritë. Nëse klientja
kërkon humbje të përshpejtuar, sasia e kalorive që
duhet te marrë është deri në 1200 kalori në
ditë, nëse kërkon humbje më të ngadaltë
sasia e ushqimit të marrë nuk duhet të kapërcejë
limitin e 1400 kalorive.
|