ANEKDOTAT- DREQËSITË E MARIFETLLËQET E NASRADINIT

NASTRADINI DHE FËMIJËT

Kahdo shkonte Nastradin Hoxha, fëmijët i shkonin pas, e tallnin, luanin me të, e qortonin si askë tjetër në botë. Njëherë një i rritur e qortoi Nastradinin:

— More Nastradin! Po ty fëmijët nuk të frikohen fare?

—As unë nuk frikohem prej tyre! — ia bëri Nastradini trim.

 

QË TË MOS E DI UNË

Nastradini njëherë u hidhërua shumë në gomarin e vet të padëgjueshëm dhe urdhëroi të birin:

— Ketij gomari mos i jep të hajë, as të pijë! Le të ngordhë ky, sa më parë!

Kur dolën jashtë ahurit, Nastradini i pëshpëriti të birit:

— Unë thashë ashtu që ta tremb gomarin, që mos të më hidhërojë tash e tutje. Po ti jepi ujë e ushqim si zakonisht, por të mos e di unë këtë gjë!

 

SI SHKOJNË DITËT KËTU?

Nastradini arriti për herë të parë në Vuçitërnë dhe derisa po shikonte me interesim, iu afrua një i panjohur dhe e pyeti:

— A s'më thua hoxhë, ç'ditë është sot, këtu? Nastradini iu përgjigj:

— Mik i dashur, nuk jam nga këtu. Për herë të parë jam në këtë sheher, kështu që ende nuk e di si shkojnë ditët e javës këtu. Më mirë pyetë di-kënd nga vendësit!

 

NË ROL TË KËNDESIT

U ngrit Nastradini në mesnatë, doli jashtë e nisi të këndonte si këndes. Fqinjët që e dëgjuan, e pyetën ç'po ngjet me të, ndërsa ai u përgjigj:

— Paj, nesër kam shumë punë dhe do të dëshiroja të agojë dita e re sa më parë!

 

KUSH ËSHTË MË I VJETËR

E pyetën Nastradinin:

— Cili jeni më i vjetër? Ti apo vëllai yt?

— Sivjet, unë jam për një vit më i vjetër se ai, po në vitin e ardhshëm do të jemi moshatarë unë e vëllai!

 

NUK TË DON TY, NËNË!

Një lypës trokiti në derën e Nastradinit. Kërkonte bukë ai. Nastradini ngau te e ëma që ishte brenda dhe i tregoi. Nëna tha:

— Biro, i thuaj lypsit: nuk është nëna këtu! Nastradini iu përgjigj nënës:

— Po, ai nuk po të kërkon ty, por po kërkon bukë, nënë!

kthehu mbrapa vazhdo para

përgaditën:

Valentin Batalaku
dhe
Agim Mustafa

www.agimi.com