| Në
vend të parthënies:
ÇKA DIMË (E ÇKA
NUK DIMË) PËR NASTRADIN HOXHËN?
Dimë mirë se në kohën antike shtatë qytete
u grindën mes vete për të dëshmuar se i cilit
nga qytetet është Homeri (autori i „Iliadës"
dhe i „Odiseut"), por e dimë gjithashtu se tri herë
më shumë popuj në botë u grindën për
të dëshmuar se i kujt është Nastradini!
E pra, Nastradini ka mundur mos të ekzistoj fare.
Ku ta dimë ne tashti, ka ekzistuar apo nuk ka ekzistuar fare
Nastradin Hoxha? Ne dimë dhe i kemi në dorë anekdotat
e tija të shumta, dreqësitë e marifetllëqet
e tij. Ato edhe do t'i kemi dëgjuar shpesh, dhe na kanë
bërë të qeshim, apo jo? Se, një njeri i mençëm
ka thënë: „Pikërisht për shkak se është
aq e ngrohtë, qeshja është më e bukur nga çdo
lule në këtë botë". E përse mos të
qeshim edhe ne me anekdotat e Nastradinit, kur dihet tanimë
se me to qeshin njerëzit që nga India e deri në Spanjë?
Q'është e vërteta, shkencëtarët janë
përpjekur të zbulojnë personin historik që do
t'i përgjigjej Nastradinit tonë. Shkencëtarët
turq, sikur gjetën dokumentin për të dëshmuar
Nastradinin si figurë historike. Ata thonë se ai (Nastradini)
ishte nga qyteti Akshehir, që është në lindje
të Anadollisë, në Azi të Vogël. I ati i
Nastradinit, me emrin. Abdullah, thonë se ishte imam xhamie.
Thonë gjithashtu se Nastradini i vogël (sepse edhe njerëzit
e mëdhenj - lindin të vegjël) u lind më 1206
në vendin e quajtur Horto, se u shkollua në qytetin Konj
(ne shtrojmë pyetjen: a thua çfarë nxënësi
do të ketë qenë?), se punoi në Kastamon (e sipas
anekdotave ai nuk u dallua si punëtor i mirë, apo jo?)
dhe se vdiq (megjithëse anekdotat janë të pavdekshme)
më 1285 ose 1286! Por ec e beso se ka jetuar një njeri
i tillë, kur thuhet se edhe mbi pllakën e varrit të
tij, viti i vdekjes shkruan së prapthi: 6821 në vend 1286?
Gojëdhëna për Nastradinin shkojnë edhe më
larg, hyjnë edhe më thellë: thonë se ka varr
në katër shtylla, pa rrethojë fare, po në derë
ka një dry të punuar nga druri! ... Të tjerët
thonë se varri i tij i përmbysur është gati
për t'u rrëzuar tatpjetë por ka një çandërr
në anën e sipërme, - pikërisht ku nuk duhet
(që të rrëzohet më shpejt?). Dhe të tretët
thonë se varri i tij është aq qesharak, saqë
kalimtari që e sheh dhe nuk qesh me varrin e Nastradinit, i
ngrihet qafa dhe i ngel koka e kthyer mënjëanë, si
dënim!
Po, ç'rëndësi ka në ekzistoi ose jo Nastradini,
kur ai na la një thesar të hareshëm, plot mençuri
popullore dhe u bë përfaqësues i shtresës së
varfër duke vënë në lojë të gjithë,
që nga mbreti e deri te gomari! Dreqësitë e tij janë
gjithherë të përdorshme: ne me to ende vëmë
në thumb vese e karaktere të dobëta njerëzore
dhe i gërgasim të gjitha shtresat njerëzore. Figura
e tillë si e Nastradinit sikur qe e domosdoshme edhe te popujt
e tjerë, herët a vonë- E patën grekët e
vjetër Diogjenin, e kanë gjermanët Til Oelshpigelin,..
Njerëzit do të kenë qeshur edhe më parë,
do të qeshin e do të thumbojnë edhe tash e tutje.
Shumë popuj hokatarë, hokat e veta ia ndajmbathën
Nastradinit. Po hokat e tija edhe u përcollën brez pas
brezi, lëvizën anekënd: secili popull i mori dhe
ua dha ngjyrërat e veta, i veshi në kostume të veta.
Ato u përvetësuan nga të gjithë.Në Ballkan
për shembull erdhën me turqit osmanë, njësoj
si edhe në shqipet, por Nastradini mbeti Nastradin: i vogël,
i mprehtë, syqelë, i shkathët dhe, domosdo, i varfër,
— i hipur mbi një gomar të lig, që bredh për
të vënë në lojë atë që duhet
vënë në lojë, që tall ata që e meritojnë
talljen, që gërgat ata që nuk duhet lënë
të qetë. Pra, qëllimi duket fare qartë: me një
si marrash të gjenden marrashët e tjerë, sepse humori
e satira qenë ushqim shekullor, sidomos për ata që
u mungonte buka e gojës. Këtu edhe qëndron roli shoqëror
i anekdotave të Nastradinit, ky është misioni i tyre
social, kjo është porosia humane.
Pavarësisht në ekzistoi a jo, Nastradini u bë figurë
e rëndësishme e letërsisë gojore, qe me dreqësitë
e veta, me mençurinë, me drejtësinë të
mëkëmbë përvojën e popullit, përvojën
e kultivuar brez pas brezi. Ja, pra, si dhe përse u sajua edhe
ky libërth, lexues i nderuar.
U zgjodh nga shumë të tjerë, për të arritur
në duart e tua të vogla, njomske, fëmijërore.
Ky është humor për ty, lexues i vogël, por nuk
bën dëm nëse e lexojnë edhe prindërit e
tu, kujdestarët e tu, mësimdhënësit e tu. Pikë
së pari, nëse të intereson kjo, për bazë
u mor libri i parë i botuar këtu e tridhjetë vjetë
më parë, libër i hartuar nga Abdullah Zajmi, por
qenë të domosdoshme edhe „Proza popullore e Drenicës",
„Anekdota" - vëllimi i parë në botirn
të Institutit Albanologjik në Prishtinë, poashtu
disa edhe u përkthyen nga „Nastrudin Hoxha" në
botim të „Svjetllostit" të Sarajevës,
për t'u rrumbullakësuar sa më mirë mençuria
e Nastradin Hoxhës.
E kur t'i biesh në fund këtij botimi, ti lexues i vogël,
me thuaj - a ka farë rëndësia në ekzistoi ose
jo Nastradin Hoxha? A nuk do të të mjaftojnë anekdotat
e tij, më në fund? Sepse, njerëzit shkojnë e
vijnë po pas lënë veprat dhe nga të gjitha veprat,
hareja do të jetë kryevepër, apo jo? ... Se, sikur
kjo botë të kishte pasur më shumë Nastradinë,
do të ishte më e mirë - patjetër.
Prishtinë, 1988 përpiluesi

|